E merkure, 20.11.2019, 03:32 PM (GMT)

Personalitete

Shyqyri Fejzo: Kapllan Xhangolli, biri i Shënepremtes

E marte, 12.03.2019, 07:00 PM


E kemi fjalën për Kapllan Xhangollin birin e Shënepremtes

Nga Shyqyri Fejzo

Kapllan Xhangolli u lind në Shënepremte më 7 Dhjetor 1944 në një familje puntore dhe patriote. Gjyshi i tij, Hysen Xhangolli rininë e tij e kaloi në kurbet, në fushat e fabrikën e duhanit në Selanik të Greqisë. Kapllani ishte fëmija i parë i familjes së madhe Xhangolli  dhe si i tillë u prit me gëzim të madh dhe u rrethua me shumë përkujdesje. Shkollën fillore dhe 7 vjecare i kreu në fshatin e tij në shkollën “Tahir Sadiku”. Më pas i del drejta e stdimit në shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan. Dy vitet e para i kreu në këtë shkollë, kurse dy vitet e fundit i kryen në Korcë. Në vitin 1964, kur kishte mbaruar të mesmen, emrohet mësues në fshatin Kotkë të Tomorricës. Më pas emrohet mësues në fshatin e tij të lindjes, Shënepremte. Gjatë kësaj kohet aktivizohet fuqishëm në problemet shoqërore, duke u zgjedhur sekretar i Komitetit të Rinisë fshatit, anëtar i pleniumit të Bashkimeve Profesionale të Rrethit, anëtar i këshillit të rrethit. Punon me përkushtim e vendosmëri dhe arrin rezultate të larta në forumet që drejtonte. Në Kongresin e pestë të BRPSH, zgjidhet anëtar i pleniumit të K.Q.B.R.P.SH. Në Janar të vitit 1968 thirret për të kryer shërbimin ushtarak dhe dërgohet në Brigadën e Tretë të Këmbësorisë Ersekë. Mbasi kreu një vit shërbimin ushtarak dërgohet për të kryer Shkollën e Bashkuar Tiranë. Në viitin 1970 titullohet oficer dhe emrohet sekretar i Komitetit të Rinisë së Brigadës së Tretë  të Këmbësorisë në Ersekë. Tashmë është pranuar në parti si dhe ka krijuar familjen e vet. Partnerja e tij e jetës u bë Shpresa Haki Sheme. Në vitin 1972 dërgohet për studime në shkollën e Lartë të Oficerëve Tiranë. Shkollën e përfundoi me rezultate të larta. Në ceremoninë e diplomimit, ku morën pjesë titullarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes në emër të të diplomuarve përshëndeti studenti më i mirë i kursit, Kapllan Xhangolli. Ai tashmë ishte i kompletuar si një oficer e kuadër elite e i aftë i ushtrisë. Pas mbarimit të shkollës, emrohet sekretar i komitetit të rinisë të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve Tiranë, ku punoi një vit e më pas emrohet në Shkollën e Bashkuar Tiranë, instruktor (pedagog taktike). Në vitin 1975 transferohet në rrethin e Kolonjës për ndryshimet në biografi.(dënohet vjerri i tij me akuzën e sabotimit në ekonomi.).Për Kapllanin këto janë momentet më  të vështira të jetës.

Nga strukturat e partisë dhe të komandës i u kërkua që të divorcohet nga e shoqja. Ky ishte një akt jo i lehtë, aq më tepër që Kapllani nuk ishte i bindur që familja e tij të shkatërrohej nga dënimi që po vuante i vjehrri, Haki Sheme. Pasi e mendoi dhe e gjykoi gjatë e me gjakftohtësi  këtë problem, Kapllani nuk e ndau të shoqen, Shpresën. Nga ky veprim ai u përjashtua nga partia dhe në vitin 1976 nxiret ne lirim. Kapllani dërgohet të punojë direkt në punë krahu në ndërmarrjen Ujra-Pyje, ndërsa të shoqen, Shpresën e largojnë nga puna si ekonomiste dhe e dërgojnë puntore në ndërmarrjen e grumbullim-përpunimit.

Nga viti 1976 deri në vitin 1983 punon në ndërmarrje të ndryshme të rrethit të Kolonjës në punët nga më të vështirat. Ai, me vullnet të hekurt e vendosmëri stoike përballoi gjithë vështirësitë që i delnin. Nuk mjaftoi me kaq, por shpirtërisht e dërmonin provokimet, inskenimet e survejimet nga organet e diktaturës. Në këto kushte jeta e tij ishte punë-shtëpi, pa shkuar në asnjë ambient shoqëror. I vetmi ngushullim, tregon ai, ishte shkuarja në bibliotekën e qytetit për të marrë libra të ndryshëm artistikë shkencorë e politikë që i lexonte gjatë javës. Por edhe kjo derë mu mbyll” thotë Kapllani.” Një ditë përgjegjësi i bibliotekës më tha:”Na mërzite me këto libra që i merr cdo tre katër ditë. Që tani e tutje nuk do të tërheqësh më libra.” Në vitin 1983 Kapllani emrohet përgjegjës i Bazës Prodhuese të shkollave të mesme të qytetit të Ersekës. Aty ai i vuri gjoksin punës dhe pati mjaft arritje, si nga ana metodike dhe financiare.

Kur erdhën vitet nëndëdhjetë Kapllani aktivizohet në proceset demokratike të kohës. Kolonjarët atë e njihnin për një kohë të gjatë si një njeri të drejtë, të vërtetë, korrekt dhe me një shkallë të lartë kulture e intelegjence.Në qeverinë e stabilitetit në vitet 1991-1992 u zgjodh sekretar i këshillit të qytetit të Ersekës. Këshilli u zgjodh e po vepronte në një situatë komplekse shumë të vështirë. Kishte mungesë ushqimi, strehimi, papunësi e situatë e rëndë e rendit publik. Kolonjarët e Këshilli i qytetit njeh një fakt. Kishin një kontigjent prej 60 hyrjesh për të ndarë qytetarëve, kur nevojat ishin shumë më të mëdha. Kapllani  vetë familjarisht kishte 14 vjet që banonte në një dhomë me komshi me një banjë të përbashkët. Në mbledhjen që u bë për ndarjen e kontigjentit të banesave ai deklaroi:|”Unë në këtë rast tërhiqem nga e drejta për të marrë shtëpi. Ti jepet një qytetari që është më keq se unë.” Ai nuk mori zgjerim.Vazhdoi të banonte në një dhomë.

Në shtator të vitit 1991 rikthehet përsëri si oficer dhe emrohet në brigadën e tretë Ersekë. Në Maj të vitit 1992 emrohet Shef i Komisariatit të Policisë Ersekë me gradën nënkolonel. Kapllani dhe në këtë detyrë të rëndësishme dhe delikate  e tregoi veten si një njeri i drejtë, që merret me problemet themelore me të cilat e përballi koha dhe jo me vogëlsira. Në detyrën e re ai e gjente, kush e survejonte, kush e kallëzonte, kush shkruante për të, i porositur  nga sigurimi, kush e urdhëroi atë përgjegjësin e bibliotekës të gjente cfarë libra lexonte, cfarë shënime mund të kishte lënë  ndonjë faqe libri dhe në fund, të mos i jepte libra. Jo.Ai kurrë nuk e bëri këtë.

Një moment delikat në jetën e tij, ballafaquar me ndodhitë e papritura ishte dhe ngjarja që lidhet me gjetjen e eshtrave të gjyshit tij nga ana e nënës, pas shtatëdhjet vjetëve. Ai u ekzekutua në rrethana të panjohura e të errëta në Dhjetor të vitit 1942. Në momentin e rivarrimit të eshtrave, nga nipat e farë e fisi i tij  u panë dhe shfaqje nervozizmi, urrejtje etj. Kapllani, me një pjekuri dhe ekujlibër të madh, në fjalën e vet qetësoi gjakrat dhe uli tensionet duke thënë se “kanë kaluar 70 vjet. Sot problemin duhet ta gjykojmë me kushtet e sotme, jo me ato të dekadave të mëparëshme” Vërtet Kapllani nuk e divorcoi të shoqen, Shpresën, por ai kishte bërë një divorc të madh social. Ishte divorcuar me hakmarrjen. Hakmarrja mbase për një moment të bën ta ndjesh veten mirë, por vetëm një moment. Falja të bën ta ndjesh mirë veten gjithë jetën.

Gjatë tre viteve që punoi në këtë punë, u përball me ngjarje dhe situate nga më të vështirat, si prishja e sistemit kooperativist, e pronës së përbashkët, ringritja e rendit dhe sigurisë në teritor, lufta kundër keqbërsave që i u turrën ekonomisë përbashkët e private.Kolonjarët dhe efektivi ku udhëhoqi Kapllani kujtojnë mjaft ngjarje të rënda e të padëgjuara ndonjëherë për atë rajon të qetë.Në një rast një efektiv i policisë u plagos rëndë  kur ndiqnin të kapnin një trafikant droge. Kapllani kërkon me këmbëngulje një helicopter të mërrtë efektivin e plagosur për mjekim të kualifikuar në Tiranë. Helikopteri erdhi, por pësoi defect në ngritje. Kapllani ndodhinë e bën problem urgjent në instancat më të larta shtetrore dhe në Ersekë vjen helikopteri i dytë që kreu transportin e efektivit që u mjekua e i shpëtoi vdekjes në spitalin ushtarak. Këto veprime të kujdesëshme të Kapllanit rritin besimin e efektivit e të komunitetit për drejtuesin e tyre.

Gjatë tre viteve në këtë detyrë delikate në Ersekë, ka shumë ngjarje ku Kapllani tregoi aftësitë e tij, pjekurinë e gjakftohtësinë në zgjidhjen e problemeve. Do të veconim një rast. Disa të rinj nga Shënepremtja, vendlindja e Kapllanit, mbasi kishin qënë në pazar në Korçë, ndalojnë në Maliq, ku hedhin disa gota birrë dhe prishin qetësinë publike. Policia i shoqëron në Komisariat.Në orën 01 të natës një nga të rinjtë merr në telefon Kapllanin dhe e njofton se shokët e tij në dhomat e izolimit afër, po i keqtrajton policia. Atëhere Kapllani në orën 02 të natës niset nga Kolonja, merr kontakt me shefin e komisariatit të Korcës  dhe së bashku me të shkojnë në dhomat e shoqërimit ku takon gjithë bashkëfshatarët e tij. Bisedon me ta dhe pas lirimit shkojnë në një lokal ku pinë  nga një kafe dhe i këshillon që raste të tilla nuk na nderojnë.

Në janar të vitit 1995 Kapllani transferohet në Ministrinë e Brendëshme me detyrën e kryetarit të rendit për të gjithë vendin. Kuptohet ngarkesa e tij dhe barra për të ndihmuar e kontrolluar gjithë strukturat e sigurisë e për të cuar përpara punën e rendit e sigurinë në vend. Por në këtë detyrë qëndroi pak muaj. Në Maj 1995 emrohet shef i Komisariatit të Aeroportit Rinas Tiranë. Në këtë periudhë në aeroportin e Rinasit në vëprimtarinë e tij u vunë re mangësi të mëdha. Si rezultat dhe i presionit e këshillat e ndërkombëtarëve, Ministria e Brendëshme  për përmirëimin e gjendjes, dërgoi atje rreth 35 kuadro oficerë që ishin me detyrë në Ministri. Pas tre muajsh kuadrot e tjerë u kthyen andej nga kishin ardhur, ndërsa Kapllan Xhangolli u emrua shef i policisë të këtij aeroporti. Ai qëndroi mbi dy vjet e gjysëm në këtë detyrë, rast i rrallë ky për një drejtues policie në këtë vend pune. Pasi u njoh mirë me gjendjen ai ju fut punës për transformimin komplet të infrastrukturës së aeroportit.Veç bagazhit të njohurive që kishte, shefin e ri e ndihmuan dhe trainimet e kurset që organizonin ndërkombëtarët si në Xhorxhia të ShBA për luften kundër terrorizmit, në Paris në aeroportin Sharl De Gol, në aeroportin e Nisës, në Mynih të Gjermanisë, për trafikimin e qënieve njerzore dhe fallsifikimin e dokumentave, në Milano,Romë, Vienë, Zyrih, Budapest, Athinë, Lubjanë, Madrid etj. Në të gjitha këto kurse e kualifikime Kapllani rriti shkallën e përgatitjes profesionale për të përballuar e menaxhuar situata nga më të ndryshmet. Dhe vërtet koha nuk vonoi. Situata të tilla, nga më të komplikuarat erdhën edhe për Rinasin.

Viti 1997 edhe për aeroportin e Rinasit solli një rrëmujë e një lëngatë të vështirë. Synimi i forcave të errta ishte të shkatërrohej i vetmi arter që lidhte vendin tonë me jashtë. Aty ruheshin e po investohej me asete të mëdha që në një shifër të rrumbullakosur i kalonte 300 milion dollarët. Një mësim i filozofisë thotë se “në lëvizje sendet, fenomenet e njerëzit e tregojnë se cilët janë.” Për analogji për Kapllanin e njerëzit që komandonte  tani kishte ardhur ora të tregonin se cilët ishin. Efektivi i policëve që ishin nën komandën e Kapllanit përbehej nga 130 vetë. Shefi i Policisë së aeroportit e kishte ndjekur me kujdesin më të madh  gjithë situatën. Ja, ku erdhi moment që aeroporti duhej të mbrohej. Kapllani aty bëri një testim konkret dhe origjinal për ssituatën. Organizoi një mikrovotim në formën e një referendum, ku sejcili pa treguar emrin, të shprehej.: “Do qëndroj ndaj çdo situate” ose “nuk do të qëndroj, por do të largohem”. Në përfundim doli se 112 vetë shpreheshin se “do të qëndrojmë” dhe vetëm 18  vetë donin të lrgoheshin. Përfundimisht ata që donin të qëndronin ndaj cdo situate që do krijohej, do ta mbronin dhe me jetën e tyre aeroportin. Të tjerët u larguan. Ata që i jetuan këto orë e ditë të tensionuara kanë cfarë kujtojnë.

Forcat e rregjimentit të aviacionit e braktisën detyrën, duke lënë në mëshirën e fatit avionët, raketat, mijra litra karburant etj. Me këto forca aeroporti kishte dhe plan të përbashkët veprimi në raste emergjence. Focrat e policisë i muarën ne ruajtje këto objekte për të shmangur katastrofat e mëdha. Gjatë muajit Mars 1997 aeroporti civil dhe ushtarak si dhe kantieri i Siemensit që bënte rikonstruksionin e aeroportit, u sulmuan disa herë ku u plagosën nga plumbat dhe tre punonjës policie. Ardhje e ish kryeministrit Bashkim Fino dhe takimi që bëri me punonjësit e policisë, u dha kurajo atyre, që edhe të larguarit të ktheheshin në detyrë dhe të kërkohej ndihma e popullit për çdo të papritur. Në këtë takim, mdisi të tjerave, zoti Fino kërkoi mendim dhe propozoi që Kapllan Xhangollit ti jepej grada kolonel. Në se sot do të lexohej proces-verbali i mbajtur në datën 13 Mars 1997, ora 15.00, midis të tjerave do të njiemi me qëndrimin e Kapllanit. “…Unë u dëgjova të gjithëve, mbi mua bie përgjegjësia morale dhe ligjore për të ruajtur këtë aeroport, por edhe për të ruajtur jetën e njerëzve dhe të efektivit. Një vendim i gabuar do të më rëndojë tërë jetën në shpirt e në zemër, por që kur kemi vënë kapelen në kokë kemi marrë përsipër rrezikun. Këtij efektivi unë nuk do i kërkoj të pa mundurën, mbasi e kam jetuar e parë vetë se gjithësejcili kabërë detyrën në mënyrë të përkryer. Dhe unë, nga testimi që bëmë doli që shumica e oficerëve janë tëë mendimit se duhet të qëndrojmë e të mos largohemi me turp. Dhe ne, të gjithë të bashkuar, do të qëndrojmë….”  Në mbrëmjen e asaj dite bashkëshortja e Kapllanit me të birin erdhën në aeroport të shqetësuar dhe i njoftuan:” Çfarë do të bëhet me ne? Në pallatin tonë nga 20 familje oficerësh vetëm 4 kanë mbetur, të tjerët janë larguar.” Dhe Kapllani në ato moment të vështira, i përgjigjet: “Do të bëni si të gjitha familjet e tjera, të cilat kanë mbetur pa mbrojtje nga shteti. Merreni këtë radio policie të mbajmë kontakte me njeri-tjetrin. Do përpiqem tu sjell ushqime.” Dhe ai nuk u shkëput asnjë minutë nga shërbimi së bashku me efektivin dhe ja dolën me sukses.

Në ato momente të vështira mbrriti kancelari i mirënjohur për Shqipërinë, Vranicki. Takimin e parë e merr me Kapllanin dhe e pyet: “Ke ndonjë informacion, sa larg janë nga aeroporti forcat rebele?” Dhe Kapllani i përgjigjet:” Mund të jenë 20 kilometra larg, ose dhe 200 metra”.” E kuptova”. do të shprehej më vonë Vranicki. “Aty nuk dallohej kush ishte engjulli dhe kush ishte djalli”.

Më 15 Gusht 1997 Kapllani shkarkohet nga detyra e shefit të Komisariatit Rinas dhe lihet në dispozicion të Ministrisë së Brendëshme. Po në këtë muaj, pikërisht më 20 gusht, në një aksident automobilistik humbet jetën djali i tij i vetëm, Leardi. Kjo ishte një goditje dhe humbje e rëndë për familjen Xhangolli. Por jeta vazhdon edhe pse disa fati i ka goditur rëndë, si Kapllanin e Shpresën. Ata, në saje të kurajos, vendosmërisë e kujdesit të njerëzve që i rrethojnë, kanë gjetur forca të jetojnë jetën, ashtu si e solli fati.

Në Janar të vitit 1998 bëhet inagurimi i aeroportit të Rinasit, pas rikonstruksionit të kryer nga firma “Siemens”. Në këtë ceremoni ku uarën pjesë personalitete të larta shtetrore, Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministra etj.i ftuar ishte dhe Kapllan Xhangolli, ish shefi  i Komisariatit të Policisë të aeroportit. Në fjalën përshendetëse të ambasadorit Italian Foresti dhe ati gjerman Disdorf vlerësuan punën e policisë që ruajtën e mbrojtën aeroportin  e veçanrisht Kapllanin që drejtoi e menaxhoi atë situatë shumë kritike i cili tani, çuditërisht është i papunë. Pas disa ditësh të kësaj ceremonie  inagurimi, Kapllani emrohet specialist në Drejtorinë e Rendit të Ministrisë së Brendëshme, detyrë në të cilën punoi rreth 8 vjet. Aty ai edhe njëherë tregoi energjitë e veta në punë organizuese edrejtuese, për eliminimin e dobësive e të metave në sektorin e ruajtjes të sigurisë. Në viitin 2004 së bashku me një grup oficerësh prej 35 vetë të Ministrisë së Brendëshme nxiren në lirim, megjithëse nuk e kishte mbushur moshën për pension. Përpjekjet e tij për të gjetur një punë sa të mbushej mosha pensionit, përsëri pësuan zhgënjim. Kjo, në një kohë që në disa vende pune tashmë punonin disa nga ata që në pikën më kritike të vitit 1997 lanë vendin e punës e u larguan. Kapllani tani është në pension, por është në lëvizje. Diku shkruan për 100 vjetorin e shkollës të fshatit të lindjes, Shënepremtes, diku shkruan kujtimet, ja, në 20 vjetorin e kujtimit të ngjarjeve të vitit 1997 e thërresin në një takim ku para pjesëmarrësve mban përshëndetjen e tij tepër emocinale. Ai si në Tiranë, Korcë, Ersekë, Gramsh, Shënepremte është i rrethuar nga miq e shokë, që i ka mbajtur dhe ata dinë cilin duan dhe respektojnë.

Për Kapllan Xnagollin mund të flasim gjatë, se e tillë ka qënë jeta e vëprimtaria e tij. Brenda këtyre rradhëve për një nga emblemat e Shënepremtes e shikojmë me vend të përsëritim atë që citoi një emision televiziv në vitin 1997, me të cilin mbyllim dhe shkrimin:”Koha, njeriut në jetën e tij i jep shansin që të bëjë histori dhe zoti Xhangolli në të gjithë veprimtarinë e tij bëri histori”.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT