E merkure, 16.10.2019, 04:00 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Selia kryeipeshkvore e Pjetër Bogdanit

E hene, 01.04.2019, 08:20 PM


Shtatorja e Pjetër Bogdanit në Shkup

Selia kryeipeshkvore e Pjetër Bogdanit

Fragmente nga libri "Qytetet e Ilirisë"

Nga Gani Mehmetaj

Ipeshkvia shqiptare e Shkupit, që ka traditë që nga antika, njihet seli kryeipeshkvore e Pjetër Bogdanit, Gjon Nikollë Kazazit, Ndre Logorecit, Lazër Mjedës, por edhe vendlindja e nobelistes shqiptare, Shenjtores Nënë Tereza. Kjo ipeshkvi është ndër më të vjetrat në Gadishullin Ilirik. Dikur kishte nën administrim pos Dardanisë, Serbinë e sotme, një pjesë të Bullgarisë, Maqedoninë deri në Selanik. Në Shkup jetuan e vepruan Kolë Bojaxhiu, Dom Ndue Bytyçi, Lorenc Antoni, Dom Gaspër Gjini, Vingjenc Gjini etj.

Tregtia, përpunimi i arit e argjendit, pronat e mëdha ishin në duart e tyre të shkathëta. Nga filmat dokumentarë e fotografitë e vjetra, që ruhen në arkiva filmi, rrezatojnë qytetërim e kamje.

Shqiptarët katolikë të Shkupit e morën rolin prijës, ishin ndriçuesit e pjesës tjetër të shqiptarëve, sepse kishin mbaruar shkolla të larta në Itali e Francë, meqë në Shkup kishte vetëm një medrese turke. Administratën e pasluftës (1945) e mbanin shqiptarët katolikë në gjuhën shqipe, sepse të tjerët nuk dinin të shkruanin shqip, ndërsa sllavët ishin pakicë në Shkup.

Dëbimi i parë i madh i shqiptarëve të të dy feve nga Shkupi nisi pas tërmetit të vitit 1963. Në emër të ndërtimit të Shkupit të ri, me ndihmat evropiane, qeveria, me mbështetjen e Beogradit, ua konfiskoi pronat shqiptarëve në qendrën e vjetër, për të ndërtuar apartamente shumëkatëshe, ku solli maqedonasit nga Greqia.

Vala e dytë e shpërnguljes së shqiptarëve katolikë u bë pas vitit 1981, kur nisi terrori kundër shqiptarëve të arsimuar e nacionalistëve. Shqiptarët katolikë dhe intelektualët ikën nga Shkupi, erdhën në Prishtinë e Prizren, por shumë prej tyre ikën në Perëndim apo në Kroaci e në bregdetin dalmatin.

Në valën e tretë të shkombëtarizimit ua morën Ipeshkvinë dhe Katedralen. Në vend të fjalës shqipe që u predikua mbi 1 500 vjet, sot predikohet në gjuhën sllave. Mbi një mijë e pesëqind vjet ipeshkvit ishin arbërorë-shqiptarë, sot është ipeshkvi slloven. Kjo është ndër kaptinat më të dhimbshme të deshqiptarizmit të Shkupit.

Kanë mbetur fare pak shqiptarë katolikë në Shkup, kryesisht të vjetrit që e kryen misionin ndriçues. Të përmallojnë kur i tregojnë peripecitë e tyre në emisione televizive të RTV 21.

Pjesë edhe më tragjike se sa shqiptarët katolikë janë shqiptarët ortodoksë të Shkupit. Kur erdhën bullgarët i detyruan të braktisin kombin, kur erdhën serbët i shkombëtarizuan me dhunë, ndërsa në kohën e sotme prapë u bëjnë presione nga më të ndryshmet. Kreu i shtetit dhe Akademia e Arteve dhe e Shkencave e Maqedonisë është me shqiptarë ortodoksë, të cilët nga pleqëria nisin e rrëfehen për mëkatin e braktisjes së kombit.

Shqiptarët ortodoksë të Shkupit po u rizgjuan kanë energji të madhe kreative e pozita shoqërore.

Shqiptarët e mbetur i futën në geto, ua mbyllën shkollat, një kohë tepër të gjatë i lanë vetëm me një shkollë pedagogjike, pa arsim, pa kulturë, intelektualët i frustruan me presione, përbuzje e fyerje, mbi shpinë ua lëshuan shërbimin e fshehtë dhe fanatikët fetarë. Kështu i çorientuan, i margjinalizuan, i çaprashitën. Intelektualët shqiptarë u përpoqën ta pengojnë shpërfytyrimin e Shkupit nga mendësia e kolonëve arrogantë e primitivë dhe nga mentaliteti i fanatikëve fetarë. Shkupi edhe sot është qendër e rëndësishme tregtare e administrative edhe për shqiptarët. U bë një gabim i pafalshëm kur partitë politikë shqiptare para 30 vjetësh e braktisën Shkupin dhe u tërhoqën në provincë-Tetovë. Kryeqyteti është i pazëvendësueshëm.

Shkupi është qytet i mirë që e vlen ta kalosh jetën në të, e vlen edhe të përpiqesh e të luftosh për të. Është i pazëvendësueshëm.

Jo më kot e lakmojnë të gjithë në Gadishullin Ilirik: shqiptarë, bullgarë, grekë e slave.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT