E premte, 19.04.2024, 04:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadare rrethohet nga adhuruesit e librit

E diele, 28.09.2008, 10:42 AM


Ismail Kadare
Marc Tellies, drejtor shkolle në qytetin Oighies në veri të Francës dhe Augestin Petit, profesor i frëngjishtes dhe historisë po në këtë qytet, kanë lënë axhendën e tyre të mbrëmjes për të mbërritur mes shiut në ambientet e Panairit të 10-të të Librit, pasi nuk mund ta humbnin rastin të shihnin nga afër shkrimtarin Ismail Kadare. Dy francezët, sapo kanë marrë autografe nga shkrimtari në dy vëllimet e para të një kolane të plotë prej 16 vëllimesh, që pritet të dalë së shpejti nga shtëpia botuese "Onufri" dhe nuk mund të fshehin emocionet e një momenti të tillë. Për një pasionant të librit si Petit, një takim i tillë vlen më shumë se një udhëtim në një nga vendet më të dashura. Gjithë njohjen e tij me Shqipërinë ai ia dedikon këtij shkrimtari që aq modest firmos, duke buzëqeshur lehtë autografe në dhjetëra lexues që kishin mbushur dje pasdite stendën e "Onufrit". "Letërsinë shqiptare e kam njohur përmes Ismail Kadaresë. Fillimisht kam lexuar ‘Prilli i thyer‘ dhe mund të them se jam mahnitur. Kishte diçka të magjishme në rrëfimet e tij, diçka që të bënte të hulumtoje më thellë mbi forcën e këtij njeriu që kishte mundur të hidhte në letër një rrëfim të tillë", thotë Petit. Ky lexues i rregullt i letërsisë thotë se për të shkrimtari shqiptar mbetet një nga më të preferuarit, aq sa nuk gjen dot një tjetër për ta krahasuar. "Te librat e tij ai bën të mundur të zbulojmë një kulturë, një popull, një shtet në gjithë kompleksitetin e tij. Është vërtet një shkrim që i shërben kuptimit të botës në kompleksitetin e saj", vazhdon Petit. Por nuk është vetëm "Prilli i thyer" libri që e ka bërë të mendojë gjatë këtë francez. "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" ka qenë një tjetër ndjesi pozitive nga shkrimtari shqiptar. "Me ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur‘ kam zbuluar plotësisht gjenialitetin e këtij shkrimtari dhe mrekullinë e shkrimeve të tij. Kam lexuar dhe disa novela të Kadaresë, të cilat më duken si një reflektim në të shkuarën e këtij vendi dhe kam ndjerë pothuajse të njëjtën gjë, një roman që na ndihmon ta kuptojmë më mirë botën dhe ndihmon të kuptojmë se çdo të ndodhë me Shqipërinë në të ardhmen. Për mua Ismail Kadare është një shkrimtar vërtet i shquar. Ai e tejkalon gjithë kaosin historik që Shqipëria ka kaluar", thotë Petit, të cilit i vjen keq që s‘ka mundur të kishte me vete gjithë librat e këtij autori që ka në shtëpi, për t‘i pasur me firmën e tij, por është i bindur se këto dy autografe që mori dje janë dhurata më e bukur që i ka bërë vetes këto kohë.

Por nuk kanë qenë dy francezët që dje kanë lënë gjithçka për të parë nga afër shkrimtarin e tyre të preferuar. Dhjetëra lexues, pasionantë të librit, kanë parë me admirim, duke mos u larguar nga stenda e "Onufrit", edhe pasi kishin marrë autografe nga shkrimtari i tyre i adhuruar. Një shkrimtar ndryshon jetët tona me rrëfimet e tij. Dhe librat e Kadaresë e kanë bërë aq herë këtë gjë, duke na bërë të reflektojmë thellë jo vetëm për historinë tonë të përbashkët, por dhe anën tonë më të brendshme të shpirtit. Por ç‘mendon Kadare për këtë kolanë që pritet të dalë së shpejti e plotë nga shtëpia botuese "Onufri"?

"Është një botim që unë e çmoj shumë dhe shumë i rëndësishëm për mua, një botim që duhet të jetë përfundimtar. Është e katërta herë që mua më botohen librat komplet, por ky vërtet është i plotë", u shpreh Kadare.

Sipas shkrimtarit, kjo kolanë do të ketë dhe plot gjëra të panjohura për lexuesin. Tituj që nuk janë botuar asnjëherë, të cilat me qëllim i kishte ruajtur për këtë kolanë dhe mund të jenë 700-800 faqe të reja. "Unë i kam ruajtur këto që kolana të ketë diçka të veten të brendshme", tha Kadare.

Për sa i përket Panairit të Librit, edhe pse ende nuk e kishte parë të gjithin, ai u shpreh se ashtu si për çdo autor dhe për të panairet janë një ndjesi e bukur.

Kadare vizitoi Panairin e Librit i sapokthyer nga Heidelberg, ku ishte i ftuar nga Instituti Gjermano-Britanik për të marrë pjesë në një lexim të romanit "Spiritus", i sapobotuar në gjermanisht. I pyetur mbi këtë takim, Kadare u shpreh se "leximet e librave janë gjithnjë një traditë e bukur dhe gjermanët shquhen për tradita të tilla". "Gjermanët e kanë zakon që organizojnë lexime. Është një traditë shumë e bukur në Evropë, të cilën më shumë e kanë gjermanët, austriakët dhe zviceranët dhe shumë pak vendet e tjera. Dikush lexon pjesë nga romani dhe njerëzit dëgjojnë me një durim të habitshëm e më pas ka një dialog shumë të gjallë me publikun", tha Kadare.

Sigurisht, letërsia vazhdon të mbetet një nga artet ku ende të gjithë njerëzit kanë dëshirë të ndalen gjatë, duke mos u lodhur së dëgjuari për të, kjo pasi shkrimtarët janë ata që na tregojnë botën tjetër brenda nesh, atë botë që kemi dëshirë ta takojmë sa më shpesh.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora