E premte, 13.12.2019, 03:25 PM (GMT)

Aktualitet

Albert Zholi: Flet specialistja e mbrojtjes së fëmijëve në Bashkinë Tiranë, Dorina Hoxha

E hene, 01.04.2019, 05:48 PM


Intervista/ Flet specialistja e mbrojtjes së fëmijëve në Bashkinë Tiranë, Dorina Hoxha

Problem, edukimi që bazohet mbi frikën, ashpërsia, keqtrajtimi

Nga Albert Z. Zholi

Në Bashkinë e Tiranës po punohet sistematikisht për mbrojtjen e fëmijëve, punë e cila zë një peshë të madhe nga profesionistë apo specialiste në zbatim të interesit më të lartë të fëmijës që është siguria dhe mirëqenia e tyre. Puna e specialsitëve synon të krijojë një mjedis ku fëmijët, djemtë dhe vajzat, veçanërisht ata që janë më në nevojë, të marrin kujdesin e duhur, të mbrohen nga të gjitha format e dhunës dhe të marrin pjesë në mënyrë aktive në vendime që prekin jetët e tyre. Më konkretisht, Në bashkinë e Tiranës synohet për krijimin e një mjedisi pozitiv familjar dhe komunitar ku fëmijët të rriten të përkujdesur, të sigurt dhe të mbrojtur nga çdo formë dhune, abuzimi, neglizhimi apo shfrytëzimi. Kjo është tema e intervistës më specialisten e mbrojtjes së fëmijëve në Bashkinë Tiranë, dhe publicistin zj. Dorina Hoxha.

-Si specialiste e mbrojtjes së fëmijëve në Bashkinë Tiranë, mund të na thoni cilat janë problemet e fëmijëve në përgjithësi? Po problemi më specifik?

Fëmijët janë pasqyrimi i dashurisë njerëzore, ato janë reflektimi i asaj çfarë familja dhe shoqëria i ofron. Fëmijët janë si filizat që kërkojnë vëmendjen dhe përkushtimin e duhur që ato të shkojnë kah rrezeve të diellit duke e përthyer dritën e fort të saj tek brezat në vijim me durim, është një cikël jete i pashmangshëm  që kërkon kontributin dhe  impenjimin sa moral po aq dhe ligjor të secilit prej nesh për të përmbushur një mision njerëzorë, të mbrosh  të pambrojturit. Të përmendësh terma si ‘Mbrojtja e fëmijëve’, zë një peshë të madhe që duhet ta mbash mbi supe jo vetëm si profesioniste apo specialiste në zbatim të interesit më të lartë të fëmijës, që është siguria dhe mirëqenia e tyre, por në radhë të parë si grua, prej së cilës buron kjo jetë, në radhë të dytë si prind për nga dashuria, dhembshuria dhe përkushtimi dhe në radhë të tretë  si qenie humane për nga racionaliteti dhe shpirti. Një rol dhe detyrë e vështirë për të mbajtur në kontroll një mori faktorësh  që e bëjnë gjithë procesin e jetës sociale një mjedis të sigurt për fëmijët që ju mungon një i tillë. Si specialiste e mbrojtjes së fëmijëve në Njësi Administrative, e prek situatën e fëmijëve në terren dhe jam pranë tyre çdo ditë për të evidentuar, raportuar, koordinuar dhe për ti dhënë zgjidhje  problematikave dhe shqetësimeve të tyre. Problematikat e fëmijëve në përgjithësi lidhen ngushtësisht me problematikat familjare të tyre. Familja, prindërit janë mbrojtja, mbështetja dhe modeli i fëmijës ndaj  kur ky rend nuk funksionon siç duhet pasojat i vuan fëmija. Divorci  është një një ndër problematikat që shënjohet në tablonë e problemeve të fëmijëve. Mosmarrëveshjet e prindërve kur ata vendosin të ndahen, kalojnë drejtpërsëdrejti tek fëmijët duke i përdorur ata si ‘mjet’ për të shlyer inatet dhe zemërimin, duke i mohuar njërit apo tjetrit të drejtën e prezencës së tyre në jetën e fëmijës. Një problem i rëndësishëm që prek fëmijët qëndron tek fryma edukuese me të cilin ata rriten nga familjarët e tyre, e veçanërisht edukimi që bazohet mbi frikën, ashpërsia, keqtrajtimi, Stigmatizimi, përjashtimi, dhuna, trajtimi i fëmijëve të diferencuar nga gjinia dhe sidomos  heshtja dhe indiferença e një të rrituri, përpara keqtrajtimit, apo dhunës së ushtruar ndaj një fëmije. Një nga problemet e fëmijëve është të mos i plotësosh nevojën e tyre për prezencën, mbështetjen dhe sigurinë e të rriturit. Fëmijët kanë nevojë për sigurinë e të rriturit pasi ato vetë nuk dinë dhe nuk mund të marrin vendime. Problemet ekonomike të familjeve ndikojnë edhe tek problemet e fëmijëve si përshembull duke mos i plotësuar nevojat bazë jetike të tyre apo duke i detyruar fëmijët të punojnë apo edhe të lypin.  Riktheksojë se problemet e fëmijëve lidhen ngushtësisht me problematikat familjare të tyre.

-Cila kategori e fëmijëve janë më problematikë?

Në shoqëri problematikat sociale rrjedhin zinxhirë me njëra tjetrën, kategoritë e fëmijëve të grupeve vulnerabël janë ndër kategoritë e fëmijëve më me problematika. Vëzhgimi në terren të bën të kuptosh që nuk ka fëmijë problematikë, ka situata dhe të rritur problematike shkaqet e së cilës vijnë si pasojë e mungesës së arsimimit, mendësisë me të cilën rriten dhe më pas rrisin fëmijët e tyre.

-Cila është puna që bëjnë specialistët e bashkisë për minimizimin e problemeve të fëmijëve?

Problemet dhe shqetësimet kanë lindur së bashku me njeriun dhe shoqërinë ndaj ato përgjatë kohërave marrin trajta të ndryshme. E rëndësishme është të duam ta bëjmë punën tonë me seriozitet, përkushtim, me frymën bashkëpunuese dhe mbi të gjitha me dashurinë për të mirën dhe zhvillimin. Të punosh për të minimizuar problemet e fëmijëve do të thotë të identifikosh, të referosh, të analizosh, të monitorosh, të vlerësosh, të menaxhosh raste, të ofrosh shërbime dhe të gjitha këto kërkojnë koordinimin e disa aktorëve dhe frymën bashkëpunuese e të qënit ‘ekip’ e të punuarit si një skuadër për një qëllim të përbashkët, ky është ndër tiparet më të mira që pasqyron Bashkia e Tiranës në çdo njësi administrative të saj. Një nga parimet themelore mbi bazën e së cilës ngrihet puna e një punonjësi për mbrojtjen e fëmijëve është  ‘zbatimi i interesit më të lartë të fëmijës’ dhe interesi më i lartë i fëmijës nënkupton të drejtën e fëmijës për të pasur një zhvillim të shëndetshëm fizik, mendor,moral, shpirtëror e social, si dhe për të gëzuar një jetë familjare e sociale të përshtatshme për fëmijën. Puna e një specialist për Mbrojtjen e fëmijëve ngrihet dhe bazohet  mbi legjislacionin që përcakton qartësisht të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës. Një ndër më të përfolurit është edhe Ligji Nr.18/2017 “për të drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”.  Mbrojtje e fëmijës është parandalimi dhe përgjigjja ndaj dhunës, abuzimit, shfrytëzimit dhe neglizhimit të fëmijëve, përfshirë rrëmbimin, shfrytëzimin seksual, trafikimin, punën e fëmijëve dhe praktikat e dëmshme tradicionale, si gjymtimi i organeve gjinitale dhe martesa e fëmijëve.

-Me kë institucion shtetëror, ndërkombëtar apo OJF bashkëpunoni më tepër për të pasur rendimet në punën tuaj?

Në bashkërendimin e punës për mbrojtjen e fëmijës një rol kyç luan përfshirja e një sër institucionesh e strukturash kryesore për nga roli dhe rëndësia e tyre. Ndaj nuk do veçoja njërin ose tjetrin sepse secili prej tyre  sipas rasteve ka funksionin e tij, është si një zinxhirë hallkash që të gjitha bashkë kontribuojnë në mirëfunksionimin e një qëllimi.

-Sa janë të lidhur sot fëmijët me librin dhe sa qëndron raporti libër-internet?

Fatkeqësisht bota po shkon gjithnjë e më shumë drejt virtualitetit dhe raporti i fëmijëve me librin po zbehet gjithnjë e më tepë,  të paktën ky është konstatimi im  nga eksperienca në kontakt të vazhdueshëm me nxënës dhe fëmijët e territorit të Vaqarrit. Të kultivuarit të një biblioteke familjare mbase është  tipar që ju mungon familjeve të ditëve tona. Një fakt konstatues që fëmijët nuk lexojnë e vëren përgjatë një bisede që mund të bësh me ata dhe fjalorit të varfër që ata përdorin për të formuluar një pyetje ose për të shprehur një mendim. Virtualiteti  ka përfshirë me ritme të shpejta edhe brezin më të rritur, kështu që nuk është çudi që fëmijët të jenë përdorues të mirë  të aparateve elektronikë dhe virtualitetit.

-Keni kohë që jeni prezente në shtypin shqiptar, cilat janë problemet që përcillni tek lexuesi?

Si qenie shpirtërore dhe sociale nuk mund të përfshihesh në diçka pa qenë e përfshirë edhe në diçka tjetër përpara saj, pra një lloj shtresëzime përjetimesh dhe përfshirjes të tipit “ shkak-pasojë’, pak a shumë edhe unë nuk mund të isha prezente në shtypin shqiptarë pa u ndikuar nga problematikat sociale që më ka lidhur puna ime si specialist për mbrojtjen e fëmijëve, kontakti me njerëzit e thjeshtë të së përditshmes, ballafaqimi me të vërtetat lakuriqe, pa kostumin e nëpunësit, përfshirja emocionale në ngjarje të tilla ka zgjuar tek unë Çudinë për të pyetur veten dhe botën përreth për fenemone  si  dashuria, vdekja, vrasja, dhuna, përjashtimi, familja dhe prindërimi, reflektimi për shpresën dhe vetminë.

-mendoni se gazetaria ka impakt tek qytetarët për qarjen apo dhe sensibilizimin qytetarëve?

Gazetaria është një dritare ku pasqyrohen qasje dhe ide prej edhe nga ku mund të marrësh informacion, por jo gjithnjë mund të jetë i besueshëm dhe fatkeqësisht gazetaria shqiptare së fundmi po funksionon si një Pazar ku tregtohen burime jo të sakta informacioni, formate të kopjuara shoë talk dhe qasje të standartizuar. Në tërësi gazetari është një pushtet i fuqishëm për të pasur influencë por që për fatin e keq është në duart e një pakice njerëzish të pasur të cilët vendosin në mënyrë jo arbritare të  ngrenë një imazh televiziv. Virtualiteti po sfidon medien dhe nuk është larg dita kur nuk do të ketë më gazeta apo revista të printuara.

-Kohët e fundit keni botuar një libër publicistik me një titull intrigues, “Çorodia”çfarë ka si subjekt libri dhe pse ky titull?

Libri erdhi si një përpjekje disavjeçare në fushën e publicistikës. Dita ditës vëreja se titujt e shkrimeve po shtoheshin dhe më duhej të shpenzoja kohë ti kërkoja e ti rikujtoja deri sa u binda që të gjitha publikimet e mija të mos i kisha të shpërndara nëpër gazeta, revista apo ëebe lajmesh por në një përmbledhje prej 60 shkrimesh. Titulli ishte një ndër faktorët që më ka marrë shumë kohë duke e diskutuar me miq profesionistë, ka pasur disa versione të ndryshme nga sugjerimet e tyre si përshembull “100 Vramendje” apo “Katastrofat e Mendjes”  por përgjatë hulmutimit hasa fjalën “Çorodia” dhe vendosa ta quaj kështu. “ Çorodia” për mua do të thotë përjetim, kohë, zhgënjim, lumturi, dhimbje, orë pa gjumë, ankth, pasiguri por mbi të gjitha vullnet për ti dhënë botës një pikëpamje më shumë rreth saj. Shkrimet e përzgjedhura kanë të përbashkët reflektimin mbi katastrofat që mendja është e aftë të prodhojë në ditët me diell. Çorodia lind nga bashkëveprimi i dy forcave të kundërta brenda nesh, lind në hapësirën e zbrazët që lidh dy boshtet tona të vetvetes, të mirën dhe të keqen. Çorodia ngre krye atëherë kur dashuria nuk është e mjaftueshme dhe besimi është një çështje zgjedhjeje dhe jo zgjidhjeje. Çorodia është vetja jonë e mohuar, dëshirat tona të parealizuara, çorodia është aty ku përjetohet përjashtimi dhe përçmimi social. Titulli i librit përfshin pikëpyetje që njeriu i shekullit ia drejton vetes dhe shoqërisë. Çorodia është një shqetësim që e ngre njeriun në një nivel tjetër të kërkimit të pritshmërive, gjatë së cilës duhet të kemi të qartë frazën siç thotë Mevlana Xhelaleddin Rumi në serinë e tij të Poemës Mistike Mesnevi, se “ Nëse ti zë një punë seriozisht, e meta e saj mbetet për ty e fshehtë…” I fshehtë është ai shteg drejt së cilit ne mund të shkojmë edhe nëpërmjet rrugës së gabuar por duke pasur idenë e rrugës së drejtë. E njëjta gjë ndodh edhe në jetën e përditshme të shqiptarëve, shkohet ndonjëherë  drejt së panjohurës me mendimin se po shkojmë në drejtimin e duhur dhe çorodia jonë ngre krye vetëm atëherë kur ndodhin dramat sociale dhe atëherë kur ndodhemi përball vetes duke u vetpyetur: “ Çfarë bëre”? Çorodia për mua lind vetëm atëherë kur mendja është  e aftë të kërkojë vetgjygjësi unit të saj, jo duke e urryer atë, por duke reflektuar dhe duke u penduar, sepse çorodia është edhe një formë pendimi.

-Mendoni se libri publicistik sot është më i kërkuar?

Publicistika është një zhanër që kërkon impenjim, profesionalitet, imagjinatë, por mbi të gjitha ta shohësh botën dhe realitetin përtej asaj që duket dhe që vetëm mund të ndjehet. Mendoj se kush dëshiron të lexojë do jetë gjithnjë në kërkim të librit të radhës të çfarëdo zhanri qoftë nisur edhe nga situata e tij e prespektivës.

-Në përgjithësi cilat janë shijet tuaja në gjinitë e letërsisë, romani, tregimi, novela apo poezia?

Unë e dua librin dhe leximin, e dua aromën që shënjon koha mbi fletët e verdha të cilët dëshmojnë për dimensionin e kohës që lë vulën tek përjetimet tona dhe ne krejt të pafuqishëm njësoj si fletët e zhubrosur të një libri gjysëm shekullorë, riprodhojmë vetvete.  Përgjatë viteve të gjimnazit kam lexuar pothuajse të gjitha kryeveprat e autorëve më të njohur botëror dhe që nuk më vjen turp ta pranoj që kam qarë pasi kam përfunduar së lexuari librin e Viktor Hygosë “Njeriu që Qesh” dhe për kryeveprën e G.G.Marquez“ Dashuri në Kohërat e Kolerës”… Me përfundimin e studimeve në Shkencat Sociale dhe thellimin tek veprat filozofike, qasja ime për të lexuar filloj ti filtrojë titujt e librave poetikë, tregime, novela etj dhe të fokusohesha tek librat me karakter studimorë dhe didaktik. Ndonjëherë kur kjo qasje selektive nuk më ngroh shpirtërisht i kthehem sa herë letërsisë dhe romaneve për të rigjetur ‘emocionin e fjalës’ që logjika e përjashton në të shumtën e rasteve, sepse ajo është e ftohtë dhe pendante. Vlen të përmend rastin e fundit kur u riktheva të lexoja autoren e preferuara Elsta Triolet,“ Trëndafil me Kredi”. Leximi është si aroma dehëse e një trëndafili që për ta shijuar duhet ta nuhasësh disa herë derisa të kuptosh që gjembat mbeten vetëm në mendjen e atij që nuk guxon dhe duron.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT