E marte, 14.07.2020, 12:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Zymer Mehani: Lumturije S. Drenica - Ndjesi dhe mall

E shtune, 30.03.2019, 09:44 AM


VËLLIMI POETIK “NDJESI DHE MALL” I POETES LUMTURIJE S. DRENICA

Shkruan Zymer Mehani

Poetja Lumturije S. Drenica, tashmë njihet shumë mirë nga lexuesi shqiptar me vëllimet poetike: “Ah, Shqipëri!...” (Prishtinë, 2018) dhe “O male hijerëndë” (Prishtinë, 2018). Ajo, në të vërtetë para lexuesit është paraqitur së pari me vëllimin poetik “Veç një atdhe” (Prishtinë, 2017), si bashkautore me poetin Zymer Mehani. Tani, më 2019, kjo autore lexuesve po ua dhuron edhe vëllimin poetik të radhës: “Ndjesi dhe mall” (Prishtinë, 2019).

E ripërsërisim se poezia e poetes Lumturije Drenica është e përshkuar dhe e vulosur me motivin e atdhedashurisë dhe mallin për atdheun, që edhe identifikohet si e tillë. Poezia e saj është rrëfim i zakonshëm, nganjëherë edhe i ndërlikuar, serioz, i qetësuar dhe i kthjellët, poezi e rrjedhshme dhe ritmike. Ajo është poezi atdhetare, të cilën poetja e kultivon me ëndje dhe asnjëherë nuk e lë pasdore. Në vëllimin në fjalë, poetja do t'u këngëtojë dëshmorëve të Kosovës, si Jasharëve (Shabanit, Ademit, Hamzës), Abedin Rexhës-SANDOKANIT, Fehmiut e Xhevës, Zahir Pajazitit, Bacë Adem Demaçit, simbolit të rezistencës sonë kombëtare, dëshmores më të re Antigona Fazliu etj. etj.

Në vëllimin poetik “Ndjesi dhe mall” të autores Lumturije Sulejman Drenica ngriten dy probleme qenësore të shoqërisë sonë shqiptare: atdheu me fatet e tij dhe kurbeti dhe plagët që ai i shkakton. Të dy këto probleme shtrijnë krahët në tërë gjeografinë tonë kombëtare (shqiptare), por edhe jashtë kufijve, në diasporën tonë shqiptare, duke u vënë në kontekstin historik dhe shoqëror.

Pikënisje e tekstit poetik të autores Lumturije S. Drenica është atdheu i saj, Shqipëria (me viset natyrale të saj: Kosova, Çamëria, Ilirida, Lugina e Preshevës), ku nga atje jeta shpaloset, degëzohet e artikulohet.

Duke hecur gjurmëve të poetes Drenica, nga poezia në poezi, nga vargu në varg, por edhe në tërë përmbledhjen poetike “Ndjesi dhe mall” , do të mësojmë se atdheu i saj (edhe yni) është një vend i bukur, me gurra të dëlira, bjeshkë e lisa, me fusha dhe male, i kredhur në hallet e veta. Kështu fjala poetike me magjinë e saj na bëhet gjithnjë më domedhënëse, më dinamike, duke mbyllur në vete peizazhe, erëra, furtunë e stuhi gjatë historisë kombëtare. Kësisoj, atdheu i poetes, vërtet është vend me kulla të gurta dhe qëndrestare gjatë rrebesheve të kohëve të turbullta, me ura gati të rrënuara, por ajo që e bën jetën e vështirë, gati tragjike është kurbeti, kjo plagë në shtat të kombit, që prore lëngon dhe e trandë gjithë qenien tonë kombëtare.

Në atdheun e poetes Lumturije S. Drenica gjendja e rëndë sociale është rrjedhë e shumë brengave dhe e dramave, megjithatë, ka diçka në truallin tonë arbëror, që e inkurajon poeten si krijuese dhe si njeri, që poezisë së saj i jep freski, duke e gjallëruar me optimizëm dhe shpresë për një jetë më të denjë në trevat tona. Është ky karakteri shqiptar i fortë, që kurrë s’u dha para të keqes dhe presioneve, çfarëdo qofshin ato dhe ngado që të vijnë. Kjo forcë jete dhe besimi vërehet në tërë vëllimin poetik “Ndjesi dhe mall” të poetes Lumturije S. Drenica. Poetja porosit se forca për jetë qëndron vetëm në unitet.

Pothuajse çdo poezi e autores Lumturije S. Drenica përshkohet nga dimensioni social, por në poezinë e saj ajo i këndon të kaluarës së lavdishme, të ardhmes, sikurse edhe preokupimeve, qoftë personale, qoftë kolektive.

Në poezinë e poetes Lumturije S. Drenica ndeshemi me theksin evokativ, qoftë si evokim i kohës së largët (nga vitet e fëmijërisë, ditët e arta të rinisë, apo kohës së kurbetit), që përmbledhjen e pasurojnë në planin referencial të tekstit poetik.

Poezia e poetes Lumturije S. Drenica është përplot ide. Gjuhësisht është mjaft bashkëkohore. Shquhet për laryshi vargjesh. Të shumtën e herës poezitë janë të rimuara. Poezia e saj shquhet edhe për nga saktësia e fiksimit të detajit dhe për nga krijimi i imazhit të qartë, ravijëzimit të idesë, sugjerimit të gjendjeve. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një poete që në poezinë e saj di të ekuilibrojë kuantumin e tekstit dhe të substratit poetik.

Pothuajse çdo poezi e autores Lumturije S. Drenica përshkohet nga dimensioni social, por në poezinë e saj ajo i këndon të kaluarës së lavdishme, të ardhmes, sikurse edhe preokupimeve, qoftë personale, qoftë kolektive.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora