E premte, 29.03.2024, 11:52 AM (GMT)

Mendime

Hamit Taka: SPAK si gogoli i fëmijëve

E marte, 23.04.2019, 07:08 PM


SPAK SI GOGOLI I FEMIJEVE

Nga Hamit Taka

Në mitologjinë shqiptare, popullore dhe pagane, gjejmë figurën e GOGOLI-t, një qënie e përçudnuar dhe e frikshme, e cila fshihet dhe del natën prej territ, duke u kënaqur që shkakton frikë te fëmijët. Gjyshet e kanë përdorur me sukses këtë qënie për të frikësuar e disiplinur nipat e mbesat: Fli, se erdhi gogoli! Hajde brenda se vjen gogoli! Mos qaj se se vjen e të merr gogoli! Në socializëm këtë figurë e kishte zëvendësuar GAZI 51 i degës së punëve të brendëshme, por jo për fëmijët, për të rriturit. Sot, pas 30 vjet demokraci, kryeministri, qeveria, deputetët e mazhorancës, disa opinionistë në shërbim të Rilindjes rreken ta zëvendësojnë gogolin me SPAK. Kjo do të thotë, as më shumë as më pak, se janë në linjë me etërit e tyre: sistem njëpartiak, pa opozitë, opozitarët janë armiq. E keni vënë re, sa herë ka debate(se dialogu është i papranueshëm), në parlament, në media apo para takimeve me masat(siç thuhej në kohën e diktaturës) ky emërtim, SPAK pra, ka dendurinë më të madhe në ligjërimet e qeveritarëve, politikanëve e pushtetarëve të mazhorancës. Gjitmonë duke kërcënuar opozitarët.

Kush e ndoqi emisionin Open të Eni Vasilit në Top cannel ditën e hënë, e pa se sa herë e përmendi deputeti i PS-së, zoti Alket Hyseni, duke u thënë përfaqësuesve të opozitës aktuale se ata kërkojnë trazira, pasi kanë frikë prej SPAK, i cili do t’i fusë në burg?! Dhe zoti Hyseni është me profesion jurist! Dhe kjo ngjan me atë frikacakun, që e ka zënë tartakuti nga kundërshtari dhe rreket ta tremb, duke i thënë: mos m’u afro se të lëshova qenin. Kjo kanosje njerëzve të thjeshtë me pak kulturë politike e juridike u lë të kuptojnë sikur SPAK e bën qeveria e mazhoranca për të burgosur e asgjesuar opozitën aktuale, ndërsa një pjese të opinionit publik u krijon idenë se zgjedhja e anëtarëve të SPAK është e manipuluar dhe e drejtuar nga qeveria e kryeministri.

Por kjo puna e SPAK ka arritur shumë larg dhe është bërë pjesë edhe e ligjërimeve të njerëzve të zakonshëm në jetën e përditshme. Ishte shumë komik rasti 1 një qytetari në një market, kur, i pakënaqur nga çmimet e perimeve, i tha shitëses: Bëni ju, bëni sa të vij SPAK-u, pastaj do ta shikoni se ç’do t’ju gjejë! Po aq e dëgjon rëndom në biseda e debate militantësh… Ndërsa për një shikues e dëgjues mendjeçelur, këto shprehje dëshmojnë paaftësinë e përfaqësuesve të mazhorancës për të sjellë në debate argument argumenteve të e bindëse përballë njerëzve të qartë në ato që dinë e që thonë.

Dihet se SPAK do të ketë detyrën të luftojë kriminalitetin e nivelit të lartë për të dy krahët e politikës, mazhorancën e opozitën, administratën, drejtësinë, policinë dhe këdo që ka abuzuar me ligjin e të drejtën. Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian kanë ofruar sakaq ndihmë në trajnimin dhe përgatitjen e funksionarëve të kësaj strukture, por as SHBA dhe as BE nuk kanë thënë se SPAK është strukturë e qeverisë apo e kryeministrit dhe do të hetojë vetëm opozitën. Duke shfrytëzuar përpjekjet këmbëngulëse të opozitës për të patur vendime të drejta dhe konkurencë të ndershme, mazhoranca e shfrytëzoi këtë për t’u mbushur mëndjen elektoratit të majtë dhe pjesës më mediokre të popullsisë se opozita kishte frikë nga SPAK, i cili do të hetonte vetëm Berishën dhe politikanët e PD, më vonë shtoi edhe LSI, kur ajo i doli nga vatha. Kjo tregon se mazhoranca përpiqet ta kompromentojë që në proces krijimin dhe funksionimin e SPAK. Ama mazhoranca, domethënë qeveria, kryeministri dhe administrata e sotme duhet ta kenë të qartë se edhe ndonjë apo disa anëtarë të kësaj strukture të lartë të drejtësisë, sapo të fillojë funksionimi i tij, edhe në se janë të infiltruar nga kryeministri apo qeveria pa meritë, nesër do të kenë frikë të jenë më në shërbim të tyre, se do të ruajnë lëkurën e tyre, aq më tepër që nuk ka mazhorancë të perjetshme në demokraci. Dhe atëherë do të thonë: kalova lumin të bëfsha kalin.

Nuk do shumë mend, mjafton të kesh sy e vesh për të kuptuar se kush po e bën SPAK-un gogol dhe për kë e bën. Kjo është mazhoranca, e cila e ka të qartë se politikanët e opozitës nuk kanë frikë nga SPAK, por do të ndikojë te qytetarët, votuesit e qershorit. Ajo rreket që votuesit të humbin besimin te opozita dhe të kriojojë ndjesinë në opinion se politikanët e opozitës kanë frikë nga SPAK si “djalli nga temjani”. Në të vërtetë mazhoranca përpiqet ta zhvendosë frikën reale të vetes tek opozita. Në shkrimet e bisedat e politikanëve, duke arritur deri në skajet më të lërgëta të vendit, në qytete e fshatra, në zyra, lokale e familje. Natyrisht vendin e parë e zënë mediat, sidomos në opinionet ku ballafaqohen të dya anët e politikës. Këto mendime, ide apo lojra fjalësh janë thjesht demagogji e propagandë mashtruese e dhunuese ndaj qytetarëve të zakonshëm, për t’u distancuar nga aksioni opozitar për zgjedhje lokale e parlamentare te drejta e të pamanipulueshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora