E marte, 19.03.2024, 05:53 AM (GMT)

Sport » Sporti

Shqiptarët mbi çatinë e Europës

E diele, 28.09.2008, 09:11 AM


Shkruan Aleksander Bojaxhi*

Mont Blanc nuk është vetëm mali më i lartë i Alpeve, ai është gjithashtu një masiv me mijëra faqe që zgjatet për mbi pesëdhjetë kilometra, me një gjerësi maksimale prej pesëmbëdhjetë kilometra. Akujt dhe bora e përhershme në masiv mbulojnë një sipërfaqe prej 120 kilometra katrore.
Ishte viti 1760 kur Horace-Benedict de Saussure, natyralist nga Gjeneva, në moshën njëzet vjeçare, filloi që i vetëm të vizitojë akullnajat e Shamonisë. Ai shkoi në Montenvers dhe u ngjit në majën Le Brevent, prej ku mundi të shohë e të admirojë Malin e Bardhë. Duke kuptuar vlerën shkencore të majës, e cila ngrihej mbi të tjerat, ai ofroi një shpërblim të majmë për personin e parë që do të gjente itenerarin për në majë. U deshën të kalonin edhe 26 vjet që kjo rrugë të gjendej…
Michel Gabriel Pacard pati lindur në Shamoni. Që herët ai tregoi një interesim të veçantë për shkencat natyrore dhe i pëlqente të bridhte nëpër male. Ai studioi mjeksinë dhe u bë mjeku i parë i rajonit. Ndër pacientët e tij ishin edhe gruaja dhe vajza e Jacques Balmat, me motrën e të cilit ai u martua dhjetë vjet pasi u ngjit në Malin e Bardhë. Më tej kjo histori e çuditshme vijon si më poshtë.
Jacques Balmat, banor i luginës me profesion mbledhës kristalesh, kish një ndjesi të lindur për malet. Me natyrë të tërhequr dhe të heshtur, ai nuk pëlqehej nga udhërëfyesit (guidat e Shamonisë) të cilët shihnin tek ai konkuruesin e tyre kryesor.
Me datën 7 Gusht 1786, Balmat dhe Pacard e lanë Le Prireure (Shamoni) mbasdite herët dhe kaluan natën midis dy shkëmbejve në krye të Montagne de la Cóte.
Në ora 4 të mëngjesit të datës 8 Gusht ata filluan t’i ngjiten akullnajës dhe në ora 5 mbasdite u dalluan nga banorët e Shamonisë nëpërmjet tejqyrses në krye të Rochers Rouges (Shkëmbejt e Kuq), pasi Dr. Paccard humbi kapelen e tij që ja mori një shkulm ere. Më 6:12 ata filluan ngjitjen e shpatit të fundit dhe arritën të dy majën më 6:23. Aty Dr. Pacard kreu ca matje dhe të dy e lanë majën më 6:57.
Kthimi për tek vendi i kalimit të natës u arrit në errësirë të plotë dhe ishte në vetvete një bëmë e madhe. Të nesërmen, pas katër orë zbritje ata ishin në luginë dhe sejcili prej tyre vajti në shtëpinë e tij. Atë ditë ata nuk e dinin se i kishin hapur një histori të shkëlqyer “biznesi” luginës, e cila së shpejti do humbiste qetësinë e saj e do kthehej për qindra vjet me rradhë në qendrën më të gjallë të botës që mbledh me miliona dashamirës të malit për çdo vit...

Një histori shqiptare në Mont Blanc

Shoqata Daji Alpino-Turistik e qytetit të Tiranës në analizën e veprimtarisë së vitit, më Dhjetor 2007, vendosi që sfida e saj kryesore për vitin 2008 të jetë ngjitja në majën e Malit të Bardhë (Mont Blanc, 4810 m), pullazi i Alpeve në kontinentin tonë.
Vendimi zgjoi nevojën e stërvitjeve dhe normave fizike të veçanta. Kështu, kroset 5.000 e 10.000 metroshe ishin më të zakonshmet, kurse ngjitja e zbritja brënda 6 orësh nga Kino Studio në majën e malit të Dajtit e kthim, ishte prova ku sejcili duhej të maste shkallën e përgatitjes fizike.
Ekskursioni turistik i organizuar nga Shoqata në muajin Qershor në Valbonë, bëri që të mendohet më seriozisht për Malin e Bardhë dhe të përcaktohet fundi i muajit Gusht si koha e ngjitjes. Pjesmarrja u caktua vullnetare e me mundësi për këdo, por kushti që sejcili pjesmarrës duhej të kontribonte financiarish me një shumë fillestare prej € 500 e “rrudhi” listën e pjesmarrësve, madje duke lënë jashtë edhe alpinistë me vlera të veçanta. Përfundimisht ekipi u formua nga: Aleksander Bojaxhi, Ibrahim Haçkaj, Xhimi Begeja, Gjergji Bojaxhi, Armand Hallvaxhi, Florjan Haçkaj, Maringlen Laçi dhe Mateo Begeja.
Fundjava para nisjes e gjeti ekipin në lartësinë gati 2.000 metra tek Gropa e Radohimës, në zemër të Bjeshkëve të Namuna. Synimi ishte praktikimi i ecjeve në terren të ngrirë. Por për habinë e më të vjetërve në ushtrimin e alpinizmit që formonin ekipin, Gropa e kishte shkrirë tërë masën e ngrirë! Duket se ajo që dëgjojmë nga mediat për ngrohjen globale ka tregues realë edhe në malet tona.
Komunikimi me kohë nëpërmjet internetit për gjithshka që lidhej me udhëtimin, strehimin në Shamoni (Francë), sigurimin e guidave për stërvitje, ngjitja në majën Mont Blanc, etj., mundësoi që më 26 Gusht ekipi të lërë Tiranën nga Rinasi e të arrijë në Malpenca (Milano) e prej aty me mikrobus në një shtëpi-hotel të Shamonisë. Aty morëm dhe takimin me guidën i cili kishte marrë masat e duhura për një ditë stërvitore në akullnajë.
Ngjitja me tren deri në lartësinë 2.198 metra mbi nivelin e detit për në zonën e akullnajës Mer de Glace, pasuar nga zbritja emocionale për në akullnajë nëpër shpate të thikta shkëmbore në mëngjesin e datës 27, na vuri në stërvitje më ora 10. Ngjitja e majës do na detyronte të kalonim nëpër krevasa (çarje në masën e akullnajës që rrjedh e që jo rrallë bëhen kurthe të rrëzimit të alpinstëve me pasoja deri fatale), kështu që kalimi i tyre si dhe i pjerrësive të ndryshme në akull u praktikua gjërësisht. Stërvitja u shoqërua me emocione kënaqësidhënëse ngase për një pjesë të ekipit ecja me kthertra (pajisje që u vishet këpucëve nga poshtë) në akull ishte një përvojë e parë. Them se është interesante të përmendet fakti se akullnaja Mer de Glace (Deti i Akullt) është akullnaja më e madhe që shtrihet në pjesën Franceze të Alpeve. Nga burimi i saj tek Plateau du Grant e deri tek gjuha e saj (paksa mbi të ne u stërvitëm) ajo shtrihet për më shumë se 11 kilometra me një ndryshim në lartësi prej 3.000 metra.
Stërvitja nxorri probleme lidhur më pajisjet tona të cilat në disa artikuj ishin larg standardeve perëndimore. Kjo bëri që mbas stërvitjes të shkojmë në Shamoni e të marin me qera këpucë, kurse guida nga “arsenali” i tij të na pajisë me kaska për t’u mbrojtur nga gurërënia, syze dielli e rripa sigurues. Sikundër thuhet që “ç’do e keqe ka dhe të mirën e saj,” qeramarja u bë një rast i mirë për ekipin për të shkuar në qendër të Shamonisë e për të përjetuar gjallërinë e luginës me një numur tejet të madh të bjeshkatarëve, turistëve, biçiklistëve e alpinistëve të ardhur nga krahina të ndryshme të Francës, por edhe nga vende të tjera, të cilët formojnë shumicën dërmuese të popullsisë së luginës e cila për për çdo i ditë ndron banorët e saj.

Ngjitja drejt majës

Data 28 Gusht 2008 ishte dita e parë e sulmit të majës. Nga stacioni i luginës për teleferikun Bellevue, 1000 metra mbi nivelin e detit, arritëm lartësinë 1800 metra, e prej aty me trenin malor arritëm në lartësinë 2380 metra në Nid d’Aigle.
Prej këtu fillon rruga klasike për ngjitjen në Mont Blanc (Mali i Bardhë): në të djathtë kemi akullnajën Bionnassay, por shtegu i ngjitjes gjarpëron në zonë të lirë (të thatë) nga bora e akulli e me pjerrësi deri të theksuara. Panorama pasurohet nga dhitë e malit, për të cilat shpesh simbole të caktuara i ftojnë dashamirësit e malit të mos u hedhin (japin) ushqime, e sidomos mos u hedhin atyre kutitë e konservave: ka patur raste kur dhitë e malit, duke shijuar ushqimin në konservat e thella, i kanë futur turinjtë aq sa më pas kutia nuk u del dhe ato mundet të ngordhin ngaqë mbeten gojëmbyllura.
Tek arrihet lartësia 3.200 metra fillon zona e borës dhe akullit. Dëmtime fizike të shkaktuara që në procesin stërvitor në Tiranë u theksuan tek Aleksander Bojaxhi e Xhimi Begeja të cilët u detyruan të ndalen e të brakrisin synimin për majën. Në mbrëmje ata u sistemuan tek strehimi Téte de Rousse (3160 m).
Gjashtë alpinistët: Ibrahim Haçkaj, Gjergji Bojaxhi, Armand Hallvaxhi, Florjon Haçkaj, Maringlen Laçi dhe Mateo Begeja vazhdojnë ngjitjen nëpër një pjerrësi kryesisht shkëmbore për rreth 600 metra dhe arrijnë më 15:40 tek strehimi du Goûter (3.817 m) ku akomodohen për kalimin e natës.
Vlen të tregohet se me të filluar ngjitja e këtyre 600 metrave ekipi ynë u bë dëshmitar i aksidentit të parë të asaj dite: një guidë që po kthehej nga maja Mont Blanc me dy alpinistë, tek humbet ekujlibrin bie e kapet mbi një harc (gur i madh) i cili nuk ishte i qëndryueshëm e për pasojë rrokulliset dhe i kalon guidës mbi trup dhe e godet në kokë duke e gjakosur. Brënda dhjetë minutash erdhi helikopteri i ndihmës së shpejtë dhe e mbarti të dëmtuarin për në luginë. Po ky helikopter u shfaq rishtas pas 15 minutash dhe mori edhe dy alpinistët që i shoqëronte guida i dëmtuar.
E theksoj këtë fakt për të treguar se guidat kishin siguracion si për vete, edhe për alpinistët, të cilët i mernin përsipër për t’i ngjitur në malet përreth. Ky lloj siguracioni ishte edhe për ekipin tonë. Helikopteri u shfaq përsëri kur ekipi ynë kish ngjitur dy të tretat e pjesës shkëmbore: në mesin e kolonës së ekipit tonë, një alpiniste, tek zbriste nga maja, u godit nga një gur që u rokullis nga sipër saj dhe i troshiti gishtërinjtë e njërës dorë. Guida ynë telefonoi (kishte qasje për emergjenca) dhe pas dhjetë minutash erdhi helikopteri që barti të dëmtuarën.
Për lexuesin besoj se vlen të dijë se strehimet në këto lartësi të sigurojnë fjetjen dhe ushqimin sipas telefonatave të kryera me kohë për regjistrim, e që në shumë raste ujdisen nga guidat. Çmimet e shërbimeve janë të kripura, ngase furnizimi në ato lartësi kryhet vetëm me helikopter. Për kuriozitetin e lexuesit shënoj se në strehimin në lartësi 3.160 m kostoja për 1.5 litra ujë ishte 4.5 euro, kurse në lartësinë 3817 m 6 euro.
Më datën 29 Gusht ekipi u zgjua më ora dy pasmesnate dhe pasi u përgatit për nisje pati në strehim një shujtë me haje të thjeshta e kalorike. Kishte mjaft alpinistë që do synonin majën këtë ditë dhë nën dritën e elektrikëvë më ora tre edhe ekipi ynë në bazë dyshesh u vu në udhën e ngjitjes për në majë. Terreni kalon vetëm nëpër akull të ngrirë e në pjerrësi nga të moderuara në të theksuara. Sigurisht kthetrat dhe kazma alpine ndihmojnë ecjen e sigurtë në këtë terren dhe dyshja e fundit e alpinistëve tanë ishte në majë më ora 07:12 a.m.! Janë gjashtë alpinistët e parë nga Shqipëria që ngjiten në Mont Blanc! E meritojnë të brohoriten dhe përgëzohen!

Në majën e Malit të Bardhë

Temperatura është nën dhjetë gradë celcius dhe kamera e xhirimit që ka ekipi është e bllokuar! Ju e kuptoni se sa dëshpërim krijoi ky fakt në ekip: të ngjitësh një kamera deri në 4.810 metra e të mos kesh asnjë kujtim prej saj! Pas një qëndrimi të shkurtër në majë ekipi mori rrugën e zbritjes dhe më ora 12:00 pati një pushim të merituar në lartësinë rreth 3.200 metra, ku u takuan edhe me alpinistët Aleksander Bojaxhi e Xhim Begeja, të cilët me kohë kishin “zënë” një shesh të thatë për të pushuar arritësit. Pas dy orësh të tjera zbritje ekipi arriti në Nid d’Aigle, ku sikundër u tregua më sipër, sigurohej transport me tren e më pas me teleferik dhe rishtaz u ndodhëm në luginën e Shamonisë.
Ngjitja, e cila në vetvete ishte më shumë një sfidë fizike se sa teknike, ishte një përvojë tejet pozitive alpinistike e më gjërë, si dhe kënaqësidhënëse. Mbi të gjitha, ngjitja në majën e Malit të Bardhë është një batinë në historinë e thjeshtë të alpinizmit Shqiptar e njëherësh një detyrim i vonuar për të nderuar malin i cili “shpiku” sportin e alpinizmit.

*Mjeshtër i Edukimit



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora