E merkure, 16.10.2019, 03:55 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Ku është shtatorja e David Arianitit?

E diele, 31.03.2019, 07:36 PM


Ku është shtatorja e David Arianitit?

Fragment nga libri " Qytetet e Ilirisë"

Nga Gani Mehmetaj

Shtatore ka edhe Samuili, mbreti bullgar, që e pushtoi qytetin arbëror të Shkupit, por sajuesit e Sheshit e kanë "harruar" shtatoren e arbërorit David Arianiti, i cili e luftoi dhe e dëboi nga qyteti perandorin bullgar. D. Arianiti, sipas kronisti bizantin, G. Kadreni, ishte ndër strategët më të shquar në luftë kundër ushtrisë bullgare të Samuilit, kështu që perandori bizantin, Basili II, ia besoi postin e Themës së Shkupit, pra administratorit të qytetit, shkruan Gjon Berisha.

Nuk është as shtatorja e arbërorit tjetër, princit Leka të asaj kohe, që u shqua në luftë kundër ushtrisë bullgare të Samuilit, ndërsa ishte pagëzuar me emrin e Lekës së Madh. Mbreti bullgar Samuil dhe mbreti serb Lazar, ishin pushtues, prandaj ta vrasin syrin kur i shesh në qytetin e shqiptarëve. Nuk janë ballë për ballë, por janë aty ku nuk duhet të jenë.

Mbishkrimi në shtatoren e Nënë Terezës është vetëm sllavisht (cirilikë). Me asnjë fjalë nuk e thonë se ajo ishte shqiptare. Shtëpia përkujtimore po ashtu nuk ka mbishkrime në gjuhën shqipe. Në këtë shtëpi më ka rastisur të takoj një cicerone shqiptare (dibrane), por më shpesh ciceronet sllave u flasin vizitorëve, duke mos e përmendur kombësinë e shenjtores shqiptare. Shtatoren e ka edhe Perandori Justinian, dardan, njëri ndër personalitetet më të mëdha të historisë botërore, mbishkrimin e ka në gjuhën sllave, por jo në gjuhën së cilës i përkiste.

Në këtë mori shtatoresh, apartamentet shumëkatëshe të tipit sovjetik, të bojatisura rishtas, sikur nuk korrespondojnë me shtatoret gjigante. Imitimi i stilit barok, pastaj i shtatoreve të antikës, mesjetës, ndërtimit sovjetik, kishave bizantine të reja me beton, duket pa shije.

Sa për t'i qetësuar gjakrat e kanë vënë shtatoren e Pjetër Bogdanit. Shtatoren e Isa Boletinit, që e çliroi Shkupin nga turqit më 1912, e kanë dërguar në periferi, në katundin Saraj, sepse atje e paskëshin kërkuar vendësit!

Sheshi qendror, në pjesën më të madhe i sllavizuar, është shpërfytyruar edhe me ndryshimin e strukturës së popullatës, sepse përtej urës dikur ishte lagjja puro shqiptare, madje ishte lagjja e aristokracisë shqiptare katolike të qytetit. Nënë Tereza e familjet e tjera të kamura e të famshme aty jetonin. Por në pesëdhjetëvjetëshin e fundit struktura e kësaj lagjeje, sikurse shumica e lagjeve shqiptare të Shkupit, pësoi ndryshime të ndjeshme demografike: shqiptarët e fesë myslimane i dëbuan në Turqi, të tjerët me presion i shndërruan në turq, një pjesë i shpërngulën në Prishtinë, të tjerët hapen dyqane në bregdetin dalmatin, apo morën botën në sy deri në Australi, kurse kolonët sllavë i sillnin me trena e autobusë nga Greqia e Bullgaria, në lagjet që ua ndërtonin qeveritarët.

Shqiptarët e Shkupin, pas tërmetit me pasoja tragjike, të vitit 1963, i shpopulluan, ndërsa qytetin e populluan me kolonë. Lagjet e shtëpitë njëkatëshe me material të fortë apo parafabrikate, që ende janë në këmbë, i ndërtuan me paratë e bashkësisë ndërkombëtare. Kolonët ende jetojnë në to, ose kanë rindërtuar shtëpitë e reja në lagjet shqiptare. Ishte ky projekti i Titos dhe i Beogradit që u ekzekutua nga zyrtarët lokalë, kinse kulm mbi krye për fatkëqijtë të cilëve tërmeti ua rrënoi shtëpitë. Por fatkëqijtë shqiptarë nuk përfituan asnjë tjegull nga ky humanizëm ndërkombëtar!

Shkupi ishte mbi dy mijë e pesëqind vjet kryeqytet i Dardanisë, seli ipeshkvie, qendër administrative, qyteti më i madh i dardanëve. Në fillim të shekullit XX Shkupi mori përparësinë e të gjitha qyteteve shqiptare me traditën dhe me strukturën mbizotëruese shqiptare, kështu që rilindësit e kryengritësit mëtonin që Shkupin ta shpallnin kryeqytet të Shqipërisë, meqë ishte nyja e komunikimit ndër shqiptarët, ishte nyja e komunikimit me Gadishullin dhe me Evropën.

Por asnjë qytet arbëror nuk e kishte fatin më nopran e me fund aq të dhimbshëm: rrezatoi për tërë Arbërinë-Shqipërinë, ndërsa u shpall kryeqytet i Maqedonisë.

Nga popullata fatin tragjik e patën edhe shqiptarët katolikë të Shkupit, që ishin aristokracia e qytetit. Ata e formuan bërthamën e qytetit të vjetër, përtej Urës së Vardarit, ata e mbajtën gjallë gjuhën shqipe të folur e të shkruar në katedrale e kisha, ata i vunë bazat e shoqërive artistike e muzikore shqiptare jo vetëm për Shkupin, por për tërë Dardaninë, ata i dhanë jetë e gjallëri ish-kryeqytetit të Shqipërisë dhe qytetit më të madh të Dardanisë.

Nesër:

Selia kryeipeshkvore e Pjetër Bogdanit



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT