Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Ajo që bie në sy tash

| E marte, 12.03.2019, 08:09 PM |


Ajo që bie në sy tash

Nga Blerim Rrecaj

Ata që bien në sy tash, janë sythat e verdhë të drunjëve të Gërmisë, që herë herë duken si lule të shkëputura toke, të kapura e të shpërndara degëve këtu e atje. Po të hyjsh nën ta, do ta ndjesh kurorën e tyre, mbi kokë prej mbreti të vërtetë, jo sundimtar, e jo i dhënë përjetësisht pas pushtetit me çdo kusht. Pranë këtij lulëzimi të praruar e tërheqës, një vajzë sheh me admirim këtë shfaqje të re bukurije dhe pastaj u bë foto lulesythave që pozojnë pa hezitim, ajo humbet nëpër ta e dikur largohet, mbase për t'u ndalur te ndonjë mozaik i tillë, diku më tej. E diku të duket se këta sy sythash po vështrojnë vizitorët e shumtë që ecin, ca këndej e ca andej, sekush për qejf a llogari të veten. Mbi shpatin e një rruge malore ndeshësh me një zog, krahëkaftë por gushë e trupshkruar si qilim dyngjyrësh krem-kaftë, për bukuri i qëndisur. I ngjitesh ngadalë shpatit dhe ky zog kur e vëren se po iu afrohesh ikën jo si zogjtë e tjerë me shpejtësi vetëtime, por largohet vetëm aq sa i duhet, me qetësi e siguri duke mos u shqetësuar për asnjë çast të vetëm. Kur e sheh se të pëlqen kjo lojë, sikur duke të thënë se mjaft brodhe pas meje, aktivizon krahët e ngjitet lart nëpër maje drunjësh dhe të humbet sysh dhe vetëm përfytyrimi mund të shpie nëpër shtigjet e tij fluturuese e vendndodhëse. Cicërima, fishkëllima e tinguj zogjsh që bijen veshëve nga lartësitë janë ftesa për hapje sysh, për t'u munduar për të parë diç andej, njashtu siç është kah bën njëri me çantë e kapelë ushtarake me ngjyra të gjelbërta e të kombinuara me motive mali, i cili me një aparat fotografik me objektiv të gjatë, përpiqet e përpiqet për të zënë pamje magjepëse me portrete zogjësh. Secili udhës së vet e pas ca hapave të hedhur hapësirën e pushtojnë ca tinguj melodioz ngazëllyes e shpërthyes bilbilash që ndërprehen nga rafale automatiku a gulinovi të papërmbajtshme të një çukapiku gjaknxehtë e kokë...jo, po sqepfortë. Ahengu bio s'ndalet e lëvizjet vazhdojnë, sytë përqiell e përtokë, si në kërkim te ndonjë detaji të ri, po këtë herë sikur na ka hije të bëjmë selfie me ndonjërën prej luleve të orëve të para që mbijnë e tash krenare, paksa të ndrojtur e jo kokëpërpjetë, pa e fshehur bukurinë me një gjeth fort të gjelbër si pallto e hedhur krahëve, e me petale të një të kaltërte e të një të purpurte të lehtë. Më tej tri a katër lule të tilla pranë njëra-tjetrës rrijnë. As sivjet veç me ne s'vjen pranvera, e jemi duke pritur dhe shoqet e tjera, sikur thonë, para se të largohemi dhe prej këtu. Si kërpudhat e si kërminjtë pas shiut kanë dalur e po dalin zhapinjtë para diellit për t'u rrezitur, e duke rrëshqitur me vëzhg e vëzhg brigjeve malore ende të mbuluara me rërë prej gjethesh ngjyrë makiatoje. Rrezet e diellit ndriçojnë magjishëm faqet e malit duke i bërë të duken brezarta e duke shëndëritur blerimin e pishave të larta. Pjesa e këndejme e varg-malit duket e errët por në majen e tij qëndron një një re e bardhë vertikale duket se kjo drunjtë ia kanë marrë valles e njëri nga ta është duke tundur shaminë. E ku më mirë se në male a parqe mund të duket pragu që pret pranverën të marshojë, që pret gjelbërimin të fillojë mbretërimin. Sa çel e mbyll sytë perëndon dhe kjo fundjavë. Diku në një stacion, muzgu sjell një hark shumë të hollë hëne të ndritshëm, pak është të thuhet që është larë në ar, mbuluar me një vello të lehtë vranësie e turbullie purpuroshe. Perëndon dhe kjo fundjavë. Për t'ia lëshuar vendin kësaj të hëne të hirtë, pasi dielli dremitet, ka nevojë për pushim dhe të cilin papritur e zë gjumi. Era e zgjon shiun, pas tij zgjohet bora dhe sëbashku lënë shtretërit e tyre duke njomur buzët e duke shuar etjen e tokës... A thua si duken e çfarë ndjejnë tash sythat e lagur, a kanë ftohtë, a mbase kolliten, pyesim ne, duke u dëshiruar më të mirën...Është ora një e natës, kjo borë fluskëmadhe, bukur shumë e paska zbardhur...