Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Po u 'mbarse' me metafora, përditë lind

| E shtune, 20.04.2019, 08:33 AM |


Po u "mbarse" me metafora, përditë lind

Libri me poezi i POETES ADELINA   DARDHA  HASKAJ "PËRDITË LIND"

(ese)

Nga Përparim Hysi

Ka ndodhur pak kështu me mua sot,si:" me inat më foli,me "inat" po i  përgjigjem". Siç e shihni,  pak i veçantë titulli i  esesë sime dhe ndodhi kështu,se pak e veçantë është dhe autorja e këtij libri me poezi"Përditë lind" i Poetes aq cilësore që quhet ADELINA DARDHA  HASKAJ. Libri ka gati 250 poezi dhe,që të gjitha, nga a-ja tek zh-ja poezitë janë ndërtuar me bazë metaforën, këtë mbretëreshë të bukur të tropeve. Me këtë POETEN, në gjykimin tim,sigurisht, ka ndodhur ajo që ndodh me një vajzë që mbi gjergjef, punon me bizë krejt pajën e saj,

*     *    *

Metafora. Sa kadencë e nur i jep poezisë! Sa ka përfituar poezia shqipe nga autorë që e kanë bërë si "kuotë" të detyrueshme në poezinë  e tyre metaforën dhe, nëse poezia mbarëshqiptare ka bërë një hop, merita është e gjithë autorëve që operojnë mjeshtërisht me metaforën. Dhe për të kaluar nga fjalët tek shembujt:"Menduza e dashuruar mban syze dielli",këndon POETI I BUKUR,MOIKOM ZEQO. Apo le të kutjojmë për një çast, të bukurin e ndjerë,FREDERIK RRESHPJA:

"Luanët e fëmijërisë,

Po vijnë të pinë ujë tek pusi i vjetër,

Ku.... shfaqet Saadiu me një turban vese".

Dhe mund të vazhdoja me plot e plot të tjerë që e kanë zbukuruar poezinë,se, me të vërtetë që të befasojnë. E bukura është se  Poezia Mbarëshqiptare nuk është maskiliste. Ka një varg autore femra që e"trondisin" lexuesin me poezitë që krijojnë. Nëse do bëja një rreshtim të poeteve të tilla, nuk kisha  si mos citoja,të tilla,si: ILIRIANA SULKUQI e VLLASOVA MUSTA,ELIDA BUÇPAPA (nga "garda e vjetër",po të shprehesha kështu), dhe, mandej, me të tjera,si: Monda MOISIU e KOZETA ZYLO; me LIDA LAZE dhe ELI KANINA; me ALMA FERUNI e DONIKA HAMITAJ; me ELKO QEPAROI, me...

Por, ajo që dua të theksoj në këtë ese të thjeshtë, është një fakt shumë domethënës: krijues ka plot,por shumë nga krijimet që janë pasuri kulturore e shpirtërore, humbasin për arsye subjektive e objektive. Nuk ka deri sot në Shqipëri,një organ zyrtar që të jetë i ngarkuar për të ndjekur në dinamikën  e saj,gjithë këtë krijimtari me vlera në prozë apo poezi. Më tepër janë nisma grupesh,miqësh dhe atje, ku ka financime, panaire apo honorare të majme,inkurajohen dhe reklamohen pavlerat si vlera dhe ky qëndrim të revolton.

*      *    *

UNGARETI  thotë: "Poezia është poezi,nëse dikush,kur e dëgjon, ndjehet menjëherë i godtur së mbrendëshmi". Dhe kështu ka ndodhur me mua si lexues në çdo poezi që kam lexuar nga kjo poete. Po sjell për ju, një poezi të shkurtër të saj" Sa një sy tigri":

"Fija e argjendtë

e hënës

brenda fillit të një gjëlpëre

bëhet sa një sy tigri...

dhe qendis

dashurinë e diellit."

Ose tek"Degët e shpirtit të babait":

"Pranvera e sivjetme

Nga viset e largëta

Babait i mblodhi tek çerdhje vjetër

Dy pëllumbat,

Dy dallëndyshet

Dhe plot nëntë zogj..."

Është çudi me poezinë e saj. Është si një shpërthim që nuk e mban dot brenda. Dhe shijoni një"shpërthim tjetër të saj",tek poezia"Përhumbje".

"Më pëlqejnë përhumbjet e mia,

nëpër ikje;

ashtu si dehjet e tua,

Kur unë kthehem.".

*      *     *

Me mua ka ndodhur,ashtu siç thoshte CIECERONI:" Librat janë ushqim i djalërisë; zbavitje e pleqërisë; dritë në shtëpinë e errët;shok ditën, natën,në ndjenjë e në udhëtim". Më duket se  kjo është thënë enkas për mua. E mora librin e ADELA DARDHËS (HASKAJ) dhe,tek i shfletoja një dhe nga një, arrita në një përfundim: ADELA DARDHA HASKAJ jo vetëm është POETE, por hyn në radhën e POETËVE më CILËSORË që ka Poezia MBARËSHQIPTARE.

E si mos  ndjehesh mirë,kur lexon poezi të tilla,si:"Metamorfozë dashurie"

"Duke qepur pëlhurën e natës,

pres që ti të zgjohesh pranë meje,

se kam për të treguar

Kufijtë e ndarjes sonë,

që janë lëshuar nga prangat

Dhe largësia jote e ka thelluar

Hendekun e dritës së ditës për t'u parë.

Por të lutem,mos u zgjo zhurmshëm,

sepse do më dridhet qerpiku,

Që fle si kurorë zjarri

Pranë oxhakut të Krishtlindjes.

Ose në një tjetër:"... si një fëmijë /pëllumbin e paqes lëhshoj/ me puthje,drejt qiellit tënd/."

Kur hamendësoj për këto poezi të kësaj autoreje,them:"Sa të drejtë ka patur shkrimtari marikan,MARK TVEN(1835-1910),kur thotë:" Frymëzimi më vjen si një paketë postare për t'u dorëzuar". Kështu ka ndodhur dhe me ADELËN:vjen frymëzimi dhe"paketën postare" e dorëzon për lexuesiti:"Imazhet"

"Imazhet e njerëzve/kam filluar që t'i mbjellë/nëpër saksitë e luleve/; tiparet ua bëj të mendueshme/e  të skalitura nga rrënjët/.

Dhe ja një tjetër,me titull"Zgjim i ri"

"Ai,përditë,më puth

Unë,përditë,i mbyll qepallat

nga lumturia.

Akullnaja e syve

zjarrin e dimrit shkrin

përmbi buzë.

Pengu i një ëndrre

Nuk dua të ngel.

Guxova.

Tani nuk dua të zhgënjehem.

Kur qendroj tek kjo poezi, më vjen ndërmend MARSEL AKARDI që thotë:- Burri ka një dashuri-botën; gruaja ka një botë-dashurinë.

Siç mendoj (them:kështu duhet të jetë), me POETEN ka ndodhur ajo që thotë  i madhi NIKO KAZANZAQI:"Libri,para se ta shkruaj, është në zemrën time".

Dhe ja poezia që i ka dhënë titullin librit:

Përditë lind

Përditë lind

nga mitra ime

pafajësinë e grave

për të pasur fëmijë

të bukur

me burrat që dashuruan në jetë

dhe nuk i patën kurrë

në shtrat.

Vargu i poezive që duhen cituar, është i gjatë. Por nuk mund të vazhdoj më. Por tek e mbyll,me sa kam vënë re përmjet poezive, me ADELA DARDHA HASKAJ ka ndodhur ajo që thotë KRISTINA ROSETI:"Zemra ime është si një zok këngëtar." Poezitë e saj aq të bukura,sa nuk ke se si veçon njërën nga tjetra dhe,për të mund të them pa frikë atë që thotë TOM HARD:"Puplat e bukura i bëjnë zogjtë të bukur". Dhe poezitë e saj janë plot"pupla të bukura".

Por ,kur shijon një bukuri të tillë (unë jam pak poet vet),ke dhe një detyrim që duhet të mbashë. Dhe them që kam bërë atë që porosit ARTUR SHOPENAHUER:" Me një vepër arti duhet të sillesh si para një fisniku të madh: t'i rrishë përballë dhe të presësh të të thotë diçka". Kështu kam qendruar dhe unë dhe mësimi që më dha është ky:"Po u "mbarse" me metafora, përditë lind". Dhe nuk ka pohim më të bukur. Se, siç thotë VOLTERI,e bukura nuk ka nevojë për prova. Urime  ADELA DARDHA  HASKAJ!

Tiranë,17 prill  2019