Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Zymer Mehani - Të gjithë duam të shkojmë atje

| E diele, 10.03.2019, 12:22 PM |


POEZI KUSHTUAR UÇK-SË, ADEM JASHARIT, PREKAZIT LEGJENDAR …

Zymer Mehani “ Të gjithë duam të shkojmë atje ”, ProkultPress - Prishtinë, 2019

Nga Milazim F. KADRIU

“Të gjithë duam të shkojmë atje”, është titulli i librit  më të ri të autorit Zymer Mehani, që hynë në radhën e librave përkushtues me temë nga lufta e lavdishme e UÇK-së dhe dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës. Lexuesi posa ta sheh këtë libër me këtë titull i shtohet kureshtja për të parë se  ku është ai vend që dëshirojmë të shkojmë të gjithë? Dhe vërtetë është titull i qëlluar sepse atje  shkojmë dhe sërish duam të shkojmë, shumë herë shkojmë dhe prapë duam të shkojmë. Në këtë vend ku shkojnë shumë vizitor nga vendi, rajoni dhe gjithë bota për të parë dhe për tu njohur më për së afërmi me këtë vend që është vendi më i vizituar në Kosovë e ky është Prekazi heroik, Prekazi i legjendarit Adem Jashari.

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së, duke i bërë asaj një rrethim të hekurt, i cili për fat të mirë, alarmoi tërë botën.

Për legjendarin Adem Jashari dhe Prekazin heroik, autori Zymer Mehani ka thurë shumë vargje dhe ato tash na i sjell në përmbledhjen e tij “ Të gjithë duam të shkojmë atje ”.

Autori librin e hap me poezinë kushtuar atdheut të titulluar “Atdhe, këngëtari yt u bëra”, ku ndër tjera thotë :

Prej lindjes e deri në amshim

Për ty, Atdheu im

…………

Atdhe, dua të vdes

Në Ditë të Ribashkimit

Ose vargjet ne vijim ku shpreh dashurinë ndaj Atdheut të cilën e ruan në zemër :

Për Ty Atdhe i dashur

N’letër vargje shkruaj

Për vlerën e tëndit emër

Dashuri në zemër ruaj

Në letërsinë shqipe  sot një vend të veçantë zënë edhe poezitë kushtuar dëshmorëve dhe luftës së lavdishme të UÇK-së. Këto poezi përshkruajnë  heroizmin e dëshmorëve në përgjithësi  apo të një dëshmori që i kushtohet poezia  apo betejave të  zhvilluara të UÇK-së kundër armikut shekullor. E në këtë rast poeti Mehani në librin e tij kryesisht poezitë ia kushton komandantit Adem Jasharit dhe të rënëve  tjerë në Prekazin legjendar. Në Prekazin ku ndërroi rrjedha e historisë sonë.

Ai është legjendar,
N’ këtë shekull t’venitur
Hyri n’histori
Nga portë e papritur

( “Ai është legjendar” )

Mehani për dëshmorët dhe luftën e lavdishme të UÇK-së ka shkruar edhe më herët madje shumë poezi me këtë temë. Andaj mund të themi se  heroizmi është pjesë e jetës shpirtërore të poetit. Ai u këndon thuaja të gjithë heronjve të Kosovës  e me këtë rast i këndon Adem Jasharit dhe Prekazit legjendar dhe kështu kur i këndon Adem Jasharit  dhe Prekazit u ke kënduar të gjithë dëshmorëve dhe luftës së lavdishme të UÇK-së. Ja si shprehet në poezinë Jasharët

I vranë
Por s’vdiqën
Si vdiset
Treguan
Dhe kombin
Nderuan
Për popullin tonë
Ranë
– Liria s’ka çmim
Me zë të lartë thanë

Në këto poezi autori ka portretizuar heroin kombëtar Adem Jashari por edhe Epopenë e lavdishme të UÇK-së  të zhvilluar në Prekaz në  fillim mars të vitit 1998. Në qendër të vargjeve  është heroi Adem Jashari dhe Prekazi legjendar që janë zëri i qëndresës  dhe krenarisë shqiptare.

Prekazi qëndrestar

Grushtin lart e ngriti

Kundër mynxyrës

Rrebesheve

Furtunës

Fortesë

Kundër dhunës

( “Adem, o trim!...” )

Në këto poezi lartësohet akti më sublime dhe-flijimi për atdhe. Në poezinë “ Prekaz! ” nder tjera autori thotë :

U kruspullose
U përdhose
U dergje
U dogje
U bëre hi
U preve
U grive
U shkrumbove
Por dot s’u shove

Vargu i këtij libri shndërrohet në rrëfim e histori, që tërë kohën e ngacmon lexuesin që gjatë leximit ec krah për krah me përjetimet e poetit.

Ti, o shqipe mali

Ti, o çlirimtar

Me guxim sa bjeshka

Dole ngadhnjimtar

( “ Komandant…. “)

Këtu Adem Jashari dhe Prekazi bëhen kujtesë historike, motiv i fuqishëm letrar dhe shprehje e mallit dhe dhembjes së thellë njerëzore. Në poezinë Në emër të lirisë “

autori shprehet :

Adem legjendari

Ty, o shqipe mali

Në emër të lirisë

Në emër të nderit

Të faleminderit

Ndjenja e krenarisë kombëtare, shpirti i pa përkulur i njerëzve  të Kosovës, qëndresa dhe rezistenca e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar janë dominuese  në frymën poetike të autorit të këtyre vargjeve.

Adem, syshqiponjë

Ti na mësove
Si duhet të qëndrojmë

-Kombi ynë s’guxon

Të mbetet në robëri

Për liri të tij

Vdesim pleq e fëmijë

( “ Ti na mësove…. “ )

Në përshkrimin e këtyre  figurave, hyjnë ritmet e trimërisë, qëndresës dhe sakrificës, të cilat përshkohen me tone elegjiake, melankolike dhe krenare. Këto aspekte sajimi të imazheve artistike, artikulohen me mjeshtëri  në përshkrim të  këtyre figurave  të përmasave kombëtare. Ja si shprehet në poezinë “ Trim, o legjendar “

Ti, yll i pashuar

Flakadan

Në errësirë

Flaka vullkanike e lirisë e ndezur në zemrat e dëshmorëve  dhe luftëtarëve të UÇK-së u bë frymëzim dhe zgjoi botën artistike  të reflektojë poetikisht në ndriçimin e këtyre figurave  legjendare, që janë më meritorët që ne sot jetojmë  të lirë në republikën e Kosovës.

Shqipen e deshët

N’çerdhen e vet

N’këtë tokë amtare-

Shqiptarin mbret

Prekazi digjet

Komandanti flet

E dëgjon bota

Tërë një planet:

-Shqiptari vdes

Për liri t’vet

( “ Me gjakun tuaj sollët pranverën “

Në këto vargje poeti Mehani përshkruan fuqishëm portretin e Adem Jasharit po edhe të bashkëluftëtarëve tjerë, duke sjell para lexuesit tiparet dhe të gjithë veprimtarinë  atdhetare si dhe qëndresën e gjithë Prekazit legjendar që ishin inspirim edhe për djemtë tjerë të Kosovës  që mos të ndalin krismën e pushkës  për liri deri në fitore.

Ti, Adem Jashari

Më i forti burrë

Si lis i lartësuar

Kuq e zi flamur

( “ Ti, Adem Jashari… “ )

Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit dhe familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën, me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këdo ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi Legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë .Siç dihet familja Jashari, pos komandantit legjendar Adem Jasharit ranë për të mos vdekur kurrë edhe 20 anëtar tjerë të familjes Jashari.

Në poezinë Gjakun tënd lirisë ia fale “ autori thotë :

Gjakun tënd

Lirisë ia fale

Shtegtimesh të gjata

Shqotash e shtrëngatash

Flamur kuq e zi

Bese e qëndrese

Ishe fuqi vigane

Para çdo pengese

Në këtë përmbledhje me poezi autori sjell edhe disa poezi tjera me këtë temë  që i ka botuar në përmbledhje tjera më herët siç janë vëllimet poetike : “Sandokani rron”, "Yje të qiellit tim" dhe “Pranverojnë lulëkuqet tonaqë edhe këto vëllime janë me poezi kushtuar dëshmorëve dhe luftës së lavdishme të UÇK-së.

Autori Mehani në parathënien e kësaj përmbledhje me poezi ndër tjera thotë: “ Drejt Prekazit heroik do të rrugëtojnë prore njerëz nga e gjithë Shqipëria Natyrale. Për Prekazin dhe Jasharët përherë do të jehojnë këngët e lavdisë, prore do të bëhen dhe dasma dhe lindje fëmijësh.

Prekazi Qëndrestar i Drenicës Shqiptare është vendi, në të cilin të gjithë shqiptarët janë më vëllezër se në çdo vend tjetër shqiptar. Është vendi i krenarisë, i dhimbjes e i lotit, i fjalës e i betimit për Ribashkimin tonë Kombëtar” .

Andaj ky vëllim poetik me poezi që burimin e kanë në zemrën e autorit shpresojmë se do të pritet mirë nga lexuesi e sidomos do të jetë i mirëpritur nga gjenerata e re dhe ato që do të vijnë  në mënyrë që të njohin sakrificën dhe luftën e popullit shqiptarë  që është bërë për lirinë e vendit.