E premte, 29.03.2024, 12:17 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: 4 prill 1904 - Gjithshka për ''atdhe e fe' e flamurin e Kastriotit

E merkure, 03.04.2019, 07:02 PM


Nga Fritz RADOVANI:

4  PRILL  1904: GJITHSHKA  PER “ATDHE E FE”E FLAMURIN E KASTRIOTIT

4 –IV– 1904 SHUGUROHET MESHTAR I URDHNIT FRETENVE TË VOGJEL AT MATI PRENNUSHI O.F.M. (2 Tetor 1882 – 11 Mars 1948), në Kishen e Fretenve të Shkodres, pranë Kuvendit të Tyne, ku jetoi, punoi, u arrestue e u torturue me Vllazen.

Asht lé në Shkodër më 2 tetor 1882, prej prindve Kolë e Drande Prennushi. Mbas dy vjetë studimesh në Bosnje, vazhdoi në Grac per Teologji, dhe i perfundoi studimet atje në vitin 1904 që i vdiq axha Don Matia, Emnin e të cilit e trashigoi At Matia. U emnue po atë vit në Gjimnazin e Fretenve, prej ku shkoi në Katund të Kastratit ku përfshihej edhe Bajza.

At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill 1995: “Kur turqit ishin në agoninë e tatpjetës, mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrjeje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë mbas meshët At Matia çveshi teshat e meshës e u tha besimtarëve: - Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën o sot o kurr, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmit turk që don me zharitë vllaznit tonë!  Malsorët dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin e At Matisë u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër. Me të marrun vesht Valia dërgoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e ndalue këtë veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë reprazalje kundër shkodranve. Imzot Guerini u dërgoi  një përfaqësues me u dalë para malësorve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqësuesi i klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u kthyen, Shkodra shpëtoi... At Matia qysh i ri asht dallue në trimni.” Me shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes në Prizren në 1908, At Matia shkon në Traboin, Deçiq e Gerçë.

Në çdo votër ndër ata male përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje. Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit fisnikinë me formulen “Atdhé e Fé”, aqsa dukej sikur ky ny i pazgjidhshëm asht lidhë njëherit me kërthizën e tij. Ishte besa që në karakterin e atyne burrave ruente të forta dhe të freskëta ndjesitë atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e Martirëve, nga dora e atij Kreshniku që shpejt do të thërriste: “Çonju burra, ku jeni, drejt e në Deçiq!..” E, mbas Tij, fluturuan edhe shqipet e Alpëve tona!

Më 24 mars 1911 janë At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, që shpalosin nga gjoksi i Tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe ia dorëzojnë të pathyeshmit Trim të Traboinit, DED GJO’ LULIT që ishte ajo e forta zemër, që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e arta t’ bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT, që për pesë shekuj priti: AGIMIN E LIRISË... bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr, ndonse “disa prof...lapera” kerkojnë që Emnat e Këtyne Burrave me i shlye nga Historia e Shqipnisë.

Për këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentëve historike të botueme të asaj kohe, fotografive në revistat “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj., shkruen Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco USA:

“On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.”; dhe, e përkthyeme në gjuhë shqipe: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me Shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani At Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.”

At Matia nuk ishte i knaqun vetëm me lirinë e Malëve mbasi atje liria pothuej nuk ishte shkelë. Vepra e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim i luftës së Malëve tona, por Liria duhej me u shtri në të gjithë vendin. Në qelën e At Matisë, në Gerçë shkoi Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku nënshkruhet: “Memorandumi i Gerçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 Nandor 1912. Ky Memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga atdhetari Luigj Gurakuqi e u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, L. Gurakuqi, At Matia, At Buon Gjeçaj, e asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia.

Kur malazezët shkelin tokat tona, për këto akte atdhetarie që At Matia kishte organizue, e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Në zhvillim  të gjyqit një anëtar i  trupit gjykues, i thotë: “E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!”....dhe,  At Matia me buzë në gaz i përgjegjët: -“Ua dij për nderë me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” Dashunia që kishte At Gjergj Fishta për té, e bani me ndërhy tek Krajl Nikolla dhe ai i fali jetën At Matisë.

Në vitin 1924 asht përkrah Opozitës si gjithë Kleri Katolik, kundër Regjimit të Zogut. Lëvizja e 1926 e përfshinë edhe At Matinë, i cili mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit, nuk donte me i ndigjue emnin as Ahmet Zogut dhe as Musa Jukës.

Arrëstohet prap në këtë Lëvizje bashkë me shumë klerikë të tjerë. Don Gjon Gazulli u dënue me varje dhe u ekzekutue vëndimi në Shkoder. At Matia priste pushkatimin. Këte herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn tek Zogu, i cili ia fali jetën At Matisë. Ky e liron por me kusht që At Matia me u largue nga ato krahina. Emnohet në Laç të Kurbinit. Në 1928 shkon në Iballe të Pukës dhe mbas pak kohe asht në Gomsiqe. Në 1941 emnohët në Tiranë,  aty me Provinçialin At Anton Harapin, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku sherben At Matia. Mbas emnimit të At Anton Harapit në Regjencë, në vendin e Tij si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, emnohet At Matia, dhe vjen në Shkoder.

Zgjedhja e At Mati Prennushit si Provinçial asht mjaft origjinale. At Konrad Gjolaj, ishte i pranishëm e shkruen: “At Çiprian Nika ishte ndër françeskanët ma me vlerë që ka pasë kleri e kjo asht edhe arësyeja që kur u zgjodh Provinçial At Matia, pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që kanë me ba kanë me pushkatue Provinçialin, prandej, t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë, mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë nuk i bante përshtypje pushkatimi, se edhe dy herë maparë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile edhe deri tek stoli i konopit në Serbi... Ardhjen e At Mati Prennushit si Provinçial të Françeskanëve të Shqipnisë, unë e kam konsiderue gjithmonë si një fat i madh i Kishës Katolike dhe i Françeskanëve të Shqipnisë. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator. Tri cilsi të vështira me u kombinue, po sidukët Zoti, tue dashtë me na ruejtë me faqe të bardhë na shndriti mendjën me zgjedhë At Matinë në kohën ma të rrezikshme e delikate, që asht ndodhë Kisha përballë terrorit sllavo-aziatik komunist”. Libri “Çinarët” fq. 67.

Në një letër që At Matia u dërgon të gjithë françeskanëve me rastin e vrasjes At Lekë Lulit trathtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vedi. Në letër jep urdhën të premë që asnjë frat të mos merrët me politikë e të mos ju besojnë asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit, po do të njolloset me akuzat ma të këqia.

Në të vërtetë koha e turbullt dhe e pasigurt e vitit 1944 sjell shumë të paprituna. Shumë nana shkodrane zanë derën e kuvendit për me ju shpëtue kokat e djelmëve të kapun nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se çfarë qëndrimi po mbante kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit janë kenë ma të shumtit. Në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë shumë prej atyne që do të shpifin për “veprimtarinë antikombëtare” të françeskanëve, vetëm me sigurue një vend pune, me marrë një gradë shkencore të pameritueme etj. etj. Nuk ishte e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit. Mos harroni se, gjithshka ishte në dorën e jugosllavëve, e kush ma parë se Fretnit do të kishin punë me ta?

Në Janarin e 1945 gjeneral Sheuqet Peçi e mbas tij, terrorist Mehmet Shehu, i kerkojnë shkëputjen nga Vatikani... Pergjegja sot ruhet në Arkivin e M. P. Mbrendshme Dosja 1302/II-A, ku At Matia në hetuesi asht perballë hetuesve Nesti Kopali, Pjerin Kçira etj., torturues e vrases vegla jugosllave e antishqiptare, që i sherbyen sigurimit komunist.

At Matia nuk pranon asnjë akuzë që lidhet me “futjen e armëve në Kishë të Fretenve në vitin 1946, kur Kuvendi u kthye në burg”, ku At Matia u masakrue barbarisht...

U arrestue me 15 Nandor 1946, doli në gjyqin e mësheftë në mencen e Kuvendit tyne me grupin e Imz. Frano Gjinit, me 1 Janar 1948, ku gjyqtari Misto Bllaci e dënoi me vdekje.

?Në fjalen e fundit Provinçiali At Mati Prennushi tha: “Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as fenë as kombin, por na e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit. Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë, si në paqë. Në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njeni na mbante në robni e tjetri donte me na përpî. Ndërsa na nuk jemi nda kurr prej popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Europa e mos me u dallue për keq prej të tjerëvet. Na kemi hapë shkolla Shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që populli Shqiptar të ecin në rrugën e Zotit.” Ndersa, në Zallin e Kirit me 11 Mars 1948, para pushkatimit tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!

U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (Nga Dosja)

?At Mati PRENNUSHI punoi për “Atdhé e Fé”,si të gjithë Françeskanët. Atij në zemër i valvitej Flamuri i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe, i vlonte LIRIA E SHQIPNISË.

Melbourne, 3 Prill 2019.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora