Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Shpërfytyrimi i Prishtinës

| E enjte, 28.03.2019, 09:21 PM |


Shpërfytyrimi i Prishtinës

Nga Gani Mehmetaj

1.

Kur nisi rinovimi i Pallatit të Shtypit (Rilindjes) dhe shndërrimi i kësaj ngrehine 18 katëshe në zyre qeveritare, askush nuk doli në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë e vlerave arkivale, apo në mbrojtje të rolit historik të Rilindjes. Nga guaca e vjetër e 18- katëshit nuk mbeti asgjë që ta kujton Prishtinën e viteve të shtatëdhjetë, protestat e rezistencën e viteve të tetëdhjeta, jetën me institucione paralele të nëntëdhjetave.

Rilindja-Pallati i shtypit ishte institucion. Kohë të gjatë u priu proceseve, gazetarët e shkrimtarët u bënë pjesa më e guximshme dhe më e pjekur e kombit që morën mbi shpatulla procese të vështira. Nga Pallati i Shtypit elita intelektuale e kreative ua ndriçoi mendjen shqiptarëve, e udhëhoqi fushatën për emancipimin dhe barazinë e grave, e arsimoi popullatën, duke ua kultivuara ndenjen e krenarisë e të dinjitetit kombëtar.

Pallati i Shtypit nuk është më.

2.

Para se të rrënohej shtëpia dykatëshe e “Unionit”, në qendër të Prishtinës, u bë zhurmë mediale e pluhur si asnjëherë më parë. Nga kakofonia e zërave opinioni nuk e dinte kush ka të drejtë e kush është manipulues. Disa përpiqeshin t’ia nxirrnin vlerat që nuk i ka, të tjerët e zhvlerësonin që në fillim, ndërsa biznesi e bëri të vetën, e rrënoi objektin e vjetër, duke e rindërtuar nga themelet. Qeveritarët e kuvendarët e bënë shtëpi të dytë restorantin e ri “Union”, ku i bëjnë të gjitha bizneset, "allishverishet"  e lojërat politike. Benetoni është ngjitur me restorantin, ndërsa shet rroba e këpucë të shtrenjta për elitën shtetërore e politike.

Në rininë time studentore “Unionin” e mbajë në mend nga ëmbëlsira “sutliashi me tullumba” dhe me pjatën e groshës së thartuar pa mish. Sipëri kuzhinës popullore ishte bujtina e dyshimtë.

3.

Shtëpinë e Mallrave “Gërmia”, përballë Teatrit Krahinor e mbanim në mend me shkallët elektrike, ku shëtisnin nga disa herë në ditë nga kotësia dhe, sepse brenda ishte ngrohtë. E mbanim në mend edhe me fasadën e “napolitankës”, një ëmbëlsire e prodhimit fabrikat të paketuar dhe, me byfenë e vogël, ku e pinin nga një birrë sa herë na vinte bursa e studentëve. Balli i Shtëpisë së Mallrave ishte i njohur edhe me portretin gjigantë të Josip Broz Titos.

Pas luftës shkallët elektrike i shkulën më rrënjë, byfeja, këndi intim, ku e takonim dikur fshehtas ndonjë vajzë, e mbyllen, me duket një kohë e bënë çajtore(!), hapësirën ku shiteshin mallrat e shkatërruan, duke e shndërruar në korridore e zyre të ngushta e të errëta si në filmat e Hiçkokut. Pastaj objektin e mori qeveria, por nuk ia ktheu pamjen e mëparshme, përkundrazi e vazhdoi shpërfytyrimin.

Nga shtëpia e dikurshëm e mallrave nuk është asnjë copë llamarine të vjetër  (fasadën e llamarinës së fisnikëruar e kishte), ashtu sikurse nuk mbeti asnjë tjegull a shtyllë hekuri. Asgjë nuk ta kujton Shtëpinë e Mallrave.

Ky objekt duhej rrënuar me kohë që të na shpëtonte nga turpi.