E marte, 26.03.2019, 12:34 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Gruaja në vizionin tim

E diele, 10.03.2019, 09:00 AM


GRUAJA  NË VIZIONIN  TIM

(Enkas për 8 Marsin)

Nga Përparim Hysi

Çdo grua,  në vizionin tim,  është si një lule

Dhe me të gjitha "këto lule", ngrihet një lulishtë

Lexues,  të lutem,  këtë mendim ngule

Dhe me këtë të jetosh përjetësisht.

Çdo grua, për mua, është punëtore si një bletë

Dhe çdo grua është e bukur, siç është bukuria

Pa gruan as që do kish fare jetë

Pa gruan,  do qe bosh gjithë gjithësia.

Çdo grua është aq e bukur siç është paqa

Veç gratë në botë luftëra nuk duan kurrë

Jeta,  pa gratë, krejt si  Sahara

Dhe vargjet  e mi mos i merrni me sikur...

Se,  sikur gratë,  të drejtonin botën

Bota, pa dyshim,  do ishte më e bukur

Veç burrat janë ata që duhet t'u "thyesh"kokën

Ndaj dhe bota, shpesh,  është turbull.

Gratë,  të gjitha,  janë si RRYMË E NGROHTË GOLFSTRIMI

Janë ato që e ngrohin planetin

Pa gratë? A do ekzistonte njerëzimi?

Ndaj ju,  lexues,  besojeni poetin.

Këto vargje unë nuk i shkruaj kot

Për të gjitha gratë në botë kam nderim

Po të komandonin gratë, sa e bukur do ishe, moj botë

Dhe aq besoj, sa dëshmoj me timen firmë.

Tiranë, 7 mars  2019

NDJESË   VEZIRIT

"Ti, HALIM,  që s'di këndim,

Je ministër për arsim"

FAN   NOLI

(tregim)

Nga Përparim Hysi

Kur po vij para jush me këtë tregim (enkas, për "Ditën e Mësuesit"),  më përqaset një skenë nga Estrada e Fierit, kur Artisti i Popullit,  Luftar Paja,  në rolin e vartësit nga kryetari,  shkëmben ca batuta plot humor, si:

Kryetari:- Do të heq se je pa shkollë dhe je i paaftë,

Vartësi që është sekretar;-Nuk më heq dot!

Këto  batuta mbushur me atë humorin që ka në majë të hundës, LUFTARI,  arrijnë në një përplasje, hundë për hundë dhe, përfundimisht, ndodhi çudia:-I paafti bëhet kryetar dhe i "afti" bëhet vartës i tij. Humori  arrin apogjeun, kur "ipaafti" kapërdiset si maçoku në thekër mbi kolltuk dhe lëshon ulërimën:-E,  të thaaaaaashë?!!!

Natyrisht,  ç'shkruaj i referohej kohës së MBretit Zog, por,  në e bie si referencë, e bëj qëllimisht. Se unë shtroj pyetjen:- A shpëtuam nga paaftësia? E shtroj si pyetje dhe po vet përgjigjem:- Nuk shpëtuam as në kohën e diktaturës (kur bën fjalë dhe tregimi im) dhe, sa për sot,  militantizmi ka vrarë të aftin dhe jo vetëm nuk ka ndryshuar ai varianti i "estradës", por ka arritur në apogjeun  e saj. Sa për"kripën me karar" mbi gjellë, arriti në postdemokraci që Ministër shëndetësie të bëhet një zetorist!!!

*     *    *

Idenë për të vlerësuar dikë, në është i aftë apo i paaftë,  them që e kam arritur, kur mbarova shkollën e mesme. Në shkollën e mesme,  kur nuk më mungonte gjykimi (epo, në kufijtë e moshës, se nuk isha gjeni),  shikoja se sa të aftë ishin mësuesët e mi. Me  sa përkushtim punonin dhe,  kur thuhet sot,  që të gjithë,  në unison: i thoshin tolerancës zero. Nuk bënin lëshime dhe, ndërsa reflektonin  modelin që duhet të ndiqnim,  kurrë, tek asnjëri prej tyre,  nuk pashë

fyesin e iks nxënësi: lëshimin apo dobësinë qoftë dhe për iks apo ypsilon. Më kujtohet mirë, që kur filluam vitin e parë, qemë 5 paralele dhe"bryma" e kërkesave "vrau" dy prej tyre. Kjo "lloj bryme" qe kosë e rëndë dhe nuk lejonte"firo mediokre". Ne përgatiteshim për mësues (është fjala për ish-Normalen e Elbasanit) dhe mund të humbisje vitin qoftë dhe në ato lëndë që quhen si të djathta: në vizatim,  në fiskulturë,  në muzikë e të tjera.

*    *    *

Kur mbarova të mesmen,  unë u emërova mësues në 7-vjeçare. Këtu, së pari,  u mësova   me paaftësinë. Drejtori qe me 7-vjeçare dhe vazhdonte , pa shpëkutje nga puna,  të mesmen,  Por ishte komunist. Sidoqoftë,  kur thonë:kije inat,  por jepi hakun: as qe i bezdisshëm dhe as kapërdisej. Për tri vjet punova me të dhe, ndërsa unë kisha filluar të jepja provime me korespodencë në Universitet,  drejtori u diplomua. Unë u transferova pas trivjetësh dhe,  kur kisha hyrë në vitin e gjashtë të punës, aty nga viti 1965,  befas takoi një ish-bash-shok shkolle,  nga ata që, qysh në vit të parë,  e"vrau" ajo"bryma" që nuk falte. Ky, "therori" që "vrau bryma",    kujtohet që mbeti në gjashtë lëndë dhe e përjashtuan nga shkolla e konvikti. Kur e përjashtuan,  mendoja se do kishte përfunduar a bujk, a blegtor, se qe nga një fshat i largët.

Sidoqoftë,  ne kishim ngrënë bukë  një vit bashkë dhe, sado që e"vrau bryma",  ishte shok për të cilin kisha mall.

E pashë dhe, tek po e përqafoja  me mall,  vura re që"lopët e dhëntë" po i ruaja unë,  se,  kur thotë MIGJENI"...ikarnacioni i veshjes:shkarpa",  po "shkarpat" i kisha veshur unë dhe jo ky: me kostum,  me kollare dhe me një çantë meshini në  duar.

-Ou, - bëra unë,  po ku je? Ku bëhesh?

- Jam drejtor i shkollës....

-Drejtor shkolle, - përsërita si mëdyshas, - po ke ndonjë nga ata që njoh unë?- pyeta.

-Kam, - më tha, - kam Mithatin.

-Ou, -ngazëlleva unë. Po si  ia çon MITHATI?

-Aha, - tha. Nuk bëhet dot njeri Mithati,  por dhe mësues është i dobët!!!

-Ore,  po ç'më prashit kot.Mua më flet për MITHATIN! Po para MITHATIT zë skuqem unë (pa modesti të rreme:kam qenë nxënës i mirë).

-Aha, - shpotiti ai, - ti  i pretë drutë me sëpatën e VASIL KAMAMIT  (DREJTORIT TONË TË MREKULLUESHËM që, jo vetëm në gjykimin tim,  ishte NJERIU INSTITUCION),  por nuk di një gjë fare të vogël:-Unë jam komunist! Sa më  tha kështu. kafja m'u kthye në farmak, jo se qe bërë komunist, se komunistë të ndershëm ka patur plot,  por ky qe"firo" dhe kështu e sosi. Dhe ky,  i paafti, jo vetëm bëri hop në detyrë, aq sa, një ditë prej ditësh,  sosi më lart, në hierarkinë shtetërore. Mua, pothuaj,  nuk m'u nda dhe, kur ai mbulonte në linjë partie arsimin në rreth,  tha, pasi dëgjoi një "rebelimin tim" në një konferencë për arsimin:- Mos ia vini re Papit (kështu më thërresin të gjithë ata që më njohin), se PAPIT i ka mbetur ora me"kohën e VASIL KAMAMIT!!!". E keqja qe,  se ky, "i paafti", i aftë,  nuk qe i vetëm. Inspektorja e kuadrit në një rreth  nga më të mëdhenjtë e vendit, siç ishte Fieri,  kur po lexonte një listë dekorimesh, tha:" Të dekoruarit po  i lexoj sipas  " a n a l f a b e t i t"!!! Por kjo ishte gruaja e shokut IKS!!!  Kjo qe aq  e paaftë, sa, kur m'u desh një vërtetim,  me dorën e saj, fjalën"Fier" që ka katër gërma, jo vetëm e nxori me pesë gërma, por katër gërma gabim: fjeRë!!! Fillonte me f të vogël,  në vend i, j, në mes me R të madhe dhe një ë, si një vërtetim autentik prej analfabeteje. Kur e shihje që pozonte në"presidium" të  një veprimtarie,  ishe t'ia merrje me kuje. Mund të vazhdoja dhe me të tjerë shembuj paaftësie,  por nuk dua që të bëhem i mërzitshëm.

*    *   *

Pse e  kam titulluar tregimin tim"Ndjesë Vezirit!". Veziri ka qenë një ish-nxënësi im, mesviteve '70-të. Qe djalë shumë i zgjuar dhe atë vit, kur bëhet fjalë në tregim, po mbaronte klasën e tetë.Nga ky nxënës që ishte aq i zgjuar dhe që nuk e vinte fare ujët në zjarr për të mësuar,  unë mora një "leksion pedagogjik" që nuk e kam marrë nga asnjë prej pedagogëve të mi,  në shkollë të mesme e të lartë. Kam punuar me përkushtim dhe kam qenë shumë kërkues.  Sado që nga të gjithë ata që e njohin punën time,  më vlerësojnë si një mësues të mirë,   megjithatë nga përvoja kam mësuar: njeriu plaket duke nxënë. Unë i kisha kaluar  njëzet vjet në punë, kur kisha Vezirin nxënës,  por ky dhe vetëm ky,  më dha le"leksionin" më të bukur.Kjo ndodhi saj zgjuarësisë,  por dhe të guximit të tij. Pohoj duke u skuqur se kam patur vesin e ndëshkimit fizik për nxënësit. Do qe e pandershme nga  ana ime,  po ta fshihja këtë ves. Por këtë "ves" ma preu Veziri. Dhe ja se  si:  E ngrita në dërrasë. Fol,  o gur! Fol,  o mur! Tap fare. Sikur vinte nga pylli.

Dhe unë "fap", një fllackë. Për herë të parë,  në aq e aq vjete punë, kurrë nuk më ka ndodhur që të më kthej fjalën ndonjë nxënës. Po Veziri guxoi dhe më tha:

-Pse më qëllon?

-Se jotmotër mbaroi me dhjeta dhe ti rrezikon të mbetesh në klasë!

- Me dhjeta mbaroi dhe po punon në blogun 10-të, - ma priti flakë për flakë.

Tani pëllëmba ime u kthye në  bumerang për mua dhe,  jo vetëm u kthjella,  por u pendova thellë.

Veziri qe aq i zgjuar, sa ta merrte fjalën nga goja,  po, kur pa që e  motra mbaroi me dhjeta dhe mbeti në kazëm,  i kish bërë mirë llogaritë. Familja e tyre qe me"hije" në biografi:një xhaxhai i tij qe pushkatuar nga partia dhe kjo qe arsyeja që ua kish varur  mësimeve. Sado që Vezirit atë ditë nuk i thashë dot:-Më fal,  në thellësi të shpirtit u ligështova. Që atë ditë,  kurrë nuk ndëshkova një nxënës që nuk mësonte.

"Vezirët" e kësaj  kaste,  qenë pjekur para kohe dhe e dinin mirë:perspektivën e tyre.

*     *     *

Por duke sjell këtë tregim, unë shtroj pyetjen:- A kemi shpëtuar nga të paaftët? Në përgjigje të kësaj pyetjeje,  është për të ardhur keq që paaftësia po bën mu. Drejtues shkollash, militantë partish dhe ca më keq: mësues e drejtues me diploma të vjedhura. Ky skalion të paaftësh bën paradë mu para syve tanë dhe nuk ka  se ku të vejë më keq. Më kujtohet një nga PROFESORËT E NDERUAR TË NORMALES që thoshte: " Në do që t'i vësh kazmën një vendi,  kualifiko njerëz të paaftë!". Dhe unë pyes:-Vallë e dinë qeveritarët tanë, këtë postulatë me vlerë? Sikur nuk ma ha buza atë lloj kulaçi. Emërime partiake e nepotike i bjerrin vlerat dhe riciklojnë paaftësinë, duke i bërë një dëm të madh vendit. A nuk duhet shtruar para të gjithëve ajo pyetja tronditëse MIGJENIANE: " Deri kur kështu ma?!!!"

Tiranë,  5 mars 2019



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT