E premte, 19.04.2024, 02:36 AM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Pakti Ballkanik (Antanta Ballkanike)

E premte, 19.04.2019, 09:49 AM


PAKTI BALLKANIK (ANTANTA BALLKANIKE)

Shkruan: Adil FETAHU

Pakti Ballkanik (Antanta Ballkanike) ishte një lidhje ushtarako-politike e disa shteteve të Ballkanit dhe Turqisë, që kishte për qëllim ruajtjen e status-quos mbi territoret (e pushtuara) te shteteve të caktuara dhe mbrojtjën nga aspiratat e Bullgarisë dhe Italisë në Ballkan dhe në Azinë e Vogël. Me Paktin Ballkanik, Jugosllavia, Greqia, Rumania dhe Turqia garantonin reciprokisht status-quonë e territorit dhe kufijve të tyre ballkanikë. Ishin marrë vesh dhe obliguar për masat që do t’i merrnin për çdo rast eventual që do të preknin ineresat e tyre. Poashtu ishin obliguar se nuk do të ndërmerrnin kurrëfar aksioni politik ndaj cilitdo shtet ballkanik i cili nuk është nënshkrues  i atij Pakti, pa informimin reciprok midis palëve të Paktit, as nuk do të merrnin kurrëfar obligimi politik ndaj asnjë shteti ballkanik, pa pëlqimin e anëtareve tjera të Paktit.

Pakti Ballkanik ishte krijuar sipas një ideje të kahershme, me synime që të shndërrohej në një bashkësi politike dhe union ekonomik, të hapur edhe për vendet e tjera, si një federatë apo konfederatë e  gjashtë shteteve ballkanike: Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Jugosllavia, Rumunia dhe Turqia. Bartëse të inisiativës për lidhjen e Paktit dhe krijimin e asaj bashkësie ishin Greqia dhe Jugosllavia, të dyja këto që mbanin të pushtuara toka shqiptare.

Krijimit të Antantës Ballkanike i kanë parapri disa konferenca, të cilat kishin karakter gjysëmzyrtar, që kishin hartuar e miratuar rezoluta, marrëveshje e pakte dypalëshe e trepalëshe të miqësisë  dhe zgjidhjes paqësore të kontestve, sipas parimeve dhe politikës së Shoqërisë së Kombeve. Ato konferenca e pakte kishin filluar dhe u zhvilluan në periudhën  1930 – 1933, deri sa më në funt u bashkuan në një lidhje dhe nënshkruan Paktin e Përbashkët Ballkanik, më 9 shkurt 1934, në Athinë,por jo të gjitha shtetet ballkanike, sepse Shqipëria dhe Bullgaria nuk ishin pajtuar me status-quonë territoriale dhe kufijtë e Jugosllavisë e Greqisë. as me trajtimin e minoriteteve në këto shtete. Kundër Paktit Ballkanik, për interesat e tyre, ishin edhe Italia, Hungaria, madje edhe Bashkimi Sovjetik.

Konferenca e Parë Ballkanike është mbajtur në Athinë, më 5-12 tetor 1930, në të cilën kanë marrë pjesë 99 delegatë të gjashtë shteteve ballkanike. Në atë Konferencë ishin miratua deklarata dhe rezoluta ambicioze për punën e mëtejshme në afrimin e popujve dhe shteteve të Ballkanit. Në porosinë që Konferenca u dërgonte qeverive dhe shtypit në Ballkan, duke lavdëruar punën e Konferencës, theksohej: “Kontaktet  tona të drejtpërdrejta dhe bashkëpunimi midis nesh kanë treguar në mënyrë të shkëlqyer se jemi popuj vëllëzër dhe se me marrëveshje e në mënyrë paqësore mund t’i zgjidhim kontestet që na ndajnë”. Konferenca kishte miratuar rezolutë për afrimin në fushën ekonomike, për masat politike dhe  bazat në të cilat do të mbëshetetej Lidhja Ballkanike. Kishte miratuar edhe Statutin, me të cilin, sipas shembullit të Shoqërisë së Kombeve, ishte përcaktuar formimi i organeve të Konferencës: Kuvendi kryesor; Këshilli; Byroja; Sekretariati dhe Grupet Nacionale.

Konferenca e Dytë Ballkanike është mbajtur në Stamboll dhe në Ankara, më 20 deri 25 tetor 1931, në të cilën kanë marrë pjesë rreth 300 delegatë. Konferencën e kishte përshëndetuar kryetari i Republikës së Turqisë,  Mustafa Kemal (Ataturku). Puna e Konferencës së Dytë është zhvilluar  në gjashtë komisione  të formuara sipas  Statutit të miratuar nga Konferenca e Parë, Konferencës i ishin dërguar dyzet propozime e promemorje, për tema të ndryshme, ndërsa delegacioni i Greqisë kishte propozuar formimin e Paktit Ballkanik, me qëllim që të pamundësohet luftë e re midis vendeve të Ballkanit.  Konferenca e Dytë kishte formuar oda, unione e federata të ndryshme ndërballkanike: për tregti dhe industri, për postat, për turizmin, dhe ishin propozuar edhe shumë organe e forma tjera të bashkëpunimit, dhe ishte kërkuar heqja e vizave për qytetarët e vendeve ballkanike.

Konferenca e tretë Balklkanike është mbajtur në Bukuesh,më 22 deri 27 tetor 1932. Konferenca e kishte miratuar projektin e Paktit Ballkanik, të cilin e kishte propozuar Greqia. Projekti i miratuar kishte shkaktuari konteste e mospajtime serioze të delegacionit të Shqipërisë dhe Bullgarisë, nga njëra anë, dhe delegacioneve të vendeve tjera, nga ana tjetër. Delegacionet e Shqipërisë dhe Bullgarisë ishin të paknaqura sa i përket çështjes së minoriteteve dhe caktimit të kufijve të Jugosllavisë pas Luftës së Parë Botërore. Ato nuk ishin pajtuar me garantimin e status-quon e kufijve, që parashihte Pakti.  Dhe, me qenë se ishin mbivotuar në dy pikat kontestuese, të dy delegacionet e kishin suspenduar (pezulluar) përkohësisht pjesëmarrjen në Konferencë. Në vazhdim Konferenca e Tretë kishte  miratua projektin e Konventës për statusin e shtetasve të vendeve ballkanike dhe kishte bërë propozime të ndryshme për afrimin  në lëmin e kulturës, shëndetësisë dhe  drejtësisë.

Pas shumë shtyrjeve të termineve, Konferenca e Katërt Ballkanike është mbajtur në Selanik, më 4 deri më 11 nëntor 1933. Në atë Konferencë janë miratuar projekti i Marrëveshjes Rajonale Ekonomike të sheteve të Ballkanit; projekti Dejtorisë kooperativiste; Statuti i Seksionit Detar të Odës tregtare dhe industriale ndërballkanike, si dhe caktimi i prioriteteve të rrjetit të transportit në infrastrukturën e Ballkanit. Konferenca e Katërt Ballkanike ishte dhe e fundit, pasi që Shqipëria dhe Bullgaria  kishin refuzuar nënshkrimin e Paktit,, me të cilin garantohej status-quoja e territoreve dhe kufijve të Jugosllavisë dhe Greqisë.

Jashtë suazave të Konferencës, Greqia, Jugosllavia, Rumania dhe Turqia,  më 9 shkurt 1934, kishin nëshkruar paktin katërpalësh, me të cilin formuan të ashtuquajturën Antanta Ballkanike. Pakti i Antantës Ballkanike përmbanë gjithsejt 3 nene, dhe ka këtë përmbatje:

“PAKTI I MARRËVESHJES BALLKANIKE

midis Jugosllavisë, Greqisë, Rumanisë dhe Turqisë

Athinë, 9 shkurt 1934

Lartmadhëria e tij Mbreti i Jugosllavisë; Kryetari i Republikës së Greqisë;Lartmadhëria e tij Mbreti i Rumanisë: dhe Kryetari i Republikës së Turqisë:

Me dëshirën që t’i kontribuojnë forcimit të paqes në Ballkan;

Të frymëzuar nga fryma e marrëveshjes dhe koncilacionit që ishte me rëndësi vendimtare për hartimin e Paktit të Brian-Kologovit dhe nga vendimet e Kuvendit të Shoqërisë së Kombeve që kanë të bëjnë me te;

Të vendosur forcërisht për të respektuar obligimet e kontraktuara të cilat tanimë ekzistojnë, dhe për mbrojtjen e rendit territorial që tash ekziston në Ballkan,-

Muarën vendim të lidhin një

PAKT TË MARRËVESHJES BALLKANIKE

dhe për këtë qëllim i caktuan të autorizuarit përkatës, si vijon:

Lartmadhëria e tij Mbreti i Jugosllavisë:

Ekselencën e tij zotri Bogolub Jevtiqin, ministër i punëve të jashtme;

Kryetari i Republikës së Greqisë:

Ekselencën e tij zotri Dimitrios Maksimos-in ministër i punëve të jashtme;

Lartmdhëria e tij Mbreti i Rumanisë:

Ekselencën e tij zotri Nikolla Titulesku-n, ministër i punëve të jashtme; dhe

Kryetari i Republikës së Turqisë:

Ekselencën e tij zotri Ruzhdi Beu-n, ministër i punëve të jashtme,-

Të cilët, pasi që i këmbyen autorizimet e tyre në formën e rregullt,- u pajtuan për këto dispozita

Neni 1

Jugosllavia, Greqia, Rumania dhe Turqia garantojnë sigurinë reciproke të kufijte të veta ballkanikë.

Neni 2

Palët e larta kontraktuese obligohën se do të merrën vesh për masat që do të ndërmarrin kur paraqitet ndonjë rast eventual që mund të prekë interesat e definuara me këtë Marrëveshje. Ato obligohen se nuk do të ndërmarrin kurrëfarë aksioni politik ndaj cilitdo vend ballkanik i cili nuk është nënshkrues i kësaj Marrëveshje, pa informimin paraprak reciprok dhe nuk do të marrin mbi vete kurrëfarë obligimi politik ndaj asnjë vendi tjetër ballkanik, pa pasur pëlqimin e Palëve tjera kontraktuese.

Neni 3

Kjo Marrëveshje hyn në fuqi sapo të jetë nënshkruar nga të gjitha Palët kontraktuese,  dhe do të ratifikohet në afatin më të shkurtër të mundshëm. Kjo do të jetë e hapur për secilin vend ballkanik, çasja e të cilit do të shqyrtohet me kohë nga Palët kontraktuese dhe do të realizohet  sapo vendet nënshkruese ta notifikojnë pajtimin e tyre.

Për vërtetimin e kësaj, të autorizuarit e përmendur nënshkruan këtë Pakt.

Punuar në Athinë, më nëntë shkurt të vitit njëmijenëntëqintetridhjetekatër, në katër kopje, prej të cilave  nga një për secilën Palë të lartë kontraktuese.

(V,V.) B.D.Jevtiq, d.v.

(V.V.) D.Maksimos, d.v.

(V.V.) N.Titulsku, d.v.

(V.V.) Dr.Ruzhdi Bej, d.v.”.

* * *

Ambicjet e Antantës Ballkanike ishin të mëdha, që gradualisht me harmonizimin dhe unifikimin e veprimtarive në sektorë të ndryshëm, më në funt të krijohej një union doganor e monetar dhe përgjithsësisht një union ekonomik, politik dhe ushtarak. Kjo po ndodhte në kohën e shfaqjes së nacizmit dhe ardhjes së Hitlerit në pushtet në Gjermani, e disa shtete ballkanike frigoheshin nga revizionit i kufijve të caktuar pas Luftës së Parë Botërore.

Pakti Ballkanik (Antanta Ballkanike) ishte një koktel dëshirash dhe enthusiazmi për paqe dhe integrim, të cilat edhe sot janë joshëse dhe kanë ithtarë, por nuk kishte bazë në politikën reale dhe në interesat e veçanta nacionale të popujve dhe të shteteve të Ballkanit. Nuk pati jetë të gjatë; “jetoi” me ca aktivitete organizative e propagandistike nja dy vjet. Në një mbledhje të Paktit, të mbajtur në Beograd (1936), ishte vendosur që bashkëpunimi i mëtejshëm midis shteteve nënshkruese të zhvillohej vetëm në planin politik, por jo edhe në atë ushtarak, sepse frikësoheshin se ndonjëra prej anëtareve do t’i fuste të tjerët në konflikt ushtarak me shtete tjera. Ashtu, tërhequr “zvarrë” Pakti është mbajtur në letër deri në vitin 1940, kur Rumania zyrtarisht ishte tërhequr, dhe iu bashkua Paktit Trepalësh: Romë-Bërlin-Tokio, ndërsa Italia fashiste e sulmoi Greqinë dhe për këtë sulm nuk pati kurrëfar reagimi ushtarak nga anëtaret tjera të Paktit. Antantës Ballkanike “nuk iu dëgjua” zëri pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore as pas sulmit të Gjermanisë mbi Jugosllavinë. Pas asaj lufte, ka pasur edhe përpjekje tjera (në vitin 1953)  për të ringjallur idenë  e  ndonjë forme të bashkimit të shteteve të Ballkanit, por duke ditur ambicjet e Jugosllavisë për të dominuar në Ballkan, atë “çorbë” nuk e gëlltitën të tjerët  dhe ideja bashkë me Antantën Ballkanike – dështuan.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora