E marte, 19.03.2024, 11:04 AM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Transferimi

E merkure, 24.04.2019, 05:21 PM


Transferimi

Tregim

Nga Përparim Hysi

Sapo doli kuadri (kështu veprohej çdo fillim vitishkollor,pas pushimeve të verës) dhe Plator Çekanin, për"punë të dobët", e kishin transferuar mbi 60-km larg shtëpisë. - Të gjeti si me ata oficerët në kohën e  carit që,për indisiplinim,Cari   i transferonte në Kështjellën e "Petro Pavllovskit", pak e veçantë kjo si ajo Kështjella"If" ku qe burgosur Edmond Dantesi,- i tha Hasani,shok i afërt i tij. Epo kjo pritej,- shtoi ai,- se "gërshërët pushtetit" janë të kalitura dhe,ndonjëherë, të qethin  jo"karre", por"zero" dhe ta bëjnë kokën toç si qose. Po, në fund të fundit, mos u mërzit,se dhe atje jetojnë njerëz dhe, në të"hahen kumbullat" si deri tani,prit se ka dhe më keq.

*     *    *

Dhe Plator Çekani u nis drejt"Petro Pavllovskit". Atje sos se e pritën me dafina, por që nga"komandanti i Kështjellës"(drejtori i shkollës) e deri tek personeli sikur e shihnin me një sy të dyshimtë, sikur ky,Plator Çekani, që vinte nga një"mëhallë" tjetër,seç kish një"gungë" mbi kurriz dhe,këta, të këtushmit, të gjithë vendas, sikur ishin betuar jo vetëm t'ia thyenin atë"gungë", por ta bënin copë-copë atë"jabanxhi" që do u prishte statue quon.

Kolektiv i vogël (gati 10-veta) dhe të gjithë meshkuj. Asnjë mësuese femër për be. Këta,vendasit, që të gjithë se ç'kishin një mllef fare të kotë kundër tij dhe,mezi prisnin,që jo vetëm ta derdhnin këtë mllef , por donin  ta helmonin me gjithësej. Ai ua lexonte mllefin e fshehur dhe  sillej indiferent; sikur as që e kishin për të dhe aq. Nga ana tjetër, ata nuk e dinin fare që ky"që u transferua për punë të dobët", ishte aq impulsiv,sa kish nevojë për fre dhe,veç saj, nën atë"punë të dobët", fshihej një preçedent tjetër që nuk kish të bënte fare me clësinë në punë. Luhej dhe atëherë si në"ballot me maska": një shkelje mbi kallo, modifikohej si"punë e dobët" dhe vinte, mandej, dëshkimi.

Nga një"shkelje e tillë mbi kallo",e pësoi dhe Plator Çekani.

Xha Taqoja, miku babaxhan i tij dhe që i kishte shpotitë në majë të hundës,e zbrazi:- Dëgjo, or qejfliu i xhixhait, ne, në Myzeqe, kemi një shprehje:" Po u shkele me patok,e bën vezën të madhe". Tani,hajde jepi Xha Taqos një teke, ti një kafe farmak (se helmi del me helm) dhe mos u mërzit.

Këto po kujtonte,pasi mbaroi ditën e parë të mësimit. Tek shpjegonte, Plator Çekani, vuri re se nxënësit e ndiqnin me vëmendje. Ishte tjetër ballafaqim që fliste për një krahinë arsimdashëse dhe kjo sikur e ngushëlloi.Çdo ditë që kalonte dhe ai,pak nga pak, krijoi një opinion:- Oh,sa mirë që shpjegon,-dëgjoi një nxënëse t'i thoshte shoqes së-saj.

- Po në Orën letrare na la me gojëhapur. Tregoi për"Manteo Falkonen" dhe, moj mama se sa bukur! Apo nuk  kishte dhe një orëxhepi"floriri" si të atij xhandarit dhe unë qava,kur vranë atë,Fortunaton.

Mësuesi dëgjonte dhe u mbush me morrnica. Siç duket,"jabanxhiu" po bënte"hije" dhe"mllefet" e skortës matan, gati për vërshim.

*    *    *

Drejtori qe me shkollë të mesme,por komunist dhe kaq majftonte. Të tjerët: sidozot drejtori! Por qenë"dele të urta" që për bari kishin drejtorin. Ky: më i dituri; më i zoti dhe, pa dyshim, më i fuqishmi. Po kur, kur do ma bëj përshesh këtë, të ardhurin,që më mbaka hundën përpjetë,- dëgjova që i tha njëri prej tyre, tjetrit. Tjetri që qe më "konfident" me drejtorin, tha:- Sot, sot është dasma. Vjen shoku X... dhe, në drekë, do hamë "byrek". Ke dëgjuar ti,Bilo,-Të ngrënça drekën!

Platori,rastësisht, e dëgjoi dhe këtë"kuvend miqësor" kundër tij, por as që e prishi fare gjakun. Qe mësuar me sulme të tilla,aq sa lëkura i qe argasur. Ai qe zot në punën e tij dhe, veç me punë, kish vënë poshtë intringa e kurthe të illa dhe, pa e bërë qejfin qeder,priste të fillonte mësimin.

- Do e shtyjmë pak orën,se pritet të vijë shoku X...,- kumtoi drejtori. Nuk kaloi as gjysëm ore dhe mbrriti shoku X...

Shoku  X... ( në atë mjedis ai qe "Hazreti Muhamet"), një stërhall i gjatë si hosten, me ca flokë si gjemba iriqi që,sado t'i krehësh, duken keq e më keq dhe,kur erdhi,ngaqë njihesh me të tërë, tha:- Ti je ai, i ardhuri nga...;- Nga SHqipëria,- bëra sikur i erdha unë në ndihmë.

- Opo lëri ato,se ta di "Shqipërinë" ty dhe ja tek po ta them:- Mos kujto se të kanë sjellë për burrë të mirë këtu? Po  ç'ta zgjas? Drejt e në mësim. Se,enkas,për ty kam ardhur,se këta, të tjerët, i njoh. Kur tha kështu shoku X...,atyre desh ju ra"mllefi" nga buzët.

Ora e mësimit qe  si me porosi: "Për Enver Hoxhën,këngë thur tërë jetën". Shoku X... mend kaloi në orgazëm, se, sikur t'i dinte vargjet e Hamletit, do kish mërmëritur:"Drama është gracka/ku shpirti i mbretit kapet si laraska". Sado që nuk i dinte, kish kënaqësinë e të ligut: do flitej për UDHËHEQËSIN dhe gjah më i bukur nuk i  kish ardhur në shteg. Pa të shohim se sa para të bën lëkura. Këtu nuk është si  ai "debati" që bëre me shefin dhe, nëse fitove për një çast,e pagove doganën më të rëndë: për një thelë, po paguan një pelë. 60-km larg dhe je në "dorën tonë". Jo: "në dorën time". Plator Çekani,sa herë që kontrollohej, nga seksioni e deri nga ministria,kur vinin me ekipe, gjithmonë ish ndarë faqebardhë dhe,si të thuash, ishte çliruar nga ai gërçi që mbërthen, ndonjëherë,edhe mësues të zotë. E kish në praktikën e tij që kushdo që e kontrollonte, nga ai supozohej sikur ishte vetëm dhe demonstrote para nxënësve aq lirshëm, si të ishte një aktor që luan në skenë. Aq më tepër,kur poezia kish të bënte me Udhëheqësin,për të cilin. fëmijët ishin gati që t'i falnin "akullore me sheqer". A e dini këngën homonime"Akullore me sheqer",pyeti mësuesi dhe, kur një nga nxënësit ia thirri: "Akullore me sheqer/ do ia fal xhaxhit Enver". Hë,- tha mësuesi,- edhe ne sot do shohim se sa e do populli shokun  Enver! Kur mësuesi recitoi," se nëna i dha bukë me dhallë... pa nga shoku  X... që hoqi "shalladuqet"* dhe,mend, u përlot. Ora kaloi për mrekulli dhe shoku X..., pak i mëdyshur,por i tha:- Qenke mësues i mirë,por kaq nuk mjafton. Je pak hundëpërpjetë...

Plator Çekani u mundua ta duronte këtë bodec të këtij, shokut  X...,që kujtonte se kishte zënë qiellin me dorë, se aty, në atë mjedis,ai qe Zeusi që mund të lëshonte rrufetë ndëshkuese.

*      *    *

Ishte ditë e shtunë dhe, i transferuari, mezi priste të mbaronin orët e mësimit, se kish një javë pa vajtur në shtëpi. Kur mbaroi mësimi (sa kish kaluar ora 12.00), aty,tek salla e personelit,dikush solli një tavë me mishpule me oriz, një faqore me raki dhe,veç tyre, nja tri kalavesha rrush korith që ta bëni me sy.

- I solle?- pyeti  drejtori. Ndërkaq ,njëri prej mësuesëve i mori dhe i futi në drejtori.

-Do prisni,- tha drejtori,- sa të hamë drekën unë e shoku X...  Dhe fare të paedukatë dhe fare jashtë traditës të bukur të mikpritjes së krahinës, bën sikur harruan që i vetmi që nuk kishte ku hante drekë qe jabanxhiu,Plator  Çekani. Ky nuk e ndjeu veten mirë nga një mospërfillje e tillë,por,sidoqoftë, i duhej që të duronte.Se,ndonjëherë,derrit duhet t'i thuash dajë. Dhe duroi sa gati plasi, kur pasi u ngopën  dy derrat e kënaqur, dërguan një nga ata, të tjerët me porosi që Paltori të"lëpinte ato që lanë ata". Duke e lënë,pa e prekur atë"pjesën e mbetur", u mundua të ruante gjakftohtësinë dhe i tha inspektorit X...

- Shoku inspektor! Mësimin e mbarova dhe unë kam një javë pa shkuar në shtëpi.Larg jam. Makinat janë të rralla dhe më jepni leje të largohem.

- Avash, avash se na preke! Paske një javë pa vajtur në shtëpi dhe u bëka kiameti. Jo.Nuk do ikësh. Dhe ja tek ta them para tërë këtij kolektivi:- Ti do ikësh, kur të dojë ky. Ky, kuptohet, që ishte fjala për drejtorin.

Ndërsa  drejtori lëshoi një skërmitje kënaqësie, të tjerët sikur e shtuan mllefin. Zeusi lëshoi rrufenë.

Plator Çekani, kur e pa që ky"derr i kënaqur" kish nevojë për plumb,se politesa për të  qe si ato"saçmat e vogla" që veç e hardllosin derrin, shpërtheu:

- More shimpanze që,sa më shumë të shoh, aq më shumë më vjen për të vjellë,çfarë më kujton mua se  jam nga këto delet që vetëm blegërij. Do ta ngre këtë tepsinë dhe do ta bëj atë surratë të shëmtuar përshesh që, edhe qentë, nuk do ta hanë. Na u mbake, zotrote, si kokë e madhe që të bëke gjëmën. Ti je veç një turp që rron  me lavdinë e të tjerëve. Sulmi qe i papritur dhe gjithë ai stërhellë i gjatë,erdhi dhe u  shkurtua,ashtu siç hyn doku në ujë.

-Mos t'i pafsha sytë më!,- bërtiti.

-Ditën e mirë , ju të tjerëve.

Në sallë të personelit sikur ra  bomba. Plator Çekani u dha këmbëve,se donte gjysëm ore, të  zbriste tek xhadeja kryesore ku,me makinat e  rastit, të kthehej në shtëpi. Kish marrë vendin të paapelueshëm: më nuk kthehej në atë shkollë. Dhe ç'ndodhi më tej? Besoj,se do tregoj një herë tjetër.Po sa për të shuar kurreshtjen e ndonjë lexuesi, mund të them: u kryqëzuan rrugët dhe nja dy herë të tjera të Plator Çekanit me shokun X...  që i ngjiti shkallët e karierës si një alpinist në "piramidën partiako-shtetërore".




(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora