E enjte, 28.03.2024, 09:51 PM (GMT)

Kulturë

Alda Taçe Shpata: Arkeologjia poetike e Adem Zaplluzhës kalon nëpërmjet dhimbjes

E enjte, 04.04.2019, 06:10 PM


Arkeologjia poetike e Adem Zaplluzhës kalon nëpërmjet dhimbjes ...

Nga Alda Taçe Shpata

Hermeneutika midis poetit dhe pritjes deri në baladën e radhës.

Në dilemat e mia për të marrë në dorë një libër kalibri , libri i 180-të, me përsiatje të forta filozofike në brendi, baca Adem më shkruan :

"Bija ime, shkruaj me shpirt ,sikurse shkruan shpirti im rebel , e nëse janë filozofike ato që unë shkruaj më mirë."

U ndodha në mes të autorit dhe veprës , më duhej të ndiqja një praktikë metodologjike dhe hulumtuese për të interpretuar dhe t'i jepja librit e poetit atë që me të vërtetë u takon .

Produkti shpirtëror i këtyre lirikave të fuqishme kalon mbi njohjet empirike e racionale , ta njohësh në qelizë të gjithë lëndën poetike e mendësore të Adem Zaplluzhës do të thotë të njohësh strukturën si tërësi.

Të tri ciklet janë vendosur në lidhje organike me njëra -tjetrën ,organizimi tyre i brendshëm përbën një semantikë tredimensionale (shënjuesi,i shënjuari, shenja).

Në ciklin e parë "Atdheu im i mjerë, toka ime e djerrë" ,tabloja e gjerë e imazheve të ndërtuara nga metafora e simbole zbulon tragjikën dhe përceptimin mbi ndjenjat dhe idetë e qenies humanë për ekzistencën e tij dhe të truallit të të parëve. Realiteti historik absurd ,ku është në krizë të përhershme njeriu dhe toka ,struktura dhe fenomeni , imazhi dhe poezia. Poeti  në thellësinë e të ndjerit dhe thjeshtësinë e të shprehurit ndërton pamjen reale të një krize nëpër fusha,qielli i grisur , kambana të shurdhuara, një lloj vaji i trishtuar del nga dheu. Pra kjo tablo poetike të krijon tragjizmin e dheut,e diellit,e ajrit, e bukës , e besimit e këngës . Zaplluzha krijon arketipat , të cilat kanë zënë në kurth atdheun , politikën , moralin , filozofinë , psikologjinë dhe fatin e kosovarit .

Kuptimi i tërësisë së një fenomeni nuk është shuma e thjeshtë e pjesëve përbërëse të tij ,por një kuptim i organizuar me domethënien e tërësisë(Totaliteti dhe varësia e ndërsjellë ). Pra pjesët  janë të ndërthura mes tyre me veçoritë dhe dallimet që ato mbartin .

Në ciklin e dytë "Po ashtu një shi i çmendur", koncepti kohor përzihet me konceptin hapësinor dhe tragjikisht koha dhe vendi shkrihen në një të tashme të përjetshme.

"Stinët që janë nisur me trenin e fundit nuk vijnë, s'ka Krishtlindje , as baba dimër.

Nëpër ullukët e dhimbjes pikon trishtimi i ditës.

Të grisura si hartat e atdheut ...

A thua vallë do kemi forcë të ecim nëpër golgotën e baladave ...

Desha të blej një gjysmë ëndrre."

Përshkrim absurd, endje e përjetshme,mërzi e përhershme (më e theksuar se te Bodleri),dhimbje që rrjedhë , të gjitha këto elemente ndërtojnë tërësinë e paradokseve reale , dramën e ekzistencës, tragjizmin e psikikës humane .

Nuk arrij të krijoj një imazh të qartë per procesin e të shkruarit ,sesi mund të ndiej  kaq thellë dhe si mund të ruaj të pastër arsyen analitike poeti Zaplluzha. “Arkeologjia e diturive” ,strukturalizmi filozofik i Erih From heq paralele me arkeologjinë poetike të poetit , vetëm një gjeni e tillë krijuese mund t’i zbulojë këto struktura poetike, mendore e shpirtërore .

Deri në baladën tjetër është cikli i tretë ,njëherësh dhe titulli i librit .

Intrigues vendi "Te aromat e zambakëve të Prizrenit ", një dëshirë e mbetur pezull ...

Koha si një pushtet i zgjatur dhe i frikshëm dhunshëm  masakron dashurinë . Dashuria ndjenjë e fuqishme dhe e pamundur njëherësh ,e zhveshur ,lakuriqe , e pafajshme ,e etur për të ndier në qelizë jetën rreshqet në këto vargje me gjithë vertetësinë e saj.

“Kur ishte koha të flasim për dashurinë

Ti s'kishe sandale të kuqe

Ashtu si unë që s'kisha këpucë me shollë të trasha

Ishim këmbëzbathur si dashuria jonë .”

Koha dhe fati kanë zënë në kurth dashurinë ,absurdi ka depërtuar në çdo impuls femëror e mashkullor , ia ka veshur dhimbjen ndjenjës , por pa arritur ta tjetërsojë në thelb .

Shqisat lidhen me botën e dëshirave herë të mjergullta , herë të patrajta , megjithatë në çdo rast si forma të qarta imazhesh , ku dashuria megjithëse këmbëzbathur  shfaqej në pllanga të dukshme ekzistence .

Ky libër i shtohet koleksionit të madh të veprave të Adem Zaplluzhës me gjithë madhështinë e merituar ,sepse paraqitja e tij më fisnike është hermeneutika e tij poetike ,e cila do të na lerë të presim "Deri ne baladën tjetër"...

Librin e ardhshem unë do e doja një baladë tjetër  po me këtë arsye analitike,po me këtë strukturë mendore,pikerisht me këtëe arkeologji diturie.

Vetëm se  nga mendja e mençur e bacës Adem të buronte një vlerësim i ri mbi botën , të shfaqeshin çështje dhe fate të reja mbi kombet dhe mbi njerëzit , të shënohej një 'epokë e re ' e progresit njerëzor ...



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora