E marte, 16.04.2024, 02:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjekë Gjonaj: Teatri i Kukullave nga Tirana në Ulqin

E enjte, 21.03.2019, 09:01 PM


Teatri i Kukullave nga Tirana në Ulqin

Një eksperiecë e re dhe mjaft emocionuese

Nga Gjekë Gjonaj

Fëmijët e vegjël të qytetit të Ulqinit shumë kohë do ta mbajnë mend  mbrëmjen e 11 marsit të këtij viti. Pikërisht atë mbrëmje të bukur  salla e Qendrës Kulturore të Ulqinit  u mbush pothuaj plot e përplot me  fëmijë të vegjël. Ata ishin aq të lumtur , saqë vrap njëri pas tjetrit  nxitonin për  t’u ulur  nëpër karriget  e sallës së  QK-ës. Bashkëbisedonin me njëri tjetrin.  Qeshnin dhe prisnin me padurim që shfaqja “  Dasma Shqipëtare”  të fillonte. Kjo shfaqje, e cila   erdhi për publikun e vogël si muzikal nën regjinë e Paolo Comentale dhe nën interpretimin e  shkëlqyeshëm të  Shegushe Bebetit, Jorida Marsit dhe  Elidon Alikës,  i lumturoi  këta spektatorë të vegjël, por të çiltër. Teatri i Kukullave nga Tirana  bëri  bashkë  prindërit  dhe fëmijët e këtij qyteti. Ishte kjo një shfaqje që kishte munguar prej vitesh në këtë qytet. Një eksperiencë e re, e bukur dhe  sigurisht mjaft emocionuese. Një ekpseriencë e paprovuar më parë, e veçantë për mënyrën e realizuar , ndërsa shihje fëmijë që  gëzojnë dhe shoqërojnë me kureshtje gjithë shfaqjen.

Pavarësisht se  zhurma ishte e pranishme në sallë, ndërsa u afroheshe për t’i pyetur ata nuk nguronin të tregonin kënaqësitë e tyre, që kishin ardhur në këtë shfaqje. Kishte edhe nga ata të cilët ishin të shoqëruar nga prindërit apo familjarët e tyre, por të gjithë ishin njësoj, të lumtur.

Edhe pse ndoshta ky publik i vogël  por i mrekullueshëm i fëmijëve mund të mos ketë parë ndonjëherë më parë teatër kukullash në një sallë teatri  dëshmoi se  e do  këtë gjë.   Fëmijët sa kohë që zgjati shfaqja jetuan me artin dhe kulturën. Arritën ta përjetojnë, ndiejnë e shijojnë atë. Të njihen me muzikën, elementet muzikorë. Morën emocione  nëpërmjet artistëve të mrekullueshëm  në skenë, e jo nëpërmjet teknologjisë.

Fëmijët vërtet u kënaqën shumë. E duartrokitën shfaqjen.  Ata jo vetëm se përfituan nga rasti  që t’i shohin kukullat  drejtpërdrejt, por duke parë elementet e futura në këtë shfaqje të kërcimit folklorik tradicional  shqiptar , ishte një mënyrë shumë e mirë  për të mësuar  se cilat janë këngët shqiptare, vallet shqiptare, kostumet shqiptare   dhe trevat shqiptare. Kjo ishte edhe një risi e kësaj shfaqje  e cila  shpresoj se do të zgjojë interesim  po kaq të madh edhe në qytete të tjera.  Dhe vërtet, është e pabesueshme mjeshtëria me të cilën aktorët e Tiranës atë mbrëmje   i dhanë jetë kësaj shfaqje,  duke u futur  në depërtimin e imagjinatës dhe vëmendjes së fëmijëve parashkollorë e të nivelit fillor.

Prurjet e këtilla skenike në Ulqin janë shumë të rëndësishme, të dobishme dhe të domosdoshme, nëse dëshirojmë që brezin e ri ta edukojmë në një frymë të re artistike. Sepse pikërisht kukullat e kanë magjinë e vet që ta  krijon në momentin që ti e shikon   apo në momentin kur ti e prekë dhe behet më e  prekshme dhe më e gjallë.  Magjia e teatrit  u jep mundësi fëmijëve që për një çast të largohen  nga ekrani i televizorit, telefonit, tablatet  dhe të shkëputen nga interneti. T’i shohin kukullat drejtpërdrejt ( live)   në skenë. T’i prekin  ato. Të kënaqen  me personazhet  dhe t’i shijojnë nga afër.

Thuhet se teatri me kukulla  ka lindur që në prehistori kur njerëzit e shpellave arritën të vërenin një fenomen që i mahniti dhe i bëri kureshtarë; atë të shfaqjes së hijeve në mure. Kështu filluan të krijonin forma të ndryshme me anë të duarve dhe lindën në këtë mënyrë shfaqjet e para me kukulla. Kukullat janë pjesë e historisë dhe jetës sonë të përditshme. Në forma të ndryshme ato arrijnë të joshin mosha të ndryshme, ndërkohë që përfaqësojnë zakone dhe tradita të vlefshme e edukative. Janë zbavitëse dhe magjepsëse. Fëmijët arrijnë të besojnë dhe po ashtu të gjejnë veten te kukullat. Ata arrijnë të futen dhe të eksplorojnë një botë kreative që kukullat i krijojnë.

Rëndësia e shfaqjeve të këtilla konsiston edhe në faktin se   edukimi  i fëmijëve përmes  teatrit të kukullave u mundëson atyre të marrin  porosinë shumë më direkt se sa përmes televizorit. Prandaj  pa tjketër dhe pa hezitim  duhet   mbështetur   nismëtarët e këtij bashkëpunimit të parë  premtues  mes Teatrit të Kukullave nga Tirana dhe Qendrës Kulturore të Ulqinit . Kjo rrugë   e filluar bashkëpunimi hap shtigje  që në të ardhmen të sjellin në Ulqin edhe shfaqje të tjera të bukura me kukulla.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora