Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Hapat e parë të pranverës

| E shtune, 23.03.2019, 11:37 AM |


Hapat e parë të pranverës

Nga Blerim Rrecaj

Shkoi dimri. Stafetën ia dorëzoi pranverës, zyrtarisht e pa bujë, si në garën e mbretëreshës së sporteve: 4X 100 metra, ndonëse mbretëreshë të stinëve nuk ka, e shirita s'mund të prehen e as të ketë ceremoni medaljesh. Qoftë qysh qoftë dikujt iu mbush shpija me bija dhe vazhdoi gazi e hareja dhe u shumëfishua gjallëria. Dhe vazhduan punë përditshmërie si zakonisht. Fëmijët e nxënësit ndoqën mësimet nëpër shkolla, e më pas nëpër kurse vijuan punët aty ku i lanë, edhe morën e po marrin pjesë garave të ndryshme edukative, kulturore, sportive, për t'u vënë në pah si të shkathët, e si talentë. Ne na vije në mend gara e titulluar këndshëm: Krosi pranveror. Kosova kaloi mbrëmë mirë me Danimarkën. Ta shohim sonte Shqipërinë përballë Turqisë. Suksese shqiptarë, në çdo fushë të jetës na pritë mirë e mbarë! Deri atëherë të shijojmë këto rreze dielli dhe të ndjejmë kah fryn kjo erë. Shëndet, shëndet, dëgjojmë uratën pas dy apshuh-ave. Lule po rriten e të tjera po lulëzojnë, e presin në radhë për të dalë mbi tokë. Diku ato edhe janë mbjellur e po mbillen. Edhe në ndonjë rriskë të hollë e gjatoshe mes lokaleve, ndërtesave, objekteve, si këto shtatë tetë lloje të tyre me një varg lakadredhas gurësh të ngjyrosur. Mbase dhe hapësirave publike tash do mbillen lule, diku më me stil, diku edhe mes shiritave rrugorë, sa do të na duket se kemi të bëjmë me një "përrua" gjatosh lulesh. Për mos me e zgjat më shumë sikurse çamçakëzin që e zgjasin duart e atij fëmije, na tërheq vëmendjen dhe kjo biçikletë dekoruese në të cilën varur rrinë dy vazo ngjyrëjargovanta me tulipanë, e rreth tyre herë-herë i bije rretheqark një flutur e bardhë. Ndriço o diell, shëndrit o ditë, dhe na shto kështu këto përjetime, në këtë nisje stine. Njashtu si lulet e fluturat po duken edhe akulloret në duart e fëmijëve që s'duan t'ia dijnë për asgjë, pos për argëtime e lojëra. Përballë një druri degbardhë në shtyllën dritëmbajtëse janë lidhur ca degë dekorative bredhash të vërtetë, që kanë ngelur si gjurmë të një aksioni që bën thirrje për më shumë drunjë e më tepër gjelbërim, për luftën e egër mes frymëmarrjes e ngulfatjes. E era si era tund rroba, çarçafë e peshqirë, tund flokët e gjata e të gëshenjta të një vajze me telefon në duar e çantë në krah, shamitë e dy të moshuarave që bisedojnë pareshtur, era vazhdon e ju bjen për fytyre edhe gjërave që s'i luan as topi, e po të hapen dritaret ajo do hyjë dhe brenda, për të na kujtuar edhe diç që kemi lexuar, erën duke hyrë brenda në një shpellë. Kemi nevojë për t'iu kthyer (ri)leximeve. Sidoqoftë dita vazhdon me të qeshura që dalin nga ndeja e biseda, të qara bebesh, fluturime shpezësh. Bile dhe nja dy qese, njëra e bardhë e tjetra e kaltër si të ishin lejlekë, se nga erdhën s'e dijmë, e janë duke ecur, janë këmbëshpejat si lepuj. Ndërsa tash rreth tulipanëve mbërrin një grusht bletësh thuajse ato erdhën për ta shtyrë biçikletën, e të cilat përshëndeten thekshëm nga harabelët që rrijnë vargut të bredhave që qëndrojnë gatitu si ushtarë të rreshtuar kufinjsh. Mbi tokën me bar, këtu ku jemi, zbresin e na vijnë fare pranë këta dy pëllumba të cilëve dielli ua vë në pah gushën e qafën e ylbertë. Çfarë ylbertësie të mahnitshme po bartkan pëllumbat, pëshpërisim të çuditur. Dielli diku përshpejton edhe një teshtimë. E xhaketa fëmijësh të hedhura duken si bashkëbiseduese që ia kanë nisur një bisede paksa mallëngjyese... Dhe veten seç e shohim diku mes qetësisë e stuhisë. Mbase mirë t'iu afrohemi këtyre tulipanëve njashtu si këto bletë që vazhdojnë rreth tyre të vërtiten. E këta hapa të parë të stinës së pranverës duket se janë të ngjashëm me hapat tanë të parë të jetës...