E enjte, 25.04.2024, 06:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjilani

E marte, 30.01.2007, 12:57 PM


Historia

Viti i saktë i themelimit të Gjilanit edhe sot e kësaj dite nuk është përcaktuar saktësisht. Në shekullin XVII Evlia Çelebija e përmend Gjilanin, por me emrin Moravë, si kadillëk në kuadër të sanxhakut të Vushtrrisë.

Në mes të tjerash, Evlia Çelebija shkruan se "shtatëmbëdhjetë ditë udhë nga Konstantinopoli (Stambolli i sotëm) për në Novobërdë kalohet nëpër Vrajë, Krivarekë (Egridere) e Moravë (Gjilan)".

Gjilani gjendet në pjesën lindore të Kosovës dhe është njëra nga shtatë komunat e mëdha të Kosovës. Pas luftës është edhe qendër e rajonit. Aktualisht, llogaritet t`i ketë mbi 132 mijë banorë.

Në popull është ruajtur gojëdhëna, sipas së cilës, Gjilani si vendbanim është formuar rreth vitit 1750, ndërsa si qendër urbane - në vitin 1772. Gjilani si qytet është zhvilluar krahas shuarjes së Novobërdës (Artanës), e cila në mesjetë ka qenë njëri nga qytetet dhe qendrat më të mëdha tregtare, ekonomike dhe xehtare në Ballkan.

Dihet mirëfilli se Gjilanin si qytet e ka themeluar familja feudale shqiptare e Gjinajve, e cila që nga viti 1737 deri në fund të shekullit XIX ka sunduar në Kosovë, Drenicë, në Llap dhe në Moravë. Sulltani ka qenë i detyruar ta pranoj pushtetin e kësaj familje si pushtet të trashëguar.

Gjinajt, në gjysmën e dytë të shekullit XIX e transferuan selinë e tyre prej Novobërdës dhe i ndërtuan sarajet e veta në vendin ku tash gjendet Gjilani. Si themelues i Gjilanit njihet Bahti Beg Gjinolli.

Pra, Gjilani është krijuar nga familja shqiptare dhe kjo është dëshmia kryesore se ai ka identitetit shqiptar.
 
Pozita Gjeografike

Komuna e Gjilanit gjendet në pjesën juglindore të Kosovës, krahina e Anamoravës. Qyteti ka pozitë të përshtatshme gjeografike dhe kjo i mundëson lidhje të mira me qendrat tjera të Kosovës dhe të rajonit.

Nga 15 shkurti 2003, Gjilani është seli e zyrës së Agjensionit për Demokraci Lokale të Këshillit të Evropës. Eshte binjakezuar ose ka nenshkruar partneritet me komunat Kukes (Shqiperi), Luterbah (France) dhe Iper (Belgjike).

Ka një sipërfaqe prej 515 km/2, 63 vendbanime dhe 54 komuna kadastrale. Në një kilometër katror jetojnë 259 banorë. Shtrihet në një fushëgropë të gjerë. Ka kushte të mira për bujqësi dhe njihet si qytet agro-industrial. Në juglindje ka malet e Karadakut si dhe një pjesë të Rrafshit të Kosovës – një fushë pjellore.

Mbizotërohet nga klima e mesme kontinentale, me vera të nxehta dhe dimra të ftohtë. Temperatura mesatare e janarit është - 0.9 shkallë, ndërsa ajo e korrikut + 21.5 gradë. Në vjeshtë, këtu bien, mesatarisht, 177 mm shi, ndërsa në verë 129 mm. Sasia e reshjeve në pranverë është 145 mm dhe në dimër 130 mm.

Koordinatat e shtrirjes së Gjilanit janë 42 shkallë në veri dhe 21.20 shkallë në lindje. Qyteti ka një lartësi mbidetare nga 501 deri më 590/m, ndërsa regjioni, nga 475/m, në Budrikë, deri në 1.000 /m, në zonën kufitare me Maqedoninë (Stançiq).

Rrethina e Gjilanit është e pasur me xehe (hekur e leucid) dhe me burime minerale (Nasalë, Pidiq, Kmetoc, Pogragjë, Perlepnicë). Dallohet nga komunat tjera me një pedologji më homogjene të tokës.

Popullësia e Gjilanit, përherë ka qenë e përzier, me dominimin e shqiptarëve, si gjatë sundimit turk, ashtu edhe atij serbo-jugosllav. Sipas publikimit të Entit të Statistikave të Kosovës, dhjetor 2002, numri i përgjihshëm i banorëve është 133.724 (68.814 meshkuj dhe 64.910 femra), prej tyre 116.246 janë shqiptarë ndërsa 17.478 nga komunitetet tjera. Në zonën urbane jetojnë 79.898 banorë, ndërsa pjesa tjetër në viset rurale.

Struktura nacionale e popullësisë në komunën e Gjilanit është kjo: 11.6246 shqiptarë (86.9 %), 12.500 serbë (9.4 %), 133 malazezë (0.1 %), 936 turq (0.7), 267 muslimanë (0.2 %), 3.610 romë (2.7 %) dhe 32 të tjerë. Shkalla mesatare e lindshmërisë është 3.360 foshnje në vit. Numri i vdekjeve sillet në 384, ndërsa i martesave – 912.

Më 24 prill 2002, Gjilanin e goditi një tërmet i fuqishëm, me epiqendër në trekëndshin Gjilan-Malishevë-Uglar, i cili mori një viktimë dhe shkatërroi mbi 8 mijë objekte të infrastrukturës familjare, publike e shoqërore. Në hartat seizmike, Gjilani njihet si rajon me shkallë të lartë rrezikshmërie.
 
Trashëgimia Kulturore dhe Natyrore

Njeriu gjatë zhvillimit në etapat e tija është munduar t’i krijojë vetes kushte sa më të mira për jetesë, prandaj ka krijuar objekte të llojllojshme, vegla pune, rroba e gjësende të ndryshme që i kane shërbyer për qëllime të caktuara. Prandaj, në përpjekjet e tija ka krijuar edhe vlera të mirëfillta të kulturës jetësore dhe të trashëgimisë, vlera këto që pasardhësit e tyre shpesh me dashje e shpesh edhe pa dashje i kane zhdukur pa lënë edhe asnjë gjurmë të jetës së paraardhësve të tyre.

Sot në vende të ndryshme të botes ekzistojnë shembuj të shumtë të objekteve dhe gjësendeve të cilat i takojnë civilizimeve të ndryshme, që në të shumtën e rasteve ruhen me kujdesin më të madh të mundshëm, por në anën tjetër ka edhe vende të cilat nuk i kanë kushtuar rëndësi të madhe ruajtjes së trashëgimisë vendore.

Kosova nuk ka pasur fat të mirë në ruajtjen e trashëgimisë së saj kulturore jo pse nuk ka dashur ndoshta, por popullata e këtij trolli gjithmonë ju ka nënshtruar dëmtimeve të vrazhda.

Kosova nuk ka shpëtuar pa u dëmtuar në periudhën pesëdhjetëvjeqare komuniste ku, në emër të ndërtimit të vendit, janë rrënuar qendra të tëra qytetesh, objekte me vlera të larta arkitektonike të përmbajtjeve të ndryshme, stileve të ndryshme arkitektonike dhe periudhave të ndryshme. Nuk janë kursyer as edhe rrugët me kallderma të cilat kurrë nuk kanë pasur nevojë funksionale të asfaltohen, por të gjitha këto janë bërë për një “Kosovë të Re dhe më të bukur”, sikur që nuk është kursyer as toka e bukës.

Në konfliktin e fundit, 1999, Kosovës i janë shkatërruar të gjitha kullat e mbetura, i është vjedhur dokumentacioni nëpër arkiva dhe muze për të humbur identitetin e saj të lashtë. Këtu nuk janë kursyer as objektet më të vjetra - si ato të banimit apo religjioze. Ky dëmtim nuk i ka kursyer as bukuritë natyrore të cilat janë të shumta në këtë trevë.

Fatkeqësisht, në emër të ndërtimeve moderne as sot nuk kursehen objektet me vlera të larta arkitektonike dhe kulturore

Popullata, me fanatizmin më të madh, duhet t’i ruajë edhe ato pak objekte të mbetura të cilat kapërcyen stihitë nëpër kohë me ndonjë çarje, shembje apo edhe gërvishtje. Dora jonë, me një përkujdesje më të mirë financiare, mund t’i renovojë ato, t’i mbrojë dhe pastaj t’i prezentojë si thesare të një kulture e cila la gjurmë.

Gjilani si pjesë e Kosovës e ka këtë shans.

Gjilani si vendbanim nëpër dokumente përmendet që nga shekulli XIV, ndërsa si qendër urbane është formuar nga familja e Gjinollëve në shekullin XVIII. Duke pasur parasysh periudhën nga kur daton Gjilani dhe po ashtu faktin që ka qenë qendër e Anamoravës, edhe kjo trevë ka pasur karakteristikat dhe identitetin e vet. Ka pasur objektet me të cilat është identifikuar, ka pasur veshjen, folklorin, veglat e punës, termet gjuhësore dhe gjithsesi edhe bukuritë natyrore të cilat nuk janë të pakta. Siç e përmendëm edhe më lartë as Gjilani nuk i ka shpëtuar aspak zhdukjes së trashëgimisë kulturore; është rrënuar Sahat Kulla, qendra e vjetër e qytetit, objekte me vlera të larta arkitektonike; janë djegur objekte të banimit e religjioze, të vjetra edhe më shumë se 300 vjet (nga konflikti i fundit e edhe luftërat e më hershme që e kanë peshkuar këtë anë). Poashtu edhe tërmeti ka dëmtuar shumë objekte të kësaj treve e njëra ndër më të rëndësishmet është Xhamia e Madhe në qendër të qytetit.

Kjo njëherit ka qenë edhe njëra ndër xhamitë më karakteristike në Kosovë, ndoshta edhe në Ballkan. Karakteristika më e veçantë ka qenë ndriçimi, dritare shumë të mëdha, ritëm dhe simetri shumë të mirë si dhe dyert e hyrjes shumë të mëdha. Duhet përmendur se ndërtimi i Xhamisë së Madhe ka zgjatur mbi njëzet vite.

Po ashtu edhe objekti i Gjimnazit ka qenë njëri ndër objektet më të bukura të qytetit i cili ka pasur fatin që dy herë të dëmtohet nga zjarri dhe më në fund të rrënohet dhe të mos ekzistojë më.

Objekti me të cilin është identifikuar qyteti dhe i cili i përket familjes e cila njëherit është edhe themeluese e Gjilanit si qendër urbane është pa dyshim Konaku (Saraji) i Gjinollëve

Pjesë shumë e bukur edhe me vlera të larta arkitektonike ka qenë edhe qendra e dikurshme e qytetit me Prefekturën dhe Hotelin e vjetër.

Në qytetin e vjetër të Gjilanit po ashtu ka ekzistuar edhe Sahat Kulla. Element tjetër me rendësi të përmendet janë edhe rrugët e qendrës së qytetit të cilat deri vonë kanë qenë të shtruara me gurë (kalldrëm).

Njëri ndër objektet më të vjetra te komunës pa dyshim ka qenë xhamia në fshatin Miresh (ish Doberçan) e cila është djegur gjatë konfliktit të fundit

Shtëpia e Sadudin Shehut poashtu ka qenë njëri ndër objektet që vlenë të përmendet. Poashtu duhet të përmendim se edhe nëpër fshatra janë rrënuar shumë objekte të vjetra e me vlerë. Gjate vizitës së fshatrave të komunës është vërejtur se nuk ka asnjë fshat që së paku nuk ka dy e më shumë objekte që janë afërsisht tetëdhjetë e me shume vite te vjetra.

Nuk janë vetëm këto objekte që Gjilani sot nuk i ka, por ka edhe shumë e shumë tjera që janë rrënuar, poashtu edhe shumë objekte i janë lënë stihisë së kohës me shpërnguljen e banorëve nga fshatrat në pjesë urbane. Tani në komunën tonë ka vendbanime të tëra që kanë mbetur boshe - pa banorë.

Megjithatë, përveç objekteve që Gjilani me komunë më nuk i ka, ende ka objekte dhe vende të rendësisë së veçantë të cilat Qendra Rajonale për  Trashëgimi Kulturore i ka identifikuar dhe propozuar të mirren nën mbrojtje.

Njëri ndër objektet e mbetura që ka vlerë të veçantë është shtëpia e Zekirijah Abdullahut, e cila është e ndërtuar para njëqind viteve dhe është dëmtuar mjaft nga tërmeti dhe stihia e kohës.

Objekt mjaft i lashtë dhe i rëndësishëm është Kalaja e Pogragjes. Ky objekt është lënë pasdore dhe pa përkujdesje të deritashme që si pasojë ka edhe dëmtimin e shumtë të tij. Objekti ka mundësi të mira që të ruhet dhe të renovohet.

Kullat nuk kanë munguar as në rajonin e Gjilanit, mirëpo fatkeqësisht janë të dëmtuara sa nga pushtetet e ndryshme që kanë kaluar nëpër këto troje, sa nga fatkeqësitë natyrore, por edhe nga pamundësia financiare e pronarëve që t’i rinovojnë dhe të kujdesen për to. Këtu duhet t’i përmendim Kullat e Hajdinëve në Terzijaj të cilat janë një kompozicion mjaft i mirë. Janë tri: Ajo e Shaqës - e ndërtuar më 1850, e Hajdinit - e ndërtuar më 1942 (që është djegur dhe tani ekziston vetëm një pjese e saj) dhe kulla e Xhelës - e ndërtuar më 1947 (që ende është e banuar dhe mjaft e bukur). Pastaj, kulla e Zeqir Haxhës e cila është e ndërtuar rreth vitit 1880 dhe është  mjaft karakteristike. Veçori e kësaj kulle është se dritaret nga ana e jashtme i ka në formë harkore, ndërsa nga ana e brendshme në formë katrore. Duhet të cekim se kjo kullë ka parakushte ideale për renovim. Nuk duhet lënë anash as kullat e Kurexhëve, ajo e Fetah Kurexhës e ndërtuar ne vitin 1850 dhe e Hazir Kurexhës e ndërtuar ne vitin 1880.

Përveç kullave të lartpërmendura në komunën e Gjilanit ka edhe objekte tjera që janë te vjetra dhe që kanë rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të Gjilanit. Na mbetet neve detyrë që t’i ruajmë dhe mundësisht të hulumtojmë për fonde nga organizata dhe qeveri të ndryshme për sanimin e tyre dhe sensibilizimin e opinionit për ruajtjen, përkujdesjen më të madhe ndaj tyre.

Askush nuk do të përkujdeset për identitetin tonë nëse ne nuk bëjmë më shumë e shpesh edhe te pa mundurën për te ruajtur atë qe te paret tanë e kane krijuar me mund e sakrifice te madhe për te na lënë neve amanet qe ta ruajmë, prandaj kurrë nuk ka arsyetim te themi se nuk kemi mundur me shume dhe nuk duhet qe tja lejojmë vetes at luks qe për një “ Kosove te Re” ta shkatërrojmë trashëgimin tone dhe identitetin tonë që i ka shpëtuar stihive me shekuj të tërë.

Ndër objektet arkitektonike të rëndësisë së veçantë në Gjilan mund të përmenden Xhamia e Medresesë (1604), Xhamia e Sllakocit të Epërm (1770), Xhamia e Pidiqëve (1645), objekti ku ndodhet zyra e Kryetarit të Komunës, objekti ku ndodhen zyrat e LDK-se, objekti para postës ku ndodhet shitorja Optika, Shkolla e Muzikës, Kulla dhe Qeshmja e  Sahit Agës në Kufcë të Ulët, tyrbja, shtëpia e Isuf Rexhepit e ndoshta edhe objekte tjera qe gjithmonë shpresojmë në kontributin e qytetarëve për ofrimin e ndihmës dhe informatave sa më të shumta.

Objekt i rëndësisë se veçantë ne rrethin e Gjilanit është edhe Kisha Katolike  e Shën Anës në Dunav, e ndërtuar në vitin 1938 e që tani është e boshatisur. Kjo kishë është njëanijatëshe dhe e ndërtuar prej gurëve.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, përveç objekteve të cilat i ka ndërtuar popullata shumicë e komunës së Gjilanit që i ka propozuar për t’i vënë nën mbrojtje, ka propozuar edhe disa objekte të popullatës pakicë e në veçanti të asaj serbe që të vendosen nën mbrojtjen e shtetit. Kjo qendër ka identifikuar kishën Varvara në Kmetovc, Manastirin e Dragancës, Kishën e qyetit të Gjilanit dhe kishën në Pasjan.

Populli i Kosovës nëperiudha të ndryshme kohore ka sakrifikuar edhe jetën e vet për te mbrojtur këto troje, kështu që ka dhënë shumë viktima, heronj, dëshmorë dhe martirë prandaj në shenjë mirënjohjeje, respekti dhe falënderimi popullata ka ngritur përmendore për ta. Ndër përmendoret më të bukura dhe me pozitë shumë të mirë gjeografike janë edhe Përmendorja te Hani i Zhegovcit dhe ajo te Kurexhët.

Komuna e Gjilanit përveç trashëgimisë kulturore ka edhe trashëgimi natyrore e cila është obligim i yni që të kujdesemi për të, ta ruajmë dhe ta mirëmbajmë. Ne këtë aspekt mund të përmendim shpellën e Bresalcit, Gurin e Hoxhës në Përlepnicë, Vrellën (burimi) në Pidiq, Kalaja, shpella dhe ujëvara e Resules në Pidiq, gurët (natyral-artistik) në Malishevë, luginën e lumit Llapushnica, vendet me ujë termik në Uglar dhe Miresh, dy pendat - atë të Livoqit dhe të Përlepnicës si dhe shumë bukuri natyrore që ka komuna në përgjithësi. Nuk duhet lënë anash as disa nga drunjtë, e në veçanti duhet përmendur Përrnajën në Stanqiq që është shumë e rrallë ndoshta edhe në Ballkan.

Te gjitha këto qe u përmendën më lartë do të mbeteshin të mangëta nëse do ta anashkalonim trashëgiminë shpirtërore të Gjilanit me rrethinë e cila, mundemi lirisht të themi, ka qenë mjaft e pasur duke filluar nga folklori, veshjet tradicionale, lojërat e llojllojshme, veglat dhe  mjetet e punës te cilat i ka shfrytëzuar kjo anë. Mjerisht, tani shumë pak mund të gjendet nga e tërë trashëgimia shpirtërore, me përjashtim të disa ansambleve kulturore folklorike të cilat ende e ruajnë dhe e kultivojnë tek të rinjtë.

Sigurisht që është mbetur edhe shume për t’u thënë dhe bërë por kjo le të jetë një nismë  për vetëdijësimin tonë  që t’i përkushtohemi më shumë ruajtjes së të kaluarës sonë, dhe duke shpresuar se të gjithë do të kontribuojmë, të mbetemi me shpresë se ndoshta edhe Gjilani me rrethinë një dite do të ketë muzeun e vet dhe do të kemi përkrahjen e popullatës për ofrimin e ekzemplarëve të vjetër dhe informatave që të ruajmë edhe atë pak që na ka mbetur...

Në vend të përfundimit 

Duke pasur parasysh tërë atë që u përmend më lartë dhe me gjithë ato objekte të zhdukura dhe po ashtu me ato të mbeturat ne, duke filluar nga institucionet, organizatat e ndryshme, shoqëria civile dhe popullata, duhet t’i japim vetes detyrë që të kaluarën e ndritshme të të parëve tanë (së pakut atë pak që na ka mbetur) ta ruajmë dhe të kujdesemi për te. Mbetet detyrë e jona që;

Ekonomia
 
Deri në vitet e 90-ta, Gjilani kishte një ekonomi relativisht stabile. Ajo përbëhej nga Industria e tekstilit, Industria e duhanit, Industria e baterive – "IBGJ”, Fabrika e radiatorëve dhe stabilimenteve tjera ngrohëse, Fabrika e prodhimeve për xehetari dhe konstruksioneve të çelikta, Ndërmarrja hidro-ndërtimore dhe industriale “Morava e Binçës”, Therrtorja, Industria e miellit dhe e bukës e të tjera. Shfrytëzimi jo i drejtë dhe mirëmbajtja jo e duhur e këtyre kapaciteteve, gjatë periudhës së administrimit të dhunshëm serb në Kosovë, ka bërë që riaktivizimi të jetë i vështirë. Megjithatë, në shumicën e tyre u bënë përpjekje për ta rifilluar prodhimtarinë, ndërsa suksesi nuk qe i njëjtë.

1.Industria e tekstilit

Prodhon tepihë tafting, klasik, të dorës, perde, trikotazh. Gjendet në rrugën Gjilan- Preshevë. Aktualisht punojnë rreth 200 punëtorë, me të ardhura mesatare 103 €. Qarkullimi vjetor është 299.265 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është 5%. Kapacitetet e instaluara janë: tepihët tafting të thurur me dorë 4.000.000 (m²/vit), trikotazhë për fëmijë dhe të rritur 400.000 copë/vit si dhe perde të llojeve dhe modeleve të ndryshme 15.000.000 (m²/vit). Është themeluar në vitin 1958, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1985. Lënda e parë kryesisht sigurohet nga importi-Turqia, ndërsa prodhimet e gatshme plasohen në tregun kosovar.

2.Industria e duhanit

Në kuadër të IDGJ-së vepron kombinati i duhanit, veprimtaria e të cilit është grumbullimi i duhanit, përpunimi dhe fermentimi i tij, si dhe prodhimi i cigareve: Bozhur, Dard, Holiday, Princ, etj. Gjendet në rrugën Gjilan – Ferizaj. Aktualisht punojnë rreth 240 punëtorë me të ardhura mesatare 210 €. Qarkullimi vjetor është 1.184.370/€. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është 33%. Kapacitetet e instaluara janë: 30 (t /në një ndërrim). Është themeluar në vitin 1945, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1989. Lënda e parë kryesisht sigurohet nga tregu i Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë, ndërsa prodhimet e gatshme plasohen në tregun kosovar.

3.Ndërmarrja shoqërore "Çeliku"

Prodhon drynari metalike për ndërtimtari, llamarinë ndërtimore për mbulimin dhe veshjen e objekteve industriale, punime për pozicione teneqepunuese, konstruksione të çelikta (konstruksion bartës për objekte industriale), ura, rula për shirita transportues.Gjendet në rrugën Gjilan-Bujanoc. Aktualisht punojnë rreth 187 punëtorë me të ardhura mesatare personale 150 €. Qarkullimi vjetor është 982.834 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është (20-30%). Kapacitetet e instaluara janë 300 tonelata konstruksione të çelikta në muaj. Është themeluar në vitin 1947, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1990. Lënda e parë kryesisht sigurohet nga importi: Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Sllovenia. Ndërsa plasmani i prodhimeve të gatshme bëhet në tregun kosovar.

4.Ndërmarrja shoqërore "Kualiteti"

Veprimtaria kryesore e kësaj ndërmarrjeje është grumbullimi i grurit, prodhimi i miellit dhe prodhimi i bukës dhe i pjekurinave. Aktualisht punojnë rreth 129 punëtorë me të ardhura mesatare personale 218 €/muaj. Qarkullimi vjetor është 705.210 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është (40-50%). Kapacitetet e instaluara të furrës janë 1100 kg/orë. Kapaciteti i mullirit për bluarje është 20 tonë /në një ndërrim. Kapaciteti i deponimit të grurit në drithnikë është 1.300 vagona, ndërsa kapaciteti i terjes është 100 tonë / një ndërrim. Është themeluar në vitin 1975, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1978. Lënda e parë kryesisht sigurohet nga prodhuesit individual nga regjioni i Gjilanit. Ndërsa plasmani i prodhimeve të gatshme dhe i shërbimeve bëhet në tregun e regjionit të Gjilanit.

5.Ndërmarrja shoqërore "Jugoterm"

Prodhon radiatorë solarë, kolektorë dhe prodhimeve tjera. Gjendet në rrugën Gjilan-Preshevë. Aktualisht punojnë rreth 215 punëtorë, me të ardhura mesatare 300 €. Qarkullimi vjetor është 3.144.430 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është (40 %). Kapacitetet e instaluara janë : Prodhimi i radiatorëve 50.000 m² /në një ndërrim. Radiatorë gypor 1200 copë /në muaj. Kolektorë solar 1000 copë/ në muaj. Është themeluar në vitin 1978, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1984. Lënda e parë kryesisht sigurohet nga Maqedonia dhe Greqia. Plasmani i prodhimeve të gatshme bëhet në tregun kosovar, shtetet e Ballkanit dhe në tregun slloven.

6.Ndërmarrja shoqërore IBGJ (Industria e baterive)

Veprimtaria kryesore e kësaj ndërmarrjeje është: Prodhimi i baterive të hapura, prodhimi i baterive cilindrike dhe të baterive disk, si dhe të prodhimeve të tjera, si llampat elektrike të tipeve të ndryshme, pollaramonteve për antena satelitore, etj. Gjendet në rrugën Gjilan-Bujanoc. Aktualisht punojnë rreth 200 punëtorë me të ardhura mesatare 150 €/muaj. Qarkullimi vjetor është 406.437 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është (5 %). Kapacitetet e instaluara janë 15.000.000 Amper orë /në vit . Është themeluar në vitin 1976, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1990. Lënda e parë kryesisht sigurohet nga Anglia dhe Gjermania. Ndërsa plasmani i prodhimeve të gatshme bëhet në tregun Kosovës, Sërbisë, Maqedonisë dhe Sllovenisë.

7.Ndërmarrja shoqërore "Grafikos"

Veprimtaria kryesore e kësaj ndërmarrjeje është: Shtypja e formularëve të ndryshëm, shtypja e materialeve përcjellëse për veprimtaritë ekonomiko-financiare, shtypja e gazetave, broshurave, reklamave, katalogjeve, librave shkollorë, kalendarëve, etiketave, prospekteve të ndryshme, etj. Gjindet në rrugën Gjilan-Preshevë. Aktualisht punojnë rreth 60 punëtorë me të ardhura mesatare 170 €. Qarkullimi vjetor është 245.989 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është (30 %). Kapacitetet e instaluara janë: Makina Ofset e formatit “B1” 500 kalime të tabakut /në orë. Makina GTO e formatit “A3” 6000 kalime të tabakut /në orë. Është themeluar në vitin 1954, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 2000. Lënda e parë, kryesisht sigurohet nga Sllovenia. Ndërsa plasmani i shërbimeve dhe i prodhimeve të gatshme bëhet ekskluzivisht në tregun kosovar.

8.Ndërmarrja Hidro Ndërtimore Industriale "Morava e Binçës"

Veprimtaria kryesore e kësaj ndërmarrjeje është: Ndërtimi i ulët dhe ndërtimi i lartë, fabrika e banesave dhe hallave montazhë, baza e asfaltit, gurëthyesi dhe prodhimi i materialit ndërtimor, fabrikat e betonit të gatshëm. Gjendet në rrugën qarkore pjesa veriore e qytetit. Aktualisht punojnë rreth 715 punëtorë me të ardhura mesatare 125 €. Qarkullimi vjetor është 4.327.578 €. Shfrytëzimi momental i kapaciteteve prodhuese është mesatarisht (25 %). Kapacitetet e instaluara janë urëthyesi, separacioni I= 60 m³ /në orë, separacioni II=120 m³ /në orë. Fabrikat e betonit kanë kapacitet prej 235 m³/në orë. Baza e asfaltit: Kapaciteti i bazës së parë është 25 tonë /në orë. Kapaciteti i bazës së dytë është 45 tonë /në orë. Është themeluar në vitin 1954, ndërsa viti i fundit i modernizimit është 1982. Lënda e parë, guri ndërtimor, fraksion i thyer sigurohet nga gurëthyesi i ndërmarrjes, ndërsa lëndët tjera merren nga tregu i Kosovës, Maqedonisë, Sërbisë, Bosnjës, Shqipërisë dhe Italisë. Plasmani i shërbimeve dhe prodhimeve të gatshme bëhet kryesisht në tregun kosovar.
 
Web:
www.gjilani-komuna.org



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora