Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Falsiteti i përkrahjes së vlerave

| E enjte, 21.03.2019, 08:02 PM |


Falsiteti i përkrahjes së vlerave

Nga Blerim Rrecaj

Ka nisur të ngrohet atmosfera para lojës futbollistike Kosovë-Danimarkë. Me fjalë, komente, analiza, debate. Biletat thanë se u shitën të gjitha dy orë pasi u hodhën në treg. Suksesi i Kosovës në garën e re të ashtuquajturën Ligën e Kombeve ka ngjallë entuziazëm sikurse sukseset e jashtëzakonshme të Kosovës në xhudo. Por ajo që e përmendim shpesh është se sportistët po na nderojnë e politikanët po na turpërojnë. Dhe te vlerat e armatës së nderuesve po vazhdon të mrizojë armata e turpëruesve si pjesëmarrës, përfitues e përvetësues pune, djerse, dije e meritash. Si mund të urojnë e kënaqen me gjithë shpirt sukseseve të njëmenda "udhëheqës" të cilët presin vetëm fushatat por edhe ngjarje të mëdha që të bëjnë luftë gjelash se Stadiumi Olimpik duhet të ndërtohet jo në katund tëndin po në katund timin, po në katund timin e jo në katund tëndin. Pikë, presje, pikëpyetje, pikëçuditëse, edhe pse parullat e 11 vjetorit të pavarësisë ende s'janë hequr dhe shihen fjalët: Kosova nder dhe detyrë. O Baca, o bosa, kur po fillojmë me Stadiumin Olimpik, kur po fillojmë detyrat që kemi obligim e na bëjnë nder të gjithëve?! Nëse u bie udha të shihni stadiumin e qytezës sonë, sidomos tash kur ngrohet koha do të shihni hidhra krenarë të mbirë e si ushtarë që qëndrojnë gatitu para ulësve dhe përplot zhapinj që parakalojnë nëpër ca ulëse plastike e amfiteatrit të betontë e të ndotur. Hy këndej sa të duash o kushë, gjendja mbetet e pandryshueshme o kushë, e s'ka rëndësi topi në fushë të kujt është. Ma lehtë me e prit rezultatin, e më pas me hy serrnishtave fejsbukishte, ani me qenë rezultati pozitiv e me ba me fitu, do t'i djegim rrjetet socialiste të kapitalistëve. Luaja, luaja (pa) qartësi e (pa)çartur. Na bie në mend tash filmi shumë i suksesshëm "Shok" i cili u nominua për çmimin Oskar, jo shumë kohë më parë. Fatmirësisht dikush e shpërndau në internet dhe ne e pamë se ishte film me vlerë. Kur aktorët e këtij filmi u nisën për në Hollivud, dolëm t'i përcillnim me këngë e tupana. E kur u kthyen nga atje pa çmimin e parë, ata më të zëshmit, më ekranparësit nuk dolën t'i prisnin siç i përcollën, mbase patën përgatitur dhe fjalime e dhurata, të cilat duhet t'i kenë shqyer e hedhur në bërrllog.

Përkrahje zemre për vlerat, por kujdes me falsitetin!