E merkure, 18.09.2019, 04:14 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Shëtitje në qytetet antike e mesjetare të Dardanisë (1)

E diele, 24.03.2019, 07:00 PM


A është Artana vazhdimësi e Damastionit të lashtë?

Shëtitje në qytetet antike e mesjetare të Dardanisë  (1)

Nga Gani Mehmetaj

Më dukej si në filmin fantastik “Mbreti i unazave” visorja me bjeshkët e larta, me vegjetacionin që mugullonte me kursim, ndërsa qëndroja në njërën nga kullat e vrojtimit. Kështjella e Artanës të jep mundësi vrojtimi larg në horizont. Poshtë shihen lugina e katundet. Kështjella e  ndërtuar mbi kurrizin e një kodre të lartë ua mundësonte kështjellarëve të ndiqnin situatën e lëvizjet e dyshimta dhjetëra kilometra larg, të jepnin kushtrimin me të vërejtur armikun, t'i kishin si në pëllëmbë të dorës mësymësit dhe t'i godisnin nga muret e kështjellës me gurë, heshta e vaj të valuar. Ishte vështirë t'i qaseshe kështjellës sa nga pjerrtësia, aq nga kodrat e zhveshura. Edhe hyrja në kështjellë ishte e ndarë: për qerret e kalorësit në njërën anë, për këmbësorët në hyrjen tjetër. Koha ishte dramatike me makthe e tensione. Iliria ishte e trazuar. Kur nuk kishte alarme, mësymje e mbrojtje, luftë e sëmundje, kështjellarët bënin jetë të zakonshme, jetonin, punonin, ëndërronin, dashuronin apo urrenin. Disa prej tyre krijonin vepra arti, arkitekture e shkruanin kronika. Kjo ishte Artana dikur.

Ndërkaq, Artana (Nuovomonte, Nuovobardo, Nyeuberghe, Nobordan) sot është ndër qytetet e braktisura një kohë të gjatë. Qindra vjet në qytetin e vjetër askush nuk jeton brenda as përreth, qindra vjet nuk farkohen monedha ari e argjendi, që e bënë dikur qytetin ndër më të pasurit në gadishull, qindra vjet nuk dëgjohet zëri e gumëzhima e qytetarëve arbërorë, nuk ka xehetarë sasë, e kanë braktisur qytetin tregtarët raguzianë e pasunarët dardanë, qindra vjet nuk ushtojnë malet e luginat nga kushtrimi i ushtarëve mbi bedenat e kështjellës. Nga ato përshtypje ende të ushton në vesh gjallëria e dikurshme e një jete që u zhvillua brenda mureve të kështjellës e në rrethinë.

Në qytetin e vjetër jepeshin shfaqje teatri, shesheve të shtruara me gurë të lëmuar silleshin këngëtarë endacakë që e argëtonin publikun. Ushtonin kambanat e kishave monumentale. Priftërinjtë e famshëm Martin Segoni e Pjetër Bogdani nuk i shkruajnë më kronikat, ndërkaq janë kronikat e priftërinjve arbërorë dëshmi të rralla të shkruara që e përjetësuan Artanën e Arbërinë, pos dëshmive arkeologjike.

Rrugët e rrugicat janë të shkreta e të braktisura, të dëmtuara nga koha e nga kazma e piratëve të stolive, ose nga dhëmbi i kohës e rrënimet e luftërave. Janë muret e ringritura e të konservuara, por që në disa faqe muri janë rrjepur si lëkura e fytyrës së luftëtarëve të Artanës nga dielli përcëllues. Qëndrojnë në heshtje themelet e kishave e të katedraleve që zinin mijëra besimtarë.

"Në Artanën e Epërme jetonin aristokracia e qytetit e sundimtari, dhjetë metra ishin muret rrethuese, ndërsa dyert e bungut e mbyllnin kështjellën e parë. Në Artanën e Poshtme jetonte administrata e qytetit, ushtarët e shtresa e  mesme që e qeverisnin qytetin. Edhe kjo pjesë e qytetit ishte e rrethuar me mure mbrojtëse. Në të dyja pjesët e qytetit kishte rezervuarë të thellë uji, të ndërtuar me gurë. Ndërkaq, jashtë mureve të larta 10 metra me kullat vrojtuese deri në 15 metra, jetonte popullata", rrëfen arkeologu H. Mehmetaj. Sasët e famshëm, mjeshtër të shfrytëzimit të xehes që i sollën nga Saksonia, kishin komunitetin e tyre, pranë xeherorëve dhe aty ku shkrihej e përpunohej xehja. E tërë hapësira kodrinore ishte rezervuar i xeheve, kështu që një pjesë e madhe e kësaj hapësire shfrytëzohej për nxjerrjen e përpunimin e argjendit e të arit. Gropat e xeheve janë edhe sot, të thella e të errëta.

Në dhjetëvjetëshin e fundit janë nxjerrë në sipërfaqe dëshmi nga më të rrallat për një jetë të pasur materiale e shpirtërore. Arkeologët gërmuan e zbuluan gjëra me vlerë, e konservuan qytetin që t'u prezantohet pasardhësve të dardanëve e të huajve. Sipas arkeologut Mehmetaj, "Artana (Novobërda) bën pjesë në qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike jo vetëm në Dardani, por edhe në Evropën Juglindore. Përbëhet nga qyteti i periudhës së Mbretërisë së Dardanisë, Damastioni (?), nga qyteti mesjetar, nga qendra të vogla zejtare, sikurse edhe nga minierat e metaleve. Gjatë kërkimeve të vitit 1994, rrëzë anës veriore të paralagjeve të qytetit, u gjetën monedha perandorake bronzi të shek. III dhe IV, sikurse edhe një stelë dardane e shek. III pranë Katedrales së Kishës Katolike të Shën Premtes. E gjithë kjo tregon se qyteti mesjetar ishte ngritur mbi bërthamën e një vendbanimi a qyteti antik. Artana është në lartësinë mbidetare 1 124 metra, lartësinë mbidetare më të madhe të vendbanimeve mesjetare në territorin e Dardanisë".

Sundimtari i fundit i Artanës - Llesh Spani

Në një qytet dikur plot gjallëri e jetë, të mbërthen trishtimi kur e sheh në një gjendje të tillë, të vetmuar e të braktisur me brinjë rrënojash të dala jashtë, ndërsa themele gurësh, mure të mbetura ende në këmbë se si ta ndjellin kujtimin për lavdinë e dikurshme. Kronistët e ndryshëm, arbërorë e të huaj, perëndimorë e lindorë, shkruajnë se Artana a Nuovo Barda ishte njëri ndër qytetet më të njohura gjatë shekullit XIV e XV jo vetëm në Dardani, por edhe në Gadishullin Ilirik.

Artana, qytet i zhvilluar xehetar e tregtar, gjatë mesjetës kishte një jetë të zhvilluar ekonomike e tregtare, kishte shtëpi të bukura aristokratësh e kisha. Ndër kishat më të njohura përmendet Katedralja katolike, kushtuar pajtorit të këtij qyteti, Shën Nikollës, shkruan Gjon Berisha. Ndërkaq, H. Mehmetaj për Katedralen katolike, e cila zihet në gojë në burimet historike, thotë se njihet me tre emra të njëpasnjëshëm: Shën Mëria, Shën Nikolla dhe Shën Premtja. Ka qindra varre përfundi dyshemesë së katedrales e të murosur në katedrale.  Katedralja, sipas tij, rreshtohet ndër objektet më të mëdha dhe më luksoze në Evropën Juglindore.

Artana u pushtua nga Perandoria Osmane (1455), ndërsa kishat u shndërruan në xhami, kështu Katedrales katolike iu shtua një minare më 1466, shkruan Zamputi. Ishte praktikë e pushtuesit turk që kishat katolike arbërore t'i shndërronte në xhami.

Kur shkruan për Artanën-Nuovo Bardon, historiani Gjon Berisha në librin  "Arbërorët" citon Konstantin Filozofin: "Ai në të vërtetë është qytet i argjendit dhe i arit". Duka, shkrimtar bizantin, e përmend Artanën si nënën e qyteteve, ndërsa Kritobuli shkruan se është aq i pasur me ar e argjend, saqë do të mund të "lëvrohej nëpër ar të pastër".

Ndërkaq, Marin Bici në raportin e tij përmend se në qytet e kanë një kishë të madhe, ku mund të rrinë 1 000 frymë. Për kishën sase, pak më tutje, ai shkruan se është e bukur dhe e madhe, e që mund t’i zërë 3 000 veta.

Arkeologu Haxhi Mehmetaj, i cili udhëhoqi hulumtimet arkeologjike,  disa herë, shkruan se rreth një kilometër në juglindje të qytetit mesjetar, më 1990, në lagjen Gumnishtë, kur po bëheshin gjurmime arkeologjike, me karakter sistematik hulumtimi, u zbuluan gjurmët e një qyteti të fortifikuar të mbretërisë dardane, të tipit polismation, emri i të cilit do vënë në lidhshmëri me qytetin ilir Damastion, i cili për 200 vjet rresht farkoi monedha argjendi ndër më cilësoret në Evropën Juglindore. Pra, sipas tij, qyteti shpeshherë i mistifikuar Damastion është pak më tutje Artanës mesjetare, sepse kishte hamendësime nga më të ndryshmet për qytetin antik e të parahistorisë. Kronistët e antikës qytetin Damastion e kanë lidhur me shkëlqimin e prodhimin e arit e të argjendit.

Në një punim të publikuar nga H. Mehmetaj thuhet: "Qyteti brenda mureve zinte sipërfaqe prej 7.10 hektarësh. Brenda arealit të qytetit u zbuluan shtresime të zgjyrës së metaleve si dëshmi e eksploatimit dhe të shkrirjes së xeheve, blloqe gurësh ciklopikë në trajtë katërkëndëshe, një trakt i murit rrethues me gjatësi 25 m i përforcuar me (kontrafor), i ngritur nga gurët e rreshtuar në teknikë të thatë murimi. Janë zbuluar po ashtu enë e fragmente luksoze të zbukuruara me motive mitologjike të shek. VI – IV para Krishtit etj.  Hygia – hyjnesha e mjekësisë shek. IV. p. Kr., është zbuluar në qytetin e Mbretërisë Dardane".

Në Artanë jetoi biografi i parë i Gjergj Kastriotit

Novobërda, për herë të parë, në burimet e shkruara historike përmendet në vitin 1326, me emrin Nuovo Monte. Në vitin 1349 ka farkuar monedha autonome të njohura me emrin grossi di Novaberda (groshët e Novobërdës). Duke iu falënderuar xeheve të pasura të plumbit, arit e të argjendit, e në veçanti të argjendit, që radhitet ndër mineralet më cilësore të argjendit në minierat evropiane, zhvillimin më të hovshëm ekonomik, qyteti e arrin në fillim të shek. XV.

"Qyteti një kohë të gjatë u përballoi dyndjeve të ushtrisë osmane, por pas dyzet ditësh rrethimi nga Sulltan Mehmeti i Dytë, Artanën e pushtuan turqit më 1445. Sundimtari i fundit para rënies nën sundimin turk ishte Llesh Spani nga Drivasti (Drishti). Ndërsa në shek. XV në Artanë jetonte dhe vepronte shkrimtari ynë Martin Segoni (Shegyni), autori i parë i historisë së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, sikundër edhe një varg dijetaresh të tjerë" (H.M.).

Në shek. XVII Artana i takonte peshkopatës së Shkupit, ndërsa peshkop ishte Ndre Bogdani, ungji i Pjetër Bogdanit. Pas luftërave austro - turke të vitit 1689 qyteti humb famën e dikurshme. Në këtë kohë nisën shpërnguljet e mëdha të popullatës arbërore drejt veriut, si pasojë e humbjes së luftës së koalicionit të krishterë që e udhëhiqte Austria. Kolera i përgjysmoi banorët dhe i cyti ta braktisnin qytetin.

Poshtë kështjellës, në kurrizin e malit, shfrytëzimi i xehes së argjendit është bërë deri në vitin 1999. Skeleti i shiritave transportues e konstruksionet metalike gjigante me grykën e xeherores ende dëshmojnë për një qytezë industriale, me qindra shtëpi ish-xehetarësh, mensa punëtorësh e godina shumëkatëshe për ish-administratën e dikurshme të qytetit të minierës. Miniera është braktisur, një pjesë e madhe e shtëpive e godinave shumëkatëshe, ndërtuar enkas për punëtorë e menaxherë, janë pothuajse të braktisura, ndonjë plakë ose plak lëvizin ngathët sa për të na e kujtuar se aty ende ka jetë.

Por restorantet e ngritura me shtëpitë e vogla për pushime të bëjnë me dije se kështjella e qyteti i Artanës po e ringjallin jetën përreth pas qindra vjetësh braktisjeje. Kamerieri Gjergj atë ditë të freskët marsi na shërbente në restorant me dashamirësi mish keci të katundit bri Artanës. Vizitorët ishin të shumtë. Disa shtëpi e kafene gjysmë montazhi ishin ndërtuar në rrethin e tretë të qytetit, jashtë mureve mbrojtëse.

Artana ngadalë po rikthehet në vëmendjen e  dardanëve e vizitorëve të huaj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT