Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Në Kalanë e Harilaçit

| E marte, 26.03.2019, 09:11 PM |


Në Kalanë e Harilaçit

Nga Blerim Rrecaj

Spontanisht nisemi për në Parkun e Blinajës. Me aplikacion për adresa rrugësh në telefon, pasi është hera e parë që ia mësyejmë për këndej. Dhe rrugës së përgatitur trotuar rregulluar por asfalt pashtruar prej 1 kilometër e gjysmë, shohim dy gra me dy saça në duar, ca fëmijë me top duke ruajtur ca lopë një shpati, fëmijë të tjerë duke iu gëzuar kësaj dite me diell. Pemë të lulëzuara e në lulëzim. Diku dhe ndonjë oxhak që nxjerr tym. Rrugës së kuqrremtë si fushë dheu të tenisit, e parakalojmë një traktor. Mbërrijmë para portës së Parkut të Blinajës, ende drunjzhveshur por me një tufë pishash në krahun e djathtë. Te sporteli kioskë nuk është askush edhe pas sirenave që bëjmë. Dalim nga vetura. Në një cep të një shtylle metalike të rrethojës dyerhekurt lexojmë njoftimin me ca gabime drejtshkrimore ku thuhet se ndalohet çdo vizitë pa leje të Agjensionit Pyjor të Kosovës. Dhe kthehemi. Rrugës ndalim veturën që shkon në atë drejtim, dhe burri që nget veturën prapa së cilës gjendet një fëmijë na thotë se nuk lejohen vizita sepse ka dëgjuar se kështu po e ruajnë këtë vend, për t'i ruajtur kafshët që gjenden në të. Përshëndetemi dhe vazhdojmë rrugët. Tash kthehemi rrugës së vjetër të Aeroportit Adem Jashari dhe ngjitemi rrugës gjarpërore përpjetë të fshatit Harilaç për të mbërritur te kalaja e tij e lashtë ilire. Parkojmë veturën te vendi i rrethuar me mur e ku si në shuplakë dore duken vendbanimet përreth e kryeqyteti, e hapësira e aeroportit ku bijen e ngrihen aeroplanë. Më pas ngjitemi shkallëve fik përpjetë që na shpiejnë te kalaja, te mbetjet e ca restaurime që janë bërë. Mirëseardhje na dhurojnë fluturat e lulet, ca bletë, edhe pak grajzi, insekte të vockëla, një shpend krahgjerë bojëkaftë që më të shpejtë lëshohet e na humb sysh për pak sekonda, aty këtu dhe ndonjë hardhucë kokë e shpinë gjelbër e bishtkaftë. Endemi mureve e hapësirës së kësaj kalaje dhe nga këtu pamja si në shuplakë dore është fantastike, edhe pse s'mungojnë pamje e vjellje tymi nga termocentralet dhe një shtresë smogu rretheqark. Po ta kthejmë shikimin anëve tjera, do vërejmë fluturat energjetike që s'lëvizin, njërën prej pjerrtësive tufa lopësh duke kullotur, ca pëllitje të tyre sikur janë thirrje të tyre për etje, dhe ca pamje tjera etj, etj. Këndellemi, na pëlqen ndeja në këtë kala ndërtuar në lashtësi e në këtë lartësi dhe mendja vete te disa nga kalatë që kemi "shkelur" me këmbë, si ajo e Krujës, Ulqinit, Prizrenit, e sa e sa tjera për të cilat kemi dëgjuar, lexuar a parë ekraneve, dhe përpara syve na del një valle kështjellash. Derisa mendojmë të zbresim e të largohemi nga kalaja që qëndron aty ku projektuesit e ndërtuesit kanë zgjedhur vendin më të bukur, më strategjik, më largpamës, si kurorë mbi kokën e tokës, tjerë vizitorë vijnë, për qejf ecin, e për qejf rrinë, në këto themele kalaje që flasin për të kaluarën e na ftojnë të jetojmë të tashmen. Të tashmen me shumë sfida e probleme, por me themele të hedhura për rilindje e rimëkëmbje dinjiteti e vlerash...