E premte, 29.03.2024, 02:35 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Historikth i librave që kam

E shtune, 30.03.2019, 09:33 AM


Historikth i librave që kam

Nga Blerim Rrecaj

Vije mëngjesi. Ne të gjallët zgjohemi. Një zile në derë mund të na lë në dorë një porosi. Më pas ndërron vend. Dikur del përjashta dhe kthehesh brenda vendit tënd, strehëz ku vë kokë e këmbë. Për t'iu kundërvënë plogështive nja dy libra me poezi bart me vete. Bë bashkë këta dy libra kopertinëbardhë me emra autorësh shkruar me të zezë e tituj qëndisur me të kuqe. Lexo dy-tri poezi te njëri, po aq, më shumë a më pak, te tjetri. E këta dy libra kanë dhe historinë e tyre, e të timen, të blerjes. Njërin e pata blerë te njëri nga librashitësit, para veturës së tij, para bibliotekës plisbardhës filigranqëndisurës. Tjetrin fillimisht e pata parë e shfletuar në një raft kafeneje, e e pata bërë pronë timen, pasi pata pyetur kamarierin pas një ndeje atypari pas nja shtatë-tetë a 9-10 muajsh duke i thënë diç edhe si bakshish. Tash po më vije nëpër mend kur miqtë e të njohurit ftonin njëri-tjetrin që në facebook të tregonin se cilët janë dhjetë librat që pëlqejnë më shumë me pak fjali që e arsyetonin listën e përzgjedhur. Pata shfaqur dhe vetë një listë. Pas kësaj mendja më pat vajtur se ku i mora, si më ranë në duar këta libra, ku i bleva. Librin e parë e pata blerë te libraria afër Institutit Albanologjik, të dytin te libraria e ish Pallatit të Shtypit "Rilindja", pallati ka ndërruar fytyrë e tash ai shërben për punë institucionesh qeveritare e libraria është shndrruar në kafene, për të tretin kam harruar e më pat humbur por e pata blerë në panair, të katërtin te libraria e fillimpërmendur, të pestin përsëri në Panairin e librit në Prishtinë, të gjashtin e të shtatin e të tetin e të nëntin te e lartemespërmendura librari e të dhjetin te libraria gati në hyrje të sheshit, aty ku kishte tezga e tash ka kioska librashitësish. Librat e tjera janë blerë këtyre tezgave e rrugëve të Prishtinës e Durrësit, disa dhe në plazh, disa nga librat t'u kanë dhuruar nga autorët a joautorët e tyre qofshin këta trupa librash a në formate elektronike, si p.sh: pdf, disa i ke huazuar, disa të janë kthyer e disa jo, disa ke "grabitur" e të kanë humbur qoftë gjatë luftës, djegjes së shtëpisë, ndërrimeve të vendbanimeve, ndonjë ke gjetur, të lënë a të harruar pas largimit a rikthimin në shtëpi...Pata lexuar diku në internet një shkrim të Ernesto Sabatos me titullin: "Shenjat e leximeve", ku flet për ndikimet që kanë pasur librat dhe leximi i tyre në jetën e tij. Edhe për vete mund të them për ca shenja që lënë e vazhdojnë të lënë leximet, por jam jo afër të qenit një lexues i mirë...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora