E diele, 02.10.2022, 09:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Sotir Athanasi: Java e Frankofonisë (2)

E shtune, 23.03.2019, 11:16 AM


20 Mars, JAVA E FRANKOFONISË

SOTIR ATHANASI

STAFETË E DHIMBSHME E NJË DASHURIE PARISJENE

(2)

- Ky det është fantastik, mama. Konstantja e tij dallohet lehtë edhe nga studenti më shpërfillës.

Uji i ngrohtë: mëngjes-mbrëmje në një anë, si dhe kthjelltësia deri në tejdukshmëri e kristal, në anën tjetër, plotësojnë kurbën e një ekuacioni relaksues deri në pambarim.

Poeti mbeti i hutuar dhe shqeu sytë sepse i resiti padobishmërisht ato për të kuptuar se nga vinte zëri. Ndërsa Perëndesha kishte mbetur nën ndriçimin e saj hyjnor. Koha për atë e tek ajo, kishte ngrirë për t’u sfumuar e bërë një me... gjithësinë. Ndërkaq, biseda s’kish reshtur me mamanë:

- Ky det i tejçon edhe trillet e mia, mama. Se i mbaj mend, në fëmijëri. Deti ishte i hirtë, i ftohtë... verior.

- Etret! - thirri poeti instinktivisht. Tashmë ishte i bindur se ligjërimi bëhej nga hyjnesha me mamanë e saj. Por e gjitha kjo qe një pandehmë. Sepse, biseduesja që s’mund të ishte kurrsesi e zbritura nga qielli, përderisa ajo, nuk i lëvizte buzët. Gjuha e trupit të saj, ngjante tejet kallkan.

- Perëndesha ime! - mori guximin poeti të pyesë, - me cilin po flisni? Me mua apo me mamanë Tuaj, të cilën nuk po e shoh? Apo, ndoshta, bisedën e keni bërë më parë? Jo këtu, por gjetiu dhe... ajo tani doli në rërë?

Asnjë përgjigje veç pllac e plluceve nga një palë këmbë femre të drejta-të drejta dhe një trupi sensual tej e ndanë të ftilluar dalëngadalë e me nge nga shkuma e valëve. Një ndërkëmbyeshmëri figure ishe: e Qiellores me Tokësoren. Vërtet mund të ndodhte kjo? Sepse, që po fliste me një Hyjneshë, këtë Ai s’e vinte aspak në dyshim. Se këmbeu me të e veç kësaj, fati e solli  t’i puthë edhe dorën, që ajo vetë ia zgjati. Si tejçues vinte ai shall i mëndafshtë, që herë-herë atij i dukej se e hidhte mbi krye me dorën e djathtë, të cilën e kalonte nga pas dhe sipër flokëve. Pastaj e lëshonte, në një valëvitje, me një harmoni, çuditërisht vizatimore, vetëm duke e mbajtur në njërin kind. Qe një rit hyjnor ky, pas të cilit do të zhvillohej një fenomen natyror, apo thjesht një trill Hyjneshash? Dhe me gjasë: asnjëra e as tjetra. Por mbase një tejçim kozmosit mbi bisedat e bëra.Thua të ishte një kod tejdukshmërie protokollare, kur banorët e Olimpit, rastësisht dalin në një vend i cili për Analet Olimpike, mban shënimin: ‘Tejet të skajuara’, apo ‘Të vetë-ska- juara’ dhe grupohen te dosja ‘Humbëtira’? Kuptohet. Me këto nënvizi- me, ata duan të thonë se vende të tilla e... këto hapësira, janë ‘Të vetë-përjashtuara nga pjesa tjetër e Planetit. Gjithsesi, mbase për gjerësi fekste qëmtimi: “Mëkat! Aty ekzistojnë vende shumë të bukura! Por, pa gjasë, që kësaj përfilljeje t’i kthejë kryet dikush. Aq më pak Hyjneshat. Absolutisht i Pari i tyre”. Pas këtyre dikush e stërkali dhe ai u zgjua, disi i trembur. Nuk u shpërgjum siç do të dëshironte. Kjo do të bënte që t’i mbetej një zbrazëti në shpirt dhe aq. Se njihet nga të gjithë ajo çka ndodh me ëndrrat. Kur janë sidomos të tilla, gjithsesi do të mundohemi t’i risjellim në mend si diçka të bukur e mirakëndëse. Se nuk shohim dendur Hyjni në gjumë. Djaj po. E, madje, edhe me brirë. Prandaj poetin e përmendi, po ende e hodhi përpjetë një, vetëm një, ama ishte çurg stërkalash. Kaq do të mjaftonte ta zgjonte këdo, qoftë edhe nga një gjumë hipnotik.

Kjo shpërgjumje s’i linte asgjë mangët shqitjes me përdhunë nga një takim i cili, veç të tjerave ish: ‘I bukur’-‘i pazakontë’-‘hyjnor’! Gjithsesi, pas kësaj poetit i qe rezervuar, siç edhe e paralajmëroi, Hyjnesha: se do të ballafaqohej me një tjetër njëmendësi po kaq të ‘bukur’, ‘të pazakontë’ e mbase edhe ‘hyjnore’! Edhe pse shqitja e dhimbshme për poetin ajo do të qe njëherazi. Hollësisht duhet thënë se mendja e vjershëtorit qe fiksuar pas nimfës në ëndërr dhe ende donte ca imta të shtendosej e të shtopisej se si hov-prerë, ato çaste, ajo ish. Mund të çudisë këdo, por vegimi i tij me siguri kish xhiruar së prapthi në kohë dhe punonte me logjikën e fëmijës. Dihet nga shumëkush se dhe kur ia zëvendësuan me të njëjtën lodrën e humbur, i mituri sërish kërkonte me të qara të parën. Ndërkaq, ne me logjikën e të rriturit, le të vazhdojmë rrëfimin tonë: Se ajo që ngutej të kërkonte falje, s’qe aspak perëndesha hipertermi, por mbase një kopje e saj (edhe pse krijesë e kësaj- botshme ajo ish). Vërsnike e tij rreth tridhjetëvjeçare. Të qe binjake me të? E pamundur. Atëherë pse e ke bërë aq të ngjashme me hyjneshën apo për të mundësuar pështjellimin që dhe ashtu, tejet e trazuar, ajo ishte? Pse na vë të ngjisim shkallë të tilla, o Zot?

Kështu e arsyetonte me logjikë të ftohtë ato çaste të ethshme Poeti, dhe do të thoshte me bindje: E pabesueshme: Sa i shëmbëllen kjo që shoh zgjuar asaj që pashë në ëndërr! Dhe atij do t’i kujtohej patjetër, skulptori i lashtësisë që bëri shtatoren e një femre, me aq dashuri, sa kur e përfundoi, nuk donte ta hiqte atë nga studioja. Aq më pak ta nxirrte përjashta dhe, kurrsesi, t’ia dhuronte tjetërkujt. Prandaj iu lut Zotit ta kthente në jetë atë mermer dhe Zoti përgjërimet e tij i mori parasysh: i dha jetë shtatores. Diçka e ngjashme po i ndodhte poetit. Veçse, ajoqë iu fanit, aty më parë, qe hyjnore dhe dërgoi shëmbëllesën e saj tokësore. E kundërta e skulptorit të lashtësisë. Mos ndofta, çdo dy mijë a tre mijë vjet, një kapriço Qiellore bën të njëjtin lëshim për t’i dhënë jetë e gjallëri artistit? Se e sipërfaqshmja ishte e njëjtë me ..., të fshehurën. Për tiparet? Mos më pyesni. Si mund t’i ndërmend ato, kur hyjnesha, gjatë gjithë kohës, shtatoren si edhe portretin e kishte të sfumuar me një shkumë tejendanë të bardhë? Me gjasë i krahasue- shëm me vegimin e siluetës në pasqyrën që djersin nga avullimi. Se është pikërisht kjo që të dalldis dhe të bën të psherëtish e, në të njëjtën kohë, të ndiesh dhimbje. Po, nga ato dhimbje që sjell gëzim deri në mospërmbajtje. Të ndizet dëshira tejet magjike, për ta prekur, njëkohë- sisht me frikën se mos zhduket pas tentativës, si një zog i bukur në dëborë, të cilin edhe e ka joshur prania jote, sepse, për ty edhe ka ardhur, por fluturon sapo ti e zgjat dorën me dëshirën e mirë vetëm për ta përkëdhelur. Tiparet më pyete? Po ti harron se unë isha herë si zogu në dëborë dhe herë tjetër si adhuruesi i tij, njeriu? Shkurt: herë ‘gjuetari’ dhe herë ‘i gjuajturi’? Nën këtë terror ‘sensual’ u krye e gjithë biseda, që doemos, s’do të kishte fund tjetër veçse me superterror dhe sadizëm. Se kjo shqitje me përdhunë e bënte gjasën për ta emërtuar ndryshe. E, megjithatë, na duhet të pranojmë se ajo që shihte, s’i linte asgjë mangët asaj që iu zhduk nga ëndrra Poetit, ndonëse përshtypja e saj për mua (po ta pyesje poetin ato çaste, siç bëjmë ne që hyjmë në ndërgjegjen e tij) do të thoshte se s’ngrihet më lart se krahasimi me një pirat. Pse të duket çudi! Shih fotografinë e Bodlerit në enciklopedi dhe do të bindesh se përshtypja e saj s’ka të gabuar. Hë? E kuptove tani? Se është për të ardhur keq, por e vërtetë. S’ka dhimbje më të madhe sesa: kur njeriu është në delir dhe ndien vështrimin; në mos përbuzës, shpërfillës të partnerit të tij. Në shpirt, mbetet vragë nga ato që zor se shërohen. Kjo do të sjellë tërhuajtje. Këtu e ka zanafillën përçudnimi i një lidhjeje e tatëpjeta e saj, aty fillon. Po a qe personi përballë tij, partnere? Assesi jo! A kishte gjasë të vazhdonte vegimi? Kurrsesi jo! Vajza e porsadalë nga uji në rërë, natyrisht që s’ishte nimfë-deti e as peri ajo s’qe. Aq më pak të merrej për hyjneshë. Veçse shëmbëllente me të, gjë që bënte të zmadhohej hapësira e mëdyshjes. Dhe kësaj po t’i bashkoje frëngjishten, gjuhë me të cilën s’reshtte së kërkuari falje, kuadrit, i plotësoheshin gjithë elementët për ta quajtur të paktën: ‘dublanten e Perëndeshën në... Tokë:

-Më falni, Zotni, më falni!

E pra, bëhu serioz, poet e zbrit në rërë. Kjo frëngjishtfolëse, tepër e sjellshme dhe e mirë’edukuar, me ngut, më shumë se një herë, po të kërkon falje, ndonëse disi e trembur. Apo falja e përsëritur të kujton fajin? E, ç’faj bëri ajo përveçse të mrekulloi me praninë e saj? Se më pas, gjithçka u ftillua. Prandaj: vuan shpirti dhe ankohet padrejtësisht, trupi. Apo ndodhi e kundërta?

Poeti fërkoi sytë dhe si hoqi edhe kapelën e kashtës, pati shumë kujdes të zbulojë flokët që i binin ballit. Disa shokë, për shkak të vështrimit të tij, disi të ashpër, kur diskutonte pozicionin mospajtues me drejtimin e komanduar që përherë e më shumë vërehej se zhvillohej letërsia, por edhe meqenëse e dinin të gjithë se ai ishte një ithtar i thekur i frëngjishtes, gjuhë që në çdo rast do t’ia mbivlerësonte me argumente të reja, e krahasonin me poetin francez, Bodler. Qe një nga zakonet e letrarëve të rinj: Dikë që shkruante fabula për fëmijë, do ta quanin Ezop ose La Fonten dhe, po me këtë logjikë, grupi do të kishte Bodlerin, Mopasanin (dhe mos qeshni) dhe Molierin e Hygonë.

Vetëm Shekspirin nuk guxonte kurrkush ta zinte në gojë. Në të vërtetë epitete të tilla, veç shakasë, kishin edhe pozivitetin e tyre. Mbajtësi i ... kësaj nofke të themi më mirë, e synonte korifeun. Kësisoj, ajo që niste si me shaka e tejet mikluese, vazhdonte më pas me ledhatim joshës që imitimin fillestar e bënte më praktik në mënyrën e të parit të dukurive, thellimi i së cilës kishte dobishmëri të njëmendtë. Po a nuk kishte prekur edhe fusha të tjera kjo mani? Kazus Klei (Muhamet Ali), imitohej nga gjithë fillestarët e boksit, po kështu edhe Xhon Frejzer, për të mos folur pastaj për Pelen e Maradonën. Por le t’i kthehemi poetit tonë. Sepse ai ishte e natyrshme të mos e pranonte këtë. Veç të tjerave, s’ishte aspak e vërtetë. E vetmja përkesë me poetin e Francës qenë poezitë e tij lirike-tragjike të pabotuara, si edhe vizioni i tij mistik mbi Universin. Por këto i përkisnin një rrethi tepër të ngushtë shokësh që, gjithsesi, poeti për t’u mbrojtur nga ndonjë ‘sy vigjilent sigurimsi’, shmangej duke imituar me flokët e rëna ballit, një tjetër poet rus’so- vjetik: Sergej Esenin. Ndaj këtij lloj rebeli të diktaturës, nomenklatura ndihej në vështirësi t’i kushtonte vëmendjen e duhur, sidoqoftë.

Përmbledhtas, poeti, si rregulloi balluket, që i binin ballit, në një hutim tërësor dhe si ndonjë dudum, do ta quanin me shpoti shokët po të ishin aty e ta shihnin, madje ndonjë humorist do të shtyhej edhe më tej e do të thoshte “si në radhën e qumështit”, do t’i drejtohej francezes:

-Ju jeni Perëndesha Hipertermi, zonjushë e bukur? Po mamanë Tuaj, për të cilën edhe dëgjova aty më parë se flisnit, kur unë isha ende në ëndërr dhe ju, sigurisht, në brendësi të detit dhe nuk e pashë nga shkoi, ashtu si edhe tani që më duket se u tret në ujë, ku e paskër- keni?

-Jo, ç’thoni kështu, zotëri? Ç’është kjo tirandë llastiku?

Vajzën e hutoi pyetja, gjë që i dha mundësi poetit t’i hedhë një vështrim peshues, nga këmbët deri te koka, si të qe në një tjetër kohë e po kështu në një tjetër vend, i ngjashëm me tregun e skllevërve. Për atë robinë, pirat që ishte, i kërkohej një vlerësim, apo., një pazar. Gjithsesi ai kundrim e shtendosi rrethanën e krijuar. Dhe tjetra e kapi shpejt gjendjen. Ajo, përveç që mori një pozicion të tillë, ku i dolën më në pah format tërheqëse trupore, si ndonjë top-modele, vuri buzën në gaz si përpara aparatit fotografik dhe tha e shpenguar: - Hë! Të pëlqej? - ose pas një lëvizjeje: - po tani? Mos ndofta dukem më mirë kështu? - se ndiente përkëdheljen e vështrimit mashkullor. A kishte të drejtë? Po. Më në fund, poeti, u bind në vlerësimin e tij. ‘Nimfa’ me të cilën po këmbente, s’qe vetëm tërheqëse dhe disi çapkëne, por ajo qe e njëmendtë, Tokësore. Trupi i saj kishte dy “gjethe fiku” në pozicionet delikate të gjoksit dhe shallin e ibërshimtë me të cilin qe mbuluar e treta.

- Atëherë, fatmirësisht s’qenkam në ëndërr, zonjushë e bukur, - mundi të shqiptojë, jo pa lëngëzim.

- Faleminderit për komplimentin, zotëri dhe lejomëni t’ju siguroj se jeni, ‘i zgjuar’, - tha ajo me dy kuptime për të vazhduar, - po i shprehni konsideratat tuaja me një frëngjishte për t’u admiruar. Mos harroni veçse, po flisni me një,... - dhe ajo buzëqeshi përpara se të bënte të njohur specialitetin e saj në fushën e fizikës së ‘grimcave nënatomike’. Por hoqi dorë në çastin e fundit, ngaqë iu duk krejt pa vend një gjë e tillë dhe e mbylli me një fjali fare të thjeshtë: - Po flisni me një intelek- tuale, zotëri.

Poetit i kishte dalë plotësisht gjumi, por jo edhe fiksimi për pyetjen. Prandaj dhe këmbënguli që ajo të mos e anashkalonte dukurinë, nëse kishte qenë e vetme në det, apo vetë i dytë, shqoptoi:  - Po mamaja, zonjushë, ishte me ju, apo jo?

- Ishte! - u përgjigj ajo prerë dhe jo pa vënë buzën në gaz e, po aq me atë qesëndisje të diktuar nga ai ngulmim aspak etik e tejet naiv. Sepse Ajo mendonte që tjetri s’kishte asnjë të drejtë të bënte pyetje të tilla. Megjithatë, një zë i brendshëm i tha ta toleronte këtë të panjohur të çuditshëm. Ishte ‘lëshim’ apo... ‘trazim’? - Po këmbeja, - shtoi. - Qe një intimitet me nënën time brenda thellësisë, dhjetë-pesëmbëdhjetë metra në det.

Edhe tani me të isha, por ajo iku disi më përpara.

Pastaj një tjetër zë i brendshëm u bë nxitës që ta shigjetonte ca, se iu duk zbavitës shkëmbimi me ndonjë kalambur. Karremi ishte hedhur tashmë: gjë që ajo ende s’e ndiente.

- Çadra jonë është ajo e parafundit, - dhe me lëvizjen e kokës i tregoi drejtimin, për të shtuar me ironi: - në qoftë se keni merak ta dini. Se, nuk besoj që ju duhet për të mbushur formularin e mamave të dala nga uji dhe të bëni diferencën me ato që kanë hyrë në det.

Por, për poetin, e gjitha kjo qe si të fliste me valën, që luante ende me këmbët e saj të drejta-të drejta dhe, që sërish po bënin plluc-plluc, ngaqë hidhej për t’u shkundur, në rërën e lagët dhe nuk ecte mbi ujin pranë saj për të bërë pllac e plluc.

- Pra mamaja ekzistonte, - tha ai si i fiksuar.

- Ku?

- Në ëndrrën time, zonjushë, e ku tjetër.

- Çudi! - tha fizikania dhe rrudhi buzët, - unë kujtoja se ishte vetëm nëna ime, - ironizoi ajo.

- Ai që duhet të habitet, në këtë mes, duhet të jem unë dhe jo Ju, zonjushë e sinqertë.

Për atomisten ‘sinqeriteti’ këtu ishte krejt i pakuptimtë, si të qe një,... grimcëzë e panjohur futur nga një dorë po kaq mospajtuese me të dhënat e programit për të ngadalësuar eksperimentin e për pasojë edhe përfundimin.

Njëmend :një arsyetim i tillë nuk mund të themi se qe thjesht metaforë e, aq më pak, hamendësim. Se, atomistja, nuk mund ta dinte se kjo ‘grimcëzë’,... ishte pikërisht ajo që i shërbente poetit. Hallka e lidhjes së gjërave. Për të . . .

( Vazhdon në Pjesën e Tretë )



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora