Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hysen Kobellari: Profesor Selman Riza, shkencëtari atdhetar, midis vuajtjesh dhe triumfit intelektual

| E shtune, 13.04.2019, 07:51 AM |


Profesor Selman Riza (1909-1988), shkencëtari atdhetar, midis vuajtjesh dhe triumfit intelektual ...

Nga Hysen Kobellari

Profesor Selman Riza është një emër i shquar i dijes, atdhedashurisë dhe intelektualitetit shqiptar; veprimtar atdhetar me vizion të gjerë, teolog i thellë dhe mendjehapur, kërkues këmbëngulës në gjuhësi e albanologji, publicist i mprehtë, ideator i degëve të reja të shkencës, talent i spikatur që aq shumë i besoi punës këmbëngulëse dhe përkushtimit tërësor ... Shembull i luftëtarit të lirisë dhe i misionarit të çështjes sonë kombëtare. Shkencëtari ynë i paharruar prehet në panteonin e viganëve të mendimit shkencor, në kujtesën e lirisë dhe të përparimit.

Djaloshi gjakovar që donte të bëhej imam ...

Familja Riza në Gjakovë njihej si mbartëse e besimit dhe atdhetarisë; breza të tërë njerëzish nga kjo familje e thjeshtë qytetare shqiptare, janë përpjekur të pajisen me një kulturë të lartë civile, me besim të vërtetë dhe atdhetarizëm të pashuar. Kur lindi Selmani, në dhjetor 1909, veprimtaria atdhetare dhe dëshira për të ruajtur besimin e trashëguar në vazhdimësi kishin arritur zhvillime të rëndësishme. Fëmija i sapoardhur në jetë gjeti një shtrat të përgatitur për të marrë gjërat më të mira, më të vyera, të siguruara prej brezit paraardhës.

Mësimet fillestare nisën qysh herët, pa shkuar në shkollë. Selmani mësoi para kohe jo vetëm shqipen burimore, si gjuhë amtare e familjes, por edhe gjuhën e besimit, arabishten, pastaj dhe gjuhën e kulturën turke, me të cilën ishin edukuar hoxhallarët e qytetit të tij. Ai u regjistrua në mejtepin e xhamisë “Haxhi Ymeri”, ku u dallua për talentin e spikatur në kapjen e shpejtë të mësimeve të reja dhe vullnetin për të punuar me librat dhe fjalën e popullit. Provoi të thellohej në kuptimin dhe komentimin e mësimeve të Librit të Shenjtë; mbante shënime, pyeste, hulumtonte parreshtur. Ishte një djalosh i pjekur para kohe.

Ndërkohë djaloshi mësoi edhe bazat e gjuhëve sllave, që shkruheshin me shkronja të tjera, me alfabet cirilik. Studimet e një cikli më të lartë i vijoi në mejtepin “Ruzhdije”, në mbarim të të cilave Selmani ishte i gatshëm të shërbente si myezin, apo imam, që i ishte përkushtuar me mish e me shpirt ...

Duke mos gjetur hapësira të mjaftueshme në qytetin e vet, djaloshi 13 vjeçar la vendlindjen e shtrenjtë, Gjakovën dhe Kosovën e dashur, duke udhëtuar në këmbë për në Tiranë, ku pa mundur të gjente ndonjë punë të përshtatshme për moshën e njomë, hyri në shkollën plotore “Naim Frashëri”, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1925, duke u shpallur i pari i klasës dhe më i miri i shkollës...

Nga liceist, në profesor liceu ...

Duke qënë nxënësi më i mirë në shkollën më të mirë të Tiranës, Selman Riza ra në sy të mësuesve dhe të drejtuesve të arsimit të asaj kohe, të cilët e ndihmuan të vazhdonte studimet në Liceun Francez të Korçës, e cila ishte bërë shkolla më e mirë në Shqipëri dhe më gjerë. Aty mori njohuri të mjaftueshme për gjuhën, letërsinë dhe kulturën frënge, por edhe atë perëndimore, me studimin paralel të anglishtes. Kishte vullnet dhe zell të pakrahasueshëm në mësimnxënie. Gjatë jetës së vet të gjatë dhe të mundmshme, përvetësoi me themel duke zotëruar mirë 12 gjuhë të botës, të gjalla dhe të vdekura ...

Drejtori Teknik i Liceut, Leon Perre, i shkroi Ministrit të Arsimit në Tiranë një shkresë, ku spikatnin këto fjalë : “ Selman Riza është një i ri tepër i talentuar, shumë serioz, i cili do të mundë të kryejë çdo degë të studimeve universitare me të njëjtën lehtësi dhe unë nuk kam asnjë dyshim se më vonë ai do t’i bëjë nder atdheut me emrin e tij.”

Nisur nga ky vlerësim dhe nga nevoja e madhe për njerëz të talentuar, të arsimuar e të kulturuar, Ministria e Arsimit, në vitin 1932 i akordoi Selman Rizës bursë me mundësi për të ndjekur studimet e larta në Universitetin e Tuluzës në Francë. Duke e justifikuar plotësisht besimin e eprorëve, Selman Riza kreu dy fakultete paralel brenda 3 vjetëve, deri në vitin 1935 : Fakultetin për Gjuhë-Letërsi franceze dhe Fakultetin e Drejtësisë.

Me dy diploma të shtrenjta në xhep, Selman Riza kthehet në Tiranë, ku merr emërimin nga Ministria e Arsimit, për të shërbyer si pedagog në Liceun e Korçës, aty ku dikur kishte marrë mësimet aq të vyera për shkencën dhe jetën, për vlerat e lirisë dhe të përparimit ...

Rruga e mundimshme e atdhetarit që vlerësonte lirinë ...

Pushtimi fashist i vendit e dëshpëroi shumë profesor Selmanin, i cili doli hapur kundër pushtimit, sepse për të ishte e shtrenjtë liria e popullit, e atdheut dhe pavarësia e tij. Ai u bë menjëherë i padëshiruar për pushtuesit fashistë dhe u shënjua në listën e zezë të tyre. Me kohë nisën mbikqyrjet dhe përndjekjet për profesorin dhe për shumë shokë të tij të idealit.

Në përkujtim të Ditës së Flamurit Kombëtar, Ditës së Pavarësisë, më 28 nëntor 1939, në Korçë u zhvillua demonstrata e njohur madhështore, në radhët e para të së cilës ishte edhe profesor Selmani, si organizator dhe aktivist, që ra menjëherë në sy të pushtuesve arrogantë. Ata e arrestuan menjëherë pas revoltës dhe e akuzojnë si “ element i rrezikshëm dhe si kundërshtar i vendosur kundër politikës italiane.” Vendosën ta internojnë në të famshmen Ventotene të Italisë. Ky vendim u zbatua shpejt, por në vend që ta dobësonte, frikësonte e dekurajonte vullnetin dhe veprimtarinë e profesorit, ndikoi në të kundërtën: Selman Riza u bë më i fortë, më i vendosur, më largpamës, saqë edhe kur e liruan nga syrgjyni në tetor 1941, duke ia ndaluar të punonte në profesionin e tij, ai vazhdoi më me vrull e pasion veprimtarinë e vet atdhetare e shkencore. Ndërkohë ishte bërë dhëndërr në familjen e njohur Butka, duke u martuar me Sabirenë, me të cilën pati dy fëmijë; akademik Emin Riza është djali i Profesor Selmanit ...

Në Kosovë u kthye në mes të vitit 1942, duke jetuar e vepruar në Gajkovë e Prizren. Punoi me këmbënguljen e vet karakteristike duke e zgjeruar rrethin e interesave shkencore e studimet albanistike, por duke u përfshirë edhe në veprimtari politike. Sakaq u vu në krye të Lëvizjes Irredentiste Antifashiste, e cila synonte të realizonte në ato kushte bashkimin e trojeve shqiptare të përçara në disa shtete fqinje me njëra – tjetrën. Për zgjidhjen e çështjes kombëtare shkroi mbi 2000 faqe studimi, por në dhjetor të vitit 1943 botoi në Tiranë vetëm një konspekt me titull “Manifesti i Irredentizmit Antifashist”, pas së cilës nga Piter Kemp, misionar i Misionit Anglez në Shqipëri për Luftën e Dytë Botërore, Selman Riza u cilësua si “Truri i Partisë së Irredentistëve...”, ndërkohë që po organizoheshin forcat djathtiste në vend. Forcat Aleate nuk e përkrahën këtë lëvizje politike të Prof.Selman Rizës me shokë. Paskëtaj fillon kalvari i vuajtjeve dhe mundimeve të Selmanit, burgosjet, internimet, përndjekja, persekutimi ... Largohet pas luftës nga Gjakova dhe vendoset në Tiranë, ku burgoset për tre muaj dhe menjëherë ai transferohet në burgun e Prishtinës, për t’u gjykuar e dënuar si “kosovar antijugosllav”. Tre vjet e gjysëm vuajti dënimin në burgjet jugosllave, derisa në gusht të vitit 1951 sëmuret rëndë, nuk lejohet të kthehet në Kosovë, por internohet në Sarajevë, nën mbikqyrje të vazhdueshme, pa u lejuar të merret me veprimtari politiko-shoqërore, por mundi të thellojë veprimtaritë studimore, kërkimore e shkencore me pasionin që e karakterizonte. Zyrtarët jugosllavë i kërkuan të merrte nënshtetësinë e tyre, por Prof. Selman Riza nuk e pranoi dhe u kthye sërish në Tiranë, si nënshtetas shqiptar. Meqë regjimi i kohës ishte prishur me jugosllavët, Selmani emërohet në punë si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe Historisë, me të drejtë të ishte edhe pedagog i jashtëm (absolvent) për lëndën “Historia e gjuhës së shkruar shqipe”.

Nga viti 1956 deri në vitin 1967 Profesor Riza përjetoi pjesën e jetës më të begatë dhe më frytdhënëse në veprimtarinë shkencore e kërkimore, duke u dhënë një dimension të ri studimeve albanologjike shqiptare, ku shquhet veçanërisht si kritik gjuhësor, si gjurmues e studiues i pesë autorëve më të vjetër të gjuhës shqipe, si sistemues i pangegnishtes letrare, dialektolog, gramatikan, historian i gjuhës, etj. Duke qënë intelektual vizionar, ai hodhi bazat e një shkence të re, Intelektologjisë, duke konturuar ligjet e mendimit, logjikës, veprimatrisë intelektuale njerëzore ...

Por rrethanat politiko-shoqërore të pafavorshme e ndërprenë dhunshëm këtë punë të bukur të shkencëtarit atdhetar: u hapën dosjet biografike pas “Revolucionit Kulturor” të 1967-tës, ku besimi fetar u shpall haptazi armik, veprimtaritë politike të luftës u rishqyrtuan me sy kritik e armiqësor. Profesor Selmanin e largojnë nga Instituti ku punonte si njeri me mbeturina të theksuara ideologjike borgjeze e qëndrime mikroborgjeze, duke e transferuar si ciceron në Muzeun e Beratit, pastaj si punonjës në Bibliotekën e Qytetit atje, derisa e qitën në pension të parakohshëm në vitin 1970, kohë kur kthehet të jetojë në Tiranë nën mbikqyrjen e organeve të sigurisë, i ndaluar të zhvillonte veprimtari shkencore, duke e ndaluar edhe të tërhiqte libra nga biblioteka publike ! ...

Ditën kur vdiq, në shkurt të vitit 1988 nuk ishin përgatitur fjalime lamtumire e vlerësuese, siç ndodh në çdo vend e në çdo kohë për njerëzit e shquar, por Profesor Aleks Buda, Kryetar i Akademisë e theu heshtjen dhe ndalesën në çastin e fundit, duke thënë fjalë miradije dhe mirënjohje për Prof. Selman Rizën, gjë që u pasua pastaj nga fjalët revoltuese të Behxhet Resos e vlerësimet e larta të të tjerëve, që e vonuan tepër vendosjen e xhenazes në dhé, a thua se njerëzit po përpiqeshin ta kishin edhe për një kohë më të gjatë midis tyre edhe trupërisht shkencëtarin e atdhetarin e shquar ...

Veprat e botuara të Prof.Selman Riza ...

Mes vuajtjesh e sakrificash, pas burgjeve dhe internimeve, i përndjekur nga tre regjime, me talent të rrallë dhe punë këmbëngulëse shembullore, Prof.Selman Riza la pas një vepër të madhe dhe me vlera shkencore e atdhetare. Ai ia doli të botonte disa prej veprave shkencore që krijoi :

“Tri monografina albanologjike”, Tiranë, 1944

“Fillimet e gjuhësisë shqiptare”, Prishtinë, 1952

“Gramatika e sërbokroatishtes”, Prishtinë, 1952

“Diftorët e shqipes”, Prishtinë, 1953

“Pronoret e shqipes”, Tiranë, 1958

“Pesë autorët më të vjetër të shqipes”, Tiranë, 1960

“Emrat në shqipen”, Tiranë, 1964, etj.

Në Kosovë, që në vitin 1979, është botuar nga “Rilindja” Redaksia e Botimeve, në Prishtinë, vepra e Selman Rizës me titull: Studime Albanistike 1 (Pjesa e Parë), që ka 478 faqe.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës nxori në dritë katër vëllime me Veprat (me mbi 2400 faqe, 1996-2004).

‘’Veprimtaria shkencore-gjuhësore e prof. S. Rizës, aq e gjerë dhe aq e thellë, paraqet interes, ndër të tjera, edhe për kërkimet sociolinguistike’’.

Një rrugë në Tiranë mban emrin e tij të nderuar, ndërsa Shkolla Fillore në Gjakovë quhet “Selman Riza”

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes, në vitin 2009 u zhvillua Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Profesor Selman Riza dhe Albanologjia” nga Fakulteti i Mësuesisë i Universitetit “F.S.Noli” të Korçës dhe Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës, ku u paraqitën shumë studime, referate e kumtesa për jetën dhe veprën e madhe të këtij shkencëtari dhe atdhetari të shquar.

Po kështu veprimtaria “Selman Riza; Gjuhëtar dhe atdhetar i shquar" u organizua me bashkëpunim të Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe asaj të Kosovës. Duke e vlerësuar si një personalitet të kulturës, në fushën e gjuhësisë po aq sa edhe të çështjeve atdhetare, akademikët theksuan se Selman Riza e mbajti të paprekur shkencën nga politika. Për këtë ndoshta edhe pësoi dënim të trefishtë. Në 100-vjetorin e lindjes (21 dhjetor 1909) një korpus i plotë i veprave të tij vjen i botuar. Janë pesë vëllime, të cilat sipas amanetit të Rizës, akademiku kosovar, Rexhep Ismajli, i ka përgatitur në bazë të dorëshkrimeve. Për të rehabilitimi i veprës së Selman Rizës mbetet i paplotë në këndvështrimin e faktorit kohë, gjithsesi, siç e thekson edhe në intervistën e mëposhtme, ai shpreson që ajo të bëhet pjesë e gjallë e kulturës shqiptare.

Zoti Ismajli, ju jeni marrë me botimin veprës së plotë të Selman Rizës në dorëshkrim, një detyrë e lënë në amanet për ju. Si ka qenë ky proces pune?

Për mua ka qenë kënaqësi të punoj me veprën e Selman Rizës, por edhe jashtëzakonisht e vështirë. Kënaqësi, sepse kam mësuar shumë mbi mënyrën se si ai punonte, por e vështirë sepse ato janë dorëshkrime të shpërndara, të lëna ashtu si janë dhe dyshoj se jo çdo herë kam mundur të hyj deri në fund në interpretimin e tyre. Unë jam përpjekur të ruaj me çdo kusht, të plotë dhe të saktë çdo gjë që ka lënë Selman Riza.

Çfarë keni gjetur mes dorëshkrimeve?

Kam gjetur gjëra të ndryshme. I tillë është një dorëshkrim për nyjat e shqipes, një monografi e hartuar në 3-4 versione ku ai i fundit i vitit 1964 ka mbetur i pabotuar ose i botuar në mënyrë fragmentare. Me ndihmën e kolegëve të mi kam mbledhur dorëshkrimin e plotë dhe e kemi botuar. Kam mbledhur dorëshkrime të tjera për çështje të gjuhësisë së përgjithshme që për mua janë të rëndësishme, sepse kanë një peshë unike në kulturën shqiptare dhe janë të padiskutuara më parë. Këto janë përfshirë në vëllimin e pestë. Ka më tej diskutime për gjuhën dhe mendimin, diskutime në raport me tezat e Marksit dhe Engelsit, diskutime të pabotuara për gjuhën letrare e që kanë mbetur të pabotuara, por që kanë vlerë. Mendoj që diskutimi themelor i tij në çështje të gjuhësisë teorike ka të bëjë me teoritë e Sosyrit për çështjet gjuhësore dhe ka një kritikë me shumë interes në këtë fushë që të orienton edhe në bazën e të menduarit. Ai donte të krijonte një shkencë për herë të parë në historinë e njerëzimit për të menduarit që e quante intelektologji. Është pak e vështirë të prezantohet shkurt një ide e tillë, por tezat që ai ka paraqitur janë të një niveli të përgjithshëm e jo vetëm shqiptar.

Vazhdimisht në konferencë u fol për rehabilitim të Selman Rizës si dijetar dhe të veprës së tij. A mund të ndodhë realisht kjo tani?

Realisht nuk është e mundur, po të kemi parasysh se vepra e tij duhet të dialogonte me kohën e vet. Ne sot e kemi kaluar si kohë, kemi ecur si dije në një rrugë tjetër dhe vepra e tij ka mbetur anash. Tani po i rikthehemi. Ne shpresojmë që rehabilitimi do ta kthejë në jetë tamam si duhet në kulturën shqiptare që ajo të bëhet pjesë e gjallë e saj.

I dënuar disa herë, herë të tjera i shpërfillur, ju theksuat se Selman Riza synonte shkëputjen e shkencës nga politika. Çfarë parashikonte ai në ngatërrimin e të dyjave?

Ai nuk e ngatërronte politikën me dijen, e thoshte qartë që nuk duhet të bëjmë propagandë politike me shkencën, e kishte thënë këtë në kohë të vështira dhe për këtë edhe në dosje të policisë mbahej si i dyshimtë. Kur ka bërë punë shkencore ka vepruar si shkencëtar, kur ka bërë punë patriotike i është kushtuar deri në fund, deri në rrezikim të kokës. Sipas tij, nuk duhet t‘i ngatërrojmë çështjet e mendimit, qoftë edhe konceptet e marksizmit që në shkencë diskutohen lirshëm, me konceptet e jetës politike. Përndryshe ne biem në funksionin e propagandistit dhe këtë Selman Riza me gjithë rrethanat e vështira të jetës së tij nuk e lejoi.

Mendoni se me këtë korpus është ezauruar vepra e Selman Rizës?

Besoj se gjithçka që është e rëndësishme është ezauruar. Mund të kenë mbetur dokumente apo letra nëpër arkiva, por ato që janë më të rëndësishme, për aq sa unë i kam gjetur janë botuar tashmë.