Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vladimir Muça: Vetmia e të papunit

| E enjte, 21.03.2019, 08:00 PM |


Vetmia e të papunit

Nga Vladimir Muça

Ai erdhi nën hijen e pishës  me një buzëqeshje gjithë shend e verë, pak si patetike.

Papritur filloi të na filozofojë mbi llojet e njerëzve. Ata njerëz që i mbante si vijat e fatit në pëllëmbë të dorës e që përdita i ujonte me parfumin e fjalëve me lloj lloj aromash, me atë simpatinë e vet të luledredhës.

Këta “shokë” i mbante si sfungjerë të lagësht, si të padenjë për peshën e mendimeve që i kishte zënë vend në trurin e tij, si ai indi patogen i cili që në lakmuesin e parë vetveten e shumon pambarimisht.

Pasi pi teken e ditës, nëpër mërmërima, shpirti i zhduket nga rrethorja e miqve dhe, si në një gjysmë errësirë, i bashkohet një shtrëngate të zezë mendimi. Në dukje, zhytur në kolltuk

mbetet vetëm trupi, si një trung i tharë lisi.

Mëndja i fluturon duke lënë pas shpine, mbi gotën e zbrazur të rakisë, buzëqeshjen e shtirur me thirrmën e një kënge, që vetëm ai e ka mësuar përmendsh e tani, nga të çirrurat, ka marrë ca nota të rrekëshme si në ulërimë.

Në rrethoren nën pishë, papritmas, çdo gjë kaplohet nga një heshtje si në Bjeshkët e Namuna, kur ariu i uritur ka trazuar një koshere bletësh në një lis të çarë e djegur nga rrufeja. Zhuzhurima bletare e turfullima e ariut rrëshqet nëpër hojet e mjaltit bashkë me qindra bletë të pajeta si nëpër pezhishka.

Në këtë vetmi papunësie, vagëlluar në paretet boshe të një gote rakie, njeruci humb dhe dashurinë për njeri tjetrin. Kur humb dashurinë, këtë forcë të natyrës njerëzore, ke humbur dhe mundësinë që të shembësh çdo mur që mund të të ngrejë bota rreth teje.

Tek gëlltit pikat e fundit të maskës të një lumturie, i perëndojnë sytë e nuk sheh se në fundin e boshatisur fshihet dhembja si ai xhindi në llampën e Aladinit.

Papritur njeriu i vërtetë zhduket. Ne, shokët e tij, thërrasim  rrugëve të qytetit, mejhaneve, trakullojmë portat e shtëpive. Shqetësojmë veten tonë, komshinjtë thonë se, ku ka humbur ky njeri i “mirë”.

Në kërkimin tonë “ perpetum mobile” rrotullohet dhe toka, me atë mënyrën e vet ciklike, rreth boshtit të saj. Ne si çdo ditë bashkohemi rrethorë në ciklikën tonë të përditshmërisë duke gjetur ngushëllimin në qindarkat e pensionit. E kur xhepat  i kemi të shpuar, i mbushim gotat me kënaqësinë e syve, të buzëqeshjeve e shpesh herë me verën e vargjeve poetike që rrjedh si ujëvarë.

I papuni, ngushtaz vështron gotën e boshatisur; dehet me vetveten, tymos duhanin e mendja i fluturon tutje duke tingëlluar, si ajo trakullorja e gurit të mullirit, godet mërzitshëm mbi suprinën e tavolinës djegur nga fundbishti i cigares.

Në ato çaste seç m’u kujtuan maskat, që bëhen për të ruajtur lavdinë e çastit në kohën, kur shpirti merr rrugëtimin për një botë tjetër. Pas heqjes së maskës harrojmë se  fytyra  e  mehitit  është po ajo, e tkurrur nga largimi i shpirtit.

Si për të zgjuar përgjumjen e mendimeve, kur dy akrepat janë puthur në numurin dymbëdhjetë, e myezini thirmoi majë minaresë mesditën, të papunit iu rikujtua mejhana e Remziut, ku tymi rrotullohej me shkapërderdhje në bishta cigaresh pambarim, vera gjerbet në ligshe shpirti, dhëmbët bluajnë  hera herës vetë veten nën flakërima flamujsh të njëqind e njëzet partive, ku shpirtrat me shikimet në tym theqafen  humbellave në mjerim.

Në tavolinën e rrumbullakët, si ai tymi i llullës në gjyqin e Pavël Korçaginit, po humbet dhe identiteti i vërtetë i njeriut, po humbet guximi dhe këmbëngulja për të çarë në shtigje të pashkelura.

Njeriu jeton çdo çast lumturinë për të nxjerrë jashtë vetes margaritarët, që ka brenda qenies së tij.

E liria, eh liria, si mundësia për të matur dimensionet universale të botës që na rrethon, na erdhi tani. Zotësia jonë është të mos humbim shansin e shfrytëzimit.

Por, këtë të vërtetë, ne po e mbysim në humbellat e gotave të rakisë, bisedave koti harruam çka na kanë thënë prindërit tanë se: “ E vërteta e sjell njeriun në vete, kurse gënjeshtra, mashtrimi përditor, që po jetojmë, e bën çnjerëzor.’’