E enjte, 28.03.2024, 10:27 AM (GMT)

Mendime

Fran Gjoka: Shkolla dhe nevoja e “revolucionit” në fushën e edukimit të integruar të nxënësve

E hene, 04.03.2019, 07:58 PM


Shkolla dhe nevoja e “revolucionit” në fushën e edukimit të integruar të nxënësve

(Përgjigje për disa pyetje që qarkullojnë në familje dhe në shkollë)

Shkollat duhet te ndjekë me përparësi çdo sjellje dhe veprim të nxënësve dhe problematikat që ka shkolla sot

Nga Fran Gjoka

Shkolla është sot një nga institucionet me problematikë komplekse dhe vështirësi në zgjerime intensive, të cilat, në shumë aspekte, kanë cënuar integritetin social pedagogjik të këtij institucioni me rëndësi të veçantë për edukimin e brezave të rinj dhe zgjerimin e hapsirave të sigurisë morale qytetare. Mungesa e sinkronizimit dhe prania e përhershme e shndrrimit të përgjegjësive të saj në një duel pedagogjik përgjegjësishë midis mësuesit dhe nxënësit, ka ulur shumë koeficientin e rezultateve dhe kuotave të edukimit. Shikimi në bllok dhe trajtimi holistik i problematikave të nxënësve, mungesa e përgjegjësisë edukative dhe indiferenca e mësuesit në shkollë dhe prindit në shtëpi për të bërë diagnoza të diferencuara të problemeve që kanë nxënësit individualisht dhe pastaj trajtimi i tyre përmes një procesi edukativ të individualizuar dhe ndërhyrjeve të personalizuara, e ka cënuar rëndë rolin social dhe autoritetin edukativ të shkollës shqiptare. Ky konstatim është fare i lehtë kur shikon situatën që zhvillohet në shkollat tona. Të rinj të paedukuar, pa sens qytetar, të dhunshëm, agresivë, bulistë e ngacmues seksualë, përdorues të drogës dhe alkoolit, takohen gati çdo ditë në ambientet e shkollave tona. Ndërkaq “ping-pongu” i përgjegësive në raportet mësues-prind dhe indiferenca bilaterale është bërë një “qyrk” i madh përgjegjësishë, të cilin tani me një lloj indiference nuk pranon ta “veshë” as shkolla, as familja. Një gjë është e sigurtë. Në kohën e sotme shkolla ka detyrë imperative që të edukojë të rinjtë duke u mësuar atyre rregullat e bashkekzistencës paqësore, të mirëkuptimit reciprok dhe tolerancës së ndërsjelltë.

Mungesa e lidhjes se shkollës me institucionet përkatëse, si me shërbimin shëndetësor dhe publik, me drejtuesit e shërbimit social dhe me njësinë e mbrojtjes së fëmijëve që ndodhen të ngritura në njësitë dhe bashkite vendore të vendit. Ajo që i shqetëson më shumë prindërit është mungesa dhe indiferentizmi i mësuesit kujdestar, duke mos justifikuar sa e si duhet rolin e tij aktiv, pa thënë se është punë e paguar me 2 orë në javë kujdestari. Problemet edukative, me të cilat ndeshet sot shkolla, janë të gjëra, komplekse, të ndërlikuara, të ndërlidhura dhe të kondicionuara edhe me institucione e faktorë të tjerë jo apo jashtë pedagogjikë, por që kanë peshë dhe ndikim në këtë situatë shqetësuese të nivelit të edukimit qytetar të nxënësve. Nuk jam dakord me një lloj njëanshmërie që nxit një mëndjemadhësi pedagogjike, duke e bërë shkollën të vetmin faktor që ka role e përgjegjësi eksplicite në këtë fushë të gjerë. Shkolla e vetme, e izoluar, pa vendosur urat e komunikimit dhe fijet e bashkëpunimit të ngushtë dhe të integruar me institucione e aktorë të tjerë që janë “jashtë” shkollës apo “përrreth saj”, nuk ka më shansin e sigurtë të suksesit. Kjo është një e vërtetë e kohës që duhet njohur nga të gjithë. Megjithatë është e sigurtë që pjesa e “luanit” në këtë përgjegjësi që ka shkolla dhe që i takon ta mbajë, një rol të posaçëm ka mësuesi kujdestar i klasës si figurë e aftë e polivalente për të bërë “skanimin” e tipareve dhe problemeve që kanë nxënësit. Misioni i mësuesit kujdestar nuk është rol formal apo detyrë që duhet për të “plotësuar normën” dhe për të marrë pagesën respektive. Jo, roli i mësuesit kujdestar tashmë është kompleks dhe i gjerë. Ai ka detyrë të ketë njohje të thelluar individuale për çdo nxënës, të njohë në detaje “origjinën” sociale, edukative dhe stafin familjar të nxënësit, të dijë të bëjë vlerësimin e personalitetit dhe problemeve specifike eduaktive dhe të sjelljes së nxënësve që ka në kujdestari, të ketë të skanuar “dosjet individuale” të nevojave edukative dhe planin e veçantë të ndërhyrjeve, për të kapërcyer problemet dhe vështirësitë, përmes veprimit kompakt dhe të personalizuar me secilin nxënës sipas nevojave që ata kanë për ndërhyrje korrigjuese edukative. Fatkeqësisht në shkollat publike po ndodhin çdo ditë ngjarje të turpshme dhe krejt ndryshe ndodh në shkollat jopublike, ku mësuesit qëndrojnë me nxënësit. Padiskutim në se ka një të keqe të madhe që po shfaqet dukshëm në shkollat publike në raport me ato jopublike është një lloj burokratizim i profesionit të mësuesit. Sidomos në marrëdhëniet intensive, të kujdesshme që ai duhet të ketë me nxënësit dhe prindërit e tyre. Kostoja e këtij burokratizmi pedagogjik, semplifikimi i profesionit në nivelet e ngushta të mësimdhënies, është haraç i madh, të cilin e ndjejmë të konvertuar në sjelljet dhe devijancat e forta edukative në sjelljen e nxënësve në shkollë dhe jashtë saj, që reflektohet edhe në familje, në marrëdhëniet me shokët dhe prindërit e tyre, si një sjellje me mangësi të forta të kornizës qytetare. Edhe drejtoritë e shkollave kanë mangësitë e tyre, të cilët nuk bëjnë sa e si duhet kontrollin e zhvillimit të lëndës së edukimit seksual në shkolla, duke parë me syrin e indeferentizmit, duke konsideruar këtë lëndë të dorës së dytë. Problemet e edukimit seksual të të rinjve në shkollë është një problem më vete dhe me pasoja të shumta në formimin e tyre qytetar, në rregullimin e ekuilibruar të raportit të instikteteve të tyre moshore e të natyrshme, me arsyen, vetpërmbajtjen dhe kontrollin human të presionit të instikteve. Shkolla duhet ta vlerësojë më shumë nevojën e zgjerimit të “kulturës së seksualitetit” tek të rinjtë, në përputhje me kohën, parametrat e zhvillimit psikologjik e psikik të nxënësve, duke vlerësuar kohën postmoderne dhe kornizat e reja morale të qytetërimit postmodern. Një shoqëri e liberalizuar, nuk do të thotë se nuk ka nevojë të krijojë tek të rinjtë një kulturë seksuale humane dhe të humanizuar. Për këtë problem, për nevojën e krijimit të një kulture solide tek të rinjtë për seksualitetin e tyre, duhet “ligjëruar në shkollë”. Madje me kompetencë, profesionalizëm e vërtetësi. Pa dogmatizëm, paragjykime të vjetra morale dhe koncepte që sjellin ngërçe konceptuale tek nxënësit. Kjo do të thotë se më shumë për problemet e teknikave të seksualitetit, duhet folur për nevojën e kulturës seksuale, si një nga komponentët me rëndësi për të ndërtuar sjelljen e qytetëruar të të rinjve në lidhjet e tyre bipolare shoqërore, por dhe në martesë apo relacione të tjera partneriale. Padyshim kjo kërkon mësues të aftë dhe mendjehapur. Janë mësuesit e biologjisë që japin lëndën e edukimit seksual në shkollë, por dhe ata të sociologjisë dhe psikologu i shkollës, që kanë përgjegjësi të integruara në dhënien e kësaj lëndë, që duhet të jetë në nivelin e kërkuar. Bashkëpunimi shkollë-familje duhet të jetë domosdoshmëri jetike dhe marrëdhënie komunikimi dhe ndërgjegjësimi për brezat e ri. Historia e suksesit dhe dështimit të shkollës në procesin e mësimit, por sidomos të edukimit të nxënësve, është e lidhur me përmirësimin e “formulës” së lidhjes sinkretike dhe bashkëpunimit të ngushtë midis shkollës dhe familjes, midis mësuesit dhe nxënësit. Veçse kurba, dialektika dhe dinamika e kësaj lidhjeje nuk ka qenë gjithnjë konstante në historinë e shkollës shqiptare. Të tjera module lidhjeje dhe modele bashkëpunimi ka patur kjo lidhje në kuadrin e “shkollës autoritariste” dhe të tjera që funksionojnë në sistemin e shkollës së demokratizuar, jo aq me “autoritet vertikal” të mësuesit dhe prindit mbi nxënësin dhe fëmijën, në raport me një lloj “autoriteti horizontal”, që buron nga pushteti i dijes së mësuesit dhe figurës së tij morale, nga njëra anë dhe mënyrave të reja të komportimit edukativ dhe sigurimit të autoritetit prindëror në familje. Kuptimi i kësaj përmbysjeje që favorizon pushtetin e dijes së mësuesit dhe auoritetin si pushtet edukativ horizontal të prindërve, është nevojë imperative për të përmirësuar cilësinë dhe efektivitetin e edukimit të fëmijëve në të dy “kështjellat” e mëdha e të pazëvendësueshme të edukimit, sikurse janë Familja dhe Shkolla, Prindi dhe Mësuesi. Kjo nuk bëhet duke shmangur përgjegjësitë reciproke e duke ja hedhur fajin njëri-tjetrit. Secili duhet të mbajë atë që i takon dhe së bashku të ngrenë një sistem të sinkronizuar e bashkëpunues në “frontin” e vet të përgjëgjësisë edukative.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora