E merkure, 24.04.2019, 03:12 PM (GMT+1)

Personalitete

Fran Gjoka & Ndue Dragusha: Ded Rramani, njeriu, bashkëshorti dhe qytetari i devotshëm

E hene, 25.03.2019, 04:34 PM


DED RRAMANI, NJERIU, BASHKËSHORTI DHE QYTETARI I DEVOTSHËM

NGA FRAN GJOKA, NDUE DRAGUSHA

Ditëpërditë, nëpër rrugët e qytetit tim të vogël, shikon njerëz të ndryshëm, portrete të ndryshme, lëvizje të çuditshme, zëra bubullues, zhurma, këngë, një larmi ngjyrash dhe të duket se gjithçka në planet është ky qytet i vogël, por i këndshëm, fisnik dhe krenar për vete dhe për historinë e tij.

Mes tyre ndodhet gjithmonë një njeri i veshur bukur, gjithmonë me shije, me një ecje prej ushtaraku dhe pavarësisht nga mosha, ai rrezaton i ri, edhe pse më 25 mars 2019 mbush plot 70 vjet, është gjithmonë i qeshur dhe me një të folur prej babaxhani. Në biseda me këtë njeri, që quhet Ded Rramani, ndjehesh rehat, ka njohje të gjerë në shumë fusha, por më së shumti në filozofi dhe në artin ushtarak.

Po kush është Ded Rramani?

Deda është lindur, më 25. 03. 1949, në Kumbull-Selitë, vendi ku, sapo ta dëgjosh si emër, mendja të shkon tek kreshnikët, zemra të rrëmbehet nga zanat e maleve, duke përfunduar në prehërin e Lule Zojës, një lule e veçantë dhe e bekuar, që rritet vetëm në këto zona. Këtu ka lindur dhe është rritur Ded Rramani. Mësimet e para i mori në Mërkurth. Shkollën 7-vjeçare e kreu në qytetin e Kurbneshit, në vitin 1964.           Në vitet 1965-1969 vazhdon shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka”, në qytetin e Shkodrës, ku mori titullin MËSUES.

Në vitet 1969-1970 ka hapur për herë të parë shkollën 8 vjeçare në Mërkurth, njëkohësisht dhe drejtor i kësaj shkolle, por që nuk qëndroi më shumë se një vit, pasi në vitet 1970-1972 largohet për të  kryer shkollën e lartë të Oficerëve të Artilerisë, dega ABD, në Tiranë.

Nga viti 1979 deri më 1982 ka kryer shkollën e lartë “V. I. Lenin”, po në Tiranë.

Në punën e tij si ushtarak karriere ka kryer detyra të rëndësishme në reparte e njësi ushtarake si në Vlorë dhe në Lezhë. Gradën më të lartë që ka mbajtur ka qenë N/Kolonel.

Në vitet 2004-2006 ka kryer detyrën e Drejtorit të Shtëpisë së Oficerëve, Lezhë, ku u njoh më shumë me qytetarët lezhianë dhe ku u dallua si një person me një autoritet të qëndrueshëm dhe të respektuar. Në vitet 2000-2015 ka kryer detyrën e Kryetarit të SHKUR (Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë) detyrë të cilën e kreu me shumë përkushtim dhe i dha energji e emër kësaj shoqata.

Sot është N/Kryetar i Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të rrethit Lezhë. Për merita në punë, për qytetari dhe kulturë, është dekoruar me medalje e urdhëra të ndryshëm. Është prezent me shkrimet e tij në organet e shtypit para dhe pas vitit 1990.

Ka botur librat “Lule Zoje”, -Mbresa dhe kujtime-, “Aromë Lule Zoje”-Reflektim ndaj librit “Lule Zoje” dhe së fundi, librin “Korbi i Aleksandrit” – tregime dhe histori- është libri i tij i tretë. Në këtë libër çdo gjë është e vërtetë, e thënë ashtu siç është, pa zbukurime, gjithmonë bukur, thjeshtë, plot hijshi. Eleganca e të treguarit shfaqet pikërisht tek thjeshtësia e fjalës, tek origjinaliteti i mendimit, tek frymëmarrja jetësore e çdo detaji të treguar.

Pikërisht këtë gjë ka bërë Ded Rramani në librin e tij me tregime dhe histori, me titull “Korbi i Aleksandrit”. Ai ka sjellë ngjarje, tregime, rrëfenja të marra ashtu “të gjalla”, të “virgjëra” nga jeta e gjallë, në të cilën ai është formuar që nga lindja dhe ka mbetur “peng” i mrekullisë së atyre kohrave të vështira, por të bukura dhe të jetuara vrullshëm.

Autori nuk është nxitur për të sjellë  me librin e tij para lexuesit gjëra që ka prodhuar  imagjinata e tij, por ai thjeshtë është bërë një “dëshmitar” i një kohe, që nis që nga fillimi i qartësimit të tij për të kuptuar realitetin ku jetonte dhe në vazhdim.

Ded Rramani është njeriu që bën analizë të situatave, të kohrave, duke qenë gjithmonë objektiv brenda kohës dhe realitetit të jetuar prej tij, përmes të cilave ne shohim traditat e bukura familjare, tradita që mbanin të gjallë jetën e çdo familje.

Biblioteka e këtij njeriu është e mbushur plot me libra të ndryshëm, të cilat i ruan me fanatizëm dhe kujdeset për ta më shumë se për një fëmijë. Çdo libër i ri që del në shitje, Deda e merr i pari dhe gëzimin e ndan me shoqërinë. Kjo flet dhe për një trashëgimi kulturore, e cila ka brenda saj jetën dhe qytetarinë e atyre njerëzve që bënë histori dhe mbajtën në këmbë vlerat shekullore të trashëguar në breza qoftë në sjellje e komunikim, qoftë në arsimim, qoftë në kulturën e të folurit, qoftë në respektin ndaj njerëzve, relike këto të vërteta historike të familjeve shqiptare, që nxisin dhe stimulojnë shpirtrat, jetën.

Tek Ded Rramani gjen kurdoherë mirësjelljen, respektin, por asnjëherë nuk pajtohet me atë që ai e quan te keqe, të shëmtuar dhe nuk ndalon të demaskojë dukuritë negative të ardhura nga kohrat apo dhe të futura nga politikat e gabuara të zbatuara në Shqipëri. Por përherë është i kujdesshëm që të mos bëjë retorikë boshe apo të japë leksione, por në mënyrë të natyrshme, shoqëruar me veprime konkrete, sjell para bashkëbiseduesit argumentet bindëse.

Vlerat që ka bujaria, trimëria, besa dhe burrëria, ai i jep qartazi përmes sjelljes dhe komunikimit të tij me të tjerët, por edhe ndikues, sepse të ngjall emocione dhe dashuri për veprat e mira në momente të vështira të jetës.

Deda ka një sjellje dhe personalitet të qëndrueshëm, të cilat i tregon përmes forcës së  karakterit, pjekurisë intelektuale, aftësive komunikuese, duke mbetur figurë e pakontestuar e një ushtaraku, mësuesi, familjari, bashkëshorti model, qytetari të saktë dhe i përpiktë, i sjellshëm dhe i edukuar, i ditur dhe me shumë vlera personale dhe sociale.

Figura e këtij njeriu me cilësi të veçanta nuk kushtëzohet vetëm si një emocion i thjeshtë, por për vlerat që transmeton tek secili prej atyre që e njeh apo atyre me të cilët ka bashkëpunuar, tek të gjithë bashkëqytetarët, tek të gjithë kolegët e tij, një sjellje që duhet ta përvetësojë çdo njeri që dëshiron të jetë një qytetar i mirë.

Deda di të sjellë ëmbël, me një finesë në të treguarit e tij edhe të gjërave, në dukje më të thjeshta, por që i referon kaq bindshëm, sa që bashkëbiseduesi do ta marrë seriozisht dhe si vlerë. Kjo forcë bindëse, përmes realitetit dhe çiltërsisë së bashkëbisedimit, e bën këtë njeri më të dashur për shoqërinë dhe miqësinë e tij.

Duket se bukuria e maleve, ku ka lindur dhe është rritur, Lule Zoja, bora, pyjet, dimri dhe pranvera, Vlora e bukur dhe rrezatuese me njerëz me vlera, për të cilët Deda flet me një respekt të veçantë, i kanë dhënë kaq hijshi dhe vitalitet.

Kurbneshi i Selitës është pika nevralgjike e Dedës, i cili e përshkruan me një lloj nostalgjie të justifikuar me natyrën, me ndërtimet dhe shërbimet që kryheshin në qytezën e minatorëve, ku nuk mungonte asgjë, por dhe shpesh i rrënqethet trupi dhe i dhemb shpirti kur tregon se si flitej për armiq, duke kontestuar njerëzit e mirë, ata që donin të ishin të lirë dhe që prangoseshin me akuza të tmerrshme.

Mund të thuhen shumë fjalë, shumë vlerësime për këtë njeri, por ne do të donim ta uronim në këtë 70 vjetor: -Dhe shumë e shumë vite të bukura qofsh mes të dashurve tuaj, gjithmonë i këndshëm, i drejtë, luftarak, familjar i mirë, bashkëshort  dhe qytetar i denjë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT