E premte, 29.03.2024, 02:23 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Betimi i kalorësve

E shtune, 23.03.2019, 12:39 PM


Gani Mehmetaj

Betimi i kalorësve

(Nga kronika e Daorsit)

- Betohem se do të mbroj atmen me gjak e me nder. Betohem se do të luftoj armikun deri në vdekje. Nderi i kalorësve është nderi im! Turpi më mbuloftë në shtatë breza po e shkela këtë betim! - dilte nga gurmazi i qindra kalorësve formula magjike e vjetër sa vetë rendi i kalorësve dardanë. Jehona e zërit ushtonte tutje në luginë. Rrinim të shtangur mbi kuajt që turfullonin. Rrezet e fundit të diellit përthyheshin mbi helmetat tona, ndërsa e kishim qarkuar faltoren e mbretëreshës dardane. Fresku i buzëmbrëmjes na e përkëdhelte fytyrën. Një ndjenjë e veçantë ma përshkonte trupin.

Sipas ritualit të moçëm, të treqind kalorësit u sollëm shtatë herë rreth shtatores me shpata zhveshur, pastaj zbritëm nga kali dhe u përkulëm para këmbëve të hyjneshës. Secili prej nesh me majën e shpatës e preu lëkurën të kyçi i dorës së majtë, pikat e gjakut i përziem me kyçet e duarve të atyre që i kishim pranë. Të njëjtin ritual e bëmë unë, Konstantini, Skerdilaidi, Doriani, Dimali e Glauku.

Urdhri i kalorësve obligonte që shokun e plagosur, ose të vrarë, ta tërhiqnim në prapavijë. Urdhri i kalorësve na obligonte që kur ta shihnim shokun në ngushticë, përballë shpatës së armiqve, t'i dilnim në ndihmë, ta nxirrnim nga mengenia e armikut dhe të suleshim para, ose të tërhiqeshim, varësisht nga urdhri. Po i lamë në fushë të betejës armiku ua priste kokat- trofe lufte. Besonim se pa kokë s'mund të shkonte askush në botën e përtejme, pa kokë s'mund t'ia bënim gjëmën, pa kokë ai nuk ishte kalorës dardan.

Me betimin për besnikëri e sakrificë e linim prapa një jetë dhe ia nisnim një jete tjetër, ndryshe nga ajo që ishim mësuar.

Pastaj luginën e mbuloi muzgu. Nën dritën e pishtarëve e rrezeve të zbehta të hënës flijuam një buall. Me ritualin e moçëm spërkatëm me gjak bualli shkallët e shtatores, e vumë trupin e rrjepur të kafshës mbi zjarr në dy drunj të fortë. Dikush pinte verë, një tjetër e spërkaste mishin në hell me lëngun e rrushit.

Disa ia morën një valleje burrnore, ku shpata ishte rekuizita kryesore, kurse fyelli që i përcillte e përcaktonte ritmin e kërcimit. Vera na i kishte skuqur faqet, na e ngrohte gjakun dhe na bënte ta ndienim veten si asnjëherë më parë. Sonte nuk kishim kufizime në të pirë. Ndenjëm deri vonë. Ishte atmosferë që rrallë përjetohej, na dukej sikur rrinim me hyjtë e bisedonim me ta në një mënyrë të veçantë. Dikush kthente kokën nga qielli dhe u lutej sërish hyjve, të tjerët e kishin qarkuar mishin e pjekur. Zjarri e ndriçonte hapësirën, xixat e vogla që dilnin nga shkarpat e thara mësynin drejt qiellit.

Me pajimet e luftës e kuajt pranë shihnim yjet dhe me mendje grishnim zotat të na ndihmonin. Nga sonte futeshim në rendin e kalorësve dardanë, rendi kalorësiak më i lavdishëm në Gadishullin Ilirik, që na obligonte e na jepte privilegje. Tata kishte qenë kalorës, gjyshi i kishte takuar rendit kalorësiak deri në vdekje. Më bëhej zemra mal që vazhdova rrugën e tyre. Sa do të doja ta kisha tatën afër.

Fragment nga romani "Kalorësit e Dardanisë"



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora