Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristjan Dukaj: 'Malësia na bashkon' – gati dyfishoi votat

| E diele, 17.03.2019, 02:35 PM |


“Malësia na bashkon” – gati dyfishoi votat

Shkruan mr. Kristjan DUKAJ, politolog

Rezultatet e zgjedhjet  vendore në Komunën e Tuzit, të mbajtura më 3 mars, tashmë janë publikuar edhe zyrtarisht nga  Komisioni zgjedhor komunal dhe dihet përfundimisht përbërja e Kuvendit të ardhshëm, për herë të parë, të komunës së plotë të Tuzit. Edhe pse fillimisht u kërkua rinumërimi i votave në të gjitha 30 vendvotimet në territorin e komunës, kjo nuk ndryshoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të komunikuar më parë nga shtabet zgjedhore të  subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje. Zgjedhësit  deklaruan vullnetin e vet përmes votës së lirë duke mbështetur Koalicionin “Forumi Shqiptar” , i cili fitoi bindshëm numrin më të madh të mandateve në përbërjen e re të Kuvendit vendor.  Paraqitur përmes shifrave,  nga 11.904 votues të regjistruar me të drejtë vote, në zgjedhjet e 3 marsit, në vendvotime dolën 7.825, ose 65.7% nga trupi i përgjithshëm zgjedhor. Krahasuar me numrin e  atyre që kanë votuar ( 7.011) në zgjedhjet lokale të vitit 2017, në këto zgjedhje dolën në vendvotime   814 votues më tepër, kështu që  në të gjitha vendvotimet në territorin e Komunës, u shënua rritje e atyre që kryen obligimin qytetar për të votuar njërën nga listat zgjedhore.

Në bazë të rezultateve të arritura, numrin më të madh të votave e fitoi Koalicioni “Forumi Shqiptar”, respektivisht 3.682.tepër. Krahasuar me zgjedhjet vendore në vitin 2017, në të cilat të tri subjektet nacionale në përbërje të koalicionit  shqiptar aktual, atëherë veçmas, kishin fituar  2.345 vota, respektivisht 1.337 vota më pak. Ndërkohë, Partia Boshnjake, po ashtu, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, kësaj radhe shënoi rritje të dukshme të votave duke fituar 4 mandate këshilltarësh. PDS, shënoi rënien më të madhe të numrit të votave pasi nga 14 këshilltarët në përbërjen e kaluar të Kuvendit, kësaj radhe, fitoi 10 mandate.

Demokratët, po ashtu shënuan rënie me një mandat të fituar, nga dy mandate që kishte më parë, kurse Socialdemokratët, edhe pse  shënuan rritje të ndjeshme të votave, fituan një mandat sikur në përbërjen e kaluar të Kuvendit. PSP, nuk arriti të fitoj numër të mjaftuar të votave për tu përfaqësuar në Kuvendin e Komunës. Dhjetë vendvotimet me numrin më të madh të atyre që votuan (2,185) në vitin 2017; Tuz, Dinoshë, Sukruq, Milesh, Nënhelm, Vuksanlekaj, Vrane - Vllanë, Triesh, Skorraq, Drume, në zgjedhjet e 3 marsit 2019,  shënuan rritjen më të madhe krahasuar me zgjedhjet paraprake, respektivisht 3.401 votues. Përveç ardhjes së një numri të konsideruar të bashkëvendësve tonë nga mërgimi me të drejtë vote, dalja e përbashkët në zgjedhje e tri subjekteve nacionale shqiptare, ka kontribuar më së shumti në rritjen e numrit të votuesve për listën zgjedhore “Malësia na bashkon”.

Më në fund, pas kërkesave të shumta të elektoratit të këtushëm shqiptar për unifikimin e spektrit politik nacional, opinione dhe shkrime të panumërta, madje edhe nga autori i këtyre rreshtave ( “Bashkë drejtë arritjeve të caktuara”, libri “ Dora e parë”, fq.67), u dëshmua se ky është opsioni  fitues në variantin ekzistues. S’do mend se edhe zgjedhjet e fundit, do të analizohen nga opinionist dhe protagonist të shumtë në veprimtarinë politike por, gjithsesi, mbetet e shënuar se apeli njëzëri i opinionit mbarë shqiptar, ka ndikuar në sensibilizimin e elektoratit vendas për një fitore bindëse në zgjedhjet e para vendore në komunën e plotë të Tuzit.

Njëkohësisht, duke filluar nga komisioni komunal i zgjedhjeve dhe vetë subjektet pjesëmarrëse, është vlerësuar se i gjithë procesi zgjedhor është realizuar në atmosferë mjaft demokratike të cilës, me siguri i ka kontribuar fushata mjaft e qetë, ndoshta si asnjëherë më parë.

Urojmë që ngjashëm të vazhdojë edhe konstituimi i shumicës parlamentare, me formimin e një pushteti vendor të përgjegjshëm, transparent dhe me përkushtimin maksimal në të mirë të gjithë qytetarëve të Tuzit dhe të mbarë Malësisë.