E marte, 19.03.2024, 04:00 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Vlera të patjetërsueshme kulturore pejane

E merkure, 24.04.2019, 07:50 PM



VLERA TË PATJETËRSUESHME KULTURORE PEJANE

NGA PËLLUMB GORICA

Me vështrimin ndaj së bukurës, qëndroj shpesh e sidomos në ato që të dehin e të bëjnë të gëzueshëm si fëmijë. Nuk janë vetëm peizazhet, por edhe qytetet me ndërtime të lashta; kala, ura, kisha, xhami, muzeume, koleksione, si artifakte që presin të dalin kasafortave të mistershme të shekujve, dhe identitetit historik e kulturor në epokën globaliste që jetojmë, e cila, përveç të mirave ka me vete kërcënimin e përhershëm të harresës dhe të anashkalojë shumë vlera, deri në shuarje e tjetërsim të tyre.

Krijuesit në çdo kohë kanë derdhur djersën e demonstrim të aftësisë së tyre, por edhe stil e mjeshtëri të lartë artistike. Është pasioni njerëzor, veç të tjerash, që i kanë ruajtur në koleksione këto vlera të konsiderueshme historike tradicionale të trashëgimisë sonë.

Jo rrallë herë e kam parë dhe jam ndalur në koleksionin-thesar të Viktor Gashit në Pejë. Befasia për këto vlera të papërsëritshme të kësaj trashëgimie kulturore të artit, të ruajtur me fanatizëm, ishte në kuptimin themelor të fjalës, pasqyrë e udhëkryqeve në thyerje kohësh. Ndaj nuk e di pse më bën të mendoheha gjatë. Ah sikur të kishim shumë personalitete të tjerë si Viktor Gashi, që të kishin bërë një punë të tillë, por në një drejtim tjetër të trashëgimisë sonë, dinjiteti i racës shqiptare do të ishte në lartësi të reja e më tunduese.

Jo rrallë herë e kam parë dhe jam ndalur në koleksionin-thesar të Viktor Gashit në Pejë. Befasia për këto vlera të papërsëritshme të kësaj trashëgimie kulturore të artit, të ruajtur me fanatizëm, ishte në kuptimin themelor të fjalës, pasqyrë e udhëkryqeve në thyerje kohësh. Ndërkohë  njoha nga afër Viktor Gashin, këtë njeri me vlera për miqtë dhe për kombin, që ishte jo vetëm një koleksionist i apasionuar, por edhe një njeri me kulturë, një burrë me dinjitet dhe i vullnetshëm në punën e tij, një simbol i fisnikërisë, mirësisë e bujarisë, kulturës, dashamirësisë e thjeshtësisë deri në madhështi. Ai ishte aristrokat në paraqitjen e vet, në bardhësinë gri të fytyrës dhe flokëve të tij, e asnjehere indiferent për ngjarjet kulturore dhe artistike, porse nuk i mungoi bashkëpunimi, me ata që ai i shihte si cilësorë në punën e tyre. Me zejet e trashëguara, me shpalojen kulturore që e ushtroi, pasionin dhe dashurinë për punën shkencore, si pinjoll i një familjeje aristokrate dhe krenare pejane, të tipareve të spikatura, e cila ka pjesën e saj në trashëgiminë kulturore me dinjitet të historisë shqiptare, koleksionisti Viktor Gashi është vlerësuar nga shumë studiues.

Të njëjtën kënaqësi më dhuroi edhe Muzeu Etnografik i Pejës, në një ndërtesë pak të moçme me arkitekturë tipike në këtë qytet, që dikur i përkiste familjes patriakale të Begollëve. Aty takova mikun tim, studiuesin Bashkim Lajçi, që në bisedën e papërtuar, e të këndshme, ngërtheu sinteza historike për vlerat e pafundme të trashëgimisë sonë. Pamja e muzeut krijon një nostalgji cytëse për këto ndërtime në kohë, sepse sot objekte të tilla rrallë mund të shohësh për shkak të betonimit të vendbanimeve. Muzeu, mjedis modest, por tepër i madh për nga vlerat arkeologjike, historike, thesare të trashëgimisë tonë kombëtare (objektet që i kanë rezistuar kohës dhe që janë vetëm një pjesë e vogël e kësaj pasurie të shtrirë në hapësirën kohore përpara shekullit të III -IV, të erës sonë, që i përkasin qytetit të hershëm të Pejës, Siparatam e të tjera nga të gjitha trojet shqiptare sidomos të Shqipërisë së Veriut e të Rrafshit të Dukagjinit), është ndërtuar në pjesën e dytë të shekullit të XVIII, me mure e oborr të shtruar me gur.

Mbi 300 prej relikteve të ekspozuara me vlera të pallogaritshme në këtë muze të Pejës, janë të numizmatikut Viktor Gashi, të trashëguara brez pas brezi nga familja e tij. Aq më tepër në mënyrë vullnetare, në këtë kohë ku sundon tregëtia botërore, e rrallë njeri mund ta bëjë një veprim të tillë kaq human, ai i dhuroi në vitin 2000, duke i shndërruar ato në pasuri kombëtare.

Gjithçka që kundron kur ngjit shkallët e lëmuara mbi mollëzat me parmakë të drunjtë të këtij muzeu, janë pragjet, çardakët e hapur përmes dyerve, trapanzhet, kapakët, me një origjinalitet e vlerë artistike të mirëfilltë që u përkasin gjuhës së ‘’mistereve’’ të shekujve, aq sa të duket se jemi përtej të padukshmes së jetës. Por, teksa endesh në odat, në oborret e stendave, në atë mori antikuarësh e ormanentesh e të tjera objekte nga mjeshtërit e kohës, shumë domethënëse në paraqitjen e tyre simbolike të ekspozuara, me vlera të rralla etnografike përfshihesh, nga një ndjesi e thellë kënaqësie, sa fjalët dhe përgëzimet, humbasin në hieroglife mendimesh sikur kalërojnë e zgjojnë aq shumë emocione. Të mrekullojnë gdhendjet prej druri, bazuar në motive kulti dhe me jehonë mitologjike Iliro-Arbërore, që kanë simbol gjarpërin, diellin e hënën, me karakteristika të hyjnizimeve pagane, por edhe të ndikimit të kulturës orientale në këto troje. Janë të veçanta koleksionet e punimeve të drurit dhe mjetet ndihmëse që përdoreshin për gdhendje të shumë modeleve sipas traditës shekullore kombëtare, janë produkte të ekonomisë së mbyllur të banesave, që të kujtojnë nënat dhe gjyshet tona të cilat qëndisnin veshje popullore, të gërshetuara me zbukurime floreale, figura gjeometrike, mbase dhe të disa tipe fluturash e zogjsh me krahë florishente. Gjen edhe furka për tjerrjen e fillit të leshtë, edhe sëndukë për ruajtjen e stolive të grave, edhe tabaka kafeje të gdhendur me biçak, etj. Natyrisht nuk mungojnë as rozetat e tavanit me rombe, të stolisura me një mjeshtri të rrallë që zbukuronin odat, por edhe gdhendje për kapak dollap muri të banesës tradicionale shqiptare, musandra, koleksione të armëve të vjetra, stenda ku ekspozoheshin objekte argjendarie, e po ashtu djepe për të rritur djem trima, për të mbrojtur lirinë dhe kombin. Veçse, përshtypje të bën më shumë me hijeshinë e vet oda e burrave, mënyra e shtrimit të velenxës të punuara në avlemend, (në trojet e Dardanisë nusja kur martohej detyrim e kishte të çonte një velenxë në odën e burrave. Lufta e fundit në Kosovë i ka dëmtuar shumë këto artizanate, por ende gjenden aty- këtu), me një kozmogoni të tërë në sipërfaqen e tyre, si një fushë me lule, ku mbi to janë vendosur postiqe prej lëkurë deleje e dhije, etj. Këto vlera të jashtëzakonshme të etnografisë kombëtare, janë pasaportë vlerash, si shprehje artistike e ndërgjegjes kolektive, të ngarkuara me plot kuptim mbi format elementare të jetës.

S’është thjesht një koleksion i trashëgimisë të këtij vendi, por diçka prej shpirtit pasionant, me këndshmërinë e tipareve, të lashtësisë, të dobishmes, e të çmuarës. Viktor Gashi, si një vlerë e shtuar, la mënjanë rehatinë dhe tregëtinë, por edhe mikroborgjezitë e vogla, e me një vullnet rinor i përmblodhi në perfeksion të llojit të vet këto vlera kolosale në albumin fotografik: “Thesare Entografike”. Kur e merr në dorë dhe e shfleton përmes fotove këtë trashëgimi thesaresh që rrezaton kulturë e vlerëson, të frymëzon e të bën vërtetë krenar.

Shfleton faqet e albumit të mbushura me lloje të ndryshme stolish, me filigrame të punimit të rrahur argjendi e ari si vëth, unaza, të shek XIX-fillimshekulli XX, të njohura në mbarë Veriun e Shqipërisë dhe Rrafshit të Dukagjinit. Më parë ishin po në këto forma, por me teknikën e kokrrizave. Janë aty edhe pafte metali e argjendi, qostekë, byzylyqe, kuti duhani, togëza, gjerdanë, kopsa, ballore, fokza, me simbole të lashta, të trashëguara që nga të parët tanë ilirët, me qasje kulturore e tipare krejt të veçanta, e prej brenda shpirtit të del vetiu thirrja: Ç’bukuri e rrallë!.

Në përcjelljen e simboleve nuk ka asgjë të rastit, por janë rrjedhojë e një vijëmsie kulturore që të parët tanë me imagjinatën e tyre i hyjnizuan në stema, flamuj, mbishkrime… I veçantë në album është simboli i shqiponjës dykrenare, e gdhendur në ar, që është edhe emblema e Flamurit tonë Kombëtar, të cilën e gjejmë qysh nga mburojat e Gerionit të Epirit, te Ilirët Taulantë, te stemat princërore arbërore të mesjetës, sa që pa e tepruar krenohemi me këtë kod gjenetik të rrënjëve tona. Roma e huazoi shqiponjën dykrerëshe prej ilirëve, ashtu siç e pa nga ata përgjatë luftrave iliro-romake, dhe për arsye që dihen, i reduktoi më vonë njërën kokë.

Njihesh me armë të vjetra, sikur t’i ketë bërë një dorë magjike, e agimeve të luftrave legjendare, si pushkë të gjata me çark, jataganë me këllëfe, pisqollat dhe kobure për brez, me shkrime e doreza larë në argjend, sa të bëhet sikur dëgjon krismat e betejave, që gjëmuan në mbrojtje të nderit dhe lirisë së shqiptarit, apo thikat e mprehta, brisqe e biçakë të ndryshëm, dhe thua me zë të lartë: Ç’histori!.

Të mbetet vështrimi në veshjet popullore, të qëndisura me ar e argjend, me ngjyra e motive magjike: jelekë, mintanë, përparse të zhgunta, çorape, shoka, dallama, dantella  apo fustanet e këmishat, gjithë fëshfëritje dhe elegancë, ku paqyrohet edhe bukuria femërore si në një dasëm shqiptare, ku martohen çifte e përtërijnë jetën, por edhe veshje të burrave të hijshëm me plis të bardhë e pushkën në krah, që të ngjallin një ndenjë krenarie me personalitetin, sa nuk mund të rrish pa klithur: Ç’mrekulli!.

Shije, art e pasuri janë objektet e vyera shtëpiake, si enë bakri e argjendi, kandila, arka të ndryshme, mangalla e kanaçe. Ndërsa i prek me mendje enët prej argjendi dhe bronxi bindesh për bujarinë e shqiptarit tek shtron sofrën i cili e pret e përcjell me dashuri mikun dhe shpërthen: Breh ç’trashëgimi!.

Vetiu të magjepsin edhe objektet e kultit si kryqe, ikona mahnitëse shenjtorësh, qiraka, shandanë, dhe thua se populli ynë patriot e fetar, e do zotin ashtu siç do fëmijën e truallin e tij. Sodit pipat prej argjendi e fildishi, rruazat e tespijeve, ku dikur pleqtë i vërtisnin nëpër gishta, hajmalitë e veshjet fetare dhe thua: Zoti ka qenë me ne!.

Rrallë njerëz gjen me një pasion e muzë të tillë, të gërmojnë në çdo grimcë të së kaluarës për të nxjerrë thesare kombi. Ai nuk pranoi të lidhë kontratë me Muzeun e Jugosllavisë së atëhershme, për t’i shitur nga arkiva personale një pjesë të koleksionit të tij kundrejt një shpërblimi të majmë, që me shitjen e këtij koleksioni të bënte një jetë me tërë të mirat, pa i munguar gjë, por i dhuroi një kohe të më vonë Muzeut të Kosovës. Dhe kjo është ndërgjegje kombëtare siç e thoshte edhe vetë në parathënien e albumit “Thesare Entografike”: “Duke qenë i vetëdijshëm se sikur ky koleksion të kishte shkuar në Beograd, ato punë nuk do të paraqiteshin më kurrë si punime shqiptare, por do t’ia mveshnin kulturës serbë, ndaj një kontratë të tillë nuk e pranova”. Kjo tregon edhe një herë për ndjenjën e madhe atdhetare që karakterizonte këtë njeri, njëkohësisht është edhe një shuplakë ndaj propogandës serbe për autoktoninë tonë, duke dëshmuar me argumente se sllavët janë të ardhur vonë në këto troje, dhe se kultura e tyre nuk është autoktone, siç pretendojnë.

Pasioni i Viktor Gashit është një vlerësim dhe respekt për botën materiale artistike dhe larminë e madhe krijuese të një populli punëtor, që ka ditur të bëjë dasmën e t’i falet zotit, ta mbajë kokën lart për historinë e tij, e të presë me dinjitet vdekjen. Të vlerësosh se ç’është arti, trashëgimia dhe historia, që mbajnë dhe ushqejnë rrënjët e një kombi, është meritë. Dhe për këtë fakt Viktor Gashi do të meritojë për jetë, jo vetëm mirënjohjen e brezit të sotëm por edhe të të tjerëve që do të vijnë.




(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora