E merkure, 24.04.2024, 01:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmire Duraku: Sytë e Donikës dhe qeni i pikëlluar

E hene, 25.03.2019, 07:10 PM


Sytë e Donikës dhe qeni i pikëlluar

Nga Fatmire Duraku

Ecja dhe bëja përpjekje të thithja me shikim çdo gjë. Kaq kohë kisha munguar dhe disa herë më pushtonte një ngashërim. Ecja gati-gati me buzë në vaj, ndërsa përreth çdo gjë kishte rënë në fashë. Lëviznin lehtë vetëm fijet e barit, lulet, gjethet në degë pemësh; një lëvizje që zgjon te njeriu ndjenjën e çuditshme të pafundësisë, nëpër të cilën ti ecën rastësisht dhe fare i humbur. E kërkon andej veten dhe nuk e gjen. Sa e sa herë prandaj ndihesh i zbrazët, bredh kot… Ecja i tretur diku larg. Shmiki, i strukur në duart dhe në parzmën tim, vetëm shikonte me habi. Ç` kishte ai? Nuk e kisha parë të tillë. Ai është i gjallë, dëshiron të vrapojë, të kërcejë, të shtrihet nëpër bar, të rrotullohet në bark e në shpinë, në këmbë e në krye – bashkë… Ç`ka?!

E lëshova, e ai vetëm më shikonte. O zot, aty ku e lëshova, aty rrinte pa lëvizur, dridhej. Me sy të  pikëlluar.

E mora pastaj nga toka një shkop të vogël dhe e hodha atje mes fushës. “Shko, Shmik, merre…” –bëra me dorë andej nga  fluturoi e ra shkopi, por ai nuk lëvizi. Ç`ka, vallë? Nga çka frikësohet? Është i sëmurë, mbase, apo ka huqe të këtilla, të cilat i shfaqen rrallë, e unë nuk ia njoh…

“Ç`ndodhi, Shmiki, ke frikë, apo…” - ia bëra, pastaj prapë e mora në duar dhe eca nga Lisi i Madh. E çova kokën lart dhe shikova trungun nga ikte  andej nga qielli lart-lart.

“Sa vjet mund t`i ketë, o zot, - mendova dhe ende e shikoja trungun nga ikte lart-lart me gjithë degët. – Për ta bërë një shtat të këtillë duhet kohë e gjatë, duke përballuar borë e shi, erë të egër, stihi pas stihisë!”

Lisi i Madh – krenar, ikte lart e lart andej nga qielli, i heshtur, kurse unë, me të njëjtën enigmë, ecja tutje për tek Arra e Madhe, kurora e së cilës e mbulonte me hije të dendur një pjesë të madhe të Fushës së Lulegjakut.

“Ja, këtu Megi, - mendova me vete, - sa e sa herë e ka pritur Dardanin; është takuar me të, ka biseduar me të, e kanë ndezur bashkë këtu zjarrin e amshuar të dashurisë...” E tash? Ja, tash këtu është vetëm një trung arre, me një kurorë të  madhe, me hije të madhe, me plot mistere, me plot kujtime të tyre të lëna këtu, në besim të gjakut…

O zot, si ta bind veten se ajo nuk është më. E shikova qiellin, gjatë-gjatë, të më kujtoheshin sytë e saj të kaltër, buzëqeshjet e saj të ngrohta, që kaq shkretë më dukej pa to, që kaq shkretë dukej Fusha e Lulegjakut, që kaq shumë kishte shqetësim Shmiki… Eca fare i hutuar, përreth trungut të Arrës së Madhe.

“Ja, Shmiki, ti e njeh këtë pemë, apo jo?!” - lëshova prapë qenin në tokë, por ai prapë nuk donte të më  largohej. Rrinte aty - i paluar në bar afër këmbëve të mia. I heshtur. Me sy të pikëlluar.

Këputa dy-tri lule dhe i mbajta kot në dorë. Eca prapë përreth trungut të Arrës, i kredhur në një hutim të thellë, pastaj ika nga  mbretëria e hijes së madhe dhe dola në diell. Me një shtrëngim në zemër, me një dhembje treta larg shikimin, deri atje – në fund të hapësirës, ku gjarpëronte Drini i Bardhë.

“O zot!” -ia bëra, kurse hetova se më zinin ethet trupit. Prapë ika larg shikimin, i ngarkuar me shumë enigma për fatin, për tokën, për qiellin, për dashurinë, për vetminë… i shikova lulet, që kot i mbaja në dorë, e – eca tutje Fushës, veç me hijen time. “A ka pëllëmbë toke – këtu, ku nuk kanë lënë gjurmën e vet Megi dhe Tomori, kur dorë për dore shëtisnin këndej: njëri – për vdekje i sëmurë, e tjetri – i verbër!”

Pse më pushtojnë këto gjëra, vallë?

Unë bëja një hap – andej apo këndej, një hap – në të njëjtën kahe e bënte dhe Shmiki. Nuk dëshironte për asnjë çast, të ishte vetëm, aq më pak larg meje.  E mora në parzëm me njërën dorë, ndërsa në dorën tjetër – kot, mbaja lulet. Nuk e kisha të qartë çfarë dëshiroja; a doja të shkoja dika, apo doja të vija nga dika? Me një mjegull të tillë të dendur në kokë, kërkova një vend pak më të përshtatshëm para vetes dhe u shtriva në bar. Isha shumë i lodhur.  Shikoja kurorën e madhe të Arrës dhe qiellin lart, larg andej nga rrihte me flatra një zog i bardhë – i kredhur në detin e kaltër.

Fijet e barit, të cilat i lëvizte lehtë–lehtë një puhizë, sa andej sa këndej, më preknin për fytyrë. Shmiki, mbi kraharorin tim, ku ishte shtrirë, më krijonte një ngrohtësi. Për një kohë të gjatë po qëndroja ashtu, me sy të mbyllur; po fluturoja, po fluturoja një hapësire të pafund… Ndërkohë, tek e largoja një fije të barit nga fytyra, hetova një ndërrim përmbi mua. Hapësira nëpër të cilën po fluturoja – i larë në rreze dielli, përnjëherë zuri të errësohej. “Do t`i ketë dalë diellit para ndonjë re, apo çfarë u bë?!” - mendova, ndërsa në të njëjtën kohë hetova se hija e dendur më mbuloi të tërin. I hapa sytë dhe lart mbi mua, sikur të vinte nga qielli,  pashë Donikën si po buzëqeshte.

“Të falëm, o zot, për këtë…” - më erdhi të thosha, por nuk e bëra një gjë të tillë. Pa folur gjë, kërceva më këmbë dhe ia putha dorën.

“E… ti, këtu!”

“Ja, - qeshte ajo, për herë  të parë pa ndonjë re të errët, të mbushur shi, në fytyrë, - kalova  këndej dhe të vërejta tek rrije këtu, vetëm, një kohë të gjatë…” Ajo, më pastaj, u bë pak më serioze në fytyrë dhe - pasi më vështroi ngulazi  në sy, tha:

“Pse je vetëm…?”

“Nuk jam vetëm!” - thashë unë, pa ditur ç`të bëja me dy-tri lulet, që mbaja në dorë kot. Më në fund u kujtova t`ia afroja lulet. “Për ty… i këputa. E di, kanë shpirt ato, por kam shpirt dhe unë!”

Ajo qeshi, i mori lulet dhe pasi u mori pak erë, deshi të ulej, por s`e bëri atë. Eci dy a tre hapa nga trungu i Arrës së Madhe.

“Pse rri vetëm?” - e përsëriti.

“Nuk jam  vetëm… Ja, - tregova qenin që e mbaja ende në parzëm, - Shmiki është këtu, me mua!”

“Shmiki, po. Ai është i secilit nga pak… E ti, megjithatë, rri vetëm!”

Ula kokën dhe thashë pak me një ngurrim:

“Ti je me mua, gjithnjë…”

“Unë?!” - tha ajo, e unë vërejta nga u skuq pakëz në fytyrë.

“Ti, po. Dhe, pasi ti je me mua, s`më duhet kush tjetër!”

Ajo uli kokën. Shikoi në tokë, para këmbëve të veta.

“Unë të dua!” - i thashë.

“E gjithë kjo po ndodh pak shpejt.” - tha pa e ngritur fare kokën. Flokët i vareshin si degëza të gjata shelgu, plot aromë pranvere. Sytë i shkrepnin dritë…

“Ashtu rrjedh gjaku tek unë. Shpejt…”

“Shpejt, - e përsëriti ajo mendueshëm, - shumë shpejt. Dhe, çfarë vjen shpejt, po ashtu, shpejt ikën!”

Pata frikë se  mos biseda po rrëshqiste andej nga unë nuk dëshiroja. U nguta t`ia përsërisja, edhe një herë, fjalën – të dua!

Ajo tundi  pak kokën. Shikoi diku larg.

“Të dalim pak andej, nga Drini…” - i propozova me një zë fare tjetër nga zëri im i rëndomtë. Çfarë kisha, as vetë nuk mund ta shpjegoja. Dridhesha.

“Jo, tash, - tha, - nuk kam kohë tash!”

Dhe, pasi u mendua pak, çoi kokën e prekur për fytyrë nga një rreze e dritës së mëngjesit. Sytë i kishte plot mëngjes dhe plot pranverë.

“…por, kjo ftesa jote, më pëlqen!” - shtoi e buzëqeshur.

“Të pëlqen?” - e shikova unë i  habitur.

Ajo vetëm tundi kokën. U mori erë prapë luleve.

“Ani, mund të dalim nesër!”

“Nesër, po!” - tha ajo dhe mori të ikte.

“Pse ngutesh kaq…” – e shikova nga pas, tek ikte mes për mes Fushës së Lulegjakut, duke mos besuar për asnjë çast se ajo – një krijesë  e mrekullueshme, do të mund të më takonte një ditë me gjithë zemër.

“Kam një punë që do nguti…” - u kthye ajo, më shikoi me sytë e vet të kaltër, si deti, në të  vërtetë – veç më pushtoi të tërin, edhe një herë. E shikova derisa më humbi sysh.

“Ç'të bëjmë tash?” - thashë.

Ajo iku, e unë ngela aty i humbur, të prisja dhe të ndizesha gjithë flakë deri nesër. Më pëlqente: ajo tashmë ishte agimi im dhe pranvera ime. Më kishte zënë në grusht, si zogun e vogël, të pakrahë. E – ai grusht, nuk ishte kafazi im, nuk ishte robëria ime, por – qielli im ishte, liria ime ishte, amshimi im i kaltër.

Qëndrova ashtu edhe pak, mbi hijen time, si një plep i ndezur flakë. I mbylla sytë, që pas pak të shtrihesha prapë në bar e të ëndërroja i zgjuar, gjithë kënaqësi…

…Me fustan të bardhë, gati të tejdukshëm, sa t`ia dalloja  gjithë relievin e trupit, ajo lozte mes Fushës së  Lulegjakut, para meje.

I ngjante fluturës.

“Pa ty do të isha shumë më i varfër!” - thashë.

“Pa ty do të isha vetëm…” - tha ajo.

“Kjo nuk është lojë?” - e shikova në sy unë.

“As unë nuk e marr lojë!” - tha ajo dhe më shikoi, po ashtu,  në sy. Iu afrova, e putha, pastaj, pak-pak, ashtu të ngjitur njëri për tjetrin, u shtrimë mes fijesh të gjelbra të barit, nën krahë fluturash, nën degë dhe gjethe pemësh.

Vetëm një puhizë binte mbi trupat tanë të ndezur, kurse diku, larg-larg, një pikë e ujit, si pika e gjakut, nga guri pikonte në gur…



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora