E enjte, 25.04.2024, 02:32 AM (GMT+1)

Editorial

Adnan Abrashi: E drejta ndriçon vetë

E diele, 28.09.2008, 07:06 PM


Adnan Abrashi
E DREJTA NDIÇON VETË

(Pse nuk duhet t’i frikohemi  iniciativës serbe për vlerësimin e ligjshmërisë dhe legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?!)

Nga Adnan Abrashi

Me një vështrim pak më ndryshe, që ta shkruaj këtë artikull u sfidova pikërisht nga iniciativa aktuale serbe e kontestimit të legjitimitet ndërkombëtar të shpalljes së Kosovës si shtet të pavarur pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nisëm kjo, për tu proceduar si lëndë në procedurat e rregullta vlerësuese të kësaj Gjykata, fillimisht duhet të votohet edhe formalisht nga shumica e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Edhe pse, në fakt, çfarëdo vendimi meritor që mund të merret nga ana e kësaj Gjykate rreth çështjes në fjalë, nuk do të ketë karakter obligues juridik për asnjërën palë kontestuese në këtë proces, vetë kjo ndërmarrje, mbase strategjike-politike e palës serbe, ka quar aq pluhur, saqë, seriozisht nuk i ka lënë të pabrengosur  politikanët tanë, të cilët, këtë frustrim të panevojshëm, përmes publicistikës së madhe në media, po ia përcjellin edhe popullit të vetë në bazë.
Si duket, me këtë iniciativë, karremin e fëlliqtë të lojës së serbe, më së keqi e hëngrëm ne kosovarët të pa eksperiencë në politikat ndërkombëtare. Ndërsa, nga ana tjetër, më së paku për këtë iniciativë po brengosen mu ato shtete të fuqishme mike që na ndihmuan shumë dhe praktikisht i kanë në dorë instrumentet të forcës së ndikimit politik në të gjitha këto forume dhe procedura ndërkombëtare. Bile-bile, sikur po vërehet disponimi i tyre aktual pak sa pasiv në këtë drejtim, na aludon që të parathemi se, kjo iniciativë Serbe, si duket do ta merr dritën e gjelbër nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, për t’u proceduar në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë.
Pasojat mundshme të kësaj iniciative po i dimë të gjithë, por, a thua, sa është marrë më me përsiatje elita politike kosovare edhe me anën tjetër të medaljes së kësaj iniciative?  Konkretisht, për mundësinë e favorit që ne si shtet i ri do të kishim pasur, nëse, ta zëmë, iniciativa serbe me vota në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kalon, dhe, në lidhje me këtë lëndë, GJND-së merr vendim të favorshëm për ne - pro legjitimitet të shpalljes së pavarësisë kontestuese të Kosovës? 
S’ka se si ndryshe tjetër! Ajo, edhe do ta merr këtë vendim kështu, dhe ja se pse: Ekziston një urtësi e qëlluar popullore e cila thotë: Drejtësia ndaj Zotit quhet religjion, ndaj prindërve - dashuri, ndaj sendeve në besim- nder, por, drejtësia pa forcë dhe forca pa drejtësi, realisht, në planin politik, është një fatkeqësi tmerruese që të bënë në start ta humbasësh çdo synim për fitore në këtë drejtim. 
A thua, në këto momente të disponimit pro kosovar të shteteve më të fuqishme dhe më dominonte në botë, drejtësia e tyre me forcë dhe forca e drejtësisë, në anën e kujt janë? Dihet, mbase kjo është një logjikë faktike por e pashkruar, ama, ajo e ka edhe anën tjetër të medaljes: të favorit mbështetës faktik dëshmues material pro anës sonë!
Në praktikat e gjertanishme të shteteve të reja formuese, gjithnjë kur ndahesh nga një bashkësi e vjetër shoqërore – politike (federata) dhe formon një njësi të mëvetësishme të autoritetit të njëjtë juridik ndërkombëtar (shtetin e pavarur), tek vlerësimi eventual i ligjshmërisë kontestuese të kësaj ndarjeje, si pikë mbështetëse vendimmarrëse të çfarëdo drejtësie, për bazë vlerësuese do të merren disa fakte relevante normative pozitive. Ato si burim material mund të jenë të natyrës objektive dhe subjektive. Si normativa të karakterit objektiv, do të konsiderohet baza ekzistuese e akteve juridike mbi të cilat është formuar ajo bashkësi e mëparshme dhe mbi të cilat nga pala tjetër procedurale mbështetet kontestimi i shkëputjes konkrete (aktet e brendshme juridike), marrëveshjeve ndërkombëtare te ratifikuara dhe standardeve te pranuara (E drejta ndërkombëtare), ose, në shumicën e rasteve, që të dyja këto burime së bashku.  Në anën tjetër, si faktor tjetër relevant të karakterit subjektiv vlerësues, patjetër nga gjykata do të merret edhe faktori gjeopolitik dhe motivi natyror – psikologjik. Gjegjësisht, gjatë ndërmarrjes së atij akti kontestues, në atë moment, sa ka ardhur në shprehje vullneti i lirë i të dy palëve.
Te kriteri  konkret, bazuar në logjikën e veprimit të këtij principi, Kosova, vërtet me vullnet të njëanshëm është ndarë nga Serbia, por, nga ana tjetër, as që ka ekzistuar ndonjëherë vullneti i lirë i popullit të Kosovës të jetë nën Serbinë. Këtu, në shikim të parë, logjikisht do të kemi paradoksin juridik si mëdyshje gjatë zbatimit të këtij principi, por, nga ana tjetër, patjetër në këtë vendimtare, kjo gjykatë do ta kishte për bazë edhe faktorin historik: terrorin dhe gjenocidin, shpërnguljen e dhunshme masive të civilëve dhe krimet tjera të bëra në vazhdimësi nga Serbia ndaj shqiptarëve të pambrojtur etnik.  Pikërisht, dhe në mbështetje të këtij legjitimiteti juridik, vetë krahut ushtarak i po kësaj bashkësia ndërkombëtare, në vitin 1999, edhe me forcë ka intervenuar ndaj po kësaj Serbie që sot kërkon njëfarë drejtësie prej saj.
Me këtë rast, mos ta harrojmë edhe një dokument të rëndësishëm ndërkombëtar i cili për shkaqe të njohura nuk është realizuar kurrë deri sot, por që, mund të jetë si burim i së drejtës: Ai i Rabuesë, nënshkruar vetëm nga pala  kosovare dhe bashkësia ndërkombëtare (pa Serbinë), në të cilën ekziston klauzola e mundësisë që populli i Kosovës, 3 vite pas nënshkrimit të këtij dokumenti, në lidhje me statusin e vetë të ardhshëm, ajo do të deklarohet me referendum gjithpopullor.
Edhe pse, faktikisht dhe juridikisht, Kosova sot e ka thuaja njëfarë pavarësia, dhe e njëjta është e njohur nga 47 shtete më të fuqishme të botës, duhet ta pranojmë realitetin e pamohueshëm se, për ne, fare nuk ka qenë e favorshme shpallja e pavarësisë duke e anashkaluar Këshillin e Sigurimit të OKB-së, gjegjësisht, duke e pasur ende në fuqi edhe “de jure” rezolutën 1244 të saj, në të cilën decidivisht njihet sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën si territor administrativ i saj.
Serbia gjithmonë është thirr në këtë të drejtë, andaj kurrë nuk ka pranuar zëvendësimin e misionit të UNMIK-ut me atë të EULEX-it në Kosovë;  Nëse kërkesa e Serbisë për vlerësimin e legjitimitetit ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shkon në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe, aty, sikur e cekëm edhe më lartë, patjetër vërtetohet pro legjitime, atëherë, para Serbisë, praktikisht do të janë të shpenzuara të gjitha argumentet legale politike për një kthim të mundshëm të Kosovës sërish dikur nën administrimin e saj; Vet vendimi i favorshëm i kësaj gjykate për ne, mbase sipas të gjitha gjasave edhe duhet të jetë ashtu, një herë e përgjithmonë do ta zhvlerësoj edhe këtë rezolutë famëkeqe, në rend të parë; Ajo praktikisht Serbisë do t’ia shteri të gjitha iniciativat  e mundshme në të ardhmen,  të luftës së saj kinse politike dhe diplomatike të pengimit të pavarësisë së Kosovës; Fuqia e saj ndikuese në enklavat serbe brenda për brenda Kosovës do të humbas atë intensitet të gjertanishëm, dhe, vetë serbët kosovar do ta kuptojnë realitetin, se ata, gjatë tërë kohën deri më sot, kanë qenë të lajthitur dhe vetëm lojtarë “piuna” në duart e atyre politikanëve të vetë gjithmonë humbës shovinist, të cilët me presionet e gjertanishme mbi ta, më së paku kanë pasur interes që të angazhohen sinqerisht për të drejtat e tyre popullore si pakicë në Kosovë.
Kosova me shpalljen e pavarësisë së vet, patjetër duhet të besoj se është në rrugë të drejtë. Bile-bile, në një nisëm transitor që ende nuk ka përfunduar deri në fund, prandaj, ajo, kurrsesi nuk duhet t’i frikohet kësaj dhe asnjë drejtësie tjetër. E, posaçërisht kur prapa saj është edhe fuqia më e madhe, kreatorja e të gjitha kaheve të politikave botërore.
Pa marrë parasysh disa pasoja morale që ne si shteti i ri mund t’i  kemi më vonë nga kjo iniciativë, ja, pse unë jam pro kësaj iniciative?! Pritet se këto pasoja, si më të shprehura do të jenë tek mundësia e zvarritjeve të njohjeve të reja nga shtetet tjera. Por, fundja, edhe pa këtë sebep, kohën e fundit, as që kemi pasur ndonjë invadim të njohjeve?!
Si duket, nuk jam vetëm unë me këtë bindje. Mbase, në këtë lojë durimi me Serbinë, duket se kjo është edhe qëllimi në prapavijë i bashkësisë ndërkombëtare?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora