E enjte, 25.04.2024, 08:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Rudolf Marku: At Zef Pllumi, mes Dijes, Evidencës historike dhe Gjuhës

E shtune, 27.09.2008, 02:29 PM


Rudolf Marku
At Zef Pllumi, mes Dijes, Evidencës historike dhe Gjuhës

Nga Rudolf Marku
 
1.

Kur At Zef Pllumi e pat titulluar njërin ndër librat e vet "Histori kurrë e shkrueme", atij me siguri nuk i pat shku ndër mend se me këtë titull, ai ishte duke u përfshirë në debatin e madh se si shkruhet Historia, ose, e thënë ndryshe, përngjashëm me titullin e veprës së vet, se si nuk duhet shkruar Historia. Një debat ky jo shqiptar, par botnor, që vazhdon të zhvillohet sot e kësaj dite me botime librash nga autorët me autoritarë të fushës së Historiografisë"... Debati më i madh i shikimit të Historisë, si një ndërtim narrativ i bërë nga historianët, është nëse vlerësimi i fakteve dhe ngjarjeve dhe reflektimi mbi to i historianit është objektiv, jo i deformuem, par i bere si nje ushtrim ne përputhje me shpirtin e kërkimit të së vërtetës. Arthur Marwick, në librin "Natyra e re e Historisë" shkruan se Historiani përcaktohet në një trekansh me brinjët "Dije, Evidencë dhe Gjuhë". Dije, sepse historiani "nuk e ndërton të shkuarën dhe as nuk e prezanton të shkuarën” - ashtu siç besohet në mënyrë të gabuar. Historiani prodhon dijen e vet rreth të shkuarës. Arthur Marwick ashtë kundër teorisë së autorit (Auteur theory asht zakonisht përkthimi në anglisht i "La politique des auteurs" në frëngjisht, frazë e përdorur për herë të parë nga kineastët francezë të Valës së Re.) Nëse do të pranonim teorinë e Autorit, do të pranonim në mënyrë të pashmangëshme dhe relativizmin në histori, çka do të thoshte as më shumë e as më pak se të pranonim idenë se pozita e historianit asht në vartësi të qendrimit dhe hanes subjektive të historianit si individ. Këtë tezë e kanë mbështet tre autoritetet e cituar më së shumti në epistomologjinë historike, Collingwood, Carr dhe Peter Novick. Ndërsa dy të parët janë tepër të njohur për të sqaruar se kush janë, të paktën në historiografinë anglo-saksone, Peter Norwick ka tërheq vëmendjen me veprën e vet të botuar në vitin 1988 "Çështja e objektivitetit dhe profesioni amerikan i historianit". R.C.Collingwood shihet i ndikuar së tepërmi prej italianit Benedetto Croce, e prej këtu asht e kuptueshme përse libri i tij na çon në botën e metafizikës dhe përse në librin e tij aplikohen në mënyrë të pavend termat filozofike që nuk i shkojnë historisë. Sepse historianët nuk janë as Idealsitë dhe as Materialistë. Historianët janë thjeshtë historianë. Collinwood adapton njërën nga thaniet e njohura të Crates "E gjithë Historia asht një histori bashkohore". Nuk asht e vështirë të shihet se as Collingwodd e as Croce nuk bajnë dallimin mes asaj që asht Histori dhe asaj që asht e Shkuar, Collingwood, ashtu si të gjithë tradicionalistët e historiografisë letrare, madje ashtu si dhe vetë Idhulli i vet, Croce, beson se historiani asht një autor, se Historia del e formuar perfektësisht nga mendja e historianit, duke injoruar kësisoj se Historia asht një ndërmarrje bashkëpunimi marrjesh dhe dhanjesh. Në shkrimin e Historisë nuk ka Rembrandts, nuk ka Shak'espeares dhe nuk ka Beethoven. Historianët bien dakort a nuk bien dakort me njani-tjetrin, grinden, kundërshtojnë njani-tjetrin, kundërshtojnë vetveten, ndryshojnë dhe ripërcaktojnë pamjet e veta. Vepra e historianit asht në ri-shikim të vazhdueshëm, ajo modifikohet, përmirsohet, ri-shkruhet. Ne nuk do guxonim që të ri-pikturonim pikturat e Rembrandtit apo ta ri-shkruanim muzikën e Beethoven-it. Por, nga ana tjeter, Historia shkruhet dhe rishkruhet. Vetëm një mendje e një ndryshkësie kokfortë do të kishte guximin për të mos pranuar ri-shikimin dhe ri-shkrimin e historisë. Ndërsa një autor tjetër, E H Carr, të cilin siç e përcakton vetë Arthur Marwick " të qenunit jo marksist, por stalinist", nuk e ka penguar që të mbajë karriken e kryelektorit të historisë në Cambrdige, në leksionet me titull "Çfarë asht Historia?" që ka mbajt në vitet e hershme të dhjetvjecarit '60', thotë se: "Historia asht një dialog që nuk mbaron (an un-ending dialog) mes së shkuarës dhe së tashmes". Ajo çfarë thotë Carr asht thjesht një ri-marrje e tezës së Collingwood (dhe e shumë të tjerëve) se "Çdo epoke shkruan historinë e vet", se " çdo epokë duhet ta ri-interpretojë të shkuarën në dritën e preokopimeve të veta", Metafora dhe antropomorfoza (the metaphor and the anthropomorphosis) këtu janë të ekzagjeruara. Jo se thaniet nuk kanë bazë, por se nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar se historia asht në mënyrë të pashmangëshme subjektive. Ma e vërtetë se Historia asht dialog mes së shkuarës dhe të tashmes, do qe se Historia asht një dialog i pandërprerë mes historianit dhe lexuesit të vet, në kuptimin e përpjekjeve që të dy palët janë të përgaditur për ta bërë këtë dialog.

2.

At Zef Pllumi
Brinja e dytë e trekandëshit të historianit i përcaktuar sipas Arthur Marwcik asht Evidenca apo dokumentacioni, fakti, kronika. Këtu dhe historiani si historian dhe historiani si jo historian janë të ndarë me një Mur Berlini. Në anën e Berlinit Lindor janë të gjithë ata historianë që besojnë se evidenca, dokumentacioni, fakti janë të rëndësisë së dorës së dytë dhe se Historia mund të shkruhet pa evidencën e shkruar, pa dokumentacionin, pa arkivin dhe faktin. Le ta themi që në fillim se ata që e kundërshtojnë me forcë evidencën, faktin, arkivin, kronikën, si të dorës së parë në shkrimin e historisë, ata që flasin me përbuzje për "fetishizimin e dokumentave dhe për kultin e arkivit" janë historianët marksistë dhe ata marksizianë, këta të dytët të ndikuar shqitazi nga marksizmi: italiani Antonio Gramsci, Gjermano-Amerikani Herbert Markuse, Hyaden White, dhe frëngj post-strukturalistët Michel Foucault, Roland Barthes, Loius Althusser dhe Jacques Derrida, si dhe postmodernistët Jean-François Lyotard dhe Jean Baudrillard. Duke qenë marksistë, asht krejt e natyrshme që të mendojnë dhe të argumentojnë se evidenca, fakti, dokumentacioni i dorës së parë nuk janë të rëndësishme për Historinë. Në momentin që ke argumentuar se dokumenti nuk është i rëndësishëm për historinë, e ke shumë të lehtë manipulimin e saj. Foucault dhe Barthe, p.sh. kanë mbajt një qendrim kritik ndaj historianëve profesionist, gjë që mund të shihet qartë në esenë e Bartit "Diskurs për Historinë", ku Historia deklarohet as më shumë e as më pak se një ideologji borgjeze. Historianët e anës përtej Murit të Berlinit mendojnë tjetërsoj. Leopld von Ranke qysh në vitin 1880 shkruan në veprën e vet "Historia Universale": Historiani punon me dokumenta. Dokumentat janë gjurmët e mendimeve dhe veprimeve të njerëzve të kohnave të tjera. Atje ku s'ka dokumenta, nuk ka histori”. Historianët francezë Charles Langlois dhe Charles Siegnobos në "Hyrje në studimin e Historisë - botuar së pari në anglisht në vitin 1898, shkruajnë se "Asnjë histori e një vendi të veçantë nuk mund të shkruhet nëse populli i atij vendi nuk ka lënë ca rregjistrime dhe gjurmë të veprimeve të veta". "Kafshët jetojnë në mënyrë jo-historike" - pat thënë F.Nietzsche tek sodiste në mënyrën me prozaike lopët tek kullosnin në një livadh alpin (F.Nietzsche -The use and the abuse of History, përkthyer nga Adrian Collins, Indianaplose,1951). Në kundërvënje të papajatueshme, madje agresive, me tezen e nevojës së dokumentave të shkruar, asht historiani i sotëm amerikan Daniel Lord Smail, profesor i Historisë në Universitetin e Harvardit. Në librin e tij të titulluar "On deep history and the brain" botim i vitit 2008, një libër që është përshëndetur në mënyrë entuzisate nga shumëkush, autori shkruan rreth 300 faqe për të provuar e stërprovuar në mënyrë der në bezdisje se" Dokumentat e shkruar nuk Janë thelbësore në shkrimin e Historisë" (Written documents are not essential to the writing of History). Asht një ndër librat ma të fundit të botuar për Historinë në gjuhën angleze.

3.

Historia asht proçesi i kalimit të fakteve dhe ngjarjeve të së kaluarës në atë narracion a brryl a kthesë narrative-linguistike që thirret Histori. Teoritë postmoderniste të gjuhës nënkuptojnë se çdo akt gjuhësor jep kuptime që i tejkalojnë qëllimet e autorit; se çdo tekst krijon shumësi kuptimesh, dhe se këto kuptime shpesh mund të kundërshtojnë njëri-tjetrin dhe se interpretimi i tekstit na bën të mundur kuptimin e njëmend a origjinal, ngase asht vete një pjesë e lojës së kuptueshmërisë që prodhon teksti, e kshtu me rradhë. Një komplikim aq i madh, sa nuk është e rastit se me fillimin e shekullit XXI. Historianët po e vënë theksin përherë e me tepër te analiza e ngjarjeve, në dallim nga Strukturat kuptimore dhe Rrjetat kuptimore (Shih Profesor Yes-Marie Barce, numri Mars/Prill1999 i Histori, Shkenca Shoqnore). Por nëse pranojmë, bashkë me postmodernistët, rëndësinë e jashtëzakonshme të gjuhës, në kundërshtim me ata naive që e shohin gjuhën si një medium të thjeshtë, të pakomplikuar të komunikiminit, duhet thanë se metoda historikë i ka rrënjët e veta prej shekujsh në filologji dhe se çështjet e semantikës dhe të domethanjës kanë preokupuar gjenerata historianësh, shumë shekuj përpara poststrukturalisëeve. Dhe, kur është puna te librat e Historisë, apo te shkrimi i Historisë, të gjithë bien në një mendje me Voltaire-n që e kish zakon të thoshte se metaforat për Historinë jane si krymbat që gërryejnë librat, se Historianët e mirë gjithmonë e shmangin ambiguitetin; se frazat duhet të jenë të qarta, e mendimet e kthjella...

4.

Megjithë origjinalitetin që ka Shqipnia, keqkuptimet e historiografisë shqiptare janë një refleks-edhe pse i deformuem deri në karakature, në atë mënyrën karakteristike shqiptare- i keqkuptimit dhe konfuzionit që ka ekzistuar në historiografinë botnore sidomos gjatë shekullit të XX. Dhe ky konfuzion ka bërë që Edouard Herriot, kryeministër francez, kur pat vizituar Ukrainën në kohën e urisë së madhe, pat takuar vetëm fëmijë që qeshnin e që i thoshin atij se hanin pite me mish çdo ditë. Kryeministri francez kërkoi të vizitonte një kishë. Sigurimi i shtetit brenda një kohe të shkurtër e ktheu përsëri në kishë magazinën e grurit, e cila kishte qenë kishë dhe vete sigurimsat veshën rroba fshatarësh të mirëqenun dhe filluan të shtiren sikur po luteshin, ndërsa komandanti i tyre ngjiti një mjekër prifti nga rekuizita e shtëpisë së kulturës dhe filloi të predikonte... Herriot nuk arriti të kuptonte asgjë nga ky mashtrim, ngase që i interesuar që të mos kuptonte gjësendi, dhe shkroi me entuziasëm për Historinë e shkëlqyer të sistemit sovjetik. Romain Roland, romancieri francez, që shoqëruar në një nga burgjet politike nga krimineli famëkeq Yagoda, sherri i policisë politike në kohën e Stalinit, i cili e siguroi romancierin francez se riedukimi i të burgosurve qe një eksperiment i përsosur pedagogjik, nga i cili mund të përftohej njeriu i ri. Dhe Romain Roland qe tepër i kënaqur nga ky sistem burgjesh edukative. George Bernard Shaw gjithashtu ka vizituar kampet e të burgosurve në Rusi dhe ka shkruar për sistemin e mrekullueshëm të tyre. GjatëLuftë sëDytëBotnore, zëendëspresidenti amerikan, Henry Agard Wallace, ka vizituar gjithashtu një kamp skllevërish të punës korrektuese dhe ka shprehur entuziazmin më të madh për sistemin magjepsës sovjetik...(Wallace and Steiger, Soviet Asia ...Në mision, 33). Jean-Paul Sartre, kur tanksat ruse kalonin mbi trupat e njerëzve të gjallë, shkruante në "Liberation" pas vizitës në Bashkimin Sovjetik se "qytetarët sovjetikë e kritikojnë udhëheqjen e tyre shumë e shumë më tepër e më me efektivitet se në Perëndim... Ekziston liria totale për të kritikuar...Qytetarët sovjetikë nuk udhëtojnë jashtë shtetit, jo sepse nuk i lejojnë, par ngase nuk dëshirojnë ta lënë qoftë dhe për pak kohë vendin e tyre të mrekullueshëm". Disa vite më vonë, ky idiot savant, siç e konsideron më vonë Solzhenicin, pat pohuar se aso kohe ai e dinte se po gënjente, por gënjente, ngaqë nuk donte t'ia prishte autoriteteve komuniste. Po ky Jean Paul Sartre pat shkruar një herë tjetër, kur tek ne kishat dhe institucionet fetare po rrënoheshin me një zell të frikshëm, se Shqipëria është i i vetmi vend i lirë në botë! At Zef Pllumi, me dy librat e tij madhor për Historinë, për fat të mirë, ec në gjurmët e një tradite tjetër, e një tradite të hershme, në gjurmët e shkrimit të kronikave nga murgjet evropiane, duke filluar me "Historinë e Kishës" të grekut kristian Eusebues (c 260-339) , dhe duke vazhduar me anglezin Venerable Bede (d735), me Jean Froissart (C.1337-C.1410), me Lorenco Valla-n (c.1407-57), me Leonardo Brunin. Libri i këtij të fundit, Historia e Firences (1415-29) shërben dhe sot si një burim i vlefshëm parësor për të studjuar humanizmin në Rilindjen italiane. Ec në gjurmët e Guiçiardinit dhe Sir Ëalter Raleigh në Angli. Në gjurmët e paraardhësve bashkëkombas Marin Barlecit, Frang Bardhit, dhe Pjeter Bogdanit, der te Shtjefen Gjeçovi, arkivisti Pal Dodaj, Marin Sirdani, Anton Arapi, Bernardin Palaj, Benedikt Dema...Në kohnat fatlume kur jetonin këta njerëz, kuptimi i së vërtetës historike ishte i barabartë me konceptin e Shën Agustinit si shpalosje e vullnetit të Zotit. Përparësia e At Zefit si Historian asht dija e thellë e Historisë së Shqipnisë, një dije e përftueme dhe e stërvitun në arkivat françeskane, nga leximi i dorëshkrimeve të ruajtuna, nga bisedat dhe nga njohja me disa nga personazhet ma të rëndësishëm të Historisë e të kulturës së Kombit, par dhe nga një përvojë vetjake e jashtëzakonshme... Historia te ai nuk vjen si dije akademike, si kategori e para-përcaktuar, për shkak të para-përcaktimeve ideologjike; e nga që nuk asht e tillë, Historia për të asht në rradhë të parë Historia e fateve njerëzore. Lexoni librat e historisë të shkruar nga Historianët tanë. Personazhet historike janë monumente, jo njerëz të gjallë. Në librin e mirënjohur të John Julius Norëich mbi Bizantin flitet hollësisht rreth grave të Perandorëve të Bizantit, për karakterin e tyre, për pamjen fizike të tyre, për origjinën e tyre.. Po Ismail Qemali ynë a pati grua? Këtë lexuesi shqiptar ka për ta vuajtur për një kohë të gjatë si një enigmë të pazgjidhur. At Zef Pllumit, ashtu si paradhësve të vet të mëdhenj, as nuk i shkon ndërmend që të vejë në dyshim randësinë e jashtëzakonshme të dokumentacionit, të faktit historik, në shkrimin e Historisë. " Frati i Pashallareve Bushatli të Shkodrës" fijian me rrëfimin e fatit të një kronike që paska qenë ruajtur në arkivin françeskan; asht kronika e jetës së Fra Erasmus a Balneo, një frat italian që vjen në Shkodeë me misionin e nje françeskani e qe caktohet Famulltar në Hot, për t'u gjetur dëshmitar në një nga periudhat më interesante të historisë së vendit tonë, e në të njëtën kohë, ashtu siç ndodhë si rregull në historinë e Shqipnisë, duke qenë një periudhë kyçe- një nga periudhat ma të padokumentueme. Dorëshkrimi ka humbë, ashtu si pjesa më e madhe e Arkivit françeskan. At Zefi ri-prodhon dorëshkrimin ashtu siç e kujton. Pra kronika e Padër Zefit asht kronika e një kronike që paska qenë shkruar e që ka humb, asht dorëshkrimi i një dorëshkrimi. Por saktësia dhe objektiviteti i kronikës janë të tilla, sa mbas vdekjes së Padër Zefit, studjuesi arbersh Italo Sarro ka zbulue ne Arkivin Historik te Propogandes Fide ne Rome korrespondencën - përkatesisht 6 letra - qe Bushatllinjt e Shkodrës dhe Ipeshkvi Gjergj Radovani i drejtojne Selise se Shenjte. Letrat jane botuar me Faksimile ne Hyllin e Drites. Do mjaftonte veç leximi i ketyne letrave qe dhe skeptiku ma i thekun t'i besonte vërtetsisë historike të Fratit te Bushatlinjve. Vetë proçesi i kalimit të fakteve dhe ngjarjeve të së kaluarës në kthesën narrative-linguistike bahet me një natyrshmëri të jashteëakonshme. Gjuha e padër Zefit asht e çveshun nga rrakaxhinget metaforike. Asht gjuha me të cilën flasin dhe sot e ksaj dite malsort shqiptar. Toni asht i shtruem, i qetë, i mençur. Asht gjuha popullore e pajtuese me nje tekst Historie.. Kallzimet e misionarve te vjeter jane nje pikture realiste e nje Shqipnie te çoroditun, "me male te egra, me nje popullsi te vrazhde e të pashkollueme, me shumë ngatrresa e provokime mbi të cilat bazoheshin akuza e çpifje që mund të mbërrijshin deri me deke...me kristiane laramana te cilët ditën ose sheshit ishin turq e muslimanë, ndërsa natën ose mesheftas kishin besimin katolik". Historia e Shqipnisë e padër Zefit nuk e pranon mitizimin, por ajo nuk bie as dhe ne grackën e një çmitizimi që shumë lehtë mund të quhet mitizim i çmitizimit. Ne traditën e kronikave te murgjeve, te Historitë e at Zefit, bie ne sy përultësia si ton i te rrëfyemit, si e kundërt me gjykueshmërinë. Jo përultsia si kategori morale, por si objektivitet i kallximit të Historisë. Tekstet e Historisë, sidomos tekstet e shkruara nga Historianët tanë, janë të mbushuna me gjykimet e guximshme te autoreve për figurat historike e për ngjarjet historike. Fridrih Shileri përmend at historianin që asht me rrufe e qe tërheq hundt e teshtin gjatë gjithë kohës tek kritikon përpara studentave Hanibalin për gabimet taktike në kalimin e Alpeve. Ashtu si gjatë gjithë Historisë njerzore, humori shfaqet ne Historitë e padër Zefit gjithmonë atje ku parashikohet tragjedia. Dhe humori asht brishtësi, butësi dhe delikatesë shpirtnore. Pa të cilat dhe vete Historia do te qe nje materie e ngurtë, e pajete, e mumje-zueme.

5.

Me 4 dhjetor te vitit 1354, perandori i famshëm bizantin John (Ioannes) Cantacuzenos, bash ne kohën e lavdisë së vet, gjatë një ceremonie. solemne ne Blachernae, pat vendosë në nje qoshe kunorën dhe mantelin e purpurt perandorak. Në vend të rrobave madhështore të perandorit bizantin, ai pat vesh rrobën e zeze te murgut. .Po atë dite e shoqja e tij, Irena, u shugurue murgeshë në Manastirin e Shenjtës Martë. Ai vetë, duke pasë përbuzje për çdo gja të mëparshme të jetës së vet si Perandor, kërkoi të ndryshonte dhe emnin. Zgjodhi, për një koinçidencë, emnin Zef. Ish-perandori i Bizantit do te jetonte dhe 29 vjet te tjera. Gjate këtyne viteve, kur Bizanti do ndodhej ne udhëkryqe ngjarjesh, bashqytetarët e vet do shkonin jo vetëm një herë, për t'ju lutë murgut të perulun lef qe te kthehej prape ne Fronin e Perandorit. Por ai do refuzonte me kokfortësi. Vitet e para ne Manastir ja kushtoi shkrimit te kronikave qe ai i quajti " Historina". John Cantacuzenos, tek veshte rrobën e përultë të murgut atë ditë të Dhjetorit të vitit 1354, me qellim qe te behej kronikan, shpallte kësisoj se dëshmia historike, evidenca, kronika, dokumenti, kane me rëndësi jo veten nga profesorët e Cambridge-it dhe të Harvardit, par dhe se nga vetë pushtetet e përkohshme perandorake. Fjala e mbajtur në Konferencën shkencore “At Zef Pllumi, mes shkrimit dhe historisë”, bashkorganizuar nga Instituti i Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi” ...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora