E merkure, 24.04.2024, 11:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Respektomë dhimbjen...

E shtune, 27.09.2008, 08:40 PM


Suzana Kuqi
Suzana Kuqi

Respektomë dhimbjen...

I vdekuri ishte aty në mes të dhomës, mbuluar me një kuvertë të bukur kadifeje të kuqe mbushur me lule shumëngjyrëshe. Kuverta të jepte përshtypjen e një kopshti të lulëzuar, e reflekset e dritës luanin me ngjyrat e saj duke krijuar ilizionin se ato lule ishin të gjalla.Nuk kish si të ishin më të bukura lulet e kopshtit të Edenit, nëse ndokush do të mundohej t'i pikturonte. E nuk mund të gjeje një fytyrë më të bukur burri në gjithë dhomën e mbushur me njerëz, kish qenë po aq i bukur edhe kur ... Por tani vdekja i kish dhënë një nur të veçantë, duke i skalitur tiparet nën vellon e rëndë të misterit. Dukej një dhëndërr, një princ që do të shkonte të martohej me ...Qepallat e syve që nga çasti në çast dukej sikur do të hapeshin e shkëlqimi i syve të tij do të mbushte dhomën, në atë lëkurë që dukej prej alabastri e ku ishte shuar çdo rrudhë , ato flokë të zinj qëndisur lehtas me fije argjendi...Afër kokës së tij , ulur një grua e mbledhur dhe e bërë shtupe... e ngrirë, asnjë tingull nuk dilte nga goja e saj , e pranë të bijtë...
Ishte im atë , nëna ime dhe unë me motrën e vëllain tim .

Nuk ka nevojë të zgjatem më shumë për të përshkruar një dhomë xhenazeje.Nuk isha e vogël, sapo kisha mbaruar gjimnazin. Gjithsesi ,dhimbja, shqetësimi dhe trishtimi i një skene të tillë imagjinohet , por ajo që ndryshonte nga të tjerat ishte se nëna ime ishte e huaj. Nëna ime kish lënë ç'kish më të shtrenjtë , edhe prindërit e saj që e kishin vajzë të vetme , për këtë dashuri, njëzet vjet që nuk i shihte për hir të kësaj dashurie ,e kjo dashuri...Kush ka gjetur një spjegim bindës se pse zinxhiri i fatit këputet në hallkën më të hollë , le të vijë e të m'a thotë, pasi unë kurrë nuk kam arritur t'a kuptoj.

E qanë shumë atë ditë, e qau dhe dita me motin që nuk pushoi së riguari shi.E qanë kunatat që i kish si motra , se motër im atë nuk kish, e qanë kushërirat, e qanë bijat e lagjes e gra që e kishin parë të rritej e të burrërohej, por nuk mund t'a qante me fjalë ime më, ishte mbyllur në perandorinë e dhëmbjes e dryni i zi i saj i kish mbyllur buzët... Nuk mund t'a qaja me fjalë as unë. A kish fjalë që të mund të ishte e denjë me dhëmbjen e të krahasohej me dhëmbjen që kisha në shpirt ? A kish fjalë që mund të shprehte mirësinë , dashurinë ,atë tërësi ndjenjash e cilësish që përfaqësonte për mua , babai im? Dëgjoja , pa dashur, duke dashur t'i mbyllja fort veshët , ato fjalë që qaheshin e që më mbështillnin si mjegull mua dhe dhimbjen time, mjegull që nuk bënte tjetër veçse zbehnin figurën e bukur të tim eti . Diku dëgjova një zë të panjohur. Një grua hyri në dhomë duke shkulur flokët e duke çjerrë faqet ndërkohë që ulërinte duke e thërritur babain tim " vëlla ". Nuk e kisha parë kurrë atë fytyrë gruaje tashmë të thyer në moshë.E mpirë siç isha, me ankthin se pas pak do të vinin e do t'a mbyllnin në arkivol babanë tim e do të m'a merrnin, ai moment therrës , i ndërgjegjshëm se vetëm pak minuta më kishin mbetur t'i flisja me zemrën time të plagosur...ajo pamundësi për t'u shprehur me fjalë para gjithë atyre njerëzve në dhomë , nuk bënte veç më shtonte vuajtjen .Pashë se ankthi u shtua edhe në sytë e nënës sime, shikimi i saj ,si ai i një zogu të trembur u mbështet tek unë. U çova e dola jashtë . Kërkova me sy një nga xhaxhallarët e mij.

- Kush është ajo grua që ulëret ?
- Eshtë një kushërira jonë...
- Kushërira!!!  Nuk e kam parë kurrë...
- E kemi kushërirë të largët.Unë e kam parë vetëm një herë...
Befas dëgjova se ajo e shtoi ulërimën tek thërriste vëllain e vdekur.Renda drejt dhomës  e pasuar nga xhaxhai im e sytë e mi takuan të sajët . Nuk kish lotë në ata sy, ose unë nuk i pashë. Ajo i përmbysi sërish sytë mbi xhenazen e përsëri një ulërime tjetër :

- Cohu vëlla , çohu...

Në fillim mendova se më bënë veshët.Por buzagazi i fshehur i dikujt aty në dhomë më bëri të kuptoj se nuk isha gabuar. Ai emër që thirri ashtu , nuk ishte i babait tim , ishte i xhaxhait tim që qëndronte pranë meje, siç duket vetëm atë njihte nga të gjashtë vëllezerit .Shtrembërimi i fytyrës së dikujt tjetër që mezi po mbante të qeshurit më ndërgjegjësoi për ngjyrën komike që po merrte ambjenti. Kujtova fjalët e gjyshes sime të ndjerë : bëni kujdes në raste vdekje, shtëpia duhet të jetë e pastër e çdo gjë në rregull, një vjen për të qarë... e njëqint për të parë ...Jo, e dija se njerëzit aty e kishin dashur dhe respektuar babanë tim por... kjo grua M'u errën sytë e një ulërimë m'u ngrit nga shpirti. Ju sula , e duke e kapur nga krahu e tërhoqa në korridor, e sa më shumë që ajo përpiqej të shkëpuste krahun aq më fort e tërhiqja derisa e detyrova të kalonte korridorin, oborrin e pastaj portën e jashtme dhe e shtyva në rrugën e lagur nga shiu. Edhe se nuk e pashë, pasi i ktheva kurrizin e mora drejt dhomes ku gjendej im atë , isha e sigurtë se kish rënë përmbys mbi kalldrëm . Por aq më bënte për të , për të e për të gjithë sa ishin aty e më shihnin me sy të çapëlyer. U ktheva pranë tim eti ku dikush tjetër po e qante me fjalë. Asaj ju bashkuan disa zëra të tjerë, kështu e desh zakoni, po afrohej ora që do të binin arkivolin ... e arkivoli do të zbraste atë dhomë nga e vetmja gjë që kisha më të shtrenjtë atë moment.

- Mjaft ! - brita.
Befas sundoi qetësi.Njerëzit më shikonin mua e njëri tjetrin të hutuar, ndërsa një nga xhaxhallarët m'u afrua duke më parë i merakosur, i gatshëm për të më nxjerrë  nga dhoma.
- Mjaft! Kush don t'a qajë me fjalë , të dalë jashtë !
U dëgjuan mërmëritje , e shkreta, thanë pothuaj të gjithë me një gojë.Kjo më acaroi më shumë. Kush ishin ata që më quanin kështu ? Nuk isha e shkretë, kisha humbur babain tim , një nga njerëzit që kisha dashur më shumë në këtë botë, por nuk isha e shkretë.

- Jashtë !- këtë herë zëri më doli më autoritar.-Jashtë të gjithë, vetëm familja këtu !
Nuk di si ngjau , por pa fjalë e kokëulur , njerëzit u drejtuan nga dera. Mbetëm ne , fëmijët me nënën dhe xhaxhallarët e mij.
- Me rradhë , përshëndetuni dhe dilni !

Në qetësi, me lotë në sy , vëllezërit u përkulën , e përshëndetën e pastaj dolën edhe ata. Në qetësi, me zemrën që pak nga pak e shuajti për një çast zemërimin me njerëzit dhe me fatin, i fola dy fjalë babait tim dhe e putha në ballë duke i bërë ato premtime që do të donte shpirti i tij. Dola jashtë , tek porta u duk arkivoli i kuq, sepse ishte i ri im atë. E ndalova. Prisni ju lutem edhe pak ! Eshtë nëna ime atje brenda, ka nevojë t'i thotë edhe ajo dy fjalë...

Nuk hyra brënda kur vendosën gozhdët, edhe pse një moment më parë më ishte dukur vetja e fortë, ata tinguj ishin sipër dhimbjes. M'u errën sytë e më ra të fikët.

Ka qenë një nga momentet më të vështira të jetës e familjes sime. E sa herë që e sjell ndër mend, dhimbja, më mblidhet e më zë frymën . E po aq herë më ndizet ai zemërim për atë grua që desh e shndërroi në komedi xhenazen e tim eti. A kanë vallë zemër këta njerëz , apo... thjesht nuk kanë tru ? Në fakt do të thoja se nuk kanë as zemër dhe as tru. Nuk mund të shkosh e të qash një njeri që nuk e ke parë kurrë , e të pretendosh se të dhëmb kjo humbje po aq sa atyre që e kanë të afërt , madje më shumë se atyre. Mund të justifikohesh se të sjell ndër mend dhëmbjen që të është shkaktuar nga humbja e ndonjë njeriu tënd të dashur,por nuk është rasti , besomë. Mos shko të zbulosh e të lëpish plagën tënde që të lëndon shpirtin akoma e do të të dhembë tërë jetën, kur tjetrit ajo plagë sapo i është hapur e po i rrjedh gjak...Kafsho gjuhën , respekto atë që të dhëmb ty , se askujt nuk i dhëmb aq shumë plaga jote, ashtu siç nuk të dhëmb ty ajo e atij tjetrit ,e këtë ... askush nuk t'a kërkon... C'dokush vuan dhimbjen e vet e në mënyrë të vet ... e dhimbja ...do respektuar . Sa herë që më rastis të dëgjoj apo të shkoj në raste të tilla, zë një cep dhome, e rri fare pak, aq sa për t'i thënë lamtumirë me zërin e mendjes , e me shpresë se ku do të shkojë ,mund të takojë tim atë, me zërin e zemrës e lus t'a përshëndesë nga ana ime e t'i thotë se nuk e kam harruar . Pastaj largohem në heshtje duke i lënë rradhë të afërmve , duke respektuar dhimbjen e tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora