E enjte, 25.04.2024, 05:23 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Skifter Këlliçi: 11 Shtatori 2001 në përjetimet e një shqiptari

E diele, 28.09.2008, 12:52 PM


Skifter Këlliçi
11 Shtatori 2001 në përjetimet e një shqiptari

Nga Skifter Këlliçi

Atë të martë të zezë të 11 shtatorit…

Sapo isha kthyer nga një shetitje që bëja jo rrallë në brigjet ranore të Atllantikut që lag edhe qytetin North Kuinci, shumë pranë Bostonit, ku jetoj edhe tani, e po bëhesha gati së bashku me gruan time, Natasha, të niseshim në Aeroporti Ndërkombëtar "Logan",ku punonim prej thuajse dy vitesh.

Ishte një mëngjes i kthjelltë dhe i ngrohtë, ashtu sic janë shpesh të tilla mëngjeset e para të shtatorit në rrethinat bregdetare të Bostonit, që më sillte ndërmënd plot mall këtë muaj gjatë të cilit kisha kaluar prej vitesh sa e sa pushime në plazhet e Durrësit, Sarandës, a Dhërmiut.

Dha ja, sapo u futa në apartamentin ku banoja, mbeta i tmerruar, kur nga ekrani i televizorit pashë se nga njëra prej kullave binjake të Nju Jorkut po dilnin flakë, ndërsa shtëllunga tymi të zi ngriheshin në qiellin e kaltërt. Zëri i dridhur i një telekomentatori të CNN-së, kumtonte se një avion kishte goditur këtë kullë.

Si, mos ndoshta gabimisht? Po si ishte e mundur që piloti të kishte bërë një lajthitje të tillë, kur qielli ishte kaq i dëlirë e dielli blatonte një dritë të pruaruar? Dhe kur unë hamendësoja kështu, një tjetë avion goditi kullën e dytë binjake.Ora shënonte të cast 9.03.

Atëherë, jo vetëm për telekomentatorin, por edhe për këdo që po ndiqte ato caste programet e CNN-së, u bë e qartë se në këto dy raste nuk ishte fjala për lajthitje, por për sulme terroriste. Po kush i bënte këto sulme, në emër të kujt i bënte? Mirëpo, nuk patëm kohë të mendonim më gjatë, sepse telekomentatori më pas kumtoi se të dy avionët, të shndërruar në predha, Amerikan Eir Flljat 11 dhe Junaited Fllajt 175, ishin nisur nga Aeroporti… Logan i Bostonit, ku pas disa orësh do të fillonim të punonim edhe unë me time shoqe! Më saktë, në terminalin A, security officier, ( punonjës sigurimi) të një kompanie që ishte ngarkuar të ruante dhe kontrollonte kalimin e udhëtarëve nga pika e kontrollit, (chek point), në avionë.

Kjo ndodhte atë të martë të 11 shtatorit të vitit 2001. Një e martë njemënd e zezë!...

Nuk kaloi shumë kohë, kur telefoni zuri të tingëllonte pa reshtur.Na telefononin jo vetem nga qytete të tjera amerikane, por edhe nga Shqipëria. Të tërë kishin ndjekur me televizor pamjet që vini nga dy kullat e Nju Jorkut, të tërë donin të dinin se mos kishim pësuar edhe ne ndonjë fatkeqësi,ashtu si ata të mjerë që ishin ndodhur në avionët, të cilët kishin goditur të dy kullat që tashmë po përpiheshin nga gjuhërat e mënxyrshme të flakëve.Dhe,natyrisht, të afërm,shokë miq,gëzoheshin që ne nuk kishim pësuar gjë.

Por të këqiat nuk kishin ende të sosur…

Më pas, po nga lajmet që pasonin njera- tjetrën në televizor, mësuam se një avion tjetër, i nisur nga Nju Xhersi, kishte goditur Pentagonin, pra, Ministrinë e Mbrojtjes së SHBA-s, që ndodhet në Uashington.

Dhe, oh, sa tmerr! Kulla që ishte goditur pas së parës, ashtu si të ishte gërryer nga brenda, zuri të përpihej në vetevete në sytë tanë, duke lëshuar tashmë re të murrme tymi,pastaj zjarri e zhurmë shpërthimesh të llahtarshme.

Në ato caste s'di as vetë sesi m'u ndërmendën ato pamje rëqethëse që kisha parë vite të shkuara në një emision të RAI-t, pastaj edhe të RTVSH-së, të cilat paraqitnin rënien dhe djegjen e ballonit gjerman "Hindenburg".

I nisur tërë madhështi nga Frankfurti, më 6 maj të vitit 1937, pasi kishte përshkuar Atllantikun, ai, duke u ulur në aeroportin e Nju Jorkut i ndjekur nga sytë e mijëra shikuesve, befas kishte shpërthyer në flakë. Atëherë, udhëtarët e gjorë, një pjesë e të cilëve me fytyra e gjymtyrë të djegura, duke parë se nuk kishin asnjë rrugë shpëtimi, ishin hedhur nga balloni. Nga 98 udhëtarët, që ndodheshin brenda tij, 34 prej tyre kishin gjetur vdekjen.

Atëbotë, Herbert Herrisoni, komentatori i Radio Cikagos, që po përshkruante këtë pamje, për të mbetur në histori, ishte shkrehur në lot dhe i mbytur nga gulcimet, midis të tjerash, kishte shqiptuar: "Kjo është më e tmerrshmja, nga më të tmerrshmet katastrofa në botë!...".

Por, c'do të të kishte shqiptuar këto caste, kur të shihte një kullë, më shumë se 300 metra të lartë, të gëlltitej në pak sekonda brenda vetës së saj e, bashkë më të, të varroseshin të gjallë, jo më 34 vetë, por me qindra e qindra, pa përmendur të tjerë në kullën e dytë e sa e sa viktima që ndodheshin nëpër avionë?

Me frymën të mbajtur pezull nga ankthi që na kishte pushtuar, mësuam pastaj se një pjesë e Pentagonit, e goditur nga një avion i tretë, ishte bërë shkrumb e hi.

Kur ora nuk kishte arritur 10.30, pamë nga ekrani të shëmbej edhe kulla e parë.Ashtu si edhe kulla tjetër…Dhe jo vetëm kaq:

Nga lajmet e mëpasshme, mësojmë edhe një lajm tjetër;një avion i katërt është rrëzuar në Pensilvani.Katër sulme me avionë,katër atentate terroriste.Kuptojmë se kjo katastrofë është pasojë e një plani djallëzor, i përgatitur imtësisht deri në detajin më të vogël.

Tejet të tronditur, dalim nga shtëpia dhe pa e kuptuar as vetë, arrijmë në aeroportin Ndërkombëtar Logan.

Të tërë terminalet e Loganit, pra, të hyrjeve nga ku udhëtarët kalojnë, për t'u futur nëpër avionët që i shpien jo vetëm në aeroportet e Amerikës, por edhe të vendeve të ndryshme të botës, janë të shkreta. Nuk shohim, si zakonisht, më burra, gra me fëmijë e canta e valixhe nëpër duar, që rrinë e presin nëpër kafene duke biseduar gjallërisht me njeri-tjetrin.

Vendin e tyre e kanë zënë policë, ushtarë të armatosur me automatikë, me qenër ujq pranë, që skërmiten egërsisht, agjentë të FBI-së, që shquhen qartë, se i kanë këto shkronja të shkruara në pjesën e prapme të zhaketave të shkurtëra blu, që do të thonë: Federal Buro Investigation, pra, Byroja Federale e Investigimit, e cila ka si qëllim të mbrojë Amerikën nga terrorizmi, krimi, korrupsioni…

Nuk i kishim parë herë të tjera të vinin kështu kaq hapur, me fytyra kaq të murrëtyera, ku shprehet dhëmbje, zymtësi, ashtu sic shprehin edhe fytyrat e kujtdo në aeroport. Edhe fytyrat tona. Eshtë e natyrshme: kanë humbur jetë njërëzish, numrin e të cilëve ende nuk e dimë: në katër avionët që fluturuan nga Bostoni Uashingtoni dhe Nju Xhersi dhe godiy tën kullat binjake pentagonin, kurse i fundit u rëzua në Pensilvani, pa u ditur ende se cfarë objekti do të godiste…

Si u shkaktua kjo tragjedi?

Sapo u futëm në terminalin A, ku punonim, shokët tanë, amerikanë dhe të kombësive të tjera, që kishin mbaruar ndërresën e parë, pra, në orën 13.00, na shpjeguan menjëherë se tashmë ishtë bërë e qartë që atentatet ishin kryer nga terroristë fondametalistë islamikë, të cilët kishin kaluar në terminalin B, që nuk ndodhej larg terminalit ku punonim ne.

Përderisa ishin anuluar të tëra fluturimet, ne nuk kishim punë.Qëndronim në pikën tonë të kontrolit vetëm për të kontrolluar ata punonjës të aeroportit, të cilët kalonin në këtë pikë e futeshin në mjediset e brendshme për punë të ndryshme sipas specialiteteve të tyre. Edhe fytyrat e tyre shprehnin dhëmbje, edhe ata si e flitnin me zë të ulët.

Për të ditur më shumë hollësi, nuk desha të pyesja manaxherin tim, por nxitova në terminalin B. Edhe atje kishte shqiptarë që punonin ashtu si unë në pikat e kontrollit të këtij terminali.

Dhe ishte njeri prej tyre që më shpjegoi më me hollësi se c'kishte ndodhur. Nga listat e udhëtarëve dhe regjistrimi i kamerave të fshehta në pikat e kontrollit, tashmë ishte bërë e qartë se në dy pikat e kontrollit të këtij terminali, kishin kaluar terroristët arabë që duhej të kishin rrëmbyer dy avionët e parë.Pastaj duhej t'i kishin drejtuar ata kundër kullave binjake të Nju Jorkut, duke shkaktuar shëmbjen, shkatërimin e tyre dhe vdekjen mizore të udhëtarëve në avionë dhe punonjësve të këtyre kullave.

Ky ishte përfundimi në të cilin specialistët e FBI-së kishin arritur deri ato caste, pra, jo më shumë së katër orë pas atentateve terroriste.

Po si kishin arritur t'i rrëmbenin dy avionët? Cfarë mjetesh kishin përdorur, kur dihej se sipas rregullores, në pikën e kontrollit nuk lejoheshin të kalonin jo më armë të nxehta,por as armë të ftohta, (thika, a brisqe të përmasave të mëdha). Mos ndoshta shokët tanë ishin treguar kaq të pavemendshëm dhe kishin lënë të kalonin në ekran armë të tilla? Edhe ky rast nuk përjashtohej. Por këtu ishte fjala për katër grupe terroristësh të vendosur në të katër avionët-predha!

E vetmja mundësi ishte që terroristët të kishin kaluar nga pika e kontrollitt me brisqe të vogla. Më saktë, me brisqe më të vogla se fotodokumenti që është i detyruar të mbajë në gjoks, ose në krah, cdo punonjës i aeroportit, ose i cdo institucioni të rëndësishëm këtu në Amerikë e në vende të tjera, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Sidoqoftë, në ato caste të ankthshme, duke qëndruar para brenda pikës së kontrollit, përfytyroja se si kishin kaluar aty terroristët. Kishin lënë në rripin përcues cantat, ose bagazhet e tjera, rripat e brezit, të cilat duhej të kalonin nëpër ekran, kishin lënë cdo send metalike, (celësa, brisqe, gërshërë, të holla…), të nxjerra nga xhepat, për t'i lënë në një enë të vogël, të quajtur kontenier,dhe kishin kaluar nëpër atë që quhet derë.Na rast se ajo do të kishte lëshuar një tingull të mprehtë pak a shumë "bip",sic e quajnë amerikanët, ata do të ishin prapësuar. Do të kishin nxjerrë atëherë edhe ndonjë send tjetër metalik të harruar prapë nëpër xhepa dhe pasi duke kaluar dera, nuk do të ishte dëgjur sërishmi tingulli në fjalë, do të kishin bërë përpara.

Atëherë, punonjësi i sekjuritisë, pra të sigurimit, do të kishte marrë sipas rregullores briskun e lënë në enë, do ta kishte matur me fotodokmentin e tij, gjatësia e të cilit nuk i kalon 9 centimetrat dhe me një buzëqeshje të mirakandsme,do t'i kishte thënë "You all set" pra:" Ju jeni në rregull".

Kështu do të kishte ndodhur edhe me udhëtarët e tjerë terroristë.Edhe ata kishin marrë nga enët brisqet e tyre, kishin përshkuar mjediset e mëdha të pjesës së brendshme të terminalit B, për t'u futur pastaj nëpër avionët që kemi përmendur, me të cilët në oren 8.00, njeri pas tjetrit ishin nisur për në Los Enxheles.

Pastaj,me këto brisqe kishin kërcënuar ekipazhin, kishin shtënë në dorë avionët, i kishin drejtuar nga kullat, duke kryer kështu një nga tragjeditë më të mëdha të këtij fillimshekulli.

Po thua vetëm duke përdorur këta brisqe të vegjël, tehu i të cilave, pa dorezë, nuk i kalonte të pesë centimetrat, kishin arritur të mposhtnin ekipazhin, duke përfshirë edhe pilotët?

Ato caste përfytyrimi im nuk arrinte të krijonte ndonjë variant tjetër. Aq më tepër, që edhe nga lajmet që vazhdonin te jepeshin nga stacionet televizive, nuk po përcaktoheshin shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie. Por ajo që dihej saktë, ishte se punonjësit e sigurimit në pikën e kontrollit, pranonin se kishin lënë të kalonin , si edhe herë e tjera, udhëtarë me brisqe më të vogla se përmasat e fotodokumentit të tyre, pra, se kishin zbatuar me saktëtsi rregulloren që ishte përpiluar nga FAA-ja, (Federal Aviaton Administration,-Administrata Federale e Aviacionit), që ka pë detyrë të ruajë, të kontrollojë dhe të administrojë cdo sektor të aeroporteve në Amerikë.

Edhe sikur terroristë të tillë të kishin kaluar aty ku punoja,pra,në pikat e kontrollit të terminalit A ,unë kështu do të kisha vepruar.Nuk do të kisha bërë gjë tjetër, vecse,si shokët, do të kisha zbatuar rregulloren e FAA-së.

Mirëpo ja c'kishte ndodhur.Terroristët kishin përfituar nga kjo "licencë" që u dhuronte rregullorja dhe, pa ngurrimin më të vogël, pa qenë nevoja, pra, të futeshin në territorin e brendshëmtë aeroportit me revolverë, a thika , të cilat mund t'i kalonin vetëm po të përfitonin nga syleshëria e punonjësve ne ekran,kishin hyrë qetësisht në pikën e kontrollit.

Si pasojë, përgjegjësia binte tërësisht mbi FAA-në.Do të ishte mjaftuar që punonjësit e saj të na urdhëronin që cdo brisk, sado i vogël që të ishte,të mos lejohej të kalonte në pikën e kontrollit dhe dhe kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur kurrën e kurrës.

Të them të drejtën, neve, që punonim në pikat e kontrollit të terminaleve A,B,C,E,të aeroportit Logan të Bostonit, na bënte përshtypje se si për hir të kësaj rregulloreje, ishim të detyruar të linim të kalonim që atje udhëtarë që mbanin brisqe, vërtet brenda përmasave që përmenda pak më sipër, por edhe të dhëmbëzuar, të cilët ishin njëmend po aq të rrezikshëm sa edhe thikat.

Por një ditë, gruas sime,Natashës,që ishte mbikëqyrëse,(supervisor,në anglisht), nuk iu durua, kur pa një brisk të tillë dhe vajti e bisedoi më manaxheren, një grua amerikane shumë e arsyeshme.I tregoi briskun që i përkiste një udhëtari, gjithashtu,amerikan.

Ajo e këqyri me vemendje briskun, pohoi se vertet ai ishte armë e rrezikshme,por edhe shtoi me një nënqeshje të hidhur:"Përderisa ka përmasat që lejon rregullorja e FFA-së,ne duhet që ta lemë udhëtarin të kalojmë së bashku me të."

Mjerisht, ne nuk i njihnim personalisht inspektorët e FAA-së.Dhe kjo,sepse ata ndaleshin vetem kur na bënin teste,pra, kur, paraqiteshin në pikat e kontrollit kinse si udhëtarë, me canta,brenda të cilave kishin futur armë mësimore,(revolverë,bomba,thika,detonatorë),për të cilat do të bëj fjalë më pas.Në rast se ndonjeri prej nesh, që punonte në ekran,duke mos pasur vëmendjen e duhur, i lejonte të kalonin këto "armë",atëherë inspektori tregonte distingtivin e tij dhe, gjithnjë sipas rregullores së FAA-së,kishte të drejtë madje edhe ta pushonte atë nga puna,për mungëse vëmendjeje.

Në rast të kundërt,pra, kur punonjësi para ekranit arrinte të dallonte ndonjë nga "armët" e mësipërme,atëherë,inspektori,duke treguar gjithnjë distingtivin e tij, e përgëzonte atë. Jo vetëm kaq,por kompania jonë e sigurimit që mbulonte pikat e kontrollit,ose kompanitë ajrore, e shpërblenin atë me 25 $.Edha mua më ka rastisur që të dalloj armë të tilla dhe të shpërblehem në këtë mënyrë.

Ato orë që kaluam atë pasditë të 11 shtatorit 2001 në aeroport,do të kisha dashur që të shihja ndonjë inspektor të FAA-së.Nuk di,por ndoshta do të kisha marrë guximin që t'u thoja se në rregulloren e saj kishte qenë gabim i madh që ishte lejuar të kalonin udhëtarë me brisqe të një madhësie më të vogël se fotodokumeti.

Sidoqoftë,së bashku me Natashën biseduam me manazheren amerikane, e cila shprehu të njejtin mendim që kishim ne.Nuk di nëse ajo e ngriti këtë problem në sferat më të larta të Messportit, pra, të Aerportit të Mesecjusetsit në Boston.Në të njejten kohë, mendoja se pas kësaj që ndodhi,do të kishte shumë koka turku nga të FAA-së.Por ngjarjet e mëpasme nuk pohuan asnjë nga këto hamendësimë të miat dhe të shokëve tanë.

Zhvillime të reja…

Ndërkohë vazhdoja të rrija ende në mjediset e Terminalit B dhe pëpiqesha të përfytyroja se si kishin kaluar terroristët disa orë më parë në pikën e kontrollit.Që ishin arabë,për këtë nuk kishte pikë dyshimi, sepse nga njoftimet që dëgjonim nga transmetimet televizive dhe bisedat me eprorët tanë në aeroport,që kishin kontrolluar listat e udhëtarëve në avionët që kishin goditur kullat,ishte vërtetuar kombësia e tyre arabe.

Orvatesha të rikrijoja ato caste kur ata kishin lënë cantat e tyre në rripin përcues të ekranit, si kishin lënë pastaj sendet metalike,pra, celësat,të hollat dhe…brisqet.,si punonjësit e sigurimit të terminalit B, duke i matur ato me fotodokumentet e tyre, i kishin lënë të kalonin dhe ata qetësisht ishin futur pastaj nëpër avionë.

Them qetësisht, sepse askush nga ne,qoftë edhe unë, po të isha ndodhur aty,kështu do të kisha vepruar,pavarësisht se ndonjë herë kisha bërë shaka me udhëtarë,që kishin pasur brisqe të tilla,duke u thënë se ato ishin shumë të mprehta dhe ndonjëri prej tyre më ishte përgjigjur se e përdorte atë për të therur peshq,kur shkonte për gjueti.

Dhe i zhytur në përsijatje të tilla, komentatorë nga ekrani televiziv,zunë të jepnin hollëi të reja, që plotësonin edhe më mirë kuadrin e këtyre ngarjeve tragjike,të cilat po i paraqes më poshtë sipas renditjes kohore:

8.45-Avioni Amerikan Fllajt 11,i nisur nga Bostoni, godet kullën e veriut,(të parën), në Nju Jork;

9.03-Avioni Junaited Eirllajns Fllajt 175,edhe ky i nisur nga Bostoni, godet kullën e jugut,( të dytën);

9.17-FAA-ja mbyll aeroportin e Nju Jorkut;

9.40-FAA-ja,për herë të parë në historinë e Amerikës mbyll tërë aeroportet;

9.43-Avioni Amerikan Eir Fllajt 77,i nisur nga Nju Xhersi, godet Pentagonin;

9.45-Boshatiset Shtëpia e Bardhë.Presidenti Bush flet në TV nga Florida ,ku ndodhet për vizitë pune;

10.05-Bie Kulla e Jugut;

10.10-Bie një pjesë e godinave të Pentagonit;

10.12-Avioni Junaited Eirllajn Fllajt 93,i nisur nga Uashingtoni, rrëzohet në Samerset Cauntri,në afërsi të Pitsburg,(Pensilvani);

10.28-Bie Kulla e Veriut;

10.45-Zbrazen të gjitha godinat zyrtare të Uashigtonit. Të gjitha këto kishin ndodhur brenda dy orësh,dhe kishin tronditur tmerrësisht Amerikën.Ajo tashmë ishte përgjunjur nga goditje të tilla kaq të befasishme dhe mizore.Do të përgjunjej edhe më shumë, kur të mësohej numri i saktë i viktimave, të cilat deri atëherë ishin me qindra e qindra dhe do të arrinin në mijëra.

Që e tëra kjo ishte vepër e Osama Bin Ladenit,për këtë cilido nuk kishte më të voglin ngurrim.Por,sidoqoftë,cdo hamendësim, a dyshim tjetër, u shua, kur ky kriminal gjakësor,pohoi në një radiokasetë të dhënë rrjetit radioteleviziv Al Xhazira dhe pas disa ditësh para kamerave të po këtij rrjeti duke buqëqeshur skërmitshëm,se atentatet e kryera me anë të katër avionëve,ishin drejtuar nga ai vetë,ndaj po i jepte këto lajme të mira tërë botës. Shfaqej kështu përsëri hija e përbindshme e fondamentalizmit islam,që pasi ishte ngritur kërcënueshëm mbi vende të tjera të botës, kishte përfshirë pas një heshtjeje të gjatë Amerikën,dhe përësri në kullat binjake,ashtu sic do të shohim vite më parë,por këtë radhë me përmasa apoliktike.

Cili është Osama Bin Ladeni?

...Lindur më 1957 në Arabinë Saudite në një familje të pasur,më 1979 përfundon fakultetin e inxhinierisë së Universitetit të Riadit. Më 1980,i pushtuar nga urrejtja kundër trupave sovjetike që kanë pushtuar Afganistanin, renditet krahas forcave atdhetare afgane, të cilat mbështeten edhe nga SHBA-ja. Dhe, për ironi të fatit, janë amerikanët ata që e ndihmojnë që të vendoset atje.

Pastaj, kthehet përsëri në Arabinë Saudite dhe fillon të punojë për kompaninë "Said Bin Laden Grup", të krijuar prej tij. Bashkohet me forcat që ngrihen kundër regjimit monarkist, të cilat janë aleate të Amerikës. Si pasojë,dëbohet që andej.

Atëherë lëshon kushtrimin "fatah", me të cilën u bën thirrje tërë myslimanë që të të luftojnë dhe t'i asgjësojnë amerikanët, ushtarakë, a civilë, kudo që të ndodhen.

Në të njëjtën, kohë shpall botërisht dhe arsyet e luftës së tij kundër Amerikës:

-Mbështetje e saj ushtarake dhe ekonomike që i jep Izraelit dhe regjimit të tij kundër Palestinës; -Ngritja e bazave ushtarake në vende të Gadishullit Arabik, duke dhunuar kështu tokat e Shenjta islame dhe diktati i saj ndaj shteteve të këtij gadishulli;

-Rrëmbimi i pasurive vajgurore të këtyre vendeve;

-Agresioni kundër Irakut.

Dy nga aksionet më të rëndësishme terroriste te drejtuara prej tij para vitit 2001:

-Në tetor të vitit 1993, 18 ushtarë amerikanë që ndodhen në Mogadisho,(Somali),vriten nga forca terroriste islamike.

-Në gusht të viti 1998 hidhet në erë ambasada amerikane në Nairobi, (Kenia) dhe Dar El Salam,(Tanzani), ku humbin jetën qindra njerëz të pafajshëm, amerikanë dhe vendas.

Por urrejtja e besimtarëve islamikë kundër krishtërimit ka nisur që në periudha historike më të lashta, me kryqëzatat, (1096-1270). Sic dihet, kryqëzatat ishin ekspedita ushtarake dhe koloniale të feudalëve të vendeve të Evropës Perëndimore,të mbështetur nga kleri katolik roman dhe franko-gjerman, si dhe nga shtresat e pasura të borgjezisë që po lindte në ato vende, për të pushtuar hapësira të reja në Lindje.

Shkak për të nisur kryqëzatat, ishte pushtimi i Jeruzalemit, qytet i shenjtë edhe për të krishterët,nga pushtuesit turq, më 1070.Por mizoritë e kryera nga kryqtarët në viset arabë gjatë kryqëzatave, që zgjatën për rreth dyqind vjet, vrasjet, plaçkitjet, përdhunimet,lanë përshtypje shumë të këqija te banorët e këtyre vendeve myslimane dhe krijuan tek ata urrejtje,që u përçua shekuj pas shekujsh deri në ditët tona. Ja përse Perëndimi personifikon Satanain te besimtarët fondamentalistë, ose fanatikët islamë.

Të kthehemi përsëri te Osama Bin Ladeni. Pasi është endur në vende të ndryshme afrikane,ai,gjithnjë, për qëllime terroriste, nga fundi i viteve '90 vendoset përfundimisht në Afganistan. Ne thellësi të viseve të fshehta të këtij vendi shumë të madh, rrëzë pyjesh, malesh, gërxhesh,për t'iu shmangur bombardimeve ajrore, sic kishte ndodhur më 1999, kur me urdhër te ish-presidentit Klinton, u goditën disa pika strategjike të ngritura prej tij, ndërton kampe ushtarake për stërvitjen e luftëtarëve fondamentalistë islamë, që vinë atje nga vende të ndryshme të botës.

Bin Ladeni krijon kështu grupe ushtatarake terroriste të Al Khaedës, (forca të kundërveprimit të shpejtë), të përbëra nga njerëz që u përkasin shumë kombësive-arabë, cecenë, pakistanezë, madje edhe evropianë,bashkëpunëtorë të së cilës sot veprojnë të maskuar në rreth 60 vende të botës. Në këto brigadë bëjnë pjesë edhe talebanë, pjesëtarë të një sekti fetar fondamentalist afgan, kryesisht të rinj,që njohin vetëm një libër, kuranin, të cilin e mësojnë përmendësh, pa ia ditur kuptimin.

Kur vite më parë morën përdhunisht pushtetin në Afganistan, talebanët kërkuan me dhunë të rrënonin çdo gjë përparimtare, sidomos ndaj grave dhe vajzave, të cilat nuk duhej të ndiqnin shkollat, nuk kishin të drejtë të bënin vizita mjekësore e të kuroheshin dhe ishin të detyruara të mbuloheshin me një veshje të zezë, të quajtur burka, që i mbulonte nga koha deri te këmbët dhe mund ta soditnin botën nga dy vrima për sytë dhe të flitnin nga një e carë e kësaj veshjeje, nga ku mezi dukeshin buzët. (Cuditërisht, edhe sot,në vende të mëdha dhe të zhvilluara myslimane, si Arabia Saudite, komiteti olimpik i këtij vendi, i trysnuar nga traditat fanatike fetare,u detyra që të mos të përfshinte asnjë sportiste femër në ekipin e vet që do të merrte pjesë në Lojërat Olimpike të Pekinit të këtij viti. As qeveria,sipas kryetarit olimpik saudit, nuk e gjeti të mundshem të nuk ndërhynte për të zgjidhur këtë problem).

Duke u kthyer sërishmi te synimet e Osama Bin Ladenit,ai,pra, arrin të krijojë, brigada ndërkombëtare, të cilat stërviten çdo ditë nën një regjim të ashpër spartan.Ato kanë armë të llojeve të ndryshme. Dhe në sasi të mëdha. Për t'i blerë ato, ka derdhur miliona dollarë nga pasuria e tij e ruajtur në shumë banka të botës, e shumuar edhe nga fitimet që ka pasur nga bizneset e tij si dhe nga tregtimi i i drogës që kultivohet në fushat e Afganistanit,ndër prodhuesit më të mëdhenj të tij në botë,fitime të depozituara në banka të ndryshme të botës,të cilat pas atentateve terroriste të 11 shtatorit '01, u ngrinë.

Qëllimi kryesor i Al Kaedës është Lufta e pareshtur kundër krishterimit dhe sionizmit izralelit. Në të gjitha frontet,me të gjitha mënyrat.

Kur e përgatit Bin Ladeni planin djallëzor të sulmit ndaj kullave binjake në Nju Jork?

Jemi në mesin e vitit 1999, kur zë e skicohet ky plan.Synimi, i parë mund të ketë qenë që kullat të goditen nga brenda. Një plan që është zbatuar në vjeshtë të vitit 1993, me vendosje bombash që shpërthyen në katet e nëndheshme të njërës kullë, në të cilat, vec dëmeve materiale, pati disa të vrarë e të plagosur. Por këtë radhë Bin Ladeni kërkon që atentatet kundër kullave binjake të kenë sa më shumë viktima. Dhe ja që këtu, sic zbulohet më pas, i vjen në ndihmë një ndër bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë: Khalid Mohamed Sheiku,nga Pakistani.

"Jo, kullat do të goditen me predha",-thotë ai.

Për një çast Bin Ladeni do të këtë menduar se miku i tij është duke lajthitur.

Por me siguri ka hapur sytë me habi dhe admirim, kur ai ka vazhduar:

"Ne, si herë të tjera, duhet të rrëmbejmë avionë dhe ata do t'i shndërrojmë kështu në predha, për të goditur kullat. Dhe jo vetëm ato…".

Kështu nga kjo mendje satanike sendërtohet plani i goditjes së kullave. Të ketë sa më shumë të vdekur. Nuk ka rëndësi se janë të pafajshëm. Janë amerikanë!...

Natyrisht,që për kryer këtë akt, duhen zgjedhur njerëz që të mësojmë si të drejtohen avionët, t'u sulen kullave dhe kështu të japin jetën. Të gjejë të tillë, Bin Ladeni nuk e ka aspak të vështirë. Por duhet të paktën që disa prej tyre të jenë të kulturuar dhe, doemos të dinë anglisht. Edhe të tillë, natyrisht që gjenden.

Dhe të mendosh se vëllai i tij, me nënë tjetër, Tareku, që si tërë pjesëtarët e familjes Bin Laden, e kanë mohuar Osamën, duke e cilësuar si kriminal bastard, sot një nga biznesmenët më të mëdhenj në botë, bën të kundërtën. Ai nuk rrënon, por ndërton. Shembulli më domethënës është projekti që ka përfunduar kohët e fundit kompania e tij, për ngritjen e një ure gjigande mbi pjesën jugore të Detit e Kuq, në anën tjetër të Kanalit të Suezit, më saktësisht në ngushticën Bab El-Mandeb, që do të lidhë Xhibutin, me Jemenin, pra, Afrikën, me Azinë,një kryevepër arkitektonike, e gjatë 28 km. Dhe jo me ndihmën e zotit të fondamentalistëve, por me 70 miliardë dollarët të investuar për këtë qëllim prej tij.

Disa nga autorët e atentateve të 11 shtatorit '01

Për ata mësuam që të 11 shtatorit në mbrëmje, ende pa u larguar nga aeroporti. Nga kamerat televizive që ndodheshin në pikat e kontrollit dhe të nesërmen nga gazetat amerikane , njohëm se cilët ishin, si dhe hollësi nga jeta e tyre. Sic,dihet,ata ishin 19,të shpërndarë në të katër avionët,dy nga të cilët u nisën nga Terminali B i aeroportit të Bostonit. Të tërë të rinj, jo më shumë se 22-25 vjec.

Ndër ta më tërhoqi vëmendjen ai që mbahej ndër përgjegjësit e grupit në avionin e parë,Amerikan Eir Flljat 11, që kishte goditur kullën e parë:Muhamed Ata,egjiptian,22-vjeçar, lindur në Kairo, ku kishte mbaruar universitetin dhe ishte diplomuar per arkitekturë. Që andej, më 1999 kishte shkuar në Hamburg, për të ndjekur një kurs specializimi,gjithnjë për arkitekturë.

Nga fotoja e tij shihja një fytyrë të zeshkët, me nofulla pak të mëdha,me sy dhe flokë të prerë fare shkurt, pamje të qetë,fëminore, madje të përdëllyer. Nga të dhënat, mësohej se Mohamed Ata nuk ishte afruar deri atëherë me rrethet fondamentaliste islamike. Dukej se ai jetonte me ëndrrat e tij të praruara për t'u bërë arkitekt sa më i mirë.

Po atëherë, si ndodhi ky shndërrim kaq i vrullshëm i tij, çfarë rrethanash ndikuan që ai, jo vetëm të shndërrohej në një mysliman fanatik fondamentalist, por edhe të shkonte në Afganistan, të ishte pjesëtar i grupeve ushtarake të Al Kaedës?

Mos ndoshta në Hamburg u njoh me ndonjë leshverdhë amerikane që nuk përfilli ndjenjat e arkitektit të ri dhe ndodhi kështu që dashuria e tij kthehej në urrejtje për të dhe për amerikanët? Mos ndoshta gjatë leksioneve, profesorë gjermanë, ose edhe amerikanë, duke shpjeguar me krenari veçoritë e ndërtimit të rrokaqiejve që shtillen në ajri, trazuan shpirtin e tij të brishtë, i ndërmendën piramidat që ishin ngritur mijëra vjet më parë nga stërgjyshërit e tij, mjeshtra gjenialë të arkitekturës antike,kur në viset ende të pazbuluara të Amerikë indigjenët lëkurëkuq jetonin në tenda primitive, madje edhe në shekullin e 19-të?Mos ndoshta kështu edhe atij iu ngjall krenaria për ndërtimet e mëpastajme të periudhës arabe, që nga hijeshia nuk bien më poshtë se mrekullitë e arkitekturës amerikane, a perendimore? Mos ndoshta, pra, kjo krenari i rriti edhe më shumë në zemër urrejtjen për Amerikën dhe vendosi të ishte pjesë e hakmarrjes kundër qytetërimit të saj?

Këto janë vërtet hamendësime, por e vërteta është se djaloshi i qetë, arkitekti Muhamed Ata,shumë shpejt u kthye në fanatik fodamentalist.

Ja përse në Hamburg njihet me Ramzi Binashbilin, ndër kokat e grupeve fondamentaliste që pastaj do të kryenin aktet terroriste në Amerikë. Ja përse në fund të vitit 1999, niset në Afganistan,j a përse fillon atje të stërvitet aq ashpërsisht në kampet ushtarake; ai, që me gjishtrinjtë e hollë nazikë hiqte vija mbi kartonët e bardhë, që përvijonin godina të bukura, si kullat binjake,tani po me këta gjishtërinj mëson përdorimin e llojeve të ndryshme të armëve, nga thikat e madje edhe brisqet,te armët e nxehta,eksplozivët, që bëjnë të kundërtën e atyre që ka projektuar në kartonë të bardhë: shkatërrojnë kulla të tilla, deri sa arrin në strese psikologjike, që ia shtojnë edhe më shumë besimin dhe forcat në luftën e shenjtë, (xhihad), kundër Perëndimit dhe Amerikës.

Dhe atje njihet me Bin Ladenin, i cili i shpalos planin e llahtarshëm që i ka paraqitur Khalid Sheik Muhamedi, për të cilin folëm pak më sipër. Muhamed Ata, si dhe të tjerë që do të njohim më pas, pranon plot hovëzim shpirtëror të jetë pjesë e këtij plani. Këtë, sipas pohimeve të gazetës angleze "Taims" e 10 janarit të vitit 2006, e dëshmon edhe një videokasetë në të cilën Muhamed Ata shihet pranë Bin Ladenit. Të dy bisedojnë përzemërsisht, ndërsa pas tyre vigjëllon, Abu Jandili, një rojat nga më besnikë të tij,i cili, në rast të ndonjë sulmi të papritur, do ta vrasë menjëherë Bin Ladenin, në mënyrë që ai të mos bjerë në duart e ndonjë armiku të beftë që mund të jetë diku aty rrotull.

Të njihemi tani me pjesëtarë të tjerë të grupit që u ndodh në avionin Amerikan Eir Flljat 11 ,që sulmoi kullën e parë.

-Abdulazim Al Omari,25 vjec, nga Arabia Saudite,me origjinë fshatare,i martuar.Në fillim të viti 2000,braktis pa lajmëruar gruan dhe fëmjën dyvjecar,shkon në Afganistan dhe bashkohet me grupet e Al Kaedës.

-Satam Al Sukami,25 vjec,nga Arabia Saudite,student ne fakultetin e drejtësissë së Universitetit Mbretëror në Riad. I pamartuar.

-Vail Al Shahri, 24 vjeç, nga Arabia Saudite,mësues i kulturës fizike. I pamartuar.

-Valid Al Shahri, vëllai iVailit, pa profesion, i pamartuar. Të dy shkojnë në Afganistan dhe bashkohen atje me forcat ushtarake të Al Kaedës.

Pak a shumë, të përafërta janë edhe të dhënat jetëshkrimore të pjesëtarëve të tri grupeve që u vendosën në avionët e tjerë. Pra,të tërë të rinj, jo më shumë se 25 vjec, një pjesë me arsim të lartë,të tjerë fshatarë, pa profesion,por të tërë fondamentalistë islamikë,të vendosur që të japin jetën në luftën e shenjtë, xhihad, kundër Amerikës për të këqijat që ajo u ka sjellë vendeve islamike.

Nga veprimet e terroristëve …

Kështu,pra,krerët e terroristë fondamentalistë islamikë,që përmendëm më sipër, të cilët ngarkohen nga Bin Ladeni të mësojmë si të drejtojnë avionë, nga Afganistani,pas takimesh në Gjermani dhe Spanjë,në qershor të vitit 2000 fluturojnë në Amerikë, vendosen në qytetin Venos të Floridës dhe, duke parapaguar nga 40 mijë dollarë secili regjistrohen në një shkollë aviacioni, në të cilën për disa muaj do të bëjë nga 260 fluturime. Në zyrat e CIA-s dhe FBI-së nuk ka asnjë shqetësim për lëvizjet e tyre. Për ta, sic do të shohim më poshtë,kur të njihemi me "Memorandumin Feniks", të rinjtë arabë, me dokumente të rregullta, janë thjesht njerëz që duan, si kushdo tjetër, të mësojnë si drejtohen avionët.

Pastaj, pasi kryejnë kurset e pilotimit, terroristët bëjnë lëvizje të tjera,nëpër Evropë, kryesisht në Spanjë, ku në gusht të vitit 2001 kanë takime me Ramzi Binashbilin, një nga drejtuesit kryesorë të grupeve terroriste. Po afron koha që ata të vene në veprim planin e përbindshëm

10 shtator 2001…

Muhamed Ata dhe Abdulazim Al Omari arrijnë në Boston dhe që andej ,për të mos shkaktuar dyshime, shkojnë me makinë në Portland, qytet i afërm me Bostonin. Aty blejnë bileta për fluturimin e nesërm Portland-Boston të orës 6.00 të mëngjesit dhe e kalojnë natën në një hotel. Eshtë nata e fundit e jetës së tyre.

Përse kjo,lëvizje? Se mendojmë, dhe ashtu ndodh,që kontrolli në aeroportin e Portlandit është më pak i rreptë se në aeroportin e Bostonit. Por duke lëvizur nga avioni, që i sjell në Boston,për t'u nisur në Los Enxheles, valixhja e vetme e Muhamed Atës, për shkak të vonesave mbetet në aeroportin e Bostonit..

Tani ndodh ajo që kemi përshkruar më sipër: Kalimi në pikën e kontrollit të terminalit B.Pa më të voglën pengesë, se brisqet që do të jenë armët e tyre themelore për rrëmbimin e avionëve, kanë madhësi që lejon rregullorja e FAA-së-janë më të vogla se fotodokumenti i punonjësve të sigurimit të aeroportit.

Pas një qëndrimi të shkurtër në fronat ku udhëtarët jënë në pritje,ata, së bashu me 92 udhëtarët e tjerë, futen në avionin e parë. Në të njejtën kohë po kështu,pa asnjë shqetësim, në avionin e dytë futen të pesë terroristët e tjerë.Ndërkohë, në aeropoportet e Uashingtonit dhe të Nju Xhersit, po këto veprime të ndërlidhura mirë bëjnë edhe dy grupe të tjera terroriste.

Avionët nisen njeri pas tjetrit pas orës 8.00 të mëngjesit. Dhe ndodhin ato që dihen:avioni i parë në orën 8.45 godet kullën e veriut. Në orën 9.03 avioni i dytë përsërit të njetin veprim: godet kullën e jugut. Pastaj, në orën 9.43 avioni i tretë godet një pjesë të të Pentagonit. Aktet terroriste mbyllen me rrëzimin e avionit të katërt në afërsi të Pitsburgut në Pensilvani.

Pasojat tashmë dihen. Janë më shumë se katastrofike. Aeroporti Ndërkombëtar Logan i Bostonit, si dhe 400 aeroportet në të gjithë Amerikën, mbeten të mbyllura. Me mijëra udhëtarë,politikanë,njerëz të artit kulturës, shkencës, bizmesmenë, nuk mund të udhëtojnë, jo vetëm në qytete te tjera amerikane e jashtë saj, por edhe në kontinente të tjera,si dhe me mijëra udhëtarë nga vende të tjera nuk mund të fluturojnë për në Amerikë. Ajo mbetet për pjesën tjetër të botës e njohur, si para vitit 1492 kur u zbulua nga Kristofor Kolombi. Janë me miliona dollarë humbjet e kompanitë ajrore që kanë ndërprerë për këtë arsye madhore veprimtarinë e tyre. Shumë të mëdha edhe dëmet materiale të kullave për ndërtimin e të cilave janë shpenzuar milarda dollarë.

Por mbi të gjitha janë humbjet njerëzore.Gjatë asaj jave Aeroporti Ndërkombëtar Logan i Bostonit, ku ne çdo ditë shkojmë për të punuar,duket gjithnjë e më i shkretuar;nga lajmet që dëgjojmë nëpërmjet ekraneve televizive, ose lexojmë nëër gazeta, njoftojnë numrin e viktimave që vazhdon të rritet në mënyrë të paprashme;mbi një mijë,dy mijë …pastaj rreth tre mijë njerëz që ndodheshin atë ditë në të dy kullat dhe katër avionët.

Misioni "i shenjtë"i 19 terroristëve,i drejtuar nga kryekrimineli Bin Laden, ka mbaruar. Tashmë ata janë të vdekur, janë martirë të islamit. Ata kanë shkruar, ashtu sic ka ky predikuar ky udhëheqësi i tyre shpirtëror, sic e quajmë ata, në… Parajsë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora