E enjte, 25.04.2024, 06:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Bardhyl Maliqi: Aleksandër Çipa - Deti nuk ka portë

E shtune, 23.03.2019, 12:06 PM


“DETI NUK KA PORTË”, POR UNË E GJETA PORTËN E SHPIRTIT TËND ALEKSANDËR!

Nga Dr. Bardhyl Maliqi

“DETI NUK KA PORTË” është libri i katërt i poetit dhe gazetarit Aleksandër Çipa, tashmë i mbërthyer në magjinë e vjershërimit. Pra është një vëllim poetik që shpërfaq një përvojë krijuese tashë të ngulitur mirë. Nuk dua t’iu them gjëra që ju tashmë i dini, si për shembull që poezia e Aleksandrit ka disa burime. I pari është Piluri, gjeneza e fisit të tij, vendndodhja si mbi re, atje ku mali Himarës i rri mbi krye e detin e ke nën vete, ku toka dhe qielli bien në ujdi për një aerodrom në fushën e Vanovës. I dyti është fisi, kënga burimore e isopolifonisë shqiptare me një nga lëvruesit e saj. Është i ati, Lefter Çipa. Këtë e them me bindje duke lexuar këtë libër dhe do t’iu them me kohë psenë. Së treti është kultura dhe përvoja e tij krijuese. Ka dhe të tjera, por mendoj se këto janë tre më të rendësishmet. Por dua të theksoj se në aspektin psikologjik personalitetin e njeriut e formon  veprimtaria. Aleksandi ka bere ne jete gazetarin dhe poetin, ai është themeli ne botëformimin e tij shpirtëror.

“DETI NUK KA PORTË” është një nga librat më të mençur që kam lexuar vitet e fundit, Këtë e them me bindje, jo t’i bej qefin autorit. E them se sot botohet pa doganë. Nëse dje, në letërsinë e socrealizmit  ishte problem cenzura dhe autocenzura, sot mjafton të kesh paratë, ose t’i sigurosh ato në mënyrë të padrejtë. Ky libër është ndryshe. Poezitë e tij krijojnë një përthyerje, një reliev. Ky reliev është në gjithë përmbajtjen e këtij libri. Aty janë majat e maleve, honet dhe brigjet, deti dhe ajri, ecja dhe fluturimet. Të tre elementët bazalë: Toka, qielli dhe deti. Seicili me pafundësinë e motiveve që i fal poetit në të 84 poezitë e librit. Ka dhe tre gardianë gjithashtu.  Mos janë ca si shumë? Them se po. Seicili ka mbrojtur sinorët e tij, por jo tërësinë. Ndryshe nuk shpjegohet pse këtu ka poezi kryevepra, por dhe nga ato që mund të mos përfshiheshin fare. Ky libër nuk është një livadh me luleshqera, as një fushë me lulekuqe, as një përrua malor, lumë apo ujvarë. Ai i ngjan më tepër një kanioni e që ta përshkosh duhet të jesh i stërvituar në disa lloje sportesh, që nga alpinizmi deri te kanotazhi.  Unë dal në këtë përfundim, pasi  kjo lloj poezie nuk ka vetëm relieve të brishta, por dhe përrenj të rrëmbyeshëm dhe humbëtira. Herë-herë ajo nuk i ngjan poezisë, por esesë meditative, paçka se në vargje dhe me strukturë metrike.

Nga pikëpamja kopozicionale libri “DETI NUK KA PORTË” nuk ka kufij të prerë, marrëdheniet mes  8 cikleve poetike janë relative, pasi në mënyrë të natyrshme disa poezi mund të ishin vendosur sa në Mërzinë ndriçuese  edhe në Vetminë në rrëmujë, Për shpirtin je fe apo Në tel të nëntë si Orfeu. Kush tha që  Atdheu i absurdit nuk e përfshin edhe vetë Detin që nuk ka portë, apo Statuja e mishtë dhe Kangjelën para gjumit?!Nëse do të merrja ndonjë shembull do të mjaftohesha me poezitë kushtuar babit të vendosura në cikle të ndryshme. “Tim eti” ndodhet në cikli e parë, “Im atë ka një hall për qiejt” në ciklin e gjashtë dhe “Ati qesh në ditën e babllarëve” në ciklin e shtatë. Është i njejti profil atëror, por i vizatuar ndryshe. Dhe do të thosha se janë ndër poezitë më të realizuara të këtij vëllimi. Poezi për nënat kanë shkruar shumë poetë, poezi për baballarët shumë më pak. Por poezitë e Aleksandrit për të atin janë autentike, kanë individualitet të spikatur, pasi është Lefteri i vizatuar në detaje, nuk mund të ngatërrohet me baballarë të tjerë.

I paikshëm, trup pak e kujë pak, kapriçoz, gjuhëbukur e këngëgjatë, ndez e fik cigare, me sy të strukur nën lëkurën e lodhur të fytyrës fsheh ende nën zgafella shkëmbenjsh metafora manushaqesh të shpirtit; nën këmbët e tij është deti, Gjiri Magjik i Himarës monofonia tjetër dhe sytë i ngre tek malet ku gjallojnë qindra subjekte tek ngjall heshtjen si baladë të vjetër dhe fsheh një hall për qiejt e pafundmë tek qesh me ditën e baballarëve, nuk pi dolli për gruan, por fëmijëve iua kreh shpirtin me variante ligjërimesh.Ky është Lefter Çipa dhe më mirë se i biri nuk e poetizonte dot askush!

Por pa dyshim më i bukur është portretizimi i kohës sonë, ku spikat mërzia ndriçuese nën furkën e maleve shtullungat e reve ndoshta tjerrin shirat e ardhshëm tek populli në lëngatë nënshtrimi nuk i sheh të panginjurit si tallen, ndërsa vetmia zhbëhet si asgjë e megjithatë këngët e etërve rrinë fshehur si burimi nën bar. Dashuria e ka gjithmonë një vendlindje kështu thotë edhe një këshillë mbi dritën ditën e eklipsit. Lulëzimi i bimëve ka dëshirë të rikthehet. Ne e njohim dobësinë tonë njerëzore, pasi mes diellit dhe tokës ne jemi prej mishi, rrezikun e dimë, ndaj në ëndrra shohim edhe ata që duam, por dhe ata që I mbajmë në mërinë tonë.

Ne etërit kemi një merak, mbase ngjajmë me ata që na lindën dhe me ata që lindëm ne mbase ngjajmë, por jetët megjithatë i kemi të ndryshme se rrethanat dhe kohët janë të përveçme, ato nuk përsëriten. E megjithatë në sheshin e madh të sherrnajës lindore shpenzojnë fjalë të marrët e Atdheut, të vendit që vret të diturit dhe hyjnizon budallenjtë. Ne si popull vuajmë kapriçot e delirit dhe ato të mungesës, ndaj duket se mërzinë na e pikturon shiu. Veçanërisht ne poetët jemi qënie të çuditshme, përndryshe nuk do të hymizonim Vejushën Mërzi dhe të shpallnim fe atdheun e pafat, aksidentin me të cilin ashtu si me gruan i ndan vetëm një puthje. Vërtet gjethet e rëna janë flijim për rizgjimin, por mundësitë e Rilindjes mund të jenë dështake, se profet i rremë bëhet vetvetja. Eh, si në natyrë…deti nga dallgët  nuk humbet se fljohen, hapat nuk i numëron askush nëpër rrugë…Ndërsa zënkat mes meje dhe teje, një urije që s’shuhet i japin bukë! Po vallë kur do t’I bëjmë inatet të shkuara dhe meritë gjethe të rëna që kanë humbur pemët!?

Në vendin tonë, në këtë atdhe të absurdit, ka shumë dashuri të padukshme e të pabujshme, të tretura si kripa në shijen e ujit të detit, apo të ëmbla si lëngu i frutave të pjekura. Megjithëse më tepër ndiejmë nyjet dhe kombet që na mbeten në fyt sepse këtu vetëm shëmtia ndihet më me fat! Pyes veten pse? Mbase se në këtë copë dheu të absrdit varret i gjen në vise mjegullnajash atje ku përgatiten arkivole dhe ngrihen mure çeliku për pandjeshërinë tonë në këtë botë që i është dorëzuar dhimbjes, që kur kemi filluar të fqinjërojë me vdekjen si me dashurinë.  Atje ku dimri s’është në natyrë, por në pushtet, ndaj s’na i mban dot këtu vajzat dhe djemtë, por ikin rrugëve të botës. Vërtet deti nuk ka portë, por këtu moti nën lëkurën e njeriut shpiku ngricat dhe gurët në Akrokeraune nuk kanë kujtësë për njerëzit dhe vetëtimat, por për rërën dhe zallin. Ndaj nga dritarja që kornizon botën poeti thërret të mos lodhemi nga shirat, se edhe stuhitë fat kalimtar kanë.

Miq, deti nën prehrin tim është i qetë si foshnja në gjumë, por jemi ne që në dete mbjellim stuhitë, dhe vetë rrijmë pa gjumë! Rrijmë dhe shijojmë marrëzinë tonë dhe shpikim perënditë për të qetësuar detin, Himarën e Dhërmiun, Jalën e Çikën! Ne poetët kur lexojmë librin na duket se jemi nisur për në Himarë bashkë me birin e bardit plak, homerikut të parënë që  s’do ta humbasë vreshtin. Jemi në vendin ku kambanat e kishave dhe kambanat e detit japin kumbimin e jetës apo të vdekjes se jeta ka lëngim dhe deti dallgë ka gjithnjë, por portë nuk ka, ndaj vetëtrokit mbi tokën si zemër dhe ajo të dëgjon. Ej! Katër vajzat e fundit i palosën çadrat dhe humbën si dallga…Eh këto vajza, hije të gjalla në kohën që vdes, statuja të mishta të adhurimit që s’rresht! Por poeti nuk është gjahtar i dobësisë, frutit që askush nuk e do. Mbase  prej kësaj zogjtë dhe njerëzit duhet të shkëmbejnë flatrat. Prandaj deti nuk ka portë, por shpirti i Aleksandrit ka. Kështu und të zbërthehet edhe metafora e titullit të librit dhe simbolika e detit në përgjithësi.

Pritja si kryeneçe e padukur pulson në dritën e farit, shkëmben trishtimin me gazin dhe  flladet me stuhitë, hënë s’do ta lerë të vetme as në nxehtësinë dhe as në akullin e kësaj nate. Baladart e mendimeve të humbura nuk u kënduan kurrë, mbetën si fëmijë të palindur, dëshmitarë të jetëve të fikura. Shpesh kur kujtohemi për zemrat ato rrahin në të tjerë kraharorë, por ne i kërkojmë ëndrrat pas zgjimit, ndaj në portat e gjumit trokasim qiejve të natës. Bëjmë të shkrujamë një zë dhe e nisim me krahët e pulëbardhës udhëve të ditës apo udhëve të natës.

***

Tani le të qëndromë pak në disa nga problemet që ka ky libër, por që për mua janë krejt të zgjidhshme. Libri ka disa poezi antologjike, të denja për përkthim në të gjitha gjuhët e dheut, por ka edhe disa të lehta, që nuk thonë asgjë. Ato janë si kulprat, jetojnë në simbiozë me trungjet e lisave. Për diversitetin mund t’i pranojmë, por jo për vlerat. Kjo lidhet me faktin se në lindje asistuan tri mamai dhe kur ka tri mami fëmija del I çalë. Këtë e thotë populli, jo unë.

Një problem tjetër lidhet me  përdorimin e kompozitave, shpesh ato nuk qëndrojnë si të tilla, janë të sforcuara, për shebull në poezinë “Në tel të nëntë si Orfeu”: në thellësitë e panjohshme, ditë pabukura, paqetësi, paharrim etj: Ka dhe vargje që mendoj se  nuk qëndrojnë si në mendjen time të fshehur në mish, strofa e parë e motivit pushkinian, krejt poezia “Nën shi Prizreni”, Ngjyrën time të trishtimit me hala të ujta pikturon shiu, zgjodha këtë ditë të hesht dhe të vetoj, nuk e mërgoj veten time, krejt poezia Variant i së pakryerës së përjetshme, në dritë mjergulle s’po shfaqet si përngaherë ylberi, nën rrethim të uijtë, botë e ujtë, shije e kriptë, vetëtroket, statujë e mishtë, ison e ujtë etj. Neologjizmat janë qibare, ato nuk ngjitin lehtë. Në psikolinguistikë fjalëformimi ka rrregula të tjera jo thjesht rregullat mekanike të gjuhësisë. Nga qindar fjalë që kanë hedhur në tregun letrar nha Naimi, Lazgushi apo Kadareja, fare pak kanë mbetur, se siç jua thashë fjalët e reja janë qibare, janë si nuset e reja.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora