Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Qielli e toka na dëbuan, hyjtë u ngritën kundër nesh

| E merkure, 13.03.2019, 08:36 PM |


Qielli e toka na dëbuan, hyjtë u ngritën kundër nesh

Nga Gani Mehmetaj

Ende pa e nisur mobilizimin e organizimin e ri, garnizonin tonë e çrregulloi kumti:

- Mizëri njerëzish lëviznin me shpejtësi drejt kufirit, - na tha kalorësi që arriti pa frymë.

Informatorët tanë nuk na e dhanë më parë asnjë të dhënë për ndonjë ushtri që mësynte kufijtë.

- Na zunë në befasi, -i thashë Glaukut.

-Mbase është ndonjë keqkuptim,- ma ktheu ai, - s'ka mundësi të niset një ushtri pa e marrë vesh askush më parë.

Me një pjesë të korpusit të dytë të kalorësisë u nisëm me vrap, gjithnjë duke shpresuar ta ngadalësonim depërtimin e tyre, derisa të përgatiteshin ushtarë të tjerë. Ishim të vetëdijshëm se nëse ishin ushtarë të rregullt, të këmbësorisë a të kalorësisë, qe e pamundur t'i ndalonim. Kur iu afruam, ajo që pamë na hutoi. Turmat e para i ndeshëm pak pasi e kaluan kreshtën malore. Të frikësuar e të çorientuar, dukeshin si të përhënët.

-Ndal! Ku shkoni?, - u thashë me rreptësi, - pa qenë i vetëdijshëm se çfarë do të bënim sikur të mos ndaleshin.

-Mëshirë, njerëz të mirë, mëshirë për të pafatët, -m’u drejtua ai që u printe.

Për një çast m’u duk si Moisiu që i printe turmës së popullit të Izraelit nëpër shkretëtirë.

-Nga kush ikni?

-Nga djajtë, - m’u përgjigj dikush prej turmës së shushatur, pasi ua zura rrugën.

Prapë nuk kuptoja asgjë, para kalorësisë sonë rrinin mijëra të ikur.

-A s' më tregon dikush si është puna, - u thashë në mënyrë të prerë, - ose u ktheva mbrapshtë.

Moisiu i fantaksur më doli përpara:

- Mëshirë, kalorës fisnik, -m’u përgjërua ai.

-Nga halli ikëm. Nuk vijmë me qëllime të mbrapshta. Jemi mijëra gojë që duam bukë e ujë.

Shihja një turmë të pafund, të mjerë e të uritur, të frikësuar deri në palcë. Por nuk kuptoja asgjë. Nga kush iknin dhe pse iknin? Prandaj e luta të qetësohej, i urdhërova të tjerët të heshtnin, sepse nisën të flasin shumë zëra, secili me fatkeqësinë e vet, ndërsa fëmijët qanin pa pra.

-Qielli e toka na dëbuan, hyjtë u ngritën kundër nesh. Qielli u errësua, rrufetë shkreptinin, - nisi rrëfimin i pari i turmës së shtegtarëve që kishin marrë botën në sy.

-Mijëra burra e gra i përpiu dheu, lumenjtë dolën nga shtrati, bretkosat binin nga qielli, peshqit pllaquriteshin në rrugë e oborre, minjtë vraponin pas fëmijëve si të qenë zagarë.

Moisiu me mjekër të gjatë e shtatthatim ua ngjalli pamjet e lemerishme, kështu që turma filloi të shqetësohej, të bëhej e rrëmujshme, secili donte të tregonte fatkeqësinë e vet, dikush vajtonte, njëri fliste për djalin që ia zuri guri i madh, tjetri për vajzën e vdekur nga trau që e goditi në kokë. Turma shqetësohej, sepse me rrëfimet individuale e grupi rikujtonin tragjedinë e tyre, ndërsa kjo i acaronte sa s'ka ku shkonte më shumë.

Enji, perëndia e rrufesë, ishte zemëruar në ta, më përftoi një mendim në kokë. Por prapë nuk e dija se ku e kam dëgjuar këtë rrëfim, që fliste po ashtu për perëndinë e rrufesë.

- Se ku e kisha lexuar kronikën e bretkosave që binin nga qielli e minjve që vraponin pas fëmijëve , se ç' më zgjonte dyshim rrëfimi i shtegtarëve të tronditur, - i thash Glaukut që rrinte me mua në krye të kalorësve duke i dëgjuar të ikurit.

-Mbase kanë ndodhur edhe më parë fatkeqësi të tilla, - tha ai.

-E gjeta - i thashë sikur doja të imitoja Arkimedin, kur e zbuloi ligjin e dendësisë.

- Çka gjete?-më pyeti Glauku i çoroditur nga sjellja ime.

- Bretkosat e minjtë binin nga qielli, shkruante shkrimtari antik shumë vjet më parë për fatkeqësinë që u kishte rënë mbi kokë dardanëve në luginën e Axiosit. Thua që kobi përsëritej në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtin vend?

Flisja me zë të ulët sikur të flisja me veten.

-Mund të jetë ashtu,- më tha Glauku.

Pak kohë më vonë rrëfimi i të parit të të ikurve u dëshmua. Lajmëtari na tha se prapa qafës së malit vala e dytë e të ikurve e rrëfente të njëjtin tmerr.

Avarët a grupe të vogla pararojë qenë dukur në kufirin lindor të Dardanisë, por ikën po me atë shpejtësi. Këtë e mori vesh lajmëtari nga garnizoni i Skupit që i kishte shpëtuar tërmetit e stuhisë qiellore. Rrinin e prisnin ushtarët e kështjellës pa e ditur kujt t'i frikësoheshin më shumë: avarëve që të përzier me sorbianë e bullgarë shkretonin më keq se karkalecat në vendet ku dielli përcëllonte, apo tërmetit që sipas tyre përpinte qytete.

Rrëfimet e valës së dytë të shtegtarëve u shtoheshin bretkosat që kuaknin natën e ditën, gjumë në sy nuk fusje nga to, tregonin të ikurit. Thatësira me tokën e çarë në dysh si gojë përbindëshi i tmerronte njerëzit.

Glauku me kalorësit e tjerë shihnin të mpirë, ushtarët kufitarë jepnin e merrnim me të ikurit.

-Edhe kjo na duhej,- pëshpëriti më në fund Glauku.

Shtegtarët e dëshpëruar nuk kërkonin shumë: pak ushqime, ujë, sepse në mbretërinë e tyre uji u ndot. Atyre duhej dhënë strehim e përkujdesje, por duhej veçuar nga popullata vendëse, sepse turmat sillnin sëmundje ngjitëse, krijonin çrregullime. Ende pa e marrë vendimin nga Perserendi, ua hapa rrugën, i shoqërova tutje në vendin ku do t'i vendosnim për një kohë.

Fragment nga romani: "Kalorësit e Dardanisë"