E enjte, 28.03.2024, 08:54 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Të këndosh në kampin e përqëndrimit

E shtune, 09.03.2019, 08:10 PM


Të këndosh në kampin e përqëndrimit

Meditime për një dëshmi

Nga Timo Mërkuri

Në kampin e përqëndrimit “STALAGA 7A” në Mosburg Gjermani,  në mbrëmjen e Krishtlindjeve të datës 25 Dhjetor 1944 të burgosurit shqiptarë nga bregdeti kujtonin festimet që bënin në këtë ditë në familjet e tyre. Këngët dhe vallet, lodrat dhe ushqimet e kësaj dite u vinin në kujtesë dhe u krijonin një angushi në shpirt për boshësinë e kësaj ditë në kampin nazist të përqëndrimit..

Mes të burgosurve rusë, anglezë, francezë, grekë ishin edhe disa të rinj shqiptarë në bregdeti, nga fshatrat Nivicë Bubar, Piqeras, Lukovë. Ishin arestuar në datën 23.6.1944 në fshatrat e tyre, pas masakrës së Hondrovunit të asaj dite, si hakmarje e nazistëve për një goditje sporadite  të çetës territorale në malin e Shëndëllisë mbi një patrullë gjermane, ku u vranë pesë ushtarë dhe një major gjerman[1]. Hakmarja gjermane ishte e menjëherëshme. Gjermanët morën me vete pesë fshatarë nga Nivic Bubari për të trasportuar gjermanët e vrarë në malin e Shëndëlliut dhe me t’i prurë trupat në vendin e quajtur Vilëz, i ekzekutuan menjëherë  fshatarët, duke i lënë trupat në anë të rrugës. Trupat e gjermanëve të vrarë i hipën në makinë dhe duke shkuar për në Shën Vasil, qëllonin me breshëri çdo burrë që shihnin rrugës, duke vrarë në këtë mënyrë 39 persona. Te kisha e Shën Harallambit në fshatin Shën Vasilit nazistët grumbulluan 250 fshatarë të fshatrave Shën Vasil, Nivic Bubar, Piqeras, Qeparo dhe Lukovë , nga të cilët u përzgjodhën 40 burra, të cilët i çuan në bregun e Hondrovunit. Aty, pasi i paisën me kazma e lopata, u kërkuan që të  hapnin një hendek të thellë, me pretendimin se po hapnin llogorë (istikame) lufte. Pasi u hap hendeku, nazistët  filluan t’i lidhnin tre nga tre të arestuarit dhe ti afronin te hendeku i hapur. Këtë moment shfrytëzuan dy të arestuar, njeri nga të cilët ishte ish ushtar italian, për të vrapuar nëpër shkëmbinjtë e terrenit të ashpër, me qëllim aratisjeje. Gjermanët hapën zjarr duke vrarë njërin, ndërsa italiani ariti të shpëtojë dhe gjeti strehim e mbrojtje në fshatin Lukovë. Pas kësaj tentative ushtarët nazistë, me britma e të shtyra i reshtuan të arestuarit në buzën e hendekut dhe pas komandës së oficerit drejtues, hapën zjarr me breshëri. Trupat binin në hendek ashtu të lidhur siç ishin tre nga tre…

Të vrarët ishin nga Shën Vasili 11 persona, Lukova 4 persona, Piqerasi një person, Qeparo dy persona dhe Nivic Bubari 19 persona. Në total 37 të masakruar, që pot u shtosh edhe të vrarët rrugës, të cilët ishin 39 persona rezulton se vetëm brenda një dite u masakruan 76 persona të pafajshëm  Vetëm nga Nivic Bubari u vranë atë ditë 45 persona. Por nuk mbaron me kaqë kalvari i mundimeve të banorëve të bregut.

Nazistët u rikthyen te kisha ku ishin të arestuarit e tjerë dhe mes tyre përzgjodhën 184 persona për ti internuar në Gjermani. Të arestuarit ishin nga Shën Vasili 36 persona, nga Nivic Bubnari 37 persona, nga Lukova 59 persona dhe nga Piqerasi 52 persona të cilët, me përjashtim të 18 personave nga Nivic Bubari, që mbetën burgjeve të Janinës, Larisës e Selanikut të gjithë të tjerët u internuan në kampin e famëkeq të e përqëndrimit “STALAGA 7A” në Mosburg Gjermani Mes tyre, rreth gjysma ishin të moshës 15-18 vjeç.

Pas një odiseje 18 ditëshe duke kaluar nga burgu i Delvinës, në atë të Janinës, më pas në burgun e  Larisës dhe të Selanik, (realisht prej nga liruan gjashtë fëmijë nën 14 vjeç)  i hipën në një tren trasporti kafshësh, bashkë me të arestuar të kombësive të tjera grekë, sllavë, italianë ku udhëtuan nëntë ditë e nëntë net për në Gjermani. Me të mbritur në kampin e Mosburgut, u vendosën në kapanone dërrase, nga 150 veta në një kapanon ku normalisht mund të rinin vetëm 50 veta. Krevatet ishin tip marinar, me tre kate.

Kjo ishte historia e shkurtër e fëmijëve bregdetas, që atë mbrëmje  të krishtlindjeve, duke kujtuar festimet që bëheshin në fshatrat e tyre, duke kujtuar lodrat, shokët dhe prindërit, befas ja nisën të qarit. Të qarët shpesh është  mjeti me të cilën reagon njeriu ndaj një dhimbjeje fizike apo shpirtërore, por për moshat e njoma është një dobësi që përhapet si epidemi dhe të krijon një gjëndje depressive shpirtërore.. Kishte rrezik që të qarët e tyre të shndrohej në një infeksion dobësie, ndaj burrat bregdetas, panë njeri tjetrin në mënyrë pyetëse, sikur të thoshnin se cili prej tyre do fliste.

-Pushoni- foli me zë të lartë Vangjel Vogli, pushoni dhe mos qani më. Pastaj duke zbutur

zërin, vijoi: – E di more djem që ju këputi malli, po mos u mërzitni. Do t’jua sjell unë fshatin këtu në kamp, ta shikoni e të çmalleni. Vetëm mbyllni sytë dhe shikojeni me sytë e mëndjes..

Dhe duke thënë këto fjalë ua bëri me shënjë shokëve të tij bregdetas, të cilët u mblodhën në formë rrethi dhe ja nisi këngës[2]:

Seneja dyzet e katër[3]

Qershori njëzet e tre

Erdhe o barbar në fshat

Kemi rregjistrim na the

Na vure para me armë

Dhe na mbylle kishave

Na dhe kazem e lopate

Do bëjm istikam na the

Na kalove më të kaptë

Na vure në batare

Kanë zënë dhe rënkojnë

Atje poshtë nënë dhe

Qirjakua me Foto Gjonë[4]

Dhe gjaku i të tjerëve

Na vrat’ o qena[5] na vratë

Me dor’ të të tjerëve

Fajin e kanë tradhëtarët

Ca bij të putanave[6]

S’do mbetet haku pa marrë

O qent’ e kokalleve[7]….

Fëmijët heshtën qysh në vargun e parë dhe ja ngulën sytë Vangjelit që ja merte këngës.

a-Kënga iso-polifonike është kujtesë. Ajo gjithmon të sjell pranë ngjarje e njerëz nga historia e afërt dhe e largët, qoftë kjo histori personale , kolektive krahinore apo kombëtare..

Për këtë arsye para syve të tyre u shfaq gjithë skena e masakrës që ata e kishin përjetuar, që nga të shtënat rrugëve të fshatrave, goditjen e dyerve të shtëpive me kondakët e pushkëve, të bërtiturat e të shtyrat për tu mbledhur në kishë, përzgjedhja rastësore e viktimave dhe breshëritë e armëve që vinin nga Hondrovuni.

Befas fytyrat e tyre u ashpërsuan,aq sa mund të ashpërsohen fytyrat e fëmijëve. Fillimisht u afruan te grupi dy-tri si më të rriturit dhe pastaj u grumbulluan të tërë.

b-Sepse kënga popullore është produkt dhe element kolektiviteti. Kënga iso-polifonike nuk këndohet vetëm, ajo kërkon një grup të përbërë nga marrësi, hedhësi, kthyesi dhe mbi dy persona për të mbajtur iso. Edhe në rastet kur je vetëm dhe nis e logat, përsëri imiton zërrrat e marrësit, hedhësit,kthyesit dhe të mbajtësve të isos duke e rrethuar veten me ndjesinë e pranisë së shumë personave. Kështu dhe fëmijët të mbledhur sup më sup, ndoshta nga ngushtësia e vendit, jo vetëm që nuk u ndjenë të braktisur, por përkundrazi, aty ku mbanin iso me zërin e tyre të hollë, e ndjenë veten sikur ishin te rrapi i fshatit dhe këndonin me burrat. Të këndosh me burrat e fshatit te rrapi është vlerësim për trimëri të treguar dhe zotësi në të kënduar. Me një fjalë, je rritur e je bërë burrë. Fshati i ka sytë nga ty tani. Domosdo edhe vajzat.

c- Sepse kënga iso-polifonike të rrit, pavarësisht nga mosha e nga shtati që ke. Është vetë procesi i të kënduarit që të bë ta ndjesh veten më të madh se ata që të dëgjojnë.

Nga ata i kishin vërtet sytë gjithë të burgosurit e kapanonit, të cilët u ngushtuan rreth tyre  për të dëgjuar më mirë.  Shikimi i tyre shprehte çudi të dyfishtë, çudi për kurajën e tyre dhe çudi për këtë të kënduar, ku mbi dhjetë burra e fëmijë nxirnin një zë të vetëm.

ç- Sepse kënga popullore përhap magjinë rreth e qark dhe imponon vëmëndje e respekt tek dëgjuesit, pavarësisht se këta dëgjues mund të jenë me arsim dhe kombësi të ndryshme. Kënga iso-polifonike prek zemrat e njerëzve fillimisht. Shumë më von truri  fillon e studion atë që dëgjuan veshët.

d- Kënga iso-polifonike të jep forcë, prandaj edhe  fëmijët ndjeheshin të fortë. Angëshia që kishin në fillim në gjoks iku dhe vendin e saj e zuri ajri i mushkërive, gati për tu nxjerë[8] në iso. Fëmijët rinin me gjoksin përpara, si ushtarët në parade. Ishin rritur brenda një çasti, ishin trimëruar[9]. Ishin gati të luftonin, të mernin hak për vete dhe për të vrarët e tyre të afërm. Nuk i llogaritën fare ushtarët gjermanë që hynë të heshtur në kapanon dhe  që i dëgjonin me habi. Madje edhe i shpërfillën kur ata i duartrokitën në mbarim të vargut. Madje edhe buzëqeshën pakëz kur panë se gjermanët i duartrokitën te vargu….Na vrat’ o qena na vratë/…dhe  te vargu…Ca bij të putanave. Gjermanët, ashtu si të burgosurit e tjerë, me siguri duartrokisnin muzikën e këngës, por ata  këndonin tekstin e këngës, se muzikën e nxirte shpirti.

Duartrokitjet e të burgosurve të vendeve të ndryshme së bashku me ato të ushtarëve

nazistë tregonin se nuk e miratonin ndërprerjen e këngës. Por kënga e porsakënduar ishte këngë

moment.

d- Kënga popullore është nga ato këngë që shpirti e e krijont në çast. Është duf e vlagë shpirti, nuk ështe këngë e krijuar shkollave. Duke parë që të burgosurit dhe ushtarët gjermanë ishin afruar kokë më kokë me njeri tjetrin, në pritje të këngës, Vangjel Vogli pasi u bëri shënjë shokëve, shënjë që do të thoshte….mbamani[10] …duke mënjanuar pakëz kokën në të djathtë,  ja nisi këngës:

Që kur kam ikur nga fshati

Gjer më sot

Më ka marrë malli shumë

S’duroj dot

Me ca tela jam rrethuar

Porsi zog

Dhe gjermanët që më ruajn’

S’i shoh dot

Se jesh lidhur bashk’ me shokë

Kesh’ bër’ be

Por të them se një ditë

Do të vij

Derën tënde pa pandehur

Do trokit

Dhe në dalça dot i gjallë

Për atje

Nat’ e ditë do punoj

Për atdhe.

Te vargu…Më ka marrë malli shumë/S’duroj dot…zëri ju drodh dhe për pak ju duke se do ndërpriste këngën, por çudi e çudive, këtu fëmijët e ngritën më shumë zërin e iso-s, sikur donin të thoshnin …Jemi këtu xha Vangjel, na ke ne. Kjo ndoshta është arsyeja që te vargu…Dhe gjermanin që më ruan/Se shoh dot…jo vetëm që e ngriti zërin një oktavë më lart por edhe u shkeli syrin fëmijëve, gjest që fëmijët ju përgjegjën me një buzëqeshje nëpër iso.

e-Kënga të barazon me perëndinë sepse vargjet e këngës citohen e këndohen dhe komentohen si fjalë të shënjta. …Kështu thotë kënga- ilustron dikush një bisedë apo një histori dhe të pranishmit nuk e vënë aspak në diskutim.

Kështu shpjegohet fakti që ushtarët gjermanë, të burgosurit rusë, amerikanë, anglezë, sllavë e grekë përpiqeshin të këndonin vargjet e këngës, ose së paku të mbanin iso gjatë kohës që këndonte grupi. Ata pyesnin njeri tjetrin dhe haronin për një moment se disa ishin ruajtës dhe të tjerët ishin robër.

f-Kënga vendos barazi mes dëgjuesve. Vetëm këngëtarët janë në një shkallë më të lartë sipërore. Ishte ndoshta hera e parë që në atë kamp, në një kapanon të burgosurish bëhej zhurmë (duartrokitjesh) dhe rojet, që çuditërisht kishin hyrë pa urdhër në kapanon, jo vetëm që nuk ndërhynin të  mbahej qetësi, por ishin katalizator i zhurmës, sepse duartroki-snin të parët. Ndoshta ndonjëri apo disa prej tyre “kishin vesh muzike” apo arsimim muzikor.

Mua më pëlqen  të shtoj që kjo ishte këngë e viseve të mia.

Atë ditë kënga buçiti gjer pas mesnate në kapanonin e të burgosurve dhe u kënduan shumë këngë që mbanin mënd nga gjithë treva e Himarës...Rojet u larguan dhe dhanë porosi që të nesërmen do këndonin përsëri. Të burgosurit shqiptarë e pritën me kënaqësi këtë urdhër.

Këngët vazhdonin gati çdo natë, deri kur më  25 prill 1945 kampi i përqëndrimit u çlirua nga  anglo-amerikanët. Atë ditë kënga buçiti më fortë sepse u këndua jashtë kapanonit, ku dëgjonin e duartrokisnin robërit e çliruar dhe gjermanët e zënë robër. Ishte radha e ushtarëve anglo-amerikanë të  befasoheshin nga këta këngëtarë me zë perëndie.

Sarandë, më 5-8 Mars 2019


[1] Të dhënat nga arkivi familjar i Kostandin Vogli, konsultuar dhe me Harillaq Papadhima si dhe dëshmitar okular i ngjarjes Irakli Spiro

[2] Marrësi Vangjel Vogli, kthyes Manol Baxheri, hedhës Nini Kola, iso Llambi Papadhima, Naqe Kapetani, Misto Thomari dhe Timoleo Qëndrothanasi. Të gjithë bregdetas të arestuar në datën 23.6.1944.

[3] Shkrimtari Kostandin Vogli i paraqet tekstet e këngëve dhe skicon pjesërisht subjektin te libri i tij “Mrekulli e ujqëve” , botim i MILOSAO Sarandë, fq 237, por modestisht nuk citon faktin që marrësi dhe autori i këngës është i jati i tij.Publikimi i këngëve në këtë shkrim është bërë me miratimin e tij. E falnderoj edhe për foton e të jatit që ma dha për këtë shkrim.

[4] Emrat e dy të pushkatuarve në Hondrovun

[5] Është fjala për bashkëpuntorët e nazistëve, që spiunuan fshatarët.

[6]Është rast i rallë që në këngët popullore përmënden epitete të tilla fyese. Por kuptoni situatën dëshpëru-ese në kampin e përqëndrimit.

[7] Edhe në këtë rast është fjala për bashkëpuntorët e nazistëve. Kokalla do të thotë kocka, pra qentë e kockave.

[8] Në këngën iso-polifonike rakia që pinë këngëtarët del në formë avulli gjatë mbajtjes së iso-s. Prandaj nuk dehen këngëtarët popullorë, ndonëse pinë raki më shumë se të tjerët.

[9] Efekti i këngës iso-polifonike është i shumëanshëm te këngëtari dhe dëgjuesi. Dëshmia e operimeve pa narkozë gjatë luftës Nac.Çl., vetëm duke e shoqëruar operimin me grup kënge, është efekt i këngës te njeriu dhe jo krijim letrar i realizmit socialist.

[10] Shprehja …mbamani …ka kuptimin …shoqëromëni me iso këngën…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora