E hene, 21.10.2019, 12:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Pika shiu në mesnatë

E marte, 09.04.2019, 07:58 PM


Pika shiu në mesnatë

Nga Blerim Rrecaj

Duke ecur krye-sheshit të krye-qendrës sheh në njërën nga pllakat e betonta e të përhirta një kokërr misri nga ato që shpërthejnë e shndrrohen e që disa i quajnë kokoshka e ca të tjerë kupa, dikush ka dhe një lloj hezitimi se si ta emërtojë këtë lloj ushqimi të lehtë e që kaq shumë po përngjaka me lulet e bardha të drunjëve e pemëve që lulëzojnë në pranverë e tash ca nga to qëndrojnë gatitu degëluleçelura të mbushura si tava kokrrash misërshpërthyese në dy anët e shesh-qendrës. Gështenjat ka kohë që shkuan e shtalbat do kohë që të vijnë. E tezgat me një pjesë të xhamtë e të mbyllur, të mbushura me kupa të duken si lule të vjelura, aty afër, aty pranë. Mëngjesi sot është i ngrohtë, me pak kalimtarë që me kalimin e kohës shtohen duke lënë gjurmë të (pa)dukshme të njërës prej kryeqendrave të kësaj bote me të mirat e mangësitë e veta. Mbi pllakat katërkëndëshe vijëndarëse me një dallueshmëri të theksuar e vende vende të krisura nga kushedi se nga çfarë faktorësh, bijnë petalet e bardha të luleve herë herë edhe duke u rrotulluar në mënyrë akrobatike, e diku kanë krijuar një kolonë a koloni të tyre, e se ku do i bartin erërat, rrebeshet e stuhitë kushedi... a më mirë të themi se ato duken si petë për byrek bërë me ndihmën e një tëhollueseje. Një çift mërgimtarësh ka dalur ta shijojë mëngjesin e hershëm prishtinas e pas ecejakeve të ngadalshme, dikur mund të zënë vend në ndonjërën prej kafeneve, për t'u çlodhur pak përpara se të vazhdojnë me kalimin e orëve, pasi siç thuhet për ta, sidomos për ta, ditët janë të numëruara e u ikin shpejt. Gjatë ecjes, përpara hapësirave gjelbëroshe të dy objekteve policore janë mbjellur mozaik lulesh ngjyrash të bardha, të verdha, të verdha, të portokallta, të kafta e që duken si flutura që po pushojnë delirshëm pas një rrugëtimi pas kushedi të pas sa bjeshkëve. E në rrugën përballë një kafaz i vendosur me dy papagaj që vështrojnë e këndojnë, e në qoshkun përpara atij dyqani nëpër kafaze edhe lepuj, zogj e mace. Parqet, malet e pyjet ende drunjëzbuluar nga largësitë, nga afër duken si të stërpikura me pikëza të gjelbërta që po rriten e po rriten përditë. Dhe vazhdojmë me krahasimet mbase dhe përpara kohës së Rilindjes se vazhdojnë dallueshmëritë mes, mes çkahit, mes bukurisë së vendit e natyrës dhe ritmeve të absurd+kaosit dhe rrjedhojave që pasojnë nga ky bashkërendim fatal, që kur e shohim që s'po ndalet po themi se po rrëshqasim drejt katastrofave të reja. Deri kur kështu kokën mbështetur për mur, pyetje e mirënjohur e këtyre trevave. Deri kur do themi: "Deri kur?" Dhe kjo dëshmon se vazhdon vijueshmëria e zakonshmërive për dikë të pranueshme, për dikë të papranueshme saqë mund të themi se shkallët na duhen patjetër, ose janë të pashmangshme, nëse fillojmë me matjet. Me ngritje-zbritjet. Baticat e zbaticat. E kushedi se çfarë tjetër... Sidoqoftë seç na vijnë fjalët e tingujt e një kënge që thotë: "E bota më sjell vetmi e mërzi, e bota më sjell vetmi e mërzi"...Dita ia lë vendin natës. Qielli paksa është zbardhur e fillon shiu diku në mesnatë, si njëri nga bijtë e dashur e të domosdoshëm të natyrës që zbret si mbret duke sjellë me vete çaste të një dite të dikurshme po me shi dhe atë aromë të mrekullueshme të ca bananeve që kushedi atëbotë se nga ç'vend a nga ç'republikë patën ardhur...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT