Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Kundrime e krahasime

| E enjte, 07.03.2019, 09:31 PM |


Kundrime e krahasime

Nga Blerim Rrecaj

Këmbët ecin, marrin udhën, si të ishin pjesë të një roboti të dirigjuar, andej kah një hapësirë fushe të gjerë me ca ara e livadhe si det që dikujt mund t'i duket i qetë, e ndokujt dallgë murrmë e dallgë hirtë të tallazitura. E tuj shetitë në ara t'gjata sipër barit të njomë, siç e thotë njëra nga këngët popullore, sytë nuk ndeshen me lule e me flutura, pos me ndonjë insekt të rrallë, të cilin mund ta marrësh e ta lësh paksa të vërtitet hapësirës së shuplakës së dorës tënde, përmbledhur si liqen. Pjesë tokash të punuara ngjyrë të një të zeze të çelët duken si puding i vakët e i çkapuritur me lugë, për t'u liruar nga nxehtësia edhe më. E disa të tjera rrijnë si ëmbëlsira ditëlindjesh zbukuruar me grimca kokosi të kremtë e fijesh të holla e të gjelbërta. Aty këtu, gjithëandej ka shumë guaska kërminjësh, që duken si bunkerë të braktisur lyer bardhë e kaftë. Pjesët e pa lëvruara të tokës duken si flokë të kërleshura luftëtarësh që megjithë lodhjen dhe vështrimet shashtrisëse, nuk e kanë ndërmend të ndalen në përpjekjet e tyre deri në fund. Oxhaqet e termocentraleve janë si oxhaqe të një anijeje të madhe që lë gjithë ato shtëllunga tymi të përzier rëre plazhesh e shkretëtirash. Përkëdheljet e erës vazhdojnë me melodinë viuu, fiuu e huu si farë makine flokëterëse. Dielli si saç argjendi i bardhë i punuar me dorë e me fije filigrani, ecën ngadalë si për të pjekur retë sikur ato të ishin tepsia me flija, përpeça a krelana me duqa. E retë si leshra të grumbulluara e të shpërndara deshësh, delesh e qingjash kullotin kaltërsive, sa andej e sa këndej, humbin sysh e vijnë sërish. Pëllumbat si farë aeroplanësh luftarakë, bombardues pa pilotë, e aeroplanët si pëllumba lajmëtar që me vete bartin lajmet për vazhdim beteje, për armëpushimin e radhës, a për traktakin e paqes. Treni si gjarpër fishkëllyes, që s'dihet se a ka marrë udhën e largimit a kthimit për në shtëpi, por që s'ka nge për asnjë çast të ndalet. Ky vinç si dinozauri më i madh e punëtorët si rob e të zënë pengje, mes pashpresave e shpresave për (ç)lirim. Shumëkatëshet si paketa kartoni mallrazbrazur a artikujmbushur heshtin dhe ngacmojnë njëra-tjetrën me ndonjë fjalë. E njerëz hekurmbledhës, letërmbledhës e plastikmbledhës, rraqembledhës vazhdojnë gjahun nëpër stacione deponish që xhungla prej vetes i hedh. Lulet që ende s'po duken, po shihen te ngjyrat e çelura e të ndezura bluzash pranverore që të pafajshmit fëmijë kanë veshur...