Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Pasdite mjaft e qetë

| E premte, 05.04.2019, 08:01 PM |


Pasdite mjaft e qetë

Nga Blerim Rrecaj

A po më dhemb kryet diçka, mbase e kam nga ky grip që është përhapur e ish mjaft i vështirë, dëgjojmë dhe e themi këtë fjali të zakonshme. Pastaj kemi të bëjmë me ngritje temperature, me ndonjë vizitë mjekësore, me receta që përmbajnë barëra e shurupe. Edhe dikush tjetër mund të ankohet për kokëdhembje a zemërdhembje, veçmas ose sëbashku, qofshin këto edhe nga ato që u takojnë edhe sferave shpirtërore. Mëngjesi i sotëm kalon duke lexuar diç, p.sh., ndonjë poezi e duke dëgjuar ndonjë këngë. Të mirëseardhura ato që na vijnë para nesh për herë të parë, për të parë se ç'ndjenja mund të na dhurojnë. Nuk mungon dhe ndonjë bashkëbisedim telefonik, herë duke folur, herë duke shkruar. Nuk mungojnë as çaste dite që herë të turbullojnë e herë të këndellin. A dalim more pak përjashta, jep ose pranon propozimin. Po dalim. Duket pasdite e qetë që na kujton piktura me titullin: Natyrë e qetë. Më i papërshtatshëm na duket emërtimi: Natyrë e vdekur. Seç na teket me luajtë me këto dy fjalë që emërues të përbashkët kanë natyrën nënë. Pse jo, kur po kemi edhe nge, pe, rruza. Të kuqe e të bardha. Ose mungesë të tyre në organizmin tonë. Sidoqoftë era nga e lehtë bëhet mesatare. Zëmë vend te hapësira e quajtur "Qendra e fëmijëve" por e emërtuar në anglisht. Bile tabelën me këtë mbishkrim e paskan hequr, dhe tashmë objekti ku kishte gjëra fëmijësh funksionon si mobileri. E thotë edhe trungu i gjerë e i gjatë që mban reklamën e madhe katërkëndshe. E hapësira përpara ende e hapur për publikun e vizitorët e mundshëm me një kontenjer të vënë në mes të saj. Te njëra prej dy gëmushave me trëndafila gjethegjelbëruar ca harabela shkojnë e vijnë dhe para se të largohen edhe njëherë cicërijnë fort si duke dashur të shtyhen me fëmijët që kanë përballë, aty te këndi i tyre me mozaik lodrash, i ngjashëm i lyer e i ngjyer njashtu si sivëllezërit e tij, hapësirave tjera. Te dy gëmushat tjera që edhe këto rrijnë pranë, të krasitura por paksa të kërleshura sikur janë duke biseduar për farë halli a farë problemi. Diell, dritëhije dhe erë. Fijet e barit që kanë ngre krye duket se po përkunden me qëllim që t'ia marrin një gjumi sikurse ata fëmijët e kopshteve parashkollore. Te këndi i lojërave tash argëtohen dy të rinj duke provuar sa luhajat, sa rrëshqitëset, e sa trarin lëvizës ku me rotacion njëri ngjitet lart e tjetri zbret poshtë. Po vijnë këtu hera-herës dhe fëmijë të rritur që disi po bëjnë përpjekje për t'u kthyer aty ku ishin, në fëmijëri, ose të nisin ndarjen prej saj. Pasi çdo gjë duhet të ketë një kufi. E një fëmijë është shtrirë në bar e me një lapskimik të gjelbër vizaton diç nëpër fletët faqebardha të një fletoreje me kopërtinë të zezë. Fare pranë një buqetë pipiliash kokëverdha sikur zgjasin kokën për të parë se ç'po vizatohet në fletore. Qielli pothuajse i mbuluar me re të bardha e aty këtu mes një liqeni qiellor duken re të thepisura si maja ajsbergu, ndërsa shpendë që fluturojnë duket se do të hidhen në të për gjah, për peshq, në ujin e ftohtë. Dita ecën, me përjetime të freskëta që kushedi a bën t'u bëhet ndonjë për shkrim. Ajo kalon me të kollitura e teshtima, mbase si gjurmë tingujsh të një gripi që po mërgon. Ndërkohë vijnë e largohen fëmijë. Kjo erë tash paksa e ftohtë sikur i hamend për shtyerje qëndrimi të mëtutjeshëm këtu. Fijet e barit tunden e shkunden e sikur tashmë ndjejnë dhe të rrëqethura. Kushedi se ç'erë e solli mes gëmushave një kartolinë të vockël me pak rreshta me një urim për vitin e ri, në gjuhën angleze. E ksajde përreth punëtorë hyjnë e dalin nga objekti i kësaj punëtorie, përkarshi saj dhe kioska e rojës së objektit ku hyjnë e dalin këmbë por edhe me vetura pasi u hapen barrierat punëtorëve të administratës së mbetur të Unmik-ut, e brenda oborrit të saj një shtyllë mban flamurin ngjyrëkaltër e vijëbardhë të Okb-së. Në anën tjetër nëpër rrugën kryesore, ka që dikush vështron me vëmendje dhe që kokën ka mbështetur për xhamin e autobusit, që këtë herë s'pengohet nga semaforët a nga farë kolone, po vazhdon rrugëtimin me të shpejtë sikurse t'ia jepte një të shtyer kjo e padukshmja erë tash nën çadrën e hirtë të këtij nënqielli...