Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Krimi i vetëdijshëm i PSD nuk mbulohet me telenovela

| E hene, 25.03.2019, 04:51 PM |


KRIMI I VETËDIJSHËM i PSD, NUK MBULOHET ME TELENOVELA TË STISURA

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Përgjatë jetës njerëzit zënë miqësira. Në militimet partiake bashkohen individë dhe grupe njerëzish, madje, pavarësisht shtrirjes gjeografike, religjioneve, profesioneve e tjera. Por këto miqësira mund të mos jenë të përjetshme. Ndryshojnë interesat dhe pason ndarja. Megjithatë, në të gjitha rrethanat, pra, edhe në ndarje, duhet të këtë njëfarë morali. Ndonjë dobësi që e ke dijtë për mikun e vjetër, tani, pas prishjes të miqësisë, assesi nuk duhet ndarë me të tjerët dhe, aq më pak, për ta bërë publike.

Po veçoj tri raste ekstreme:

1) Përgojimi i Dardan Molliqaj për Glauk Konjufcën;

2. Astrit Patozi, i cili, pacipërisht, hedhë baltë mbi partinë, të cilën e ka mjelur si lopën, përtej dy dekada;

3) Kuadri i Vetëvendosjes në Ferizaj, i cili rrezikoi masën partiake me gaz-lotsjellës. Dhe, nuk u mjaftua me kaq, por, shprazi të gjithë arsenalin e pisllëqeve, që PAN-istët kriminelë kanë shpifur për Lëvizjen Vetëvendosje.

Veçoj të merrem vetëm me deputetin e Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj. Ai, tani, u kujtua ta akuzojë shefin e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufcën, sikur paska qenë, dikur, në vitet '2000-a në PDK-e, madje, edhe anëtar i SHIK-ut. Dhe, kjo bëri lajm për të gjithë, por, më shumë zhurmuan, përsëri, kundërshtarët nga torishta e qëlbur e PAN-it.

Realisht, e gjithë kjo nuk përbënte asnjë lajm dhe as që ia vlente komentimin. Por, pasi lajmi lansohet nga një deputet, i cili, së bashku me shokë, të bërë deputetë me votat e Vetëvendosjes, për interesa karrieriste e biznesore, sot, janë vënë, pacipshëm e gërditshëm, në shërbim të partive-banda, të koalicionuara në PAN, si dhe në shërbim të planeve të SHIK-ut supërkriminal.

Lë ta besojmë, qoftë edhe për një çast, se rreth dy dekadave më parë, djali i ri , Glauk Konjufca, bir i një ish-burgaxhiu politik të zëshëm, siç është Sherif Konjufca, i joshur nga  tam-tamët zhurmuese të ''komandantëve heroikë", por, pa ushtarë, u anëtarësua në PDK-e. Dhe, më vonë, edhe në SHIK, duke iu bashkua armatës së madhe, prej 30.000 SHIK-asëve dhe jo vetëm 92 vetë, siç falsifikon, qëllimshëm, kreu i tij Kadri Veseli.

Ndërkohë, rinori Konjufca u bind se adresimi i tij ishte i gabuar dhe përzgjodhi Lëvizjen Vetëvendosje. Pas vetës tërhoqi edhe mijëra të tjerë. Dhe, Vetëvendosje ishte subjekti i vetëm politik në Kosovë, e cila e mbrojti Republikën përgjakshëm, por, dinjitetshëm. Hisen meritore të Dardan Molliqaj me shokët e ndarë më vonë, askush nuk guxon ta anashkalojë apo ta mohojë.

Tani, lë ta vëmi në peshojë:

Glauku, i bindur në krimet serike të partive-banda, pjesë e PAN-it, veç tjerash, edhe ploja vrastare e shumë qindra kundërshtarëve politikë, denoncon krimet dhe lufton për shporrjen nga pushteti të PAN-it kriminal. Ndërkohë, Dardani me shokë, bisht të Shpend bullecit, një sherbëtor i kamufluar i deri djeshëm, tashmë, ka hequr maskën dhe po u prinë deputetëve të tij, në gjëmën-arkivol të Kosovës. Shtrohet pyetja logjike: Kush është në PDK-e e SHIK dhe cila është përmasa e krimit? Glauku anëtar në numër apo banda e Shpendit, aktive në zgjatjen e jetës të krimit në pushtete?! Komenti është i tepërt.

Kriminelë nuk janë vetëm ata që ngrehin këmbëzën me gishtin e krimit, mbi njerëzit, sa të pambrojtur, aq edhe të pafajshëm. Por, edhe ata që me votën e tyre, vetëdijshëm, mbështesin krimin dhe, hipokrizisht e cinikisht, thonë se po i çojnë proceset përpara, për ta integruar Kosovën, në familjen e madhe evropiane! Me barrën e krimeve dhe të hajnisë zyrtare, që bandat e PAN-it i kanë shkaktuar Kosovës, nuk mund të ecën para. Këto janë edhe dy kushtet bazë, peng të "komandantëve", që merituershëm e ndëshkojnë me geto një popull, të gjunjëzuar, të poshtëruar, të përtokur nga pushtetarët, me bandat e tyre aktive kriminale.

Ngulmimi për ta mbështetur krimin, nga grupi i deputetëve të PSD-së, nuk mund të mbulohet me telenovelat e stisura, për ish-kolegët e tyre. Qasja sa e gabuar, aq edhe kriminale, e këtij grupimi, që thirrën në deputetizmin e fituar nga vota e popullit, nuk mund të thjeshtëzohet, me llafolloxhinë klishe dhe skajshëm qesharake. Dikush është paguar shtrenjtë. Andaj, kujdes! Po i hype mizës, dihet ku të shpie!