Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Vangjush Ziko - Përsiatje

| E shtune, 16.03.2019, 12:12 PM |


VANGJUSH ZIKO DHE LIBRI I TIJ “PËRSIATJE”

Nga Vangjush Saro

Libri më i ri i shkrimtarit Vangjush Ziko, i titulluar “Përsiatje”, është një përmbledhje me studime, ese dhe analiza letrare; poeti dhe përkthyesi i njohur qaset këtë herë në fushë të letrave me ‘armët’ e estetit dhe kritikut letrar. Padyshim, shënimet janë shkruar në vite të ndryshme, kanë edhe ato kurbën e tyre të drejtuar kah zhvillimet më të spikatura (e të kohës) në teori dhe në prurje letrare. Siç thuhet edhe në spotin përcjellës, ky libër “përmbledh procesin e njohjes njohjes dhe të menduarit, të përqëndrimit dhe angazhimit për vlerësimin e një përvoje komplekse krijuese dhe estetike botërore, të një tradite të vyer dhe aq të rëndësishme për formimin shpirtëror dhe krijues…”

Filloj ta shfletoj përmbledhjen - edhe pse një pjesë të madhe të shkrimeve kam pasur kënaqësinë t’i lexoj edhe më parë - duke menduar për korpusin e veprës së këtij shkrimtari të palodhur: Poezi. Drama. Skenare. Monografi. Përkthime. Nuk mund të mungonte në këtë ‘bibliotekë’ një libër me përsiatje për letërsinë dhe artin, me mendime për letërsinë dhe vrojtime estetike.

Në vështrimin tim, sot, shënimi letrar është një detyrë dhe angazhim i pashmangshëm për çdo shkrimtar me një karrierë të gjatë e bindëse në letrat shqip, për çdo autor që di të kuptojë zhvillimet në këtë lëmë, si dhe të vlerësojë krijimtarinë si e tillë e në rrethana të caktuara, po ashtu kolegë të veçantë; për më shumë, në kushtet kur ne kemi rezervat tona për kritikën letrare dhe për një sërë institucione që ose heshtin ose veprojnë duke u anuar.

Vangjush Ziko, një emër i spikatur i letrave shqip dhe i kulturës shqiptare në tërësi - këtu kam parasysh në mënyrë të veçantë kontributin si përkthyes - nuk ndalet në rrugën e krijimtarisë dhe të meditimit letrar e njerëzor; ai është një qenie e frymëzuar dhe me shpirt të gjerë, është një klasik që me prurjet dhe leksionet e tij mund të flasë pambarim për të njohurat dhe të panjohurat e kësaj disipline, gjithnjë duke i dhënë vendin e duhur mendimit dhe metaforës. Madje, në vjershat e tij më të fundit, prirjet për ta lartësuar edhe më ‘kështjellën’ e vet poetike, janë të dukshme. Ato janë analizuar e vlerësuar edhe nga krijues e dashamirës të tij; (kemi parë veças shënime të shkurtëra, por në një dritë të plotë, nga shkrimtari dhe esteti Vasil Vasili).

Përmbledhja me titull “Përsiatje” fillon me kërkime dhe vlerësime në kohëra, përmes qasjes në legjenda e mite, qëndron në themelimin e ‘qytetit të autorit’, flet për serenatat dhe humorin, për këngët karakteristike, etj. Protagonistë të përsiatjeve të autorit janë disa nga emrat më të njohur të letërsisë së huaj, kryesisht rusë: Pushkini, Tolstoi, Dostojevski, Esenini, Majakovski, Brodski, Jevtushenko, por nuk mungojnë edhe shkrimet për autorë të tjerë, si ai për shkrimtarin francez Mishel Houllebek.

Ishte e natyrshme që në këto shënime të zinte një vend të posaçëm lirika ruse, nga e cila, krahas I. Kadaresë, D. Agollit, J. Bllacit, L. Priftit, etj.,  Vangjush Ziko ka sjellë në shqip autorët më të njohur. Poeti shkon thellë në kohë, duke kujtuar mite e legjenda, si ajo për Pegasin mitologjik, për të ardhur në jetën moderne, ku termat pak kanë ndryshuar. (“Ky pegas e çoi poezinë ruse në të gjithë botën, e bëri atë të njohur dhe të dashur.”)

Një pjesë e shënimeve fokusohen në brendësinë e kulturës shqiptare, që nga qasja në tradita të caktuara, te klasikët e letërsisë sonë: Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Fan Noli. Tek ky i fundit, autori ndalet posaçërisht në shqipërimet; për më shumë, afrohet ‘për një studim ma preçiz’, siç do të thoshte Migjeni, në vjershën “Dashuria e fundit” e F. I. Tjutçev. Sterjo Spase dhe shprehja e modernizmit te hershëm në letersinë shqiptare, trajtohen gjithashtu me mjaft interes përmes një vështrimi sintetik mbi romanin “Pse?”

Vangjush Ziko është nga ata autorë që kanë vullnetin dhe dashamirësinë të shprehen edhe për kolegët e tyre, sidomos për më të rinjtë, duke filluar nga poetët Skënder Rusi, Kostaq Duka e Luljeta Lleshanaku. Por ndalet edhe te Fatime Kulli e Rajmonda Moisiu, në krijimet e fabulistit Ali Bregu; ka folur gjithashtu për Agim Bacellin e Alfred Papuçiun, por edhe për  krijues të rinj, si poetesha Aida Bode.

Një vend të veçantë në përmbledhjen “Përsiatje” zënë shënimet për shkrimtarin Moikom Zeqo, të cilat sjellin në fokus sa poezinë, aq edhe çështje të individualitetit artistik të këtij emri të njohur në fushën e letrave dhe të dijes. Moikom Zeqo ‘vizatohet’ në disa shënime, nga disa pika vështrimi, duke i dhënë publikut të gjerë, plot respect, një nga portretet më të afërta për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Në këtë libër, me interes janë gjithashtu edhe disa nga shënimet me karakter ngushtësisht estetik, ku vështirë të ndahet përshtypja apo vëzhgimi artistik nga leksioni e, megjithatë, çka bën më shumë dritë në to, është përvoja e gjatë dhe bindëse e shkrimtarit. (“Shumëllojshmëria e fjalës artistike”, “Mbi gjuhën poetike dhe perspektivën e saj”, “Dy fjalë mbi postmodernizmin dhe poetikën e tij”, etj.)

Duhet nënvizuar se krahas referimeve në autorë të njohur të letrave dhe estetikës, nëpër faqe formulohen ide dhe thënie interesante edhe nga vetë autori i librit e ku do të veçonim mdonjë nga ato që flasin për poezinë. (“Poezia, konkludon Vangjush Ziko, është tharmi i ndjenjës dhe mendimit; ajo është, mbi të gjitha, cilësi dhe një cilësi delikate.”)

Vizioni i shkrimtarit për fjalën është kaq i qartë; manierat dhe stërhollimet janë e fundmja gjë që ai mund të tentonte duke shkruar a duke kuvenduar për letërsinë. Ashtu si e gjithë krijimtaria e tij, edhe shënimet letrare, krahas vërtetësisë dhe sinqeritetit, karakterizohen nga një përgjegjshmëri profesionale, saktësi në përdorimin e termave e, para së gjithash, nga thjeshtësia, që është një nga dimensionet më të dukshme dhe më të vlerta të veprës së këtij autori. (Përtej modestisë, mund të them se ndjehem i vlerësuar që ndër shkrimet e kësaj përmbledhjeje janë edhe disa shënime për krijimtarinë time; (përkatësisht për fabulat, si dhe për romanet “Kurora e Ballkanit” e “Misioni”). Këto qasje do të ishin kënaqësi dhe nder për çdo autor.)

Ky libër i rëndësishëm për kulturën tonë të shënimit letrar dhe të esesë, por edhe për krijimtarinë e Zikos në veçanti, kjo ‘pemë’, që (tani po u shtoj fjalëve të mira edhe ndonjë sugjerim) mbase mund të shkonte te lexuesi ‘më e krasitur’ nga ndonjë përsëritje, është një vlerë e shtuar në ‘kopështin’ tonë të fjalës. “Përsiatje” vjen si një ndihmesë serioze në atë pak kritikë letrare dhe mendim estetik që ne kemi trashëguar apo që është në zhvillim e sipër.

Ndërkaq, është kënaqësi për autorin e këtyre radhëve, që përmes këtij shënimi të plotësojë studimin relativisht të gjatë me titull “Vangjush Ziko, figurë e rëndësishme e letërsisë dhe kulturës shqiptare”, botuar fillimisht në revistën ‘Illz’ e më pas edhe në portalin Flasshqip.ca, etj. “Përsiatje” është më në fund një libër që mund t’i mësojë më shumë çdo krijuesi: për teorinë dhe prurjet letrare në kohëra; për poezinë ku dëshirat janë të papërmbajtshme, por përpjekjet spontane; për domosdoshmërinë e qasjes te shënimi letrar për shkaqe që i cekëm më lart, etj. Vangjush Ziko vjen edhe njëherë te lexuesi me përvojën e madhe, dijet e thella, mësimet e vyera e, ndërkaq, edhe me modelin e tij si njeri e shkrimtar fisnik, tashmë veti të njohura këto për publikun e gjerë.