E hene, 16.09.2019, 11:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Poezia si brengë e identitetit

E premte, 05.04.2019, 08:00 PM


Vështrim eseistik

Poezia si brengë e identitetit

Hysen Këqiku: “Çka t`i bëjmë të bukurës”

Nga Mehmetali Rexhepi

Që në titull shfaqet brenga e një artikulimi të ndrydhjes, të tjetërsimit, të mashtrimit “e ardhur dikah.” Mbi ne bie paradoksi i heqjes dorë nga burimorja, nga e bukura burimore dhe hyrja në një kafaz të zi fute të lëvizshme. Kafazi i futës së zezë! Një imponim dogmatik tërësisht i panatyrshëm është futur në estetikën e natyrës së lirë njerëzore, e cila mund të emërtohet sipas përkatësisë e prejardhjes së huaj. Përvoja e identitetit të poetit bie ndesh me grackën e këtij imponimi, gjithnjë fshehur prapa “mallkimit” anonim, brenda etiketës së huaj “ haram!”

Të këtillë çfarë jemi, kemi një sprovë tematike së cilës i qaset Hysen Këqiku, që ta piketojë me ngjyrat e një art-stisje të tij, që mëtojnë ta fusin në kllapa figurative dhe semantike këtë mynxyrë, këtë kapje pas një tjetërsimi etik e estetik! Sfondi i kësaj dogme  mbyll të bardhën me perden e errët...

Humbja “vullnetare” e identitetit historik, etnik, autokton dhe qytetërues, këtij varg-thurësh do t`ia sjellë tendosjen e shkallës më të lartë të termometrit emocional:

“ As...

Dëgjo e mos plas”

( Çka t`i bëjmë të bukurës)

Ç`janë sprovat si këto? Sprovat e këtilla janë përballje me të ndodhurat e kaheve të pakëndshme: Quo vadis kombi im?!- do të thërriste poeti. Të ndodhurat i vijnë jetës sonë dhe, jeta duhet t`i mbledhë forcat e mënyrën njerëzore për t`i kapërcyer imponimet... Mirëpo, kapërcimi i honeve të sotme ka koston e vet... Që të mos biem në hone asimiluese, pra t`i kthehemi shpirtit tonë profetik, mençurisë sonë profetike, asaj që e ka ushqyer ndërdymen tonë shekullore...

Gjithsesi, shpirti krijues e përjashton indiferencën si një mysafire e paftuar, e cila nuk çanë kokën për zvogëlimin e dhimbjes e të tjetërsimit përreth saj.

Dialektika e njeriut, dheut, ujit dhe diellit do të vijojë çeljen e bukurisë në trajta vijash, të skalitura me fisnikëri, ndjeshmëri gjaku e ndjenjash... Nga brendia e shpirtit del thirrja e ndërgjegjes për t`i thënë vetasgjësimit: ndal!

Tashti shkallaren e përvojës të kërkimtarit të së bukurës, poezia ia ngriti në “Pallat në tre kate.”  Përderisa në dy katet e jetës, përvoja ia shpie barrët e brengat, mosha e tretë  nuk i jep atë mundësi personazhit për ta prekur katin e tretë. Mes arritjes dhe mësymjes  për arritje luhatet gjakimi njerëzor, gjakimi (j)etik e poetik i  Hysen Këqikut.

Rrugëtimi i gjatë për qëmtim idesh e figurash, e solli  autorin deri te vëllimi i prehjes poetike. Për çfarë prehje bëhet fjalë?  Prehja vjen  për bërje të bilancit të jetës; i mbetjes të asaj të mundshmes pas kërkimit të përhershëm të pamundshmes. Tashti vargjet të shumtën i reflektojnë urti, ndërsa urtia ia shtrin dorën atij, të mos mbetet ”shpirt i strukur/ akoma në vetmi.”

Gjilan, më 4 prill2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT