E premte, 29.03.2024, 12:53 PM (GMT)

Mendime

Ilmi Musliu: Shqiptarët ishin të diskriminuar në shkollim, punë, shëndetësi, liri të fjalës

E hene, 15.04.2019, 07:07 PM


Si ishte pasqyruar nga ndërkombëtarët gjendja në rajonin e Gjilanit, para dhe gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s?

Shqiptarët ishin të diskriminuar në shkollim, punë, shëndetësi, liri të fjalës

Nga Ilmi MUSLIU

Gjilani konsiderohej njëri nga rajonet më të qeta në Kosovë, në kohën kur këtu kishte ardhur Misioni Verifikues i OSBE-së dhe, deri në momentin kur ai u largua, para se Aleanca të fillonte bombardimet, por niveli i shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe një shkallë e lartë tensioni, ishin prezentë edhe këtu. Gjatë kohës sa bëri monitorim në Kosovë OSBE-ja, arriti në përfundim se popullata shqiptare ishte e diskriminuar në administratë, në shkollim, në punë, në shëndetësi dhe në lirinë e shprehjes. Monitoruesit përmendin edhe mënyrat se si policia i bënte arrestimet. Nëse nuk gjendej i akuzuari, policia merrte dikë nga anëtarët e familjes së tij. Disa nga ata që ishin marrë në burg, janë ankuar se kishin qenë të detyruar të dëshmonin nën torturë, përfshirë edhe goditjet me elektroshok. Hetimet janë bërë nga policë dhe inspektorë të sigurimit, pa praninë e avokatëve mbrojtësve, në vend se të bëheshin nga gjyqtari hetues.

Nga mesi i shkurtit u raportua për shtim të aktivitetit të policisë dhe ushtrisë jugosllave. Në fshatin Zhegër, popullata shqiptare u ankua te anëtarët e Misionit Monitorues për ngacmime gjatë kohës së natës. Ata thanë se për çdo ditë, rreth mesnatës, policia dhe forcat ushtarake, që kishin bazën në Zllakuqan, në afërsi të kufirit me Maqedoninë dhe, në vendin e quajtur Rushta, vinin në Zhegër për të ngacmuar popullsinë. Këtyre forcave iu ishin bashkuar edhe civilë serbë, me makina pa targa. Ata tundnin armët dhe çirreshin “Kjo është Serbi”.

Në shumë vende, ishin ngritur pika kontrolli. Kishte dëshmi të keqtrajtimeve, plaçkitjeve dhe konfiskimeve ilegale nëpër ato punkte. Kështu, njëri nga rastet është ai i një djaloshi të ri nga Kamenica, i cili po udhëtonte për në Gjilan. Një oficer policie i thotë atij se rruga ishte e bllokuar për dy orë dhe se duhej të kthehej. Derisa ai po kthehej, dy persona me uniforma të policisë e ndalojnë përsëri. Nën shënjestër të armëve, djaloshi ishte i detyruar t`i ndiqte pas policët, të cilët e dërguan në një vend aty pranë. Ndërruan makinat dhe morën një makinë private, pa targa. Bashkë me djaloshin udhëtuan deri në afërsi të një pylli dhe brenda në pyll, policët nxorën një çantë, që ishte e fshehur mes shkurreve. E detyruan atë të vishte një uniformë të UÇK-së dhe të pozonte me një pushkë. Pas kësaj, policët ia morën uniformën dhe pushkën dhe e rrahën. Djaloshi nuk u lejua të largohej nga aty, pa dhënë premtimin se të nesërmen do t`i paguante policisë 20 mijë DM.

Dy-tri ditë para evakuimit të Misionit Verifikues të OSBE-së, qytetarët thanë se kishte aktivitete të shtuara të forcave serbe. Kështu, më 19 mars, një ditë para se të largoheshin ndërkombëtarët, fshatarët e Lladovës panë se si artileria e rëndë, tanke, mjete transporti e të blinduara, kamionë, antiajrorë dhe rreth 5 mijë trupa kaluan përmes fshatit të tyre dhe ngritën bazën në fushën e Karadakut. Më 20 maj, ushtrisë jugosllave, tashmë të vendosur në Gjilan, i vijnë përforcime nga Bujanoci. Pritej një shtim i dhunës, prandaj fshatarët e Lladovës kishin vendosur t`i evakuonin gratë dhe fëmijët në Gjilan.

Në periudhën nga largimi i OSBE-së e deri në mes të prillit, qyteti i Gjilanit përjetoi dhunë sporadike, sulme dhe grabitje në dyqanet private të shqiptarëve, bombardime makinash dhe zjarr snajperësh. Gjithashtu ka një raport se një civil serb kishte shkuar në shtëpinë e një shqiptari, më 25 mars dhe i kishte kërkuar atij të shpërndante alarmin se të gjithë në lagje duhet të largoheshin. Kjo nuk u mor seriozisht dhe vetëm gratë u larguan. Më 30 mars u raportua një incident me një bombë në makinë. Forcat paramilitare, me gjasë kishin vendosur një bombë-makinë në një “Golf“ të parkuar në lagjen “Ramiz Sadiku”, përpara një restoranti. Kur bomba shpërtheu, dy ndërtesa, përfshirë një restorant, u shkatërruan komplet, ndërsa ndërtesat përreth u dëmtuan, në një afërsi prej 200 metrash.

Më 28 mars u bë një gjuajtje ajrore nga NATO në barakat e ushtrisë jugosllave në Gjilan. Natën ndërmjet 31 marsit dhe një prillit, Gjilani u bombardua nga Aleanca përsëri. Në mëngjesin tjetër, një banor i Gjilanit tregoi se dyqanet e shqiptarëve ishin plaçkitur dhe shkatërruar, ndërsa furrat ishin djegur.

Rreth 4 prillit, Gjilani u qëllua me granata nga Koretishta, një fshat serb në veri të qytetit dhe si pasojë u shkatërruan disa shtëpi. Forcat paramilitare serbe vranë 3 veta. Më 5 prill, ato hynë në shtëpinë e një shqiptari dhe kërkuan armë. Paramilitarët e qëlluan vëllain e të zotit të shtëpisë në këmbë dhe e tërhoqën zvarrë deri në kopsht, ku njëri nga ta, një civil serb shumë i njohur, zbrazi rreth 30 plumba në trupin e tij.

Nga l5 prilli filluan ta lënë qytetin edhe ata banorë që erdhën këtu, me shpresë se situata mund të ishte më e qetë dhe më sigurt. Gjithnjë e më i madh ishte numri i atyre që po mësynin në drejtim të kufirit me Maqedoninë. Pas sulmeve në fshatrat Llovcë e Malishevë, në prill, kolona të gjata njerëzish u panë të largoheshin nga shtëpitë e tyre, në drejtim të Gjilanit. Niveli i dhunës ishte rritur. Një grua e moshuar raportoi se forcat serbe kishin hyrë në shtëpinë e saj, më l5 prill. Disa pre tyre, flisnin rusisht, ndonëse ajo mendonte se shumica ishin nga Serbia. Mbanin rrjeta maskuese në fytyra dhe plaka nuk ka mundur t`i identifikonte. Disa kishin shenjën e “shqiponjave të bardha” në kapelë dhe në krahë rripa të kuq e të verdhë. Meqë plaka nuk lëvizi aq shpejt, për ta hapur derën, ata e qëlluan dhe ia thyen këmbën e djathtë.

Një tjetër i intervistuar kishte rrëfyer për një incident që kishte ndodhur më 6 ose 7 maj në rrugën “Bujana”, në Gjilan. Në orën 2 të natës, forcat paramilitare hyjnë në shtëpinë e një gruaje 70-vjeçe dhe i kërkojnë para. Ndoshta, të pakënaqur me shumën që morën, kriminelët e qëlluan plakën në stomak. Ajo ra në gjunjë dhe ata e goditën dy herë, në dorë dhe në shpatull. Në fund e qëlluan edhe njëherë, para se të largoheshin. Djali i saj ishte fshehur në garazhin e një fqinji. Ai e gjeti të ëmën në korridor të vdekur. I biri e njoftoi stacionin e policisë, atë ditë më vonë dhe policia erdhi për ta ekzaminuar skenën e krimit. Djali kishte njohur njërin nga ata që kryen krimin ndaj nënës së tij, në atë mesnatë. Kishte dëgjuar për arrestimin e njërit prej kriminelëve, por disa ditë më vonë, e kishte parë në rrugë atë.

Gjatë muajit maj, shumë njerëz u larguan nga qyteti. Kishte mungesë të ushqimit, por ndodhi edhe largimi me forcë nga policia. Më 30 maj, ushtria jugosllave shkoi shtëpi për shtëpi në lagjen “Popovicë” dhe u tha njerëzve që të largoheshin. Pati disa raste të arrestimeve dhe të torturimit nga policia e Gjilanit. Veçanërisht në fund të prillit, ndodhën një varg arrestimesh të aktivistëve të bashkimeve të ndryshme politike. Ata u morën në stacionin e policisë dhe u pyetën për personat që i përkisnin UÇK-së ose LDK-së. Kryetari i KMDLNJ-së u arrestua më ll maj. Ai u mbajt në burg në Gjilan dhe në Vrajë, deri më l7 qershor, ku u keqtrajtua dhe u torturua me elektroshok.

Një refugjate tha se bashkëshorti i saj kishte vërejtur nga dritarja se si policia rrahu një prej fqinjëve, që ishte kryetar lokal i një partie të vogël, përpara shtëpisë së tij. Ishte pjesa e tretë e majit. Ata vendosën armë, dy granata, një automatik dhe disa uniforma të UÇK-së në shtëpinë e tij dhe pastaj i detyruan qytetarët nga rruga që të firmosnin një dokument për dëshmi se aty ishin gjetur armët dhe uniformat e UÇK-së. Bashkëshortja e një të arrestuari më 22 maj, shkoi dy ditë më vonë me ushqime dhe rroba në stacionin e policisë, por ata nuk e lejuan ta shihte burrin e saj dhe ia refuzuan edhe rrobat dhe ushqimin.

Një tjetër shqiptar, i larguar nga shtëpia e tij, kishte njoftuar se më 11 maj, oficerë të policisë kishin shkuar shtëpi për shtëpi, lagje për lagje, duke filluar nga “Popovica”, për të kërkuar pjesëtarë të UÇK-së dhe anëtarë të partive politike. I intervistuari nga OSBE-ja tha se ata erdhën në shtëpinë e tij në lagjen “Ramiz Sadiku”, i kërkuan dokumentet dhe i kontrolluan shtëpinë. E pyetën nëse kishte armë dhe, nëse u kishte dhënë armë UÇK-së. I thanë se do t`ia vrisnin gjithë familjen nëse do t`i gjenin armë. Ditën tjetër, policia shkoi në shtëpinë e një fqinji, ku rrinin 32 të zhvendosur nga Drenica. Ai ka parë se si policia i mori disa burra me vete dhe i ktheu më vonë. Të nesërmen, policia erdhi me dy furgonë dhe i mori ata. Më 22 maj, filluan edhe regjistrimin e meshkujve në Gjilan të moshës nga 18 deri 55 vjeç.

Raporti i OSBE-së nuk flet për Betejën e Zhegocit, e cila u zhvillua më 15 prill 1999, ku me dinjitet u mbrojtën vlerat dhe dinjiteti kombëtar, përballë një armiku të egër dhe shumëfish më të pajisur në pikëpamje ushtarake. Beteja e Zhegocit ishte një paralajmërim i lirisë dhe i krijimit të një shteti të ri në Ballkan, që tashmë është realitet.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora