E premte, 19.04.2024, 10:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Bollëk boshllëqesh

E enjte, 14.03.2019, 09:11 PM


Bollëk boshllëqesh

Nga Blerim Rrecaj

Ditët rrjedhin si prroje shkumëbardha bjeshkësh gjigande, rrjedhin si lumenj të pashterrshëm dimër e verë. Që na gjejnë këtu, e aty, në botë-shtëpinë tonë. Me shpresa e ankesa made in Kosova. Qysh po ia kalon? Shqiptarçe, qe besa. Ç'i bësh, kur po është e pamundur me jetu, thjeshtësisht e shkurt e shqip, pa bishta para e prapa shtesash, e qysh po lyp, pa kompleksitete marramendëse. Qyshdoqoftë, vazhdo mbasi ja nise, një zë brendësie sikur të thotë. Dilemë e radhës, të vazhdosh a të ndalesh. Uh!..E dita rrjedh...Kalojmë ca radhë a lexojmë diç mes rreshtash. Punë e jona. Edhe ngarendje poshtë e përpjetë. Përsëri punë e jona. Zë vend e ulem, në një qoshk verande. Pasdite mjaft e vonë. Freskët e ftohtë. Qiell pa asnjë njollë reje. Kaltërsi e njëtrajtshme. Vetëm hëna lart në mes si një plis i lënë anash. Një të shkurtë, dhe nënkuptohet se fjala është për espresso, i thua shkurt kamarierit, duke bërë me gjeste gishtash. Dhe jepja një përshkrimi çastesh nga kjo që ta ofron rrethimi. Nga druri që është larg katër pesë hapa e në kufi ku përfundon e fillon hapësira tjetër, trumcakët vijnë e shkojnë nëpër dysheme dhe mbi mbulesën çati të verandës. Përreth ambienti me udhë të shtruara e me copa gjelbërimi me bredha e fidane të zhveshura, nja tri biçikleta lyer me të bardhë, një rosë betoni, dy mjellma të punuara nga goma veturash, njëra e bardhë, tjetra e zezë, një plug, një qerre katër rrotëshe, ulëse, tavolina, fëmijë, prindër, kalimtarë, lule dhe cicërima. Tinguj të muzikës jokomerciale. Nganjëherë këtu po rrijnë dhe fytyra aktorësh, që kemi parë në ndonjë serial a projekt filmik vendorë. A bën pagesën se tash e bëj ndërrimin, të thotë kamarieri. Po, ma bjen edhe një, tash të gjatë, i thua. Shkruan këto që shkruan, ndërkohë dhe sheh paksa vëngër shenjën e kuqe të baterisë në telefon. Trumcakëve që hanë thërmija buke u bashkohen dhe disa pëllumba, dreka e përbashkët tash duket më e këndshme. Rrezet e diellit zbehen, kjo vërehet mbi sipërfaqene dyshemenë e tokës, e mbi faqe ballore shumëkatëshesh. Edhe qielli ndërron fytyrë, seç u shtrinë këto re dhe mbuluan këtë hapësirë katërkëndëshe si çarçaf ngjyrë të bardhë paksa e tejdukshme akuareli. Dhe çohu ec. Mbledh gjërat tua, dhe bëj vetë-pyetjen: A harrova diçka. Ngrihu me ca mendime të ngatërruara që të shtyejnë drejt rrugësh të papërcaktuara. Bie muzgu si pelerinë e hirtë kleriku. Nata vije me fenerë të ndezur. Më vonë drejt një kafeneve, me një emër antik, për të parë se ç'po ngjet në natën e dytë të ligës së kampionëve. Me fjalë e fore, buzëqeshje, dremitje e hapje gojësh e gati mbyllje sysh dhe e shtyejmë diqysh. Shikojmë e flasim si analistë zori por pa harruar të përmendim se kemi harruar kur kemi qenë në stadium a ndonjë sallë sporti. Për arkitekturën e infrastrukturën primitive të vendit tonë. Kemi harruar se edhe kur kemi luajtur, qoftë për relalaks a për qejf. Ne që bisedojmë, as në salla të mbyllura s'po shkojmë, as s'po vrapojmë, as s'po merremi me fitnes. Ngelja në vend e vendit tonë, po na mbush me vrer. Ndahemi e shpërndahemi me ndjenja të tilla, të përziera me dy kacia zall e një cement. Strehëzat presin rikthimet. Shtretërit gjumin. Dhe mëngjeset zgjimet. Largojmë perdet, si një fëmijë që tërheqim për veshi, dhe shohim skllotën që po resh. Dhe përsëri dikur në rrugë, hapat nëpër trotuar shkelin nëpër pika vajrash të shndrruar në harta ylberësh, diku më tej dhe një ylber që në lloç ka mbetë. E pikin dhe strehë pishash e bredhash. Trumcakët e pëllumbat, këta tipa shpezësh që na bie të ndeshemi me ta më shpesh, e që edhe pse s'u duhen viza, ju lumtë që s'po largohen prej atdheut tonë të përbashkët, po enden hapësirave të hirta të qiellit a hapësirave të hirta të asfaltuara, e hapësirave barblerta e gjelbëroshe të ngushta, po edhe ulëseve e tavolinave bojëkafta publike, të lagura. Përsëri humbet sysh hirtësia, kthehet fytyrë e kaltër qielli më të bardhat re dhe me të shndritshmin diell. Qielli përsëri ndërron ftyrë, pas një intervali të shkurtër kohor, përzihen retë e bardha me ato të vrugëta e ato të zeza, dielli hy e del nëpër to, si nëpër kopshtije të babës. Loja vazhdon mes kthjelltësisë e vranësisë me erën si gjyqtare në mes. Dhe ne spektatorë. Koha le të ndryshojë sa të dojë. Edhe loja. Edhe ne mund të themi çfarë të duam. E çdo gjë sikur duket e tepërt. Përsërisim refrenin, duke na shkuar gjuha aty ku na dhemb më shumë: Kemi etje e uri për shumë më shumë liri e dashuri...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora