Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Vallëzo me mua

| E hene, 11.03.2019, 09:16 PM |


VALLËZO ME MUA

Tregim nga Resmi Osmani

  papriturat  janë pjesë e mistereve të jëtës, që sado më pas përpiqemi t’i spjegojme, rastësia dhe shkaqet që sjellin pasojat , qofshin të gëzuara apo dëshpëruese, ngjallin habi, aq sa shpesh thuhet me mendje të lehtë: ”Epo, ashtu paskësh qenë e thënë!”Kësisoj më ndodhi edhe mua në atë që do t’u rrëfej.

Mbrëmja sapo kishte rënë.Ne bar-kafe, kishin nisur të vinin klientet e zakonshëm për kafen e darkës dhe ndeshjet sportive në ekranin e televizorit. Isha përkulur mbi ekspresin e kafes që vërshëllente e shfrynte avull, por sytë nuk po ua ndaja dy të rinjve te tryeza e qoshes, që pasi kishin rrëkëllyer disa kupa konjak e kishin ngritur zërin dhe i gërmusheshin  njerjatërit si gjelat. Nuk më pëlqen që në lokalin tonë të ketë zënka e të bëhet rrëmujë, ndaj  u afrova te tryeza dhe u thashë ta ulnin zërin, në mos të dilnin përjashta e ta gjenin fjalën. Shikimi i tyre nuk ishte aspak miqësor dhe u ngritën e dolën në oborrin që binte ngjitur me rrugën që ngjitej për kodrën e diellit.Matanë ishin vilat rezidenciale te konsujve të huaj.

-Shihni mos e teproni dhe nisni sherrin- i porosita- por ata, si t’u kasha thënë të kundërtën, me të dalë u mberthyen dhe plasën grushtet. Njërit i rrodhi gjaku çurg nga hundët. Dola peërjashta që t’i ndaja, por ata nuk shqiteshin. Ca kalimtarë mbajtën këmbët dhe po bënin sehir duke i nxitur si në një ndeshje boksi. Atëhere, i dhashë një me të djathtën në stomak, atij më të gjatit. Ai u plandos dhe më pa me ca sy të shushatur.

-Pse ma bëre këtë?

-Shporruni, qurrashë, dhe mos t’u shoh më këtu se ju piu e zeza.Morët vesh?

Në atë çast, si t’i kishte pjellë dheu, çatisi patrulla e policisë. Ishin dy, kurse i treti, si duket shefi i tyre qëndronte në makinë dhe s’na i ndante sytë.Trimat u zgërlaqën kur policët i morën me vete. Si duket dyshuan për drogë. U ktheva në banak.Pas pak më erdhi njeri nga policët.

-Lerja ndonjë tjetri ekspresin.Do vish me ne.

-Mos e shko ndër mend. Unë me ju? E përse u dashka të vij?

-Ti je dëshmitari.

-Jam po aq sa edhe ju. As i njoh as i kam parë herë tjetër. S’janë klientë tanët.

-Mos e zgjat. Do të vish.Urdhëri i shefit s’bëhet dysh.

E kundërshtova.

-Shiko mor çun, po nuk erdhe me hir, do detyrohemi të të marrim forcërisht, prandaj mos e zgjat.

Epo, urdhëri urdhër!I thashë Ervinit të më zëvëndësonte në banak. Hoqa bluzën e bardhë dhe shkova pas tij. Shkuam drejt e në rajonin e policisë.Aty kishte lëvizje, nxitoheshin, ndrroheshin turnet. Na bënë hyrje ashtu siç behen mallrat në magazinë.Polici që kishte shërbimin, shkroi në regjistrin e madh me një shkrim të shtrembër: emrin, mbiemrin, vend e datlindjen, vendbanimin dhe adresën, shkakun e ndalesës dhe orën e paraqitjes. Dy sherretët i futën në dhomat e paraburgimit. Mua më veçuan. Ishte një pasdhomë nga ajo e policit te sherbimit, por pa derë. Anës murit nga pjesa e brendshme, ishte një stol i gjatë dërrase dhe dy karrige plastike. Dritarja e madhe, me kangjella hekuri, binte nga rruga e madhe, kundruall ishin pallate banimi shumkatëshe. Rruga dhe oborri i komisariatit ndriçoheshin nga neonet e rrugës. Në muret e dhomës, të tjerë para meje kishin shkruar emra, vizatuar zemra të përshkuara nga shigjeta e Erosit, vargje poezish, deklarata dashurie dhe nuk mungonin të sharat me nënë e motër, me rob shtëpie dhe robtë ku t’i kesh. Askush nuk ishte kujdesur t’u jepte mureve një sherbet gëlqereje. Po rrija i çoroditur në këmbë pa ditur e kuptuar përse gjendesha aty. Pas ndoca  minutash, mbaroi ndrrimi dhe dy policë të tjerë morën shërbimin. Njeri prej tyre, hyri në dhomë dhe bëri të çuditurin:

-Prapë ti këtu!-Shprehu habinë ai.

Nuk iu përgjigja, s’e besova që më drejtohej mua, por kujt tjetër veç meje? Aty s’kish tjetër.

-Ty po të flas-tha polici.

-Je gabim.

-Jo mor çun, Latifin se gabon syri. Ku e kanë peshykuar këtë? -Pyeti shokun.           Ai kërkoi te regjistri.

-Në “Komunën e Parisit”

Mu afrua dhe me një buzëqeshje të ngërdheshur më pa drejt e në sy.

-Mallistët i njoh nga era që njëqind metra larg. Kontrolloje- I dha urdhër shokut polic Latifi. Me urdhëruan të ngrija duart lart dhe tjetri më bëri një kontroll të imtësishëm.

-Është i pastër.

-Po pse na e kanë bërë peshqesh, apo që të mos mërzitemi vetëm?

-E pruri komisar Pullumbi, si dëshmitar. Dy të tjerët janë në dhomat e paraburgimit. Këtë e lanë këtu.

Polic Latifi s’po më ndahej.

-Hiqi lidhëset e këpucëve, edhe rripin e mesit, orën, cigaret, çakmakun edhe portofolin dhe monedhat metalike.

-Unë nuk jam i burgosur, më morën  si dëshmitar dhe nuk e kuptoj përse më mbani këtu.

-Ehe, kështu thonë të gjithë që vijnë këtu.Rregulli është rregull dhe ligji ligj-  solli një tabaka plastike për të vendosur “trofetë”.Nuk bëra asgjë nga ato që më kërkoi.

-Para kujt duhet ta bëj dëshminë, se më duhet të shkoj, e kam lënë lokalin vetëm.

-Dëshminë nesër, kur të marrë shërbimin komisar Pëllumbi. Bëj si të thashë, përndryshe di unë si të t’i heq puplat.-pas pak duke më parë drejt e në sy, më pyeti:-Je i sigurtë që bashkë nuk jemi parë herë tjetër?

E kuptova që kishte lëshuar brezin për sherr.

-Fare i sigurtë. Ke një pamje, që po t’a shohësh një herë, nuk e harron lehtë.

-Ashtu?

-Po.

-E si qënkam?

-Shihu në pasqyrë dhe e kupton!

-Brisk nga goja, duket që je me shkollë.

-E pa mjaftueshme, aq sa s’më pranuan të vishesha polic, që të ishim kolegë!

Ra heshtje. Dëgjohej vetëm zilja e telefonit nga salla operative, ku një police me kufje në vesh merrte njoftimet për urgjencat nga terreni. Polic Latifi nxinte, turfullonte dhe vinte rrotull meje, si një qen që bëhet gati të të ngulë çatallët.  E ndiqja me sy. Kisha një parandjenjë të keqe.

-E di ku je këtu?- u afrua dhe më qëndroi përballë. Kthina ishte e ngushtë dhe s’mund të zbrapsesha.

-Në zyrat e Policisë së Shtetit.-thashë duke theksuar fort fjalën e fundit.

-  Po t’a dije, nuk do tallje bythën dhe të bëje ironi me personin e policit! Këtu je në shtëpinë e ligjit.

Polici tjetër që ndiqte bisedën, ndërhyri:

-Pse i je qepur dhe grricesh me të o Latif, duket djalë i mirë. Lëre në hall të tij.E kanë shoqëruar si dëshmitar.

-Je i ri ti Gjin, nuk i njeh mirë biçimë të tillë. Ky dhe ca si ky, bashkë me ca zuska, janë nga ata që tymosin bar nëpër lokale, pinë sa bëhen dërrasë dhe gajasen e rrëfejnë barcaleta me policë, ku ne dalim të trashë dhe loço,zi e më zi, më keq se ata të “Portokallisë” .

Nga dritarja e hapur,hyri melodia  e një kënge të njohur”Dance Me to theEnd Love” , që dikush po e dëgjonte në pallatin matanë rruge ose në ndonjë lokal. E pëlqeja atë këngë, dhe kur vinte rasti e kërceja me të dashurën time vjollcën. Melodia ishte me nota të  qeta, e shtruar, zëri i këngëtarit vinte i plotë , pak i ngjirrur, i ngrohtë e me ndjenjë, ku dashuria buronte nga shpirti, pluskonte në çdo tingull e në çdo fjalë, si një lutje dhe grishje për lumturi. Për një çast harrova ku ndodhesha, por më përmëndi zëri i polic Latifit:

-I dëgjove ato që thashë?

-Gënjeshtra të tilla s’kanë të bëjnë me mua.

-Si the, si the, gënjeshtra?

-Në rastin tim po.

-Ashtu, hë? Sipas teje, polici i shtetit, zbatuesi i ligjit, gënjen ?

Mi vuri të dy duart në fyt dhe më shtrëngoi fort. U përpoqa t’ja hiqja por nuk munda. Vazhdonte të ma shtrëngonte fytyn. Mu vështirësua frymëmarrja dhe shikimi mu errësua.  Ai vinte ca më i shkurtër se unë, por shpatullgjerë dhe trup ngjeshur. Me gjurin e këmbës së djathtë i dhashë një goditje nënbrez me sa fuqi kisha. Ai vërriti si një derr kur e therin, mi hoqi duart nga fyti dhe u kruspullos. Sakaq kur dëgjoi pallmën, i erdhi në ndihmë një  polic tjetër që se kisha parë.

-Latif, ç’pate?

-Më gjuajti me shkelm në hallate dhe më duket se më la sakat!

Mu tuurrën të dy , më vunë posht dhe u gjenda nën breshërin e grushteve dhe shkelmave. Mbulova fytyrën me duar u kruspullosa dhe nuk kundërshtova. Ishte e kotë.

-Latif, kujdes mos i lesh shenja se na hap telashe.

-S’më plas fare. Le të guxojë edhe një herë të verë dorë mbi policinë e shtetit! Jam në vetmbrojtje. Të marrë një mësim që ta mbajë mend për jetë!

Vallëzo me mua, deri në fund të dashurisë! Vijnë nga hapësira fjalët e këngës dhe më ajgëtohet pamja e plotë. Eh, ç’ftesë e dëlirë, me ngazëllim dhe dëshirë për jetë, që nanuriset me kryet mbështetur në supin e një vashe, me lëvizjet e ngadalta të hapave që ngjajnë si të pezullta në një mjegull të tymtë e të trandafiltë.Mbi mua derdhen goditjet e hapave të shkelmave, vallja e egërsisë mizore luhet mbi trupin tim. Vallëzo me mua, grish që larg zëri i dashurisë, “Na, na edhe një edhe një tjetër, ku të dhemb e ku të ther”, shfryn zëri i egërssisë. Çdo goditje një dhembje. Çdo goditje një poshtërim. Vallzo me mua- dhe djali mbështet kryet mbi supin e vashës dhe andej  thith aromën e kurmit të saj,aromë gruaje, si një eliksir parajsor dashurie. Mbi mua: fytyrat e çakërdisura, dihatja e firomës së rëndë dhe era e djersës së trupave të palarë. Vallzo me mua deri sa dashuria të mbarojë.Gurgullima e këngës linte pas vetes një gëzim që gufonte zemrën dhe një trishtim të ëmbël. Shkelmat dhe grushtet mbi trupin tim shkaktojnë dhembje ulëritëse dhe do të pushojnë kur urrejtja të nginjet dhe shtazëria të triumfojë. Vallëzo me mua. Heshtje. Kënga mbaroi. Rreshtën dhe goditjet. Thuajse kisha humbur ndjenjat dhe zërat e torturuesve të mi, dukej se vinin nga një botë e largët.

Ata, pasi e shfrynë dufin, ikën dhe më lanë të shtrirë, të dërrmuar e të gjakosur.

Polici që e quanin Gjin, erdhi, më ngriti pa thënë një fjalë,(siç duket I vinte turp për atë që kishte ndodhur) më uli në karrige , më dha një gotë ujë dhe më hodhi krahëve një batanije. E piva ujin me etje se grykën e kasha të tharë. Isha i dërrmuar. Më dhembnin eshtrat dhe tërë trupi. Preka me kujdes brinjët se kushedi mund të kasha ndonjë thyerje nga shkelmat me majën e këpucëve. Në mesnatë, mbështetur pas shpinores së karriges më zuri gjumi.

Më zgjoi rrezja e diellit që hynte nga dritarja. Kishte lëvizje. Ndrroheshin turnet.Në dhomë hyri komisar Pullumbi, që kishte urdhëruar shoqërimin tim.   Bëri të habiturin.

-Ende këtu ti?

-Siç e shihni. S’kishte kush ta merrte dëshminë.

-Gjini më raportoi për atë që kishte ndodhur me Latifin. Më vjen keq.

-Policia e Shtetit- thashë.

-Një dru i shtrembër se prish gjithë stivën.Tip i vështirë. Mund të bësh denoncim dhe ka të ngjarë që atë ta flakin nga policia. Është përsëritës.

-Nuk do ta bëj. Mbajeni me shëndet, se u duhet.Por shpresoj që një ditë, diku ta takoj dhe ti jap borxhin, atë që i takon. As më shumë e as më pak.

-Jo ashtu. Tashti mund të shkosh.-Tha ai dhe porositi të më kthenin sendet personale.

– Nuk më the biri i kujt je?

Ja thashë. Ai u shtang:

-Mos! Por ti mor i uruar, këtë të më kishe thënë të parën. Si është profesori me shëndet?

-Mbahet.

-Më ka dhënë leksionet e të drejtës penale në fakultet. Shumë respekt për të.

-I paska vajtur mundimi dëm- qe përgjigja, por ai bëri sikur nuk e dëgjoi.

-Do të të përcjell me makinë për në shtëpi?

-S’është nevoja.Dua të eci në këmbë që të shpihem, pastaj nuk është edhe larg.

Ika pa i thënë as ditën e mirë. U ktheva në lokalin e parë që gjeta hapur. Kisha uri. Mora një sanduiç dhe e përcolla me një birrë të ftohtë, pastaj porosita një kafe të fortë.

Tiranë, mars 2019.