E enjte, 25.04.2024, 11:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Një vit pa átë Zef Pllumin

E shtune, 27.09.2008, 10:53 AM


Átë Zef Pllumi
BLERINA GOCE

Konferenca

Një vit pas vdekjes, kujtimi i átë Zef Pllumit duket se gjallon më shumë se kurdoherë. Një i krishterë që diti t’u përkushtohet edhe letrave dhe historisë, një njeri i kulturuar që vazhdon të dëshmojë me jetën e vet edhe përmes kujtimeve të shkruara që la.

"Átë Zef Pllumi ndërmjet shkrimit dhe historisë" ishte konferenca e organizuar dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, një vit pas ndarjes nga jeta të françeskanit të njohur. Organizuar nga provinca françeskane shqiptare “Zoja Nunçiatë”, Instituti “Alcide de Gasperi”, Universiteti i Tiranës dhe Qendra e Studimeve Albanologjike, konferenca mblodhi bashkë studiues e albanologë shqiptarë dhe të huaj, të cilët folën rreth veprës dhe figurës së Zef Pllumit.

“Misionar të ndaluar” e ka përkufizuar prof. dr. Sabri Hamiti nga Universiteti i Prishtinës átë Zef Pllumin, ndërsa veprën “Rrno me tregue” e ka cilësuar “një titull universal e tragjik”. “Ka mundësi që njeriu, duke u munduar të shpëtojë trupin, ka humbur shpirtin? Misionari duhet të paguajë detyrën në jetë. Doktrina e dashurisë, doktrina e krishterë prodhohet në çdo faqe të librit, duke ballafaquar jetën me vdekjen e mes tyre moralin. Libri i Zef Pllumit paraqet njeriun në situata ekstreme”, - theksoi mes të tjerash Hamiti, duke theksuar se sipas tij mes të tjerash átë Zef Pllumi e kthen letërsinë shqipe duke dëshmuar gegnishten në një vepër të madhe. “Rebelimi i tij themelor është rebelim kundër harresës. Rebelimi i një njeriu që grindej me normën duke u bërë personal. Trego vetëm për me rrnue, átë Pllumi, përgjithmonë, në jetë të jetëve!” - përfundoi prof. Hamiti.

Më tej fjalën e mori pasardhësi shpirtëror i padër Pllumit, átë Gazmend Tinaj (provinca françeskane shqiptare “Zoja Nunçiatë”), i cili, duke folur për atin vërejti se logjika e tij ishte “logjika e njeriut të fesë që sakrifikon me dëshmue”. “Jetoi për mendimin ndryshe, për idetë e forta. Edhe pse me vuajtje, ai kishte interes për jetën.” Duke sjellë dëshmi të vetë átë Pllumit e pjesë nga shënimet e tij, ai vlerësoi se, megjithëse iu ndalua të predikonte, ai gjeti rrugën të kryente misionin e tij. “Lutjet tona s’ishin të zakonshme, por u shoqëruan me shumë lot dhe gjak”, - shkruan diku átë Pllumi. Atij vërtet iu ndalua të predikonte, por jo të dëshmonte...

Interesante ishte pjesëmarrja në konferencë e dy përkthyeseve të veprës së átë Zef Pllumit në frëngjisht dhe anglisht, përkatësisht prof. emerite Odile Daniel (“Vepra e átë Zef Pllumit - mishërim i virtyteve shqiptare”) dhe Kate Schank (“Rrno me tregue në Amerikë”).

Prof. as. dr. Ardian Ndreca nga Universiteti Urbanian i Romës (“Historia si premtim ndaj së vërtetës”), dr. Dhurata Shehri nga Universiteti i Tiranës (“Atë Zef Pllumi - i fundmi i shkollës françeskane”), Fahri Balliu nga Instituti Alice de Gasperi (“Vepra e átë Zef Pllumit dhe media”), ishin gjithashtu të tjerë pjesëmarrës që referuan gjatë konferencës.

Ndërsa në pjesën e dytë të saj, në seancën e kryesuar nga átë Fran Përlala, mbajtën fjalën e tyre prof. dr. Ardian Marashi nga QSA (“Testamenti kulturor i françeskanëve të mëdhenj”), dr. Persida Asllani nga UT (“Frati i pashallarëve: Koha e ardhme e historisë”), Rudolf Marku (“Si nuk duhet ta shkruajmë historinë”), Kolec Çefa (“Tue kujtue átë Zef Pllumin”), prof. as. dr. Lida Miraj (“Koleksioni arkeologjik i átë Shtjefen Gjeçovit, Luixhi Ugolinit dhe kujtimet e átë Zef Pllumit”) dhe Mark Marku nga UT (“Etika e shkrimit në veprën e átë Zef Pllumit).

Odile Daniel

Pas átë Zef Pllumit,

në frëngjisht edhe poezia e Rilindjes

Një përkthim frëngjisht i veprës së átë Zefit ka shumë interes në Francë, sepse nuk është vetëm një dëshmi dhe lexuesi francez ka shumë interes për historinë e Shqipërisë. Atë Zefi tregon shumë jo vetëm për historinë e vendit, por edhe për personalitete të Shqipërisë.

Me flokë të bardhë e një buzëqeshje të lehtë, Odile Daniel është një zonjë franceze e lidhur prej vitesh me Shqipërinë.

Që kur mësoi gjuhën shqipe në Paris, por sidomos pas vitit 1966, kur erdhi për herë të parë në Shqipëri, Daniel do të gjente tepër interesante kulturën shqiptare. Takimi me átë Zef Pllumin shumë vjet më pas do ta bënte edhe më kurioze ndaj historisë e letrave shqipe. Për më tepër që te françeskani do të gjente një njeri të kulturuar dhe mik të mirë. “Atë Zefi ka pasur shumë interes për zhvillimin e kulturës në Shqipëri. Ne së bashku kemi shëtitur shumë vende, kemi vizituar kisha, kemi shëtitur në jug të Shkodrës, në kuvendin e françeskanëve, ku ka banuar átë Gjergj Fishta”, - kujton Daniel, ndërsa shpjegon se përkthimi në frëngjisht i veprës së átë Zefit ka shumë interes në Francë. “Nuk është vetëm një dëshmi dhe lexuesi francez ka shumë interes për historinë e Shqipërisë. Atë Zefi tregon shumë jo vetëm për historinë e vendit, por edhe për personalitete të Shqipërisë”, - vijon Daniel, ndërsa tregon se është në proces pune dhe shumë shpejt do të jenë gati për botim në frëngjisht edhe poezitë e rilindësve shqiptarë.

Znj. Daniel, ju jeni përkthyesja në frëngjisht e veprës së átë Pllumit. Si u lindi ideja për ta sjellë këtë vepër në duart e lexuesit francez?

Kur lexova librin, më lindi mendimi për ta përkthyer. U takova me átë Zefin në Shkodër dhe ai ka lënë disa shënime për lexuesin francez. Një përkthim frëngjisht i veprës së átë Zefit ka shumë interes në Francë, sepse nuk është vetëm një dëshmi dhe lexuesi francez ka shumë interes për historinë e Shqipërisë. Atë Zefi tregon shumë jo vetëm për historinë e vendit, por edhe për personalitete të Shqipërisë dhe shpresoj se përkthimi i librit do të përhapet në Francë me shumë sukses.

Ju thatë se e keni takuar nga afër átë Zefin. Ç’do të kujtonit nga takimet me të dhe si do ta përshkruanit figurën e tij?

Atë Zefi ka pasur shumë interes për zhvillimin e kulturës në Shqipëri. Ne së bashku kemi shëtitur shumë vende, kemi vizituar kisha, kemi shëtitur në jug të Shkodrës, në kuvendin e françeskanëve, ku ka banuar átë Gjergj Fishta...

Mendoj se átë Zefi ishte një burrë i vërtetë shqiptar, e shikoja si një hero, një trim. Më ngjante me burrat për të cilët kisha lexuar në historinë tuaj, si ata burra që luftuan kundër sundimit otoman. Ishte një trim malësor, që vlerësonte besën, ishte një viktimë e regjimit, por ishte një burrë me një kulturë të jashtëzakonshme.

Po për átin në komunikimin e tij të përditshëm, si mik, si shok, ç’mund të thoni?

Ishte një burrë me shumë humor, më tregonte shumë anekdota. Ishte mjaft vital, fliste me shumë pasion, ishte një njeri që reflektonte gëzim, nuk kishte trishtim. E takova për herë të parë më 1998. Kam qenë dy-tri herë në shtëpinë e tij në Shkodër për të punuar për librin e për të mbajtur shënime. Kemi punuar bashkë e kemi vizituar disa vende shumë interesante për historinë e vendit tuaj.

Le të kthehemi mbrapa në kohë. Kur e keni pasur kontaktin e parë me Shqipërinë dhe si lindi kureshtja juaj për gjuhën shqipe dhe kulturën e historinë tonë?

Kisha shumë kuriozitet për Shqipërinë, sepse unë e dija që ishte një vend i mbyllur, por që kishte një pasuri shumë të madhe intelektuale.

Shqipëria për herë të parë më është dukur një vend shumë i bukur, edhe pse atëherë ishte vend i mbyllur. Mua më dukej si një botë tjetër, si një planet tjetër. Unë isha ndër studentët e parë që mundën të hynin në Shqipëri, por në atë kohë edhe studentët shqiptarë mund të vinin në Francë, pasi bëheshin shkëmbime kulturore mes Francës dhe Shqipërisë. Në fillim kam pasur një interes për gjuhën tuaj, më pas për historinë e pastaj lindi interesi për kulturën tuaj. Kam mësuar gjuhën shqipe në Paris, në institutin e gjuhëve të Evropës Lindore. Kam mësuar rusisht, hungarisht dhe shqip. Kam pasur shumë interes për Shqipërinë, kam mbrojtur doktoraturën për qytetet e Shqipërisë e më pas kam studiuar edhe për periudhën e Rilindjes shqiptare.

Për herë të parë kam qenë në Shqipëri më 1966 e pastaj edhe shumë herë të tjera, gjithnjë me një bursë nga qeveria franceze.

Që atëherë kam qenë shumë shpesh në Shqipëri, për herë të fundit para pesë vjetësh. Shqipëria është një vend shumë i bukur e me një histori interesante, me tradita, është një vend malor dhe mua kjo më pëlqen shumë.

Po letërsinë shqipe sa e njihni?

Kam pasur shumë interes për letërsinë shqipe dhe, sa herë që unë vija në Shqipëri, informohesha me të rejat dhe blija libra të autorëve shqiptarë, të cilët i merrja me vete në Francë. Në Paris kam një bibliotekë plot me libra shqiptarë. “Historia e Shqipërisë” zë vendin e parë, por edhe libra për kulturën e traditën e vendit tuaj, sidomos pas vitit 1998. Pasi në Shqipëri në këtë kohë filluan të botoheshin edhe shumë libra që nuk botoheshin më përpara. Mitrush Kuteli, Lumo Skëndo janë shumë interesantë.

Kjo njohje ka bërë që të mendoni për përkthimin në frëngjisht të ndonjë vepre tjetër përveç átë Zef Pllumit?

Tani mund të merrem me përkthimin e disa librave të tjerë, sidomos poezi shqipe e sidomos atë të Rilindjes shqiptare. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora